Vëllezër  besimtarë! Kini frikë Allahun dhe dijeni se kjo botë është një vend sprovash dhe provimesh: “Ai i ka krijuar vdekjen dhe  jetën,  për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh. ” [El-Mulk: 2].

Shtimi  dhe shfaqja e sprovave janë ndër shenjat e Kijametit. Në Sahih, Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, tha: “Koha do të përafrohet (nga dinamika, i humb bereqeti), veprat do të pakësohen, lakmia do të mbizotërojë dhe sprovat do të shtohen – ose  tha: shfaqen.”

Ndër urtësitë e sprovave janë: testimi dhe demaskimi. Siç tha Zoti i Plotfuqishëm: ” Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju, por do ta ndajë të keqin prej të mirit.” (El Imran: 179), dhe se kushdo që jeton më pasë  të jetojë mbi argument të qartë dhe kushdo që shkatërrohet   të shkatërrohet pas provave të qarta.

Rënia në sprova ka disa shkaqe, duke përfshirë dobësinë e besimit, shtimin e së keqes me kalimin e kohës, që rezulton si pasojë e vdekjes së njerëzve të drejtë, humbjen e dijetarëve, pezullimin e dijes dhe shfaqjen e risive. Kur njerëzit iu ankuan Enes ibn Malikut, Allahu qoftë i kënaqur me të,  për persekutimin që po përjetonin nga duart e emirit zullumqar el-Haxhxhaxhit, ai tha: “Jini të durueshëm, sepse nuk do t’ju vijë asnjë kohë përveçse ajo që vie pas saj do të jetë edhe më e keqe, derisa të takoni Zotin tuaj.” E dëgjova këtë nga Profeti juaj, paqja dhe bekimet qofshin mbi të. (Sahihul Buhari)

Për shkak të rrezikut të madh të fitneve, Allahu i Plotfuqishëm ka paralajmëruar kundër tyre, duke thënë: “ Dhe ruajuni  nga një sprovë-fitne që nuk do të godasë vetëm ata që kanë bërë padrejtësi prej jush, dhe dijeni se Allahu është i ashpër në ndëshkim.” [El-Enfal: 25]. Ibn Kethiri ka thënë: “Edhe pse ky ajet iu drejtohet shokëve të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ai është i përgjithshëm për çdo musliman, sepse Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, paralajmëronte kundër sprovave.”

Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të,  i krahasoi fitnet që do t’i rrethojnë njerëzit me natën e errët, duke thënë: “Në prag të Kijametit, do të ketë sprova si pjesët e  një nate të errët. Një person në mëgjes  zgjohet besimtar porse në mbrëmje përfundon si jobesimtar, ose besimtar në mbrëmje dhe jobesimtar në mëngjes! Ai që rri ulur gjatë shfaqjes  tyre është më i mirë se ai që qëndron në këmbë, ai që qëndron në këmbë është më i mirë se ai që ecën, dhe ai që ecën është më i mirë se ai që nxiton.” Ata i thanë: “Çfarë na urdhëron?” Ai tha: “Qëndroni në shtëpitë tuaja siç qëndrojnë gjësendet.” (Transmetuar nga Ebu Davudi)

Fitnet janë të llojeve të ndryshme, por më të rëndat prej tyre  janë ato që lidhen me besimin, siç janë risitë dhe dyshimet, fitnet e Havarixhëve dhe Kaderijve, ateizmi, e laicizmi, përçarja dhe ndarja  e grupeve, tekfiri e tebdidi etj fitne që   çojnë në përjashtim e linçim  e deri në lejimin e derdhjes së gjakut të pafajshëm, shtrembërimit të imazhit të Islamit dhe fuqizimit të armiqve, pa  e përmendur dobësimin e Ummetit, zvarritjen e të rinjve të tij në zjarrin e fitneve dhe shndërrimin e tyre në lëndë djegëse për zbatimin e planeve të dyshimta.

Prej fitneve tunduese është përhapja e përmbajtjes degraduese, ideve të shthurura dhe zbukurimi i amoralitetit, si dhe nxitja e armiqësisë dhe urrejtjes, të cilat që të gjitha synojnë sistemin e vlerave dhe moralit. Viktimat e saj janë shtresat e gjera injorante dhe naive.

Në një predikim profetik elokuent që solli lot në sy dhe të dridhura në zemra, sahabët thanë: ” Sikur ky të ishte një predikim lamtumire!? Çfarë po na lë porosi?” Ai, Zoti e bekoftë dhe i dhëntë paqe, tha: “Ju këshilloj të keni frikë nga Zoti i Plotfuqishëm dhe të dëgjoni dhe të bindeni, edhe nëse një rob është caktuar udhëheqës mbi ju. Kushdo që jeton prej jush do të shohë shumë mosmarrëveshje. Prandaj, përmbajuni Sunetit tim dhe Sunetit të Halifëve të Drejtë. Mbajeni fort atë dhe shtrëngone fortë me dhëmballë. Kini kujdes nga çështjet e shpikura rishtas-bidatet, sepse çdo çështje e shpikur rishtas është një risi-bidat dhe çdo risi është devijim.” (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu në Sunenet e tyre)

Shejhul Islam Ibn Tejmije rh.a. ka thënë: “Kur drita e profetësisë  ndërpritet nga njerëzit, ata  bien në errësirën e fitneve,  lindin bidate dhe shthurjet, dhe e keqja  përhapet midis tyre.”

Shejh Ibn Baz rh.a. ka thënë: “Nuk ka mënyrë për t’i evituar e për t’u shpëtuar nga të gjitha llojet e tundimeve të ftineve  përveçse duke kuptuar Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, dhe duke njohur metodologjinë e gjeneratave të hershme të këtij umeti, përfshirë Sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, dhe ata që ndoqën rrugën e tyre,  imamët e Islamit dhe thirrësit në udhëzim.”

”Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” Al Imran: 103). Uniteti është mëshirë, dhe përçarja është ndëshkim. Ujku prej kopesë zakonisht  ha delet e vetmuara.

Shpëtimi qëndron në shmangien e fitneve  dhe njerëzve që i promovojnë ato. Kushdo që iu ekspozohet dhe zhytet në to, do të përballet me të keqen e tyre, e cila do ta shkatërrojë dhe do ta mposhtë atë, siç tha Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të: “Do të ketë fitne, gjatë të cilave ai që rri ulur është më i mirë se ai që qëndron në këmbë, dhe ai që qëndron në këmbë është më i mirë se ai që ecën drejt tyre, dhe ai që ecën është më i mirë se ai që  nxiton. Kushdo që  ekspozohet ndaj tyre edhe ato do ta implikojnë.Andaj kushdo që gjen strehim ose një vend të sigurt, le të strehohet.” (Muttefekun alejh)

Ikja, largimi prej fitneve dhe evitimi i tyre  është një qasje profetike. Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, tha: “Së shpejti pasuria më e mirë e një muslimani do të jenë delet që ai i ndjek përgjatë majave të maleve dhe në vendet ku bie shi, duke ikur me fenë e tij nga fitnet.” (Sahihul Buhari)

Angazhimi me vepra të mira është një mjet shpëtimi nga finet. Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, tha: “Nxitoni të bëni vepra të mira përpara se fitnet të vijnë si pjesët e një nate të errët. Një njeri mund të gdhij si besimtar  në mëngjes dhe të përfundoi jobesimtar në mbrëmje, ose mund të shkojë në shtrat si besimtar dhe të zgjohet jobesimtar në mëngjes, duke e shitur fenë e tij për përfitime të kësaj bote.” (Sahih Muslim)

Adhurimi gjatë kohës së fitneve dhe konfuzionit në mesin e  njerëzve është me vlerë të madhe. Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, tha: “Adhurimi gjatë kohës së trazirave është si një migrim-hixhret tek unë ” (Sahih  Muslim). Megjithatë, njerëzit e neglizhojnë adhurimin në këto rrethana  dhe vetëm disa prej tyre i përkushtohen atij.

Njohuritë dhe dija fetare  si dhe qëndrimi me  dijetarët e vendosur ofrojnë mbrojtje kundër fitneve shkatërruese. Familja, poashtu  luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Profeti (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) tha: “Secili prej jush është bari dhe secili prej jush është përgjegjës për kopenë e tij” (dakord).

Lutja është porosia  e Profetit,  Zoti e bekoftë dhe i dhëntë paqe, për të shpëtuar nga fitnet. Ai tha: “Kërkoni strehim tek Zoti nga fitnet-sprovat, të dukshme e të fshehura.” Ata thanë: “Ne kërkojmë strehim tek Zoti nga fitnet, të dukshme dhe të fshehura.” ( Sahihu Muslim)

O robër të Zotit, kini frikë Zotin dhe falënderojeni Atë për bekimet dhe mirësitë e Tij. Lavdërojeni Atë për evitimin e shumë fitneve dhe  fatkeqësive dhe vuajtjet që Ai ua ka larguar. Vëreni me kujdes ata përreth jush. Sa e sa atdheu  është copëtuar, e siguria është shpërbërë . Sa e sa lufta  ka kapluar. Popuj që  luftojnë me njëri-tjetrin, uniteti i tyre është copëtuar dhe ata janë bërë thjesht histori.

Pra, kini frikë Zotin, o robër të Zotit, me frikën që Ai meriton, dhe dijeni se rruga drejt shpëtimit është e vështirë dhe askush nuk mund ta shohë atë përveç atyre që Zoti i udhëzon drejt saj, si dhe askush nuk mund të qëndrojë i palëkundur në të përveç atyre që Zoti i tyre i bën të palëkundur. Ruajuni nga sprovat që të mos ju godasin, dhe dijeni se asgjë nuk është e barabartë me shpëtimin e mirëqenien.

E them këtë që po dëgjoni dhe i kërkoj Zotit falje për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo mëkat dhe shkelje. Prandaj, kërkoni falje prej Tij, sepse Ai është Falësi, Mëshirëploti.

Shejh  Muhamed Ibrahim Sebr

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve