Çdo gjë në këtë botë është kalimtare .Çdo gjë është e përkohshme. Kalojnë ditët që janë me vlerë, kalojnë ditët e festave, kalon jeta e njeriut dhe vjen fundi i tij. Nga kjo botë njerëzit dalin fitimtarë dhe dalin të humbur. Fitimtarë janë ata të cilët e shfrytëzuan jetën e tyre në vepra të mira. Ndërsa, të humbur janë ata të cilët nuk e shfrytëzuan jetën e tyre në vepra të mira, e kaluan jetën e tyre në lojë, dëfrime dhe epshe. Kjo botë kalon ashtu sikur kalojnë këto ditë dhe nuk mbetet për njeriun vetëm vepra e mirë. Banorët e kësaj bote vdesin, ndërsa këtë botë e lënë trashëgim për ata pas tyre. Pas kësaj, para Allahut dalin banorët e ahiretit me veprat e tyre.
Vepra e mirë është ajo që mbetet. Vetëm ajo që njeriu e ka punuar dhe fituar me duart e tij mbetet. Thotë Allahu: dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar; ( nexhm 39). Çdo njeri është peng i veprave të veta, ( mudethir 38). Atë Ditë njeriu do të kujtojë gjithçka që ka bërë ( Naziat 35).
Ai i cili shikon në Kuran vëren shumë ajete të cilat nxisin njeriun në vepra të mira, vepra të cilat janë të lidhura me besimin e njeriut. Shumë nga ajetet e Kuranit tregojnë për shpërblimin e veprave të mira, shpërblim i cili e nxitë njeriun në angazhim dhe në përfitimin e asaj që i ka mbet nga jeta e tij. Vepruesit e veprave të mira do ta marrin shpërblimin e plotë dhe do të begatohen me siguri, e cila do largoj frikën dhe me gëzim i cili do ta largoj pikëllimin. Allahu thotë për besimtarët të cilët veprojnë punë të mira: Ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, falin namazin dhe japin zeqatin, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen. ( bekare 277). Ndërsa në ajetin tjetër thotë: Ndërsa atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Zoti do t’u japë shpërblimin e merituar. Allahu nuk i do punëmbrapshtët.” ( Ali Imran 57). Premtimi i më i mirë është premtimi i Allahut. Ndërsa shpërblimi më i mirë është shpërblimi i Allahut. Allahu i ka premtuar besimtarët për këtë shpërblim: Allahu u ka premtuar falje (të gjynaheve) dhe shpërblim të madh atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. ( Maide 9)
Shpërblimi i veprës së mirë në botën tjetër, dallon nga shpërblimi që njeriut i jepet në këtë botë. Po ashtu ka dallim mes veprës që njeriu e bënë për Krijuesin dhe asaj që e bënë për krijesat. Ndoshta njeriu në këtë botë angazhohet në punën e tij, e bënë me profesionalizëm, zbulon diçka të re, por njerëzit ia ulin vlerën e çmimit të asaj pune. Nuk e kanë parasysh angazhimin, mundin dhe lodhjen e tij. Nuk dinë ta vlerësojnë punën që ti e bën. Ndërsa, në veprat e mira që njeriu i bënë për Allahun nuk mund të ketë një krahasim të tillë. Allahu e dinë veprën e robit të Tij, e ruan dhe e shkruan atë, pastaj e shpërblen me çmimin më të madh. Jo vetëm që nuk ta pakëson shpërblimin e asaj pune, por e shumëfishon shpërblimin e saj. Padrejtësia, pakësimi i shpërblimit nuk ekzistojnë në veprat e mira te Allahu. E besimtarit është që ta dijë se çdo vepër e mirë që e vepron do të shpërblehet për të. Allahu thotë në librin e Tij: Ndërsa ai që bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të druajë nga padrejtësia, as nga pakësimi i asaj që i përket. ( Ta Ha 112). Atij që bën vepra të mira dhe është besimtar, përpjekja nuk do t’i mohohet. Dhe këtë Ne ia shënojmë atij. ( enbija 94). Shpërblimet te Allahu nuk humbin ashtu si humbin në këtë botë: Sa për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që Ne nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve. ( Kehf 30). Jo vetëm që nuk humb shpërblimi në ahiret, por ai shtohet edhe më shumë se çmimin që e ka. Sa për ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Ai do t’ua plotësojë shpërblimin dhe do t’ua shtojë atë nga mirësitë e Tij. ( Nisa’ 173).
Këtë shpërblim të veprave të mira Allahu e ka cilësuar me shumë cilësi në Kuran, në mënyrë që të jetë i plotë në çdo formë. E ka cilësuar shpërblim të mirë, të madh, i përhershëm, të gjitha cilësitë që i dëshiron njeriu në shpërblimin e një vepre të mirë. Allahu thotë: Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh. ( Isra’9). “dhe për t’u dhënë lajmin e mirë besimtarëve, të cilët bëjnë vepra të mira, se për ta do të ketë një shpërblim të bukur (Xheneti), në të cilin do të qëndrojnë përherë,( kehf 2,3).
Për këtë i Dërguari i Allahut veprën e mirë, edhe nëse është e paktë e ka llogaritë më të mirë se tërë kjo botë dhe çka ka në të. Thotë i Dërguari i Allahut: “ që të them SUBHANALLAH, VEL-HAMDULILAH, VE LA ILAHE IL-LALLAH, VALL-LLAHU EKBER është më e dashur për mua se tërë atë që ka mbuluar dielli”. Po ashtu i Dërguari i Allahut ka thënë: “ Dy reqate të sabahut janë më të mira se kjo dynja dhe çka ka në të”. ( shënon Muslimi).
Prej begative të Allahut ndaj atyre që kanë punuar vepra të mira është se Ai i bënë punët e mira që ti shlyejnë punët e këqija. Kështu njeriu prej veprave të mira që i bënë fiton në dy aspekte:Aspekti i parë në shlyerjen e veprave të liga ndërsa aspekti i dytë në fitimin e shpërblimeve. Ashtu sikur ka thënë i Dërguari i Allahut: “ Pesë namazet e ditës, xhumaja deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër falin mëkatet mes tyre nëse njeriu largohet nga mëkatet e mëdha” ( shënon Muslimi).
Atij të cilit me veprat e mira i falen mëkatet, merr shpërblimin, ai do ta ketë vendbanim të përhershëm xhenetin. Shumë nga ajetet e Kuranit flasin për këtë çështje: Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’i shpiem në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Aty do të qëndrojnë vazhdimisht e përgjithmonë. Ky është premtimi i vërtetë i Allahut. E kush është më i vërtetë se Allahu në fjalë?! ( Nisa’ 122).
Kështu banorët e xhenetit pasi të hyjnë në xhenet, përkujtojnë begatit e Allahut duke e falënderuar Allahun për udhëzimin që iu ka dhënë në besim dhe në vepra të mira. Kurse ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira – Ne nuk ngarkojmë askënd më tepër nga sa ka mundësi – ata janë banorë të Xhenetit, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë. Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu. Pa dyshim, të dërguarit e Zotit tonë kanë sjellë të vërtetën”. Dhe një zë do t’i thërrasë: “Ky është Xheneti që ju e keni merituar për atë që keni punuar”. ( A’raf 42,43).
Prej shpërblimit që marrin nga besimi dhe veprat e mira që i kanë bërë ata nuk lodhën asnjëherë në xhenet dhe asnjëherë nuk kërkojnë ndonjë zëvendësim. Allahu thotë: Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë për banesa kopshtet e Firdeusit, ku do të qëndrojnë përherë, duke mos dëshiruar asnjë ndryshim. ( Kehf 107, 108)
Shpërblimin më të madh që e marrin njerëzit e veprave të mira është largimi i frikës dhe pikëllimit. Frika dhe pikëllimi e ngushtojnë jetën e njeriut dhe nëse njeriu është i siguruar nga këto, për të është begatia më e madhe. Allahu këto dy gjëra i ka cekur në Kuran: Pra kushdo që i beson ata dhe bën mirë, nuk do të frikësohet e as nuk do të pikëllohet. ( Enahm 48) atëherë ata që ruhen nga të këqijat dhe kryejnë vepra të mira, nuk do të frikësohen e as do të pikëllohen. ( A’raf 35).
Lusim Allahun që të na ndihmoj në atë që Ai është i kënaqur me të. Të na largoj nga ajo që Ai është i hidhëruar me të. O Zot! Na ndihmo që të përmendim Ty, të falënderojmë dhe të adhurojmë ashtu sikur e meriton.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati