Misioni i Islamit është që njeriut ti krijoj raporte të mira me Krijuesin, duke synuar që shpirtin e tij ta lidh me qiellin. Kjo, është vija vertikale për të cilën njeriu ka nevojë të mbaj këtë lidhje në jetën e tij. Po ashtu, misioni i Islamit është që njeriut ti krijoj raporte të mira me të gjithë ata të cilët e rrethojnë njeriun në këtë botë. Kjo është vija horizontale, për të cilën njeriu ka nevojë në jetën e tij. Për këtë arsye Islami lufton çdo dukuri negative e cila bie ndesh me këto dy vija dhe shkaktojnë shkëputjen apo dobësimin e këtyre dy vijave.
Gjëja e cila më së shumti shkatërron raportet mes shokëve, të afërmve, familjarëve është mendimi i keq për ta. Mendimi i keq i hap rrugë shejtanit që të prish raportet mes teje dhe atyre. Sidomos ato mendime të cilat ndërtohen vetëm mbi iluzione dhe rezultate të pa analizuara. Sa ka nga shokët dhe dashamirët që ka përfunduar shoqëria dhe dashamirësia e tyre për shkak të mendimit të keq ndaj njëri tjetrit. Sa nga lidhjet farefisnore janë shkëputur për shkak të mendimi të keq ndaj njëri tjetrit. Sa shtëpi janë shkatërruar dhe janë shkapërderdh për shkak të mendimit të keq. Sa nga firmat janë prish për shkak të mendimit të keq ndaj njëra tjetrës. Për këtë, metodologjia edukative e Islamit është kujdesur që të rregulloj moralin e njeriut sidomos në atë që ndërlidhet me mendimin e keq, duke dhënë orientime dhe këshilla praktike në luftimin e kësaj dukurie,e cila me të madhe po shkatërron raportet mes njerëzve. Allahu thotë në Kuran: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë” (Huxhurat 12).
Ndërsa i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kini kujdes ruajuni dyshimeve, sepse dyshimet janë gënjeshtrat më të mëdha. Mos spiunoni, mos garoni me xhelozi, mos krijoni urrejtje mes njëri tjetrit. Mos i ktheni shpinën njëri tjetrit. Bëhuni rob të Allahut, vëllezër”. Erdhi një njeri te Pejgamberi dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, gruaja ime ka lindur një fëmijë të zi. I Dërguari i Allahut tha: A ke deve në shtëpi? Tha po. Tha: Çfarë ngjyre kanë. Tha të kuqe. Tha: A ka ndonjë deve në të zezë? Tha po. Tha: E prej nga erdhi kjo. Tha ndoshta ka prek ndonjë lozë të mëhershme të saj. Atëherë i Dërguari i Allahut tha: Edhe kjo lindje ndoshta ka prek te ndonjë lozë të më hershme” (Muttefekun alejhi). Ndërsa në hadithin tjetër i Dërguari i Allahut thotë: “Nëse dëgjoni njeriun duke thënë u shkatërruan njerëzit , ai është shkatërruesi më i madhe”. Thotë Ibnul Haxheri: “Mendimi i keq për myslimanin është prej mëkateve të mëdha. Myslimani duhet ti dijë këto, që ti shëroj. Sepse ai i cili në zemrën e tij ka sëmundje nuk mund ta takoj Allahun me zemër të shëndosh. Mendimi i keq është prej mëkateve të brendshme dhe mëkatet e brendshme e shkatërrojnë njeriun më shumë se sa maketet e jashtme si, amoraliteti, vjedhja, pirja e alkoolit dhe mëkatet tjera të trupit. Kjo për shkak se të këqijat e këtyre mëkateve (mëkateve të brendshme), vazhdimësia e tyre si dhe ndikimet që ato lënë në zemrën e njeriut janë më të mëdha se mëkatet e trupit, të cilat lehtë mundë të asgjësohen, me një pendim të sinqertë dhe kërkim falje te Allahu”. Gjithashtu thotë Ibën Kudame: “Nuk të takon ty të mendosh keq për myslimanin për veç nëse është zbuluar diçka e cila nuk pranon komentim ndryshe në asnjë mënyrë.
Të parët tanë prej myslimanëve luftonin me vetën e tyre për ta mënjanuar këtë moral të keq. Ata nuk mendonin keq për vëllezërit e tyre mysliman, mundoheshin ti gjenin arsye të shumta. Ndërsa nëse nuk i gjenin arsye, atëherë thonë ndoshta ka ndonjë arsye që ai e ka, por ne nuk po e dimë. Njëri prej tyre thoshte: “Unë vëllait tim i gjej deri në shtatëdhjetë arsye dhe pastaj them ndoshta ka ndonjë arsye që un nuk e di”. Umer b. Hatabi thoshte: “Fjala e cila ka dal nga goja e vëllait tënd mos mendo keq për të, përderisa ti mund ta komentosh për të mirë”.
Metoda më e mirë kur myslimanit i vijnë dyshime dhe mendime të këqija për tjetrin është që së pari të mundohet ti largoj ato sa të ketë mundësi nga mendja e tij. Pastaj të mundohet it gjej ndonjë arsye sa të ketë mundësi. Pastaj të kërkoj mbrojtjen te Allahu nga këto mendime të këqija që sillen në mendjen e tij. Pastaj të kujtoj të mirat e atij njeriu që i posedon.
Dyshimet dhe mendimet e këqija kanë shumë rezultate negative. Prej tyre:
Shkatërrojnë raportet mes njerëzve- Mendimi i keq është sikur një predhë e cila kur shpërthen shkatërron çdo gjë rreth saj. Aty ku bie predha nuk sheh më bukuri, nuk sheh gjelbërim, nuk sheh bimë. Ashtu edhe mendimi i keq. Njeriu i cili merret me dyshime dhe mendime të këqija për njerëzit, nuk sheh asgjë të mirë, të gjitha gjërat i duken të dyshimta. Ky njeri nuk njeh më mëshirë e as nuk njeh më respekt.
Shkatërron raportet familjare- Dashuria dhe ngrohtësia familjare është gjëja më e bukur në familje. Ajo familje e cila ka mëshirë, dashuri dhe ngrohtësi të ndërsjellët, prej asaj shtëpie nuk dëgjon përveç se fjalë të mira, nuk sheh përveç se buzëqeshje, nuk ndien përveçse një gjallëri të jetës. Të gjitha këto mundë të treten shpejtë dhe të varrosen nëse mendimi i keq mbizotëron shpirtrat, mbush gjokset njerëzve dhe prish zemrat e njerëzve. Sa jeta bashkëshortore kanë humbur lumturin e tyre për shkak të dyshimeve dhe mendimeve të këqija ndaj njëri tjetrit. Sa nga lidhjet prindër fëmijë janë prishur për shkak të dyshimeve dhe mendimeve të këqija. Në një familje ku mbizotëron dyshimi dhe mendimet e këqija ajo familja ka kriza, ka dhimbje, ka ngushtim të jetës dhe dështim në të.
Shkatërron raportet në shoqëri- Kjo pikë është më gjithëpërfshirëse sepse është një pikë që përfshin jetën tënde të përditshme. Shokët e tu janë jeta jote. Atëherë, pse po e mbyt jetën tënde me mendim të keq ndaj tyre. Kolegët e tu në punë janë pjesë e jetës tënde të përditshme. Atëherë, pse po e prish këtë raport me ta duke menduar keq për ta. Fqinjët e tu janë fshehtësia e jetës tënde. Pse po e ngulfat këtë fshehtësi me duart e tua, kur ti jeton me ta duke menduar keq për ta.
Medito në këto pamje të librit të Allahut, i Cili thotë: “Por ti mos iu bind çdo betari të përçmuar, shpifaraku, që përhap thashetheme, penguesi veprash të mira, shkelësi dhe keqbërësi, (Kalem 10-12). Këto ajete kur’anore japin një pamje të qartë të raportit të njeriut me njerëzit. Si rezultat i këtyre dukurive të njeriut që janë përmendur në këto ajete shfaqen: prodhimi i gënjeshtrave, falsifikimi i lajmeve, humbje e të drejtave, pengim nga e vërteta dhe padrejtësi ndaj të tjerëve.
Nëse dyshimi dhe mendimet e këqija kanë sjellë të gjitha këto që këqija, atëherë shkaktari i tërë kësaj pa tjetër duhet të jetë një sëmundje e rëndë e cila nuk shërohet lehtë e ajo është pasimi i epshit. Sa prej gjërave të këqija ndodhin në shoqërinë ton për shkak të shpifjeve, pasimit të epshit, mendimet e këqija. Ndejat tona, tubimet tona familjare, por edhe më të gjëra janë të mbushura me thashë e thënie dhe me futjen e vetes sonë në gjërat të cilat nuk duhet të na interesojnë neve. Ajo çka është për tu habitur është se shumë prej këtyre tubimeve i paraprijnë njerëzit që thirren njerëz të ditur, edukator, reformator, shpirtëror. Kur i pyet për atë që thotë se cili është argumenti i juaj për këtë? A keni ndonjë fakt për këtë? Ata do të përgjigjen: Kështu na kanë thënë, kështu kemi dëgjuar, kështu ma ka thënë një njeri i besueshëm, ndërsa ai njeri i besueshëm e ka thënë të pavërtetën.
Mendimi i mirë dhe largimi nga dyshimet e shumta qetëson shpirtin e njeriut dhe pastron zemrën e tij. Ndërsa dyshimet e pa baza dhe mendimet e këqija shkaktojnë shqetësim të shpirtit, prishje të zemrës, ngushtojnë jetën e njeriut dhe humbin lumturin dhe rehatinë e saj.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati