Lajmi i parë që iu bë i njohur Hadixhës r.a. për të ardhmen e të Dërguarit a.s. nga xhaxhai i saj, ishte se ai do të jetë muhaxhir. Kjo ndodhi, ngase ai, sikur edhe pejgamberët e tjerë, shpalosën para masës mesazhin e Zotit dhe sfiduan ligjin diskriminues të aristokracisë së shoqërive të tyre dhe kështu që u refuzuan ashpër nga një pjesë e madhe e tyre.
Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, i Dërguari a.s. nuk arriti të gjente mirëkuptim me udhëheqësit mekas. Ata filluan të shfaqin dhunë kundër të Dërguarit dhe besimtarëve. Kështu i përshkruan Kur’ani planet e mekasëve që thurnin ndaj të Dërguarit s.a.v.s.:
وَإِذۡ يَمۡكُرُ بِكَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ لِيُثۡبِتُوكَ أَوۡ يَقۡتُلُوكَ أَوۡ يُخۡرِجُوكَۚ
“Kujto kur mohuesit komplotonin kundër teje: për të të burgosur, vrarë ose dëbuar…”
Hixhretit të të Dërguarit a.s. i paraprin zbritja e shumë ajeteve të cilat shpallën hixhretin si fat i Pejgamberëve të mëdhenj, si Nuhi, Ibrahimi, Musai dhe Isai a.s., dhe secili nga ata gjetën mirësi e bekime të shumta në hixhretin e tyre. Allahu thotë: “Kush mërgon për çështjen e Allahut, ai gjen shumë vendbanime dhe begati në tokë. Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë. Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”
I Dërguari i Allahut u detyrua të bënte hixhretin, por kur e bëri atë, pati begati e të mira shumë. Janë shumë faktor që hixhretin e të Dërguarit dhe të besimtarëve e bënë domosdoshmëri por, ne po i shkëpusim vetëm disa nga ta.
– Liria e besimit
Të besosh apo të mos besosh është çështje personale. Askujt nuk i lejohet që të bëj presion mbi besimin apo mos besimin e tjetrit.
Për pabesimtarët e Mekës nuk kishte ligj drejtësie. Ata udhëhiqeshin nga injoranca, urrejtja e padrejtësia. Ata përdoren tortura të ashpra, për ata të cilët guxonin ta deklaronin se kishin pranuar fenë e re. Besimtarët rriheshin, bojkotoheshin, e disa edhe vriteshin vetëm pse kishin besuar në Allah. Është i njohur rasti kur persekutohej familja e Jasirit. I Dërguari a.s. në pamundësi ndihme i këshillonte me këtë thirrje: “Duroni o familje e Jasirit, vendtakimi juaj është Xheneti”. Durimi ishte arma e vetme që kishin besimtarët para hixhretit. Andaj ishte domosdoshmëri hixhreti i të Dërguarit a.s. që besimtarët ta ushtronin lirshëm besimin e tyre.
– Pamundësia e adhurimit kolektiv
Ajo që e bënë islamin si fe shoqërore më shumë se individuale janë adhurimet e hapura e të përbashkëta. Namazi me xhemat në xhami, zeqati si komunikim mes shtresës së pasur dhe të varfër, agjërimi i Ramazanit duke e filluar e mbaruar bashkarisht, haxhi që duhet bërë në të njëjtën ditë në të njëjtin vend. Sa i rëndësishëm është adhurimi i përbashkët na tregon fakti se nuk arsyetohemi as në gjendje lufte që të shkëputemi nga adhurimi i përbashkët. Allahu urdhëroi të Dërguarin edhe në gjendje lufte të faleshin bashkërisht.
-Pengesa në kërkimin dhe zbatimin e dijes Urdhri i parë për të Dërguarin ishte lexo. Ai e kuptoi mirë se çështja e dijës është themel i besimit. Kështu që në Meke ai krijoj një sistem arsimimi tejet efikas, për rrethanat dhe kushtet në të cilat jetonte. Shtëpia e Erkamit ishte shndërruar në shkollë, ku i Dërguari a.s. fshehurazi ua mësonte rregullat e fesë një grupi të caktuar. Ky grup shkonin në shtëpitë e besimtarëve dhe ua mësonin ato çfarë kishin mësuar nga i Dërguari a.s. Por,ky sistem shkollor ishte shumë larg nga sistemi që u zhvillua më vonë në xhaminë e të Dërguarit a.s. në Medine. Apo thënë ndryshe, shkolla në Meke ishte për fillestarë, ndërsa në Medine ishte më e avancuar.
– Pengesa ne thirrjen islame ose liria e shprehjes
Përderisa i Dërguari a.s. bënte thirrjen islame individualisht dhe në formë të mbyllur nuk kishte probleme të mëdha. Por ajo formë e thirrjes ishte shumë e limituar. Andaj, ishte domosdoshmëri thirrja e hapur dhe në publik, që të gjithë të kenë të drejtë të barabartë për të përfituar prej dritës së islamit. Kur thirrja filloi haptas, menjëherë filluan të shfaqën reagimet e ashpra, ngase islami ishte në kundërshtim me besimin e tyre.
– Zbatimi i normave dhe dispozitave
Në Mekke, thuajse vetëm namazi ishte bërë legjitim, por jo edhe shtyllat tjera të Islamit. Gjithashtu ajetet e hallallit e haramit, normat tjera të përgjithshme, me shumicë kishin zënë vend në Medine, ngase rrethanat në Meke ishin jo të favorshme për to. Në Meke kryesisht flitej për besimin dhe përpjekja e besimtarëve ishte për mbijetesë, ndërsa në Medine u zbatuan lirshëm të gjitha normat. Prandaj, hixhreti sikur për pikat tjera, edhe për këtë ishte shumë i rëndësishëm.
-Pengesa në zhvillimin e jetës sociale.
Besimtarët e kishin të vështirë jetën sociale në Meke. Jeta zhvillohej nën një trysni të ashpër nga pabesimtarët. Aty përveç kushteve të vështira të jetesës, nuk ishte edhe një ambient i mirë për të edukuar brezin e ri. Hixhreti ishte domosdoshmëri edhe për edukimin e fëmijëve në frymën e lirisë larg robërisë e frikës. Ky është një mesazh për ne, që duhet ikur fëmijët nga ambienti i frikës, urrejtjes, dhunës e diskriminimit, për në ambientin ku mbretëron liria, dashuria, drejtësia, siguria e respekti.
– Forcimi i besimtarëve ekonomikisht
Muslimanet e Mekës ishin të varfër ngase nuk i kishin mundësitë e barabarta në tregun e Mekës. Përderisa “dhënia” në përgjithësi është vlerësuar lartë nga Kur’ani, e në veçanti zeqati që krahasohet me namazin atëherë, është e kuptueshme se besimtarët duhet bërë përpjekje maksimale të mbesin në nivelin e dhurimit e jo pranimit. Këtë mirësi e arritën vetëm kur bënë hixhretin dhe kaluan në Medinën e lirë.
Hixhreti ka mesazhe madhore! Besimtarët duhet të kenë shembull të Dërguarin a.s. në të gjitha këto pikësynime nëse dëshirojnë të jenë vetvetja. Këto shkaqe që nxiten të Dërguarin a.s. të bëj hixhretin janë themeli i një shoqërie të shëndosh. Andaj, aq sa ne i vlerësojmë parimet e islamit aq do të vlerësohemi nga të tjerët. Aq sa bëjmë përpjekje ne islam aq do të na jepet nga jeta. Kush do që kërkon sukses jashtë islamit dhe shëmbëlltyrë jashtë të Dërguarit a.s. do të ngelet i zhgënjyer. I falënderuar qoftë Allahu që na udhëzoj dhe na e sqaroj fenë e Tij.