Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet  absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.  Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit  të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike e shokëve të tij besnik dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në ditën e gjykimit.

 Shoqëritë islame janë ekspozuar ndaj një vale trazirash morale kontradiktore që bien ndesh me parimet e Islamit, duke i grabitur individit dhe shoqërisë lumturinë, sigurinë dhe stabilitetin. Një nga shkaqet më të mëdha të këtyre dridhjeve është mungesa e besimit në Zotin e Plotfuqishëm.

Këto dridhje kanë një karakter global, për shkak të përparimit teknologjik modern, i cili e ka shndërruar botën në një fshat të vogël, ku  asnjë shoqëri nuk mund t’ia mbyllë dyert. Por  cilat janë shkaqet e degjenerimit  moral bashkëkohor? Cilat janë  rreziqet e tërë këtij ndryshimi?

Vëllezër besimtarë! Një nga shkaqet fetare më të rëndësishme:

1.Dobësia e besimit

Kriza më e madhe që përjeton një person është kriza e besimit, kriza e besimit të dobët. Burimi i çdo të keqeje është dobësimi i besimit në Zotin e Plotfuqishëm. Kur besimi i një personi në Zot dobësohet, edhe respekti i tij për e shenjtëritë e Zotit zvogëlohet dhe ai bëhet më i guximshëm në kryerjen e mëkateve dhe krimeve.

2. Mungesa e dijes islame

Injoranca është burimi i moralit të ulët dhe është prej arsyeve kryesore  për shpërdorimin e pasurisë në degjenerim, mungesën e frikës nga Zoti dhe një shkak për ndërprerjen e lidhjeve familjare. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Një rob të cilit Allahu i ka dhënë pasuri, por jo dije, dhe ai e shpërdoron pasurinë e tij pa dije, duke mos e pasur frikë Zotin e tij me të, duke mos mbajtur lidhje familjare me të dhe duke mos e njohur të drejtën e Allahut në të. Kësisoj kjo është pozita më e keqe.” (Sunenu Tirmidhi,nr.2325)

Mungesa e dijes islame përkon me këtë dhe rezulton me përhapjen e shumë llojeve të degjenerimit moral. I Dërguari i Zotit, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, tha: “Ndër shenjat e Kijametit është se injoranca do të përhapet, dituria do të pakësohet, kurvëria do të shtohet  dhe alkooli do të pihet.” (Sahihul  Buhari)

3.Braktisja e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja

Themeli i ndërtimit të shoqërisë së shëndoshë është urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “(Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zekatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.” (El-Haxh, 41). Me kalimin e kohës, disa vepra të këqija kthehen në  realitet i cili më pas  bëhet  gjë e vështirë  për ta  ndryshuar.

4. Mosrespektimi i urdhrave të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Unë kam lënë midis jush dy gjëra. Për sa kohë që i përmbaheni atyre, nuk do të humbisni kurrë rrugën: Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij.” (Imam  Maliku në El-Muvatta’). Kur njerëzit largohen nga udhëzimi i Librit dhe Sunetit,  ata rrëmbehen nga epshet  e tyre dhe përqarjet do t’i ndajnë. Këta edhe pse  janë larguar nga rruga e Allahut,  mendojnë se po bëjnë mirë.

Ndër shkaqet më të rëndësishme psikologjike të prishjes morale janë:

1.Ndjekja e epshevedhe dëshirave

Epshi e bën një person të bie në lloje të ndryshme të degjenerimit, edhe pse ai e di se ato janë të ndaluara. Kur ai ndjek tekat dhe dëshirat e tij dhe harron Zotin e tij,  ai do të ketë një jetë më të humbur se të kafshës,  Meqenëse ai nuk e përdori logjikën- arsyen e tij, me të cilën Zoti e dalloi atë nga kafshët e tjera.  Zoti i Plotfuqishëm thotë:   ” A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?  A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë. [El-Furkan: 43-44]

2. Inspirimet e shejtanit

Shejtani është një armik i betuar i të gjithë njerëzve. Ai i bën ata që të urrejnë bindjen dhe  të duan mëkatet e gjërat e pahijshme. Ai – Më i Larti – tha:  “... dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur.  Ai ju nxit vetëm në të këqija, në vepra të turpshme dhe të flisni për Allahun gjëra që nuk i dini.” [El-Bekare: 168-169], dhe për shkak të rrezikut dhe dëmit të tij Zoti i Plotfuqishëm na ka paralajmëruar kundër komploteve, rrugëve dhe metodave të tij në ajete të shumta, gati tetëdhjetë e dy vende në Librin e Tij Fisnik. Ai, Më i Larti, thotë: “Kush merr djallin për mbrojtës në vend të Allahut, ai ka pësuar humbje të qartë. ” (En-Nisa’: 119)

3.Shpresa mbizotëron frikën

Kushdo që mediton sjelljen e shumë njerëzve do të zbulojë se ata mbështeten në bujarinë, mëshirën dhe tolerancën e Allahut të Plotfuqishëm. Ata kënaqen me mëkate duke u mbështetur vetëm në mëshirën e Allahut!  Ukbe ibn Amir – Zoti qoftë i kënaqur me të –  transmeton nga Profeti, Zoti e bekoftë dhe i dhëntë paqe, i cili tha: “Nëse e sheh Zotin duke i dhënë një robi atë që ai do nga kjo botë, përkundër  mëkateve të tij, atëherë kjo është vetëm një mashtrim për të.” ( Sahihul Xhami, nr. 561)  Pastaj i Dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, recitoi:   ”Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim.”[El-En’am: 44]. (Musnedul Imam Ahmed). Ibn El-Xheuzi – Zoti e mëshiroftë – ka thënë: “Masat e përgjithshme të njerëzve janë të prirur të kryejnë mëkate, duke u mbështetur në falje, dhe e harrojnë dënimin.”

4. Mungesa e turpit, apo zhdukja e tij

Sa më shumë që një person prishet dhe kryen mëkate, aq më shumë ndihet më pak i turpshëm, dhe ndoshta edhe më pak, deri në atë pikë sa nuk i intereson që Zoti ta shohë apo çfarë thonë njerëzit për të. Profeti, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, na e shpjegoi këtë kur tha: “Ndër fjalët që u kanë arrit njerëzve nga prej retorikës së hershme profetike  është: Nëse nuk ke turp, atëherë bëj çfarë të duash.” (Transmetuar nga Buhariu)

O muslimanë: Ndër shkaqet më të rëndësishme sociale të degjenerimit moral janë:

1.Shëndeti dhe koha e lirë

Shumë njerëz e shpërdorin shëndetin dhe kohën e tyre të lirë për korrupsion dhe devijim.  Profeti,  Zoti e bekoftë dhe i dhëntë paqe, tha: “Ka dy dhunti në të cilat shumë njerëz mashtrohen: shëndeti dhe koha e lirë.” (Sahihul Buhari) Shëndeti dhe koha e lirë janë ndër shkaqet më të rëndësishme të drejtpërdrejta që shkaktojnë  devijimit  e të rinjve, të cilët në vend se ti shfrytëzojnë për të mirën e tyre ata shpërdorojnë ato dhe i përdorin në dëm të tyre.

2.Luksi

Luksi është shkaku i drejtpërdrejtë i korrupsionit moral dhe shkatërrimit të shoqërive. Meqenëse ata humbën busullën e besimit dhe përhapën shpërbërjen morale, Zoti i Plotfuqishëm tha: “Kur vendosim ta shkatërrojmë një qytet, Ne i urdhërojmë (për mirë) të pasurit e tij dhe, kur ata bëjnë mbrapshti në të, atëherë përmbushet Vendimi (i dënimit) kundër tyre dhe Ne i shkatërrojmë gjer në themel.” (El-Isra’: 16)

3.Shokëte këqij

Ata iu vërsulen njerëzve, i tundojnë dhe i nxisin të bëjnë mëkate me nxitje të fortë. I Dërguari i Zotit, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, tha: “Njeriu është në fenë e mikut të tij të ngushtë, prandaj secili prej jush le të shikojë se kë e merr si mik të ngushtë.” (Sunen Ebi Davud, nr. 4883)    Fudajl ibn Ijad, Zoti e mëshiroftë,  ka thënë: “Mos u shoqëro me dikë që ka karakter të keq, sepse ai të thërret vetëm  në të keqe.”

4. Dashuria përdynjanë dhe tangazhimi  me të në kurriz të botës tjetër

Kjo është rrënja e veprave të ndyra dhe është baza e çdo mëkati. Mund ta çojë një person në nivelin më të ulët të rënies, duke i shkatërruar dinjitetin dhe duke ia rruar fenë. Ata që janë të preokupuar me këtë botë janë adhuruesit e dinarit dhe dirhemit, të stomakut dhe të pjesëve intime. Për të këtillët i Dërguari i Zotit – Zoti e bekoftë dhe i dhëntë paqe – tha: I mjerë është robi i dinarit, i dirhemit, si dhe robi i rrobave. Nëse i jepet diçka, ai është i kënaqur, dhe nëse nuk i jepet diçka, ai nuk është i kënaqur.” (Sahihul  Buhariu).

5- Abstenimi nga martesa

Martesa është fortesa mbrojtëse për një person nga devijimi dhe rënia në degjenrim, nëse ai është me natyrë të shëndoshë. Aty ku ka barriera materiale dhe shoqërore që qëndrojnë si pengesë në rrugën e ngritjes së marrëdhënies martesore mes  një të riu me një të reje. Ndër barrierat më të rëndësishmet është: ekzagjerimi në prikë, përcaktimi i kostove të tepruara për martesë dhe ekzagjerimi në kërkesat për  kualifikime akademike dhe status të lartë shoqëror, madje disa familje përcaktojnë që vajzat të martohen me radhë  sipas moshës së tyre etj..

6- Neglizhenca e prindërve ndaj fëmijëve të tyre

Edukata e gabuar familjare çon në sjellje të devijuara e degjenerim moral. Situata përkeqësohet kur prindërit e kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre në një jetë mëkati dhe tundimi e ku kaplohen nga zjarri i epsheve  dhe kënaqësive. Disa baballarë nuk u japin fëmijëve të tyre kohë të mjaftueshme. Ai e kalon pjesën më të madhe të kohës duke fituar më shumë e më shumë dhe duke u blerë atyre më shumë luks, pa e kuptuar se ata kanë më shumë nevojë për kujdesin e tij shpirtëror dhe udhëzimin edukativ, për të mos përmendur preokupimin e shumë nënave me punën dhe punësimin.

Vëllezër  muslimanë!  Ekzistojnë edhe shumë arsye globale  për degjenerimin moral:

1.MultiMedia

Media, nëpërmjet mjeteve të saj të ndryshme, është e rrezikshme dhe ka ndikim tek njerëzit, veçanërisht interneti. Këto media ndikojnë përmes fjalës, pavarësisht nëse ajo lexohet, dëgjohet apo shihet. Në të vërtetë, shumica e mediave bashkëkohore, përveç atyre që Zoti yt i ka udhëzuar,  përdoren për të përhapur imoralitetin, për të nxitur krimin dhe për të përhapur korrupsionin në tokë. Kjo përbën një luftë kundër besimit islam dhe një shkatërrim të moralit dhe vlerave, veçanërisht midis të rinjve.

2. Përzierja me kombe të tjera

Një pjesë e madhe e degjenerimit moral nga i cili vuajnë shoqëritë myslimane rrjedh edhe nga përzierja e myslimanëve me kombe të tjera dhe imitimi i sjelljes së tyre imorale, veçanërisht duke pasur parasysh disponueshmërinë e burimeve dhe shpejtësinë e komunikimit ku shumë prej bijëve e bijave tona  janë zhytur në detin e imoralitetit dhe korrupsionit, dhe nuk ka fuqi as forcë për ndryshim  përveç me ndihmën e Zotit, Më të Lartit, të Plotfuqishmit.

3.Fascionimi mashtrues me këtë  qytetërim

Muslimanët u mahnitën nga përparimi qytetërues i kombeve të tjera. Ata ishin ana e dobët dhe u bënë shumë të ndjeshëm ndaj ndikimit e ndaj përthithjes së moralit të devijuar dhe sjelljeve të degjenruara. Që këtu filloi cikli i imitimit dhe i emulimit të verbër, dhe i ngjashmërisë me të pafetë në shumë nga zakonet dhe kushtet e tyre të pashëndetshme. Sepse imitimi i tyre ishte vetëm në aspektet sipërfaqësore të gjërave, dhe në atë që nuk ka dobi, e jo në thelbin e qytetërimit, dhe në atë që është e dobishme.

Ibn Halduni, Zoti e mëshiroftë,  qysh moti e vuri në dukje këtë fenomen,  ai thotë: “I munduri është gjithmonë i etur të imitojë fituesin në sloganin, veshjen, sektin dhe të gjitha kushtet dhe zakonet e tij të tjera. Arsyeja për këtë është se psiqika njerëzore  gjithmonë beson në përsosmërin e atij që e ka mundur  dhe i  është nënshtruar.”

Shejh dr. Ahmed Mahmud Edevserij

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org

Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve