Plani në jetën e përditshme ka rëndësi jetike për një jetë të organizuar dhe sistematike, qoftë plan në aspektin fetarë të jetës, apo plan në punën e përditshme apo në studime. Bërja e planit, qoftë plan me shkrim apo plan të cilin e kemi “ruajtur” në mendje është esencial që diçka të kryhet brenda afatit kohor të caktuar dhe dështimi në planifikimin kohor të gjërave çon në dështim gjatë jetës në përgjithësi. Me planifikim të suksesshëm në jetë ke mundësi që ta shfrytëzosh kohën dhe të jesh më produktiv dhe më i dobishëm.
Pra planifikimi është gjë e cila është e lidhur me atë që në Islam quhet urtësi. Urtësia në Sheriatin Islam quhet: Bërja e një gjëje të duhur në kohë të duhur në mënyrë të duhur. Edhe vet Islami si sistem jetese i plotë pa mangësi është dëshmi se nuk mund që të ketë sukses në jetën e kësaj bote dhe sukses në Ahiret pa plan dhe pa urtësi. Adhurimet e shumta dhe ritualet e ndryshme fetare të përditshme, javore, mujore apo vjetore janë argument se këta adhurime janë në afate kohore të caktuara, ashtusiç ka thënë Allahu: “Me të vërtetë namazi është obligim për besimtarët që ta kryejnë në kohë të caktuar” (en Nisaa 103) dhe poashtu ka thënë: “Haxhi është në muaj të caktuar”.(el Bekare 197) Pra prej këtyre ajeteve dhe shumë ajeteve tjera shihet se disa gjëra duhet të kryhen në kohë të caktuar dhe në mënyrë të caktuar.
Vendosja e një afati kohor për ekzekutimin e planeve është esencial për njerëzit e të gjitha moshave, kundrejt rëndësisë së afatit kohor, ndonjëherë i mbyllim sytë përpara përgatitjes për planifikimin, shumë prej neve dështojnë në bërjen e planit ditor. Ka shumë arsye me të cilët njerëzit arsyetohen se përse ata nuk bëjnë plane, prej këtyre arsyetimeve veçojmë:
- Ekziston një ndjenjë se plani ditor nuk është i rëndësishëm, sepse ne shumë herë kemi dështuar që ta çojmë atë deri në fund dhe për këtë shkak është më mirë që të mos lodhesh dhe të mendosh që të bësh plan. Mirëpo kjo gjë nuk është e vërtetë dhe është në kundërshtim me optimizmin që duhet t’a kemi ne si musliman dhe asaj se duhet të jemi pozitiv në perceptimin e gjërave. Pejgamberi ynë, Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte optimist edhe në momentet më të vështira, në ato momente kur ai dhe sahabët ishin të izoluar në qytetin e Medines dhe muslimanët ishin duke u përgatitur për xhihad kundër mushrikëve që ishin afruar afër Medines. Në këto kohëra të vështira muslimanët gropuan hendekun në hyrje të Medines dhe njëri prej atyre që punonin në gropimin e hendekut ishte edhe vet Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i cili në ato çaste të vështira kur sahabëve u kishte ardhur zemra te fyti, Pejgamberi i përgëzonte dhe me optimizëm të pashembullt i nxiste sahabët që të jenë optimist dhe trima. Në ato momente kur gjatë gropimit të hendekut hasën sahabët në gurëz të mëdhej dhe të fortë, saqë sahabëve u thyen edhe mjetet e hekurta nga goditjet, erdhi Pejgamberi dhe e goditi gurin tri herë me tekbire dhe tha: “Me goditjen e parë Allahu ma çeli derën e Jemenit, me goditjen e dytë ma çeli Allahu derën e Shamit dhe Perëndimit dhe me goditjen e tretë ma çeli Allahu Lindjen”. Në një transmetim tjetër thuhet se me goditjen e parë Pejgamberi i ka përgëzuar se muslimanët do t’i çlirojnë pallatet e Perandorisë Persiane, me goditjen e dytë ka parë se muslimanët do t’i çlirojnë pallatet e Perandorisë Romake dhe me goditjen e tretë ka parë se do të çlirohen pallatet e San’asë (Jemen). Ky ishte pozitiviteti dhe optimizmi i Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), optimizëm në momentet më të vështira.
- Dështimi në ndonjë plan të caktuar nuk duhet që të len gjurmë negative në ty si personalitet, sepse nëse njeriu dështon njëherë, ai provon përsëri dhe përsëri derisa të korr sukses, nëse ajo gjë është e mundshme që të realizohet. Mundohu dhe mundohu derisa të korrish sukses. Kjo gjë të bën që ti të bëhesh i diciplinuar dhe energjik dhe të bën që në të ardhmen të jeshë organizativ dhe i dobishëm. Këta veti të mira mund që t’i ndash me ata që i ke përreth teje dhe fëmijve tuaj.
- Dështimi në ekzekutimin e planit deri në fund i bën disa njerëz që ata të heqin dorë plotësisht nga plani. Kjo është gabim dhe është rrugë me pasoja. Thuhet në një thënie arabe: “Nëse diçka nuk mund t’a arrish plotësisht, mos hiq dorë plotësisht”, pra nëse ke mundësi që diçka të realizosh prej planit tënd, atëherë mundohu që të bësh sa më shumë që ke mundësi dhe mos hiq dorë plotësisht.
Secili musliman në planin e tij ditor duhet t’i ketë kryerjen e obligimeve ditore siç është falja e pesë kohëve të namazit, leximin e Kur’anit qoftë edhe një faqe në ditë, bërjen e dhikrit të mëngjesit dhe mbrëmjes, sepse në këtë mënyrë robi mban lidhje të shëndoshë më Zotin e tij, dhe nëse kjo lidhje është me mangësi, atëherë ai që pëson dhe dëmtohet prej kësaj është njeriu. Mos i bën adhurimet ditore rutinë sikurse studimet dhe puna, sepse adhurimet nuk janë rutinë dhe nuk duhet që të kryhen në mënyrë mekanike dhe pa shpirt. Mundohu që t’i bësh adhurimet në mënyrë sa më të përkryer sepse adhurimi është gjëja për të cilën Allahu na krijuar. Thotë Allahu (subhanehu ue teala): “Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për asgjë tjetër perveçse që të më adhurojnë”. (edh Dharijatë 56) Ki parasysh këtë ajet çdoher dhe çdokund.
Plani ditor i yti është sukses dhe triumf për ty dhe për të dashurit që i ke përreth dhe mos harro se namazi është më i rëndësishëm sesa kariera e yte dhe mos e neglizho namazin në emër të karierës, Allahu të ka dhënë zgjedhje në jetë, përmbaju kufijëve që t’ia ka caktuar Zoti i yt dhe me lejen e Allahut do të kesh sukses në këtë botë dhe ne tjetrën.
Përgatiti: Enis Arifi