“Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur”. (Ali Imran:164)
Dashuria për Muhammedin, salallahu alejhi ue selam, rrjedh nga dashuria e Allahut xh.sh., dhe ajo është obligim i yni, sepse Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, është i dashuri i Tij dhe transmetues i Kur’anit, që është udhëzim i tërë njerëzimit. Prandaj, kush e do Allahun xh.sh., e do edhe Pejgamberin, salallahu alejhi ue selam, si dhe atë me të cilën ai erdhi, dhe e pason Sunetin e tij.
Allahu xh.sh., besimtarët i ka nderuar duke ua dërguar Muhamedin, salallahu alejhi ue selam, siç thuhet në ajetin 164 të sures Ali-Imran:
“Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur”.
Kjo është një ndihmë e madhe për ne vëllezër të nderuar që jemi pjesëtarë të Umetit të Pejgamberit tonë, salallahu alejhi ue selam, dhe shkojmë rrugëve të qarta të Islamit, dhe që ai, salallahu alejhi ue selam, të ndërmjetësojë për ne në Ditën e Gjykimit. Prandaj Pejgamberi , salallahu alejhi ue selam, për neve është më i dashur se vetvetja e jonë.
Forca dhe sinqeriteti i besimit janë të kushtëzuara me dashurinë e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selam, siç thuhet në hadithin, ku Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, ka thënë: “Asnjë nga ju nuk do të jetë besimtar i vërtetë, përderisa mos të jem unë më i dashur tek ai se fëmijët e tij, prindërit dhe të gjithë njerëzit” (Buhariu)
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, ka thënë: “Kush i ka tri cilësi, do të shijojë ëmbëlsinë e besimit – imanit: Nëse Allahu xh.sh., dhe Pejgamberi, janë më të dashur tek ai se çdo gjë tjetër, ta donë dikë vetëm në emër të Allahut xh.sh,. dhe ta urrejë mosbesimin, ashtu sikur e urren hedhjen e tij në zjarr! ” (Buhariu)
Le ta pyesim veten vëllezër, a thua i kemi këto tri cilësi të përmendura në hadith, dhe a e kemi ëmbëlsinë e imanit dhe të Islamit, apo jemi duke e përjetuar si pjesë e traditës sonë, apo mjet të cilin me shkathtësi e përdorim nga frika dhe për t’u fshehur pas tij!?
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, ka thënë: “Kush bjen salavat mbi mua, Allahu xh.sh., do të bjerë dhjetë herë salavate mbi te” (Muslimi)
Ndaj, të dërgojmë sa më shumë salavate mbi Muhammedin, salallahu alejhi ue selam, sepse për çdo salavat tonin Allahu xh.sh., do të dërgoj dhjetëfish salavat mbi ne, dhe kjo është një bekim i madh dhe mbrojtje për besimtarët e vërtetë!
Dashuria për Pejgamberin, salallahu alejhi ue selam, është paraqitur me: respekt e tij, duke i dërguar salavate, duke pasuar Sunetin e tij dhe duke ndihmuar besimin e tij. Me Një fjalë, ta duam atë dhe ta pasojmë atë, ashtu siç e kanë dashur dhe e kanë pasuar shokët e tij fisnik dhe brezat më të mirë të muslimanëve pas tyre.
Vëllezër xhemat, le të jemi pasues të vërtetë të Sunetit të Pejgamberit, salallahu alejhi ue selam, dhe të bëjmë gara në punë të mira!
I lutem Allahut, xh.sh., të na forcojë në rrugën e Islamit, që të mos na sprovojë me dhunën e sundimtarëve të dhunshëm dhe me atë që nuk mund ta durojmë, që të na bëjë prej atyre që e duan Pejgamberin, salallahu alejhi ue selam, dhe e pasojnë Sunetin e tij, që fëmijët tanë t’i bëjë kënaqësi të syve, shpirtit dhe zemrave tona. Lus Allahun xh.sh., që të jetë i mëshirshëm në Ditën e Gjykimit dhe të na bëj një vend në Xhennet në shoqëri me Pejgamberët, të sinqertit, dëshmorët dhe njerëzit e mirë! Amin – Amin – Amin!
Esat ef.Rexha