Hyrje
Njerëzit nuk kanë nevojë për teoricienë dhe ata nuk janë në hulumtim të tyre. Ata nuk kanë nevojë për njerëz që iu flasin ndërsa nuk kanë lidhje me sinqeritetin dhe aktualitetin. Ata kanë nevojë për shëmbëlltyra të gjalla, për njerëz që i thërrasin dhe motivojnë me punë dhe vepra para se ta bëjnë këtë me fjalët dhe oratorinë e tyre. Jo rrallë ndodhë që emra të mëdhenj nga jeta publike, që mund të të fascinojnë me performanca të mira në fusha të caktuara, të zhgënjejnë kur të mësosh për sekretet e tyre. Brendësia e tyre nuk ka të përbashkët asgjë me atë që shohim në praktikë. Ata janë njerëz me qëllime të ulëta. Duke patur parasysh këtë, konsideroj se modeli i Muhammedit, [alejhis salatu ves selam] si absolutisht më i përkryeri, është nevojë imediate t’i ofrohet njerëzimit, jo vetëm për shkak të asaj se ai njihet për më shumë të mira në vetmi se sa në publik, por edhe për faktin se personaliteti i tij është më i kompletuari i mundshëm. Është njeriu i vetëm në botë që mund të merret model për çdo gjë.

Ummeti islam më krenari për të kaluarën e tij
Thirrja në të kaluarën ka qenë një element që pothuajse ka shoqëruar njerëzimin përgjatë gjithë historisë së tij, pavarësisht se kjo thirrje ka qenë në diç që ia vlen të thirresh në të apo jo. Idhujtarët mekkas refuzonin përqafimin e Islamit pikërisht për shkak të së kaluarës së tyre, që edhe pse ishte pagane, e merrnin për me vlerë. Kështu, faktikisht, vepruan edhe të parët e tyre. Ja se ç’na mëson Kur’ani për çështjen në fjalë.
“Ata pastaj thanë: “Sikur të kishte dashur All-llahu, ne nuk do t’i adhuronim ata (as idhujt e as melaiket). Ata nuk kanë për këtë (që thonë) ndonjë fakt, ata vetëm gënjejnë”. 21. A mos u kemi dhënë ndonjë libër para tij (para Kur’anit), e ata i përmbahen atij? 22. Jo, por ata thanë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fé dhe vazhdojmë gjurmëve të tyre”. 23. Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje pejgamber në ndonjë vendbanim, që të mos i ketë thënë paria e begatshme e tij: “Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fé dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre.” (ez-Zuhruf, 20-23)
Nëse paganët mburreshin me paganizmin e tyre, atëherë athua vallë nuk ia vlen që muslimanët të mburren me të kaluarën e tyre, sidomos kur dihet se ata përfaqësojnë kredon më të pastër, besimin më origjinal, fenë më të arsyeshme, historinë më të lavdishme. Në këtë aludon edhe Kur’ani.
“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun…” (Ali Imran, 110)
Ummeti islam është karakterizuar me këto dy tipare: besimin në Zotin, urdhërimin për të mire dhe ndalimin nga e keqja, që ia vlen të mburret me to. Një ummet me këto tipare është mëkat të krahasohet me ummetet që kanë trashëgimi pagane e idhujtare. Besimi dhe mohimi nuk mund të jenë bashkë dhe as të barabartë kurrë. Allahu ka thënë: “A do t’i bëjmë kriminelët të barabartë me muslimanët? 36. Ç’është me ju, si gjykoni ashtu?” (el-Kalem, 35-36); “A mos është ai që ishte besimtar, sikurse ai që ishte jashtë rrugës? Jo! Këta nuk janë të barabartë.” (es-Sexhde, 18) “A mos do t’i barazojmë ata që besuan dhe bënë vepra të mira me ata që bënë shkatërrime në tokë, apo do t’i konsiderojmë njësoj si të ruajturit prej të këqijave, si ata që janë mëkatarë?” (Sad, 28)
Si mund të krahasohet e kota me të vërtetën, paganizmi me Njëshmërinë, mirësia dhe humaniteti me shkatërrimet dhe fesatet në tokë?!
Si të mos krenohemi me të kaluarën kur pjesë kyçe e saj është njeriu më i dashur tek Allahu, njeriun të cilin Allahu e zgjodhi për shpalljen e Tij të fundit për njerëzimin, pra Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]?!
Sekreti i suksesit të Muhammedit, [alejhis salatu ves selam] në raportet me njerëzit
Allahu i Madhëruar duke përshkruar të Dërguarin e Tij, thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.” (el-Ahzabë, 21)
Pra, e përshkruan si një njeri me shëmbëlltyrën më të mirë dhe më të përsosur, si të vetmin që mund t’i merret çdo gjë, si të vetmin pasimi i të cilit të garanton shpëtimin në botën tjetër.
Por, ku qëndron sekreti i kësaj shëmbëlltyre? Apo, ç’gjëje i detyrohet ky sukses?
Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] ishte i Dërguari i Allahut, dhe suksesi dhe çdo e arritur, pa marrë parasysh se në çka, i atribuohet këtij fakti. Ata që mundohen këtë sukses t’ia përshkruajnë zgjuarsisë së tij, ata në fakt duan ta mohojnë pejgamberinë e tij. E kur të ndodhë kështu, atëherë Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] do të jetë i barabartë me të tjerët, dhe rrjedhimisht nuk është më i pamposhtur. Ose, nuk përjashtohet mundësia –sipas tyre- që nesër të paraqitet ndonjë gjeni që do ta sfidonte atë.
Por, jo, Allahu nuk e lejon një gjë të tillë. Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] ishte madhështor dhe shquhej për këto atribute për shkak se Allahu e kishte nderuar me to. Në Kur’an janë është vlerësuar personaliteti i Muhammedit, [alejhis salatu ves selam] pikërisht në saje të këtyre dhuntive hyjnore. P.sh. Pozita dhe grada (el-Inshirah, 4); Udhëzimi (en-Nexhm, 2); Saktësia dhe vërtetësia (en-Nexhm, 3-4); Dituria (en-Nexhm, 5); Moral (el-Kalem, 4); Zemërgjerësia (el-Inshirah, 1); Butësia dhe modestia (et-Teube, 128).
Shëmbëlltyra e Muhammedit, [alejhis salatu ves selam] përfshin çdo pore të jetës
Një tjetër imazh i suksesit të Muhammedit, [alejhis salatu ves selam] shfaqet edhe në personalitetin e tij të kompletuar. Atij për çfarëdo që t’i referohesh, bën. Si jo, kur ai është:
– I Dërguar i Allahut, i cili pranon shpalljen hyjnore për të lidhë tokën me qiellin;
– Burrështetas që themelon shtetin dhe organizon atë;
– Komandant që vë strategjitë dhe udhëheq ushtrinë në luftë, madje në momentet më të vështira të betejave, si trim dhe sypatrembur. Një herë qëndroi kështu dhe me zërin më të madh recitonte para armiqve:
Unë jam profet, dhe në këtë nuk ka të pavërtetë,
Unë jam i biri i Abdul Muttalibit!
– Kryefamiljar i përkushtuar, i cili krahas përmbushjes së obligimeve materiale, gjen kohë për familjen e tij edhe për edukim dhe mësim të tyre;
– Humanitar dhe bamirës, që përjeton në thellësi të shpirtit skamjen e njerëzve;
– Besimtar i devotshëm dhe adhurues i madh për Allahun aq sa këmbët i qenë ënjtur nga qëndrimi në namaz, madje tërë këtë duke e bërë me modestinë dhe mirënjohjen më të madhe për Allahun: “A të mos jam rob falënderues?!”
– Thirrës i palodhur. Allahu i Madhëruar e ngarkoi me detyrën e thirrësit në fenë e Tij, dhe iu drejtua: “O ti i mbuluar! 2. Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur).” (el-Muddeth-thir, 1-2)
Si përgjigje këtij urdhri, Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] nga fillimi e gjer në vdekje, madje edhe në frymëmarrjet e fundit, thirri në fe. Ebu Davudi transmeton nga Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të], se fjalët e fundit të të Dërguarit të Allahut [alejhis salatu ves selam] ishin: “Namazi! Namazi! (Kujdesuni për të, dhe) T’ia keni frikën Allahut për ata që keni në pronësi!” [Albani e vlerëson hadithin për autentik.]

Shembuj konkret nga jeta e Muhammedit, [alejhis salatu ves selam]
Shembujt nga jeta e tij janë të shumtë dhe realisht të pamundur për tu përfshirë në një ligjëratë. Kjo, për shkak se tërë jeta e tij, siç sqaruam ishte shembull. Ai ishte Kur’ani që ecën. Kur Aisheja, [Allahu qoftë i kënaqur me të] u pyet për moralin e Muhammedit, [alejhis salatu ves selam] tha: “Morali i tij ishte Kur’ani!”[Albani në Sahihu xhamiis sagiri ve zijadetihi, 4811, e vlerëson autentik.]

Bazuar në këtë, ne gjejmë moralin dhe vlerat më të larta të tij të mishëruar me personalitetin e Muhammedit, [alejhis salatu ves selam]. Historia regjistroi raste dhe qëndrime të tij që reflektojnë madhështinë e një të Dërguari të Allahut, që nëse ai nuk do të merrej për shembull dhe model jete kush tjetër do të merrej?! Tregoi maturi dhe qëndrime të peshuara mirë në momentet që ndoshta të tjerët do të vepronin ndryshe. Buhariu dhe Muslimi kanë shënuar në dy koleksionet e tyre një nga këto rastet e rralla të burrërisë dhe pjekurisë së madhe të Pejgamberit Muhammed [alejhis salatu ves selam]. Ata transmetojnë nga Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të!] rastin e zënies rob të Thumame Ibn Uthalen, liderin e Jemames dhe lidhjes së tij për direkut të Xhamisë. [Këtë hadith e kanë marrë si provë dijetarët se lejohet hyrja e jomyslimanëve në xhamia nëse këtë e bëjnë për qëllim të mirë.] Erdhi Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] dhe kur e pa Thumamen të lidhur për direku, Thumamen, një armik të tij të përbetuar, iu afrua dhe i tha: “Çfarë ka tek ti o Thumame? (Çfarë mendon se do të veproj me ty?) Tek unë –o Muhammed- mund të gjesh njeri me gjak nëse më vret, njeri mirënjohës nëse më bën mirë, dhe, nëse je prej atyre që duan para, fol se të jap sa të duash! –iu përgjigj Thumameja.”

Përgjigjja e Thumames ishte e menduar mirë dhe do të vlente sikur të kishte të bënte me ndonjë lider tjetër por jo edhe me Muhammedin, [alejhis salatu ves selam]. Ai kërcënoi se nëse e vret, prapa tij qëndrojnë fisi, që nuk e lënë pa marrë hakun kurrë. Pastaj, filloi të provoj një aspekt tjetër, atë të mirësjelljes se ai është njeri që nuk i harron të mirat dhe krejt në fund ofron edhe para për lirimin e tij. I mjeri, nuk e dinte se këto gjëra nuk çojnë peshë tek Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]. Mu për këtë shkak, Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] e la të lidhur për direku dhe shkoi ta falë namazin.
Të nesërmen, derisa po hynte në xhami, u afrua prapë tek Thumameja, që vazhdonte të mbetej i lidhur në po atë vend, dhe ia parashtroi të njëjtën pyetje. Thumameja iu përgjigj me të njëjta fjalë që ia kishte thënë vetëm një ditë më parë.
Pejgamberi, alejhis selam me të dëgjuar të kësaj përgjigje u largua dhe e la ashtu të lidhur Thumamen, pa ndonjë veprim konkret. Pa përgjigje. Të nesërmen, pra ditën e tretë, Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] iu afrua prapë Thumames dhe ia parashtroi të njëjtën pyetje. Thumameja nuk kishte fjalë tjera përveç ato që ia kishte thënë për dy ditë radhazi. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] urdhëroi lirimin e tij pa asnjë kusht, e tha: “Lirojeni Thumamen!”
Meqenëse na ofrove gjëra për të na komprometuar, na krahasove me ata që kanë qëllime të ulëta nga kjo jetë, ja, për të mos menduar keq për objektivat e misionit tonë, edhe pse je armik, je i lirë.

Tregimi vazhdon, madje pjesa më interesant e tij është kah fundi, por, që të mos krijohet ndonjë bindje e gabuar përkitazi me Muhammedin, [alejhis salatu ves selam], po sqaroj se mbajtja e Thumames lidhur në Xhami bëhej për t’ia rrëfyer në praktikë Islamin, ndryshe, siç qëndron në transmetime tjera, Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] kishte urdhëruar sahabet [Allahu qoftë i kënaqur me ta] që të sillen mirë me Thumamen (t’i japin ushqim, ujë, etj.) këtë e dëshmon edhe vazhdimi i rrëfimit. Thumameja nuk vepro si një i liruar që për të shpëtuar nuk kthen kokën mbrapa por vetëm ikë sa më parë dhe më shpejtë nga ata njerëz. Përkundrazi. Veprimet e Pejgamberit, [alejhis salatu ves selam], që deri para tri ditësh e urrente shumë dhe mundohej ta vriste, ia ndërruan mendjen. Ai pa në praktikë se nuk bëhet fjalë për një njeri që prapa misionit fsheh ambiciet për pasuri a pushtet. Thumameja i ofroi pasuri Muhammedit, [alejhis salatu ves selam] por nuk ia pranoi. Kështu, Thumameja nuk u largua shumë. Në fakt, u largua pak sa për tu pastruar dhe për tu kthyer në vendin ku vetëm para pak çasteve ishte i lidhur, por kësaj radhe për ta zgjidhur zemrën nga robëria e paganizmit. Erdhi dhe para Pejgamberit, [alejhis salatu ves selam] tha dëshminë islame:
Esh’hedu en la ilahe il-la Allah
Ve esh’hedu enne Muhammeden abduhu ve Resuluhu!
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut
Sikur që dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij!
Pastaj, shprehi fjalët të cilat vetëm ai që ka përjetuar një trajtim të tillë mund t’i shpreh: “O Muhammed! Pasha Allahun, nuk ka patur në tokë fytyrë më të rrejtur për mua se sa fytyra jote ndërsa sot ajo më është bërë më e dashura. Pasha Allahun, nuk ka patur fe me të urryer tek unë se sa feja jote, ndërsa sot ajo është feja më e dashur tek unë. Pasha Allahun, vendin tënd e kam urryer më së shumti ndërsa sot ai është më i dashuri tek unë!”
Rrëfimit prapë nuk i vihet pika këtu. Thumameja kur qe zënë rob kishte qenë në rrugë për të bërë Umren në Mekke, dnaj edhe kërkoi nga Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] që t’i jap leje për ta bërë Umren. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] i dha leje dhe e përgëzoi (me falje mëkatesh ose hyrje në Xhennet.) E kur mbërriti në Mekke, njerëzit e panë Thumamen tjetër. E paske ndërruar fenë?- e pyetën. Mendonin se largimi nga adhurimi i idhujve ishte veprim renegat, dezertim nga feja…sipas disa versioneve thuhet se e sulmuan derisa e shpëtoi Ebu Sufjani duke iu treguar se ishte Thumameja, lider i Jemames prej nga iu vinte gruri. Njerëzit u ndalën, ndërsa Thumameja u betua se nuk do t’iu jepte as edhe një kokërr gruri pa lejen e Muhammedit, [alejhis salatu ves selam]. Subhanallah! Thumame do të mbetet në histori si njeriu i parë që idhujtarisë i vuri bllokadë ekonomike. Nuk shkoi gjatë dhe Kurejshët përjetuan një varfëri të madhe saqë e detyruan të vijnë tek ai që e përgënjeshtruan, ofenduan, fyen, rrahën dhe më në fund edhe e larguan prej shtëpisë, tek Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] që të intervenonte tek Thumameja ndryshe do të vdisnin urie. Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] për të treguar humanizmin dhe mirësjelljen prej një profeti që nuk ka ardhur për të keqen e njerëzve por për të mirën e tyre, harroi krejt atë që ia kishin bërë Kurejshët dhe i foli Thumames që t’iu dërgonte ushqim.
I këtillë ishte Muhammedi, [paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!]

Shëmbëlltyrë në kultivimin e moralit të mirë
Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]nuk ishte i vrazhdë. Ai trajtonte me butësi ndoshta edhe ato rastet, që të tjerët nuk do të donin t’i dëgjonin fare ngase do t’i konsideronin fyese. Imam Ahmedi transmeton në Musnedin e tij me sened sahih se një i ri kishte ardhur tek Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] për t’i kërkuar një leje tejet interesante. Dëshironte që për të të bëhej një përjashtim: rregulli për ndalimin e prostitucionit të mos vlente. Kërkesa e tij nuk u trajtua nga aspekti banal i saj por nga rreziku që mund të paraqet dukuria e shthurjes. Si ta ndalë Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] këtë të ri. Çfarë është ajo që do të mund ta largonte prej këtij mëkati për të mos iu kthyer më kurrë. Shikoni, poenta nuk është largimi nga mëkati aty për aty për t’iu kthyer më pas, ngase ka njerëz që turpërohen por nuk binden, kështu që në vetmi bëjnë mëkate të mëdha. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] e afroi dhe me butësi dhe moral të lartë i tha: A do ta doje një gjë të tillë për nënën tënde?
Jo, o i Dërguari i Allahut, më bëftë Allahu kurban për ty! –iu përgjigj.
A do ta doje për motrën…vajzën…tezen…hallën tënde? – pyeste me rend i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] ndërsa ai i përgjigje:
Jo, o i Dërguari i Allahut, më bëftë Allahu kurban për ty!
Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] i tha: Po kështu edhe njerëzit nuk e duan një gjë të tillë për nënat, vajzat, motrat, tezet dhe hallat e tyre. Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] vendosi dorën e tij në gjoksin e të riut dhe u lut: “O Zoti im! Zgjeroje gjoksin e tij, falja mëkatin dhe ruaja nderin!”
Ky djaloshi që hyri tek Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] me kërkesën për prostitucion, dilte prej tij duke mos urryer gjë më shumë në këtë botë se sa prostitucionin.

Edukimi i fëmijëve
Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] mbetet model edhe për edukimin dhe përkujdesjen për fëmijë. Kur pa Hasanin tek ecte e rrëzohej, ende ishte fëmijë, Pejgamberi, [alejhis salatu ves selam] zbriti nga minberi dhe mori, nga frika se mund të lëndohej. E ulë në minder, në të djathtë të tij, ndërsa shikoi në të një herë e herën tjetër në njerëzit, dhe tha: “Vërtetë, ky biri im është zotëri! Allahu me të do të bëjë pajtimin e dy grupeve të mëdha të muslimanëve.”

Tradhti as armiqve
Muhammedin, [alejhis salatu ves selam] nuk e pengonte askush, pavarësisht faktit se mund të ishte kushdo, madje edhe armik i tij, që ta mbante fjalën dhe premtimin e dhënë. Imam Muslimi [Allahu e mëshiroftë] transmeton në Sahihun e tij hadithin e Hudhejfe Ibn Jemanit [Allahu qoftë i kënaqur me të], i cili rrëfen e thotë: “Asgjë nuk më pengoi të marrë pjesë në Betejën e Bedrit, përveç që unë dhe Ebu Usajli dolëm ndërsa pabesimtarët kurejshitë na zunë. Ju po shkoni t’i bashkëngjiteni Muhammedit? – na thanë. Jo, ne jemi nisur për në Medinë (e jo për betejë) –iu thamë. Ndërsa ata morën besën e Allahut prej nesh se do të shkojmë në Medinë dhe nuk do të luftojmë përkrah Muhammedit, [alejhis salatu ves selam]. Shkuam tek i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam] dhe e njoftuam për rastin tonë, për çka na tha: Shkoni, ne përmbushim premtimin ndaj tyre ndërsa kërkojmë ndihmën e Allahut kundër tyre!”
E shihni. Ishte beteja vendimtare e Islamit, dhe Muhammedi, alejhi’s selam, [alejhis salatu ves selam] me gjitë nevojën e madhe për ushtarë, ngase siç e dini numri i besimtarëve karshi pabesimtarëve ishte trefish më pak, prapë, për të mos u etiketuar me tradhtarë, përmbush premtimin e dhënë dhe iu jep leje Hudhejfes dh Ebu Usajlit që të mos marrin pjesë në betejë.
Kush mund ta bëjë një gjë të tillë përveç Muhammedit, [alejhis salatu ves selam]?!

Përfundim
Rekomandimet që dalin nga ky përshkrim që i bëmë shëmbëlltyrës së Muhammedit, [alejhis salatu ves selam] ftojnë që metodologjia dhe praktika e tij të përvetësohen si model jetese. Ndryshe, sado që ne të flasim ndërsa në praktikë veprojmë ndryshe, ne vetëm do t’i irritojmë njerëzit nga kjo fe. Le të thërrasim në këtë fe, ashtu siç thirri Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.” (en-Nahl, 125)
Le të jemi të butë dhe të sjellshëm me njerëzit, ashtu siç ishte Muhammedi, [alejhis salatu ves selam]: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.” (Ali Imran, 159)
Paqja, mëshira dhe shpëtimi qofshin mbi Muhammedin, familjen, shokët dhe pasuesit e tij!

Dr. Sedat Islami