Serioziteti në fe

Serioziteti në fe

Muslimani i vërtetë dallohet me veti të caktuara që e aftësojnë për të bartë domethëniet e mirësisë, me të cilat All-llahu, azze ve xhel-le, e ka mbivlerësuar këtë umet mbi tjerët. All-llahu, tebareke ve teala, thotë:

“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun”. (Ali Imran: 110).

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush”. (El-Bekare: 143).

Prej tipareve me të cilat dallohet muslimani është edhe serioziteti. Muslimani është serioz në fjalët, veprat, sjelljet, pamjen, dukjen, raportet, marrëdhëniet me njerëzit dhe me All-llahun, në adhurimin ndaj All-llahut, serioz është madje dhe me vetveten, andaj as nuk ia bën qejfin e as nuk e lavdëron pa masë, por e llogarit, e qorton dhe merr premtime dhe marrëveshje prej saj.

Serioziteti i muslimanit buron nga ndikimi i Kur’anit, sepse Kur’anit është Libri i vërtetë i All-llahut, aty nuk ka fjalë boshe e as joserioze.

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“Është e vërtetë se ai (Kur’ani) është një fjalë që dallon – gjykon. Nuk është ai i parëndësishëm (lojë e kotë)!” (Tarik: 13- 14).

Pra, muslimani serioz është i pajisur me moralin dhe edukatën e Kur’anit.

Muslimani e di se është krijuar për një çështje shumë të madhe, për të bartur një amanet shumë të madh dhe do të jep llogari për këtë gjë në Ditën e Kiametit, andaj nuk ka kohë për lozje, argëtim dhe kotësi.

“A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?” (El-Muminun: 115).

“Ne ua ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejtë vetes, dhe ishte i padijshëm”. (El-Ahzab: 72).

Serioziteti ka tipare dhe dukje të shumta. Muslimani nuk mund të jetë serioz derisa nuk i posedon këto tipare dhe të jenë realitet në jetën e tyre. Këto janë disa tipare dhe pamje të seriozitetit:

1- SINQERITETI.

Sinqeriteti ndaj All-llahut, azze ve xhel-le, është gjëja ndarëse mes muslimanit serioz dhe joserioz, sepse muslimani i sinqertë nuk mund të jetë dyfytyrësh e as shtirës, sepse qëllimi i tij në jetë është ta arrijë kënaqësinë e All-llahut, azze ve xhel-le, dhe të fitojë shpërblimin e Tij.

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“Ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë”. (El-Bejine: 5).

Kurse mynafiku dhe shtirësi ka personalitet jostabil, herë me këta e herë me ata. Ka dalë nga tiparet e seriozitetit në shtrembërim dhe kotësi, si rezultat i mungesës së sinqeritetit, i cili është bazë e pranimit të veprave.

2- PASIMI I PEJGAMBERIT, SAL-LALL-LLAHU ALEJHI VE SEL-LEM.

Kjo veti është dalluese mes muslimanit serioz dhe atij joserioz, sepse muslimani serioz vazhdimisht vepron që vepra e tij të jetë e pranuar, kurse vepër e pranuar është ajo vepër e cila i plotëson dy kushte:

Një: Sinqeriteti.

Dy: Pasimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Nuk duhet të na krijon konfuzion përpjekja e kafirave për kufrin e tyre, epsharakëve për epshet e tyre dhe ithtarët e të kotës për të kotën e tyre, sepse ky seriozitet i tyre për këto gjëra nuk i shpijnë ata në fitim dhe shpëtim në Ditën e Kiametit, por është mund që shkon huq dhe vepra e tyre nuk shpërblehet.

“Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?” Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë. Të tillët janë ata që nuk besuan argumentet e Zoti të tyre as takimin (ringjalljen) e Tij, andaj veprat e tyre shkuan huq dhe në ditën e gjykimit atyre nuk do t’u japim kurrfarë vlere”. (El-Kehf: 103).

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Ai që shpik në çështjen tonë gjëra që s’janë të saja, ato janë të refuzuara”. (Buhariu dhe Muslimi).

Gjithashtu Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Ai që bën një vepër që s’është në çështjen tonë, ajo është e refuzuar”. (Muslimi).

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telashe, ose do t’i godasë dënimi i hidhët”. (En-Nur: 63).

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht”. (En-Nisa: 65).

3- MESATARIA DHE MATURIA

Serioziteti nuk domethënë ekstremizëm, por domethënë maturi dhe mesatari. All-llahu, azze ve xhel-le, ka ndaluar ekstremizmin duke thënë:

“O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj”. (En-Nisa: 171).

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka sqaruar se ekstremizmi, teprimi në fe, është shkaku i shkatërrimit dhe shfarosjes, duke thënë:

“Kujdes nga ekstremizmi në fe, sepse janë shkatërruar ata që kanë qenë para jush me ekstremizëm në fe”. (Sahih, Ahmedi dhe Nesaiu).

Maturia dhe mesataria shpijnë në vazhdimësi të punës, kontinuitet të adhurimeve dhe mos ndërprerja e pasiviteti.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Veprat më të dashura te All-llahu janë ato më të vazhdueshmet edhe nëse janë pak”. (Buhariu dhe Muslimi).

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Feja më e dashur te All-llahu është besimdrejtësia tolerante”. (Hasen, Ahmedi dhe Taberaniu).

4- T’I JEPEMI ADHURIMEVE.

T’i jepemi adhurimeve ndaj All-llahut, shfrytëzimi i kohëve në adhurime, dhikre dhe falënderim. Shtimi i këtyre veprave nuk është ekstremizëm, me kusht që të jenë në suaza të fesë.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, falej aq shumë natën saqë i ënjteshin këmbët, e kur e pyetën për këtë gjë tha:

“A nuk duhet të jem rob falënderues”. (Buhariu dhe Muslimi).

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“O ju njerëz pendohuni tek Zoti juaj. Pasha All-llahun unë pendohem te All-llahu, azze ve xhel-le, një qind herë në ditë”. (Muslimi).

Dihet se besimi tek Ehli Suneti shtohet dhe pakësohet, shtohet me adhurime dhe pakësohet me mëkate, andaj dhënia pas adhurimeve dhe participimi në çdo derë të veprave të mira, e shton besimin dhe është prej argumenteve më të mëdha për seriozitetin e muslimanit në adhurimet e tija ndaj All-llahut, tebareke ve teala.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“Merrni me forcë këtë që ua dhamë dhe përkujtoni ç’keni në të, e të bëheni të devotshëm”. (El-A’raf: 171).

5- QËLLIMI I QARTË DHE POSEDIMI I SYNIMEVE TË LAVDËRUARA.

Nëse pyet një shtresë prej një qind njerëzve prej jomyslimanëve për qëllimet e tyre në jetë do të varresh dallim të madh mes tyre në përgjigjet e tyre. Dikush ka qëllim pasurinë, dikush postin, dikush pozitën shoqërore, dikush famën, dikush inovacionin dhe zbulimin, dikush ndikimin tek njerëzit.

Kurse muslimani i vërtetë, letë jenë sa të jenë dhe le të kenë mendime të ndryshme, qëllimi i tyre kryesor është i qartë sikurse dielli te secili musliman; ajo është arritja e kënaqësisë së All-llahut dhe fitimi i shpërblimit të Tij, andaj secili musliman të gjitha veprat e tija tjera dhe të gjitha aspiratat e tija i ka si shërbyes, mjete dhe mekanizma që i mundëson të arrijë te qëllimi i tij kryesor:

“Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)”! (El-Enam: 162- 163).

Muslimani mund të përvetëson qëllime të lavdëruara, duke i shndërruar të gjitha veprimet e tija ditore, sikurse është gjumi, ushqimi, pija, aktivitetet në kohën e lirë, argëtimin, etj, më adhurime për të cilat fiton shpërblime nga All-llahu, nëse ka të pranishëm qëllimin e shëndoshë gjatë këtyre veprimeve. Kjo domethënë serioziteti për të cilin jemi duke folur.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Edhe marrëdhëniet e juaja intime konsiderohen sadaka”. Thanë: Resulullah, nëse dikush prej neve kënaq epshin shpërblehet për këtë gjë? Tha: Nëse e kishte zbrazur në haram, a do të kishte patë mëkat? Thanë: po. Tha: E njëjta ndodh nëse e vendon në hallall shpërblehet”. (Muslimi).

Pra, detyrohemi ta rregullojmë jetën tonë me rregullat e hallallit dhe haramit, të kemi qëllim të qartë në këtë gjë dhe të stolisemi me vullnet të çeliktë dhe vendosmëri të vërtetë, të cilat e shtyjnë njeriun drejt aktivitetit dhe punës serioze, për të realizuar qëllimin e synuar.

6- AMBICIA E LARTË

Ambicia e lartë është prej vetive më të mëdha të njerëzve serioz. Njeriu ambicioz nuk dakordohet me përtesë, nuk mbështetet në rehati dhe pasivitet e as që e mashtrojnë gjërat e ultë dhe të pavlera. Ambicia e tij e shpien drejt gjërave të larta dhe të mëdha, andaj dëshiron të arrijë nivelin e plotësisë në sferën e dijes, në sferën e adhurimeve, në sferën e sjelljes, moralit dhe edukatës. Ymri është i shkurtër, mirëpo ai përpiqet dhe punon dhe kalon nga një gjendje në tjetrën më të plotë se ajo, nga një stacion në tjetrin më të lartë se ai. Vazhdon në këtë rrugë derisa ti vijë vdekja.

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)”. (El-Hixhr: 99).

Ibën Xhevziu, rahimehull-llah, ka thënë:

“Kam ambicie shumë të lartë e cila synon qëllime madhore. U plaka dhe nuk arrita atë që synova, andaj fillova të lutem që të më zgjatet ymri, të më forcohet trupi dhe të arrijë qëllimet. Mirëpo më dolën në rrugë shprehitë dhe më thanë: zakonet nuk i sjellin këto gjëra që i kërkon! U thashë: Këto gjëra i kërkoj nga Ai që ka Fuqi dhe i cili i ndryshon zakonet.

Një njeriut dikush i ka thënë: kemi ardhur për një nevojë të vogël. Tha: kërkoni për te njeri të vogël!!

Tjetrit i kanë thënë: kemi ardhur te ti për një nevojë që nuk të lodhë. U tha: për këtë gjë kërkoni njerëzit e ultë!

Nëse njerëzit dinjitoz kanë patë këtë sjellje, pse të mos lakmojmë dhuntitë e All-llahut Fisnik dhe të Gjithfuqishëm?! (Shiko: “Sejdul-Hatir”, fq. 418-419).

7- SHOQËRIMI I NJERËZVE SERIOZ

Prej gjërave shumë të rëndësishme që e përforcojnë muslimanin një seriozitet është edhe shoqërimi i njerëzve serioz. Njeriu zakonisht bie nën ndikim të atij me të cilin jeton, miku e tërheq njeriun kah vetja, andaj nëse një musliman shoqërohet me njerëz që lodrojnë, lozin, nuk punojnë dhe humbë kohën në gjëra të kota, ai do të bie nën ndikim të gjendjes së tyre dhe ndoshta me kalimin e kohës do të bëhet njëri prej tyre.

Nëse një njeri përzihet me njerëz serioz, që përpiqen, që janë të dhënë pas adhurimeve dhe përuljeve dhe kanë ambicie të larta, ai do të bie nën ndikimin e tyre, do ti imiton në fjalët dhe veprat e tyre, kurse me kalimin e kohës serioziteti dhe ambicionizmi do të bëhen veti dhe cilësi e tij. Njeriu mund të përfiton shumë nga shoku i vet por edhe të pëson shumë keq. Për këtë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Njeriu është në fenë e mikut të vet, andaj le të shikon kënd e bën mik”.(Hasen, Tirmidhiu).

8- BALLAFAQIMI ME PROBLEMET

Njeriu serioz nuk u ikë problemeve, nuk i le pa zgjidhje dhe nuk i le si pengesë në rrugën e tij, por ballafaqohet me problemet me urtësi dhe gjakftohtësi, kurse prej problemeve dhe krizave të tija bën pikënisje të reja dhe nëpërmjet tyre zbulon aftësitë e mendimit dhe gjetjes së zgjidhjeve, të cilat ia ka dhënë All-llahu, për trazirat dhe sprovat që e kaplojnë.

Njeriu serioz zgjedh kohën e përshtatshme për të zgjidhur problemet e tija, e ajo është koha e rehatisë, meditimit dhe mendjes së pangarkuar.

Mund të ketë nevojë për ndihmën e tjerëve, mirëpo problemet e veta nuk ua paraqet njerëzve pesimist dhe demoralizues, të cilët nuk kanë brengë tjetër përpos se të përhapin pesimizëm dhe ti orientojnë njerëzit drejt rrugëve të mbyllura, por ua paraqet atyre që i do dhe që njihen për pozitivizëm, mendjemprehtësi dhe analiza precize.

9- GJITHPËRFSHISHMËRIA

Muslimani serioz është ai që fenë e merr të gjithën ashtu si i ka ardhur nga All-llahu. All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (përqafojeni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik juaji i hapët”. (El-Bekare: 208).

Imam Ibën Kethiri, rahimehull-llah, thotë:

“All-llahu, azze ve xhel-le, i urdhëron robërit e Tij besimtar, të cilët i kanë besuar Pejgamberit, që t’i zbatojnë të gjitha hallkat e Islamit dhe ligjet e Tija, të veprojnë sipas të gjitha urdhrave të Tija dhe ti braktisin të gjitha ndalesat e tija, aq sa kanë mundësi.

Ibën Absai, radijall-llahu anhu, ka thënë: Zbatoni të gjitha veprat mira dhe format e ndryshme të bamirësisë”. (Shiko: “Tefsiri i Ibën Kethirit”, 1/324).

Islami nuk i lejon muslimanit të ketë qasje selektive ndaj fesë së All-llahut, të merr atë që do dhe të lë atë që do.

Nuk është aspak serioze që njeriu ti zbaton obligimet e lehta dhe ti braktis ato që i sheh si të rënda. E tërë feja është e lehtë dhe All-llahu ka ngritur prej njerëzve vështirësitë.

All-llahu, azze ve xhel-le, ka thënë:

“nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi,”. (El-Haxh: 78).

“Atë Ne e lamë për kujtim, po a ka ndokush që merr mësim?”. (El-Kamer: 15).

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Feja është lehtësim. Çdo kush që e vështirëson fenë, feja do ta fiton. Jini mesatar, afroni veprimet dhe jepni myzhde”. (Buhariu).

Muslimani serioz e merë fenë me gjithpërfshirshmërinë e vet dhe nuk u ngjan jomuslimanëve për të cilët All-llahu, azze ve xhel-le, ka thënë:

“A e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni. Ç’mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, pos poshtërim në jetën e kësaj bote, e në Ditën e Gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju”. (El-Bekare: 85).

10- LËRE PROLONGIMIN

Njeriu serioz nuk e njeh prolongimin dhe nuk mbështetet në shpresa të rrejshme, por nxiton në përulje, angazhim të kohës në adhurime dhe radhitjen në radhët e besimtarëve të sinqertë. Ai çdo ditë dhe çdo orë pendohet. Pendohet para se ta bëjë një punë dhe pasi ta bëjë atë punë. Ai nuk thotë do të pendohem, e ta lë pendimin. Llogarit vetveten vazhdimisht dhe nuk thotë: do ta llogaris vetveten më vonë. Kujdeset për namazin dhe nuk e le pas dore e të thotë: do të kujdesem për namazin. E lexon Kur’anin, mediton rreth Kur’anit dhe vepron sipas mësimeve të Kur’anit dhe nuk thotë: do të lexoj dhe do të veproj. Kështu, ai vazhdimisht është i angazhuar me vepra të mira, me çështjet e Islamit dhe muslimanëve. Ai ka shpresa të shkurtra nga kjo dynja, kurse kjo ka ndikuar në sjelljen dhe veprat e tija, si ambicie, aktivitet dhe orientim kah All-llahu, pa dilema dhe prolongime.

11- SHFLETO SHPESH BIOGRAFINË E PEJGAMBERIT, SAL-LALL-LLAHU ALEJHI VE SEL-LEM, DHE SHOKËVE TË TIJ

Prej gjërave që njeriun e shtyjnë drejt seriozitetit është edhe leximi i biografisë së njerëzve serioz, njerëzve që përpiqen shumë, siç janë pejgamberët, sahabët dhe dijetarët e dalluar.

All-llahu, tebareke ve teala, thotë:

“Në tregimet e tyre pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes “. (Jusuf: 111).

Biografia e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, konsiderohet burimi më i madh i seriozitetit. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i vetëm u ballafaqua me tërë kufrin dhe duroi lloj lloj torturash dhe persekutimesh në rrugë të përhapjes së Islamit, mirëpo aspak nuk u dobësua e as nuk i humbi vullneti, por e publikoi haptazi dhe fuqishëm para mbarë kokave të kufrit:

“Pasha All-llahun! Po të vendonin diellin në dorën time të djathtë, kurse hënën në dorën time të majtë që ta braktis këtë gjë, nuk do ta kisha lërë derisa ta ngadhënjen All-llahu apo të shkatërrohem për këtë gjë”.

Kjo është serioziteti i njeriut që bart mision, i cili i beson misionit të vet dhe ka zotuar vetveten, kohën, mundin, famën dhe çdo gjë për këtë çështje.

12- LARGIM NGA LUKSOZI

Luksozi është veti e njerëzve të papunë dhe përtacë, pasi që sjell pasivitetin dhe mungesën e vullnetit. Të gjithë njerëzit e mençur janë unanim se e mira nuk fitohet me të mira, kurse fisnikëria nuk fitohet pa lodhje. Andaj kundërshtimi i luksozit dhe braktisja e begative të tepruara është komponent i ambicies së lartë. (Shiko: “Mealim Ala Tarikil-Himme”, fq. 30).

Disa dijetarë të selefit kanë thënë:

“Dija nuk mund të fitohet me rehati të trupit”.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i posedonte çelësat e depove të tokës, po të dëshironte do të ishte mbret pejgamber, por ai zgjodhi të jetë njeri i thjeshtë pejgamber që të uritet e të falënderon All-llahun, të ngopet dhe të jetë mirënjohës ndaj All-llahut.

Kur përmendën para Omerit, radijall-llahu anhu, atë që kanë fituar njerëzit nga dynjaja, ai tha:

“Kam parë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e mbante barkun me dorë, sepse s’kishte mbeturina gruri që ta mbushte barkun”. (Muslimi).

Me këtë pjesë arritëm deri te përfundimi i udhëtimit tonë drejt Zenitit. Mbetemi me shpresë se u kemi ndihmuar sadopak muslimanëve që të shtojnë ambiciet, vullnetin dhe vendosmërinë për të arritur deri te Zeniti. All-llahun e Madh e lus që këto fjalë të ndikojnë tek muslimanit dhe të bëhen një pikënisje e re drejt sukseseve dhe bereqeteve në dynja dhe ahiret. Amin.

Halid Ebu Salih

Përktheu dhe përshtati: Bekir Halimi

Halid Ebu Salih,
11.5.2007