Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet i takojnë Allahut. Ai është i falënderuar dhe i lartësuar në çdo situatë, dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shok, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të nderuar, mbi shokët e tij besnik dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Frikësohuni Allahut ashtu si e meriton, kur jeni vetëm dhe në publik, Allahu thotë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” Al Imran, 102.

Allahu i Lartësuar e krijoi jetën të atillë që të përzihen në të kënaqësitë me dhimbjet, të dashurat me të urryerat. Është shumë e vështirë të shohësh një kënaqësi të cilën nuk e pason dhimbja, apo shëndetin të cilën nuk e zëvendëson sëmundja, rehatinë e cila nuk trashëgon lodhje, qetësinë të cilën nuk e ndjek pasiguria. Një gjë e tillë nëse do të ekzistonte atëherë do të ishte në kundërshtim me natyrën e jetës.

Një herë e pyetën Ali bin Ebi Talib: “Na e përshkruaj dynjanë?” Ai tha: “Si ta përshkruaj banimin fillimi i së cilës është qarje, mesi i së cilës është lodhje dhe fundi i së cilës është zhdukje”.

 Nga fatkeqësitë me të cilat goditen sot njerëzit janë dhe sëmundjet.

Në ditët e sotme mjekësia është sofistikuar, por në të njëjtën kohë janë shtuar dhe sëmundjet. Po shohim e dëgjojmë sëmundje të cilat nuk i kemi njohur e as dëgjuar më parë. Duhet të dimë se një gjë e tillë nuk ka ardhur ashtu kot apo e pa shkak, përkundrazi një gjë e tillë është vendim hyjnor të cilin na e shpalosin tekstet e Kuranit dhe Sunetit.

“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë, por Ai fal shumë.” Esh Shura, 30.

Ndërsa Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Sa herë që është përhapur e keqja në ndonjë popull, tek ata ka rënë murtaja dhe sëmundje të tjera të cilat nuk i kanë njohur brezat para tyre”. Ibën Maxha, Hakim.

Sëmundja është ajo së cilës i frikësohet njeriu, për të cilën shpenzon çdo të shtrenjtë që të mos i bjerë e të shpëtoj prej saj.

Sëmundja, kjo fjalë kaq e frikshme dhe gjendje tronditëse, së cilës i bashkëngjitet shqetësimi, brenga dhe ankthi. Njeriu nuk e dëshiron sëmundjen asnjëherë, madje ai lutet që ajo të mos i bjerë, vërtet ashtu si ka thënë i dashuri ynë salallahu alejhi ue selem: “Lutuni Allahut për falje dhe shëndet, sepse askujt nuk i është dhënë pas besimit, mirësi më e madhe sesa shëndeti”. Tirmidhi, Ahmed.

Por nëse besimtari do të shohë e do të meditojë me vëmendje atë që fshihet tek sëmundja, do të gjejë urtësi, mirësi dhe fryte mahnitëse, normalisht për atë të cilin e godet sëmundja dhe duron dhe që i dorëzohet caktimit të Allahut.

Sëmundja është shkak për pastrimin dhe shlyerjen e gjynaheve. Ibën Mes’udi transmeton se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo musliman që e godet ndonjë e keqe, si sëmundja e të ngjashme me të, Allahu me të do t’i pastrojë gjynahet, ashtu sikurse lëshon pema fletët e saj”. Buhari, Muslimi,

Një ditë Profeti salallahu alejhi ue selem, hyri tek Um Saib dhe i tha: “Nga se ankohesh, o Um Saib?” Kam temperaturë, që mos e bekoftë Allahu! Profeti tha: “Mos e shaj temperaturën, sepse ajo i largon gjynahet e bijve të Ademit, ashtu si largon farka ndryshkun e hekurit”. Muslimi.

Kur bie sëmundja, njeriut i shkruhen sevape dhe i largohen të këqijat. Profetin salallahu alejhi ue selem, e zuri sëmundja aq sa filloi të rrotullohej në shtrat. Gruaja e tij, Aishja, i tha: “Nëse një sëmundje e tillë do ta kapte ndonjërin prej nesh do të ankohej. Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Besimtarëve të mirë u shtohet sëmundja. Çdo musliman të cilin e godet ndonjë e pakëndshme, si shpimi i gjembit e më të mëdha se ajo, Allahu me të do t’i largojë një gjynah e do t’i ngrejë me të një gradë”. Ahmedi.

Sëmundja është shkak për hyrjen në xhenet. Profeti salallahu alejhi ue selem tha: “Zoti juaj ka thënë: ‘O biri i Ademit! Nëse duron dhe pret shpërblimin Tim kur të godet e keqja, nuk do të kënaqem me shpërblim tjetër për ty veç Xhenetit’.” Ibën Maxha.

Sëmundja është shkak për largimin nga zjarri. Një ditë Profeti salallahu alejhi ue selem, vizitoi një të sëmurë dhe i tha: “Përgëzohu sepse Allahu ka thënë: ‘Ai është zjarri Im me të cilin godas besimtarin në këtë botë, që të mos ketë pjesë nga zjarri në botën tjetër”. Ibën Maxha, Ahmedi.

Ai i cili mediton me kujdes në këto hadithe, i largohen brengat dhe i shuhen shqetësimet si dhe do t’i mbushet zemra me kënaqësi ndaj caktimit të Allahut dhe sigurisht që kjo është një gradë edhe më e madhe se durimi.

O rob i Allahut! Sprovimi yt me sëmundje është mirësi, ndaj mos u tremb, është dhuratë, ndaj mos u merakos. Ai nuk të ka marrë diçka, vetëm se të jep diçka më e mirë se ajo, nuk të ka sprovuar vetëm se të pastrojë e të ngrejë gradat. Ndaj dorëzoju Allahut të jesh i shpëtuar.

Vëllezër muslimanë! Ndonjëherë shëndeti të fton në të keqe, mendjemadhësi dhe arrogancë, kështu që për sa kohë atë e kap sëmundja ajo e frenon, ia zbut zemrën dhe e pastron nga mbeturinat e mendjemadhësisë. Kështu që nga mëshira e Mëshiruesit është se Ai kujdeset për robin e Tij, e ruan atë nga sëmundjet kapriçioze me sprovat të cilat ia lëshon.

Imam Ibën Kajim -Allahu e mëshiroftë!- ka thënë: “Allahu i lartësuar kur e sprovon robin e Tij, dëshiron mirësi për të, e mirë qoftë ajo e cila i jepet apo e keqe. Caktimi i Allahut për robin e Tij është dhuratë edhe nëse është e veshur me rrobën e ndalesës; është mirësi edhe pse duket në pamjen e fatkeqësisë. E hidhura për të është shërim edhe pse duket si e hidhur, porse për shkak të injorancës dhe padrejtësisë që gjendet tek robi, ai nuk konsideron mirësi, vetëm se gëzimin, qefin dhe kënaqësinë e përkohshme…”

Robi si shkak i padrejtësisë dhe injorancës së tij e akuzon Zotin e tij, duke mos parë në mirësitë e pafundme të Tij…

Ndaj, nëse shfleton historitë e profetëve dhe besimtarëve të devotshëm, do të gjesh se ata gëzoheshin kur u zbrisnin dhimbjet, ashtu sikurse gëzohet ndonjëri prej nesh kur i vijnë të mirat, sepse ata e kishin kuptuar që shpërblimi i madh vjen në saj të durimin dhe dorëzimit ndaj sprovave dhe dhimbjeve.

Vëlla dhe ti motër e sëmurë! Allahu të largoftë çdo dhimbje, nëse të vjen ndonjë sëmundje falënderoje Allahun, sepse ai nuk të ka sprovuar me ndonjë sëmundje më të madhe se ajo, apo me ndonjë sëmundje kronike, por nëse sprovohesh dhe me to, përsëri falënderoje Allahun i cili nuk të ka sprovuar me më shumë se një sëmundje dhe se ai të ka ruajtur logjikën e të menduarit.

I sëmuri duhet ta shuajë dhimbjen e tij duke parë se nuk është ai i vetmi që është sprovuar, shiko majtas e djathtas, nuk shikon veçse të sprovuar që kanë humbur të dashurit apo që i kanë rënë dhimbjet.

Vëlla dhe ti motër e nderuar! Allahu e ka zgjedhur sëmundjen për ty dhe Ai e di fort mirë se çfarë është e dobishme për ty, ndaj dhe e drejta e Allahut në këtë sprovë është durimi, sepse ajo është adhurimi në ditë të vështira. Mos harroni se sado të vështira të jenë sëmundjet ato do të mbarojnë e do të harrohen kur të hysh në vendin e paqes, atëherë kur të thërrasë thirrësi: “Ju do të jeni të shëndetshëm e nuk do të sëmureni kurrë, do të jetoni e nuk do të vdisni kurrë, do të jeni të rinj e nuk do të plakeni kurrë, do të kënaqeni e nuk do të mjeroheni asnjëherë.

II

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” El Ahzab, 70-71.

Të nderuar muslimanë!

Nuk ka dyshim se sëmundja ka të drejta, vizita e të sëmurit është traditë profetike, lutja për të është udhëzimi i profetit, sepse Allahu thotë: “O bir i Ademit! Unë u sëmura ndërsa ti nuk më vizitove. O Zot! Si të vizitoj ty, ndërkohë që Ti je Zoti i botëve? Zoti do t’i thotë: “Po a nuk e dite ti se filani u sëmurë dhe ti nuk e vizitove, e nëse do ta vizitoje do të më gjeje Mua tek ai”. Muslimi.

Aliu radijallahu anhu transmeton se ka dëgjuar Profetin salallahu alejhi ue selem të thotë: “Për çdo musliman që viziton vëllanë e tij në mëngjes, luten shtatëdhjetë mijë melaike derisa të ngryset dhe për atë që e viziton në mbrëmje, luten shtatëdhjetë mijë melaike derisa të gdhihet”. Tirmidhiu, Ibnu Maxhah.

Vizita e të sëmurit kryhet që të lutesh për të. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo musliman që viziton vëllanë e tij të sëmurë që ende është në jetë dhe thotë: E Lus Allahun e Lartësuar, Zotin e Arshit madhështor të të shërojë”vetëm se ai do të shërohet”. Buhari, Muslimi.

Vizita e të sëmurit kryhet që të ndiejmë nevojën që ne kemi për Krijuesin.

Vizita e të sëmurit kryhet që ta ngushëllojmë atë të durojë si dhe që të jemi pranë tij, ta ndihmojmë për të mbuluar disa nga shpenzimet e tij, nëse ai është baba i fëmijëve apo kryefamiljar.

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

02.11.2008


Pin It

Burimi