Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej njëveteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En-Nisa:1)
“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju
mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut, kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe
çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr…
Selami, përshëndetje e muslimanëve
Nga Abdull-llah ibën Omeri (All-llahu qoftë i kënaqur më të) se një njeri e ka pyetur Pejgamberin alejhis-selam : “Cili është Islami më i mirë?”
Pejgamberi alejhis-selam i tha: “T’i ushqesh të nevojshmit, t’i japësh selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh”. (Buhari me Fet-h 1/55, Muslimi 1/65)
Poashtu transmetohet se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë:
“S`keni për të hyrë në Xhennet, derisa të besoni dhe s`keni besuar derisa të duheni. A t`ju tregoj në një send, të cilin nëse e veproni keni për t`u dashur. Përhapne selamin ndërmjet jush”. ( Muslimi 1/74 dhe të tjerë)
Dhe : “Tri cilësi kush t`i tubojë (përfshijë) e ka tubuar (përfshirë) besimin: Të qenurit real, dhënia e selamit njerëzve dhe dhënia e sadakasë në skamje”. (Transmeton Buhariu me Fet-h 1/82, nga Ammari radijAll-llahu anhu mevkuf)
Në vazhdim të mësojmë diçka për etikën e të përshëndeturit:
1. Kur të takohet shoku me shokun e tij mjafton që të përshëndetet me selam duke ia shtrënguar dorën, kurse të marrurit n’gryk vjen në shprehje vetëm kur të kthehet nga udhëtimi. E gjithë kjo është një sjellje e mirë (mustehab) duke u mbështetur në fjalën e Enes bin Malikut i cili thotë: “Kur takoheshin shokët e Pejgamberit (a.s), ia shtrëngonin dorën njëri-tjetrit e kur vinin nga udhëtimi merreshin n’gryk”. (Transmeton Taberaniu, kurse Hejthemiu thotë se transmetuesit e hadithit janë autentikë).
2. Parimisht, selami është i plotë kur thuhet: Esselamu alejkum ve rahmetull-llahi ve berekatuhu. Për këtë bazohemi në hadithin ku Umran bin Husejni thotë: “Erdhi një njeri te Pejgamberi alejhis-selam dhe tha: Esselamu alejkum. Pejgamberi ia ktheu e ai u ul. Atëherë Pejgamberi alejhis-selam tha: “Dhjetë”. Pastaj erdhi tjetri dhe tha: Esselamu alejkum ve rahmetull-llah. Edhe këtij ia ktheu dhe ky u ul. Pas kësaj Pejgamberi alejhis-selam tha: “Njëzet”. Pastaj erdhi një tjetër dhe tha: Esselamu alejkum ve rahmetull-llahi ve berekatuhu. Edhe këtij ia ktheu e edhe ky u ul. Kurse për këtë Pejgamberi alejhis-selam tha: “Tridhjetë”. (Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu me sened të fortë).
3. Selami nuk shprehet me fjalët: “Esselamu ala menit-tebeal huda” nëse ai që e përshëndesim është musliman, por ky selam përdoret veçanërisht për jomuslimanët. Pejgamberi alejhis-selam në letrën e tij dërguar Herakleut shkruante: “Në emër të All-llahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit. Prej Muhammedit, robit të All-llahut dhe të dërguarit të Tij deri te Herakleu, madhëria e romakëve (bizantinasve). Selamun ala menit-tebeal huda (Selami i qoftë atij që e pranon udhëzimin)”.
Ndërsa urtia e paraqitjes ndaj tyre me anë të kësaj shprehjeje (versioni) – Zoti e di se më së miri është që t’i zbusë zemrat e të thirrurve dhe se ata do të ndihen të qetë dhe të sigurt nëse e pranojnë ate (kushtet e tij). Këtu është për qëllim udhëzimi, kurse sa i përket besimtarit kjo nuk vjen parasysh, ngase ai është prej të udhëzuarve pa kurrfarë dyshimi, andaj edhe nuk vjen në shprehje dhe nuk lejohet që të përshëndetet me këto fjalë shpresëdhënëse.
4. Është e papëlqyer të thuhet selami me fjalët “Alejkesselam”, duke u bazuar në transmetimin i cili përcillet nga Ebu Tumejme el Huxhejmi, e ky nga një njeri prej popullit të tij (në disa transmetime ceket me emër Ebu Xhura el Huxhejmi) i cili thotë: E kërkova Pejgamberin alejhis-selam e nuk mund ta gjeja dot, andaj edhe u ula. Kur ja, një grup prej njerëzve e në mesin e tyre gjendej edhe ai, por unë nuk e njihja. Ai ishte duke i pleqëruar e kur u lirua, u ngrit e me të u ngritën edhe disa prej tyre të cilët thanë: O Resulull-llah. Kur e pashë atë, fillova të them: “Alejkesselam ja Resulull-llah, alejkesselam ja Resulull-llah, alejkesselam ja Resulull-llah”. Ai ma ktheu: “Dije se alejkesselam është përshëndetje e të vdekurve, dije se alejkesselam është përshëndetje e të vdekurve, dije se alejkesselam është përshëndetje e të vdekurve”. Pastaj mu afrua dhe tha: “Kur njeriu takon vëllain e tij besimtar, le t’i thotë: Es selamu alejkum ve rahmetull-llah. Këtë përshëndetje Pejgamberi alejhis-selam ma ktheu duke më thënë: Ve alejke ve rahmetull-llah, ve alejke ve rahmetull-llah, ve alejke ve rahmetull-llah. (Transmetojnë Tirmidhiu, Ebu Davudi, Ahmedi e të tjerë)
5. Lejohet të ngriturit në këmbë kur jepet selami për përurim apo ngushëllim. Gjithashtu të ngriturit për t’i ndihmuar të paaftit (të gjymtit), ngritja e të birit për babanë e tij, e gruas për burrin e saj dhe e kundërta. Po ashtu të ngriturit e një personi nga vendulja e tij për t’i dalë përpara musafirit të tij apo atij që vjen nga udhëtimi. Kjo duke u mbështetur në argumentet e theksuara për këto çështje, por të cilat sipas shtrirjes së librit nuk kemi vend për t’i cekur. Por nuk lejohet t’i ngrihemi një personi apo edhe më tepër një personi tjetër i cili është ulur, siç është rasti me mbretërit dhe diktatorët. Nga ky rregull bën përjashtim nëse të ngriturit bëhet me ndonjë interes (dobi), siç është rasti i ngritjes së Ma’kal bin Jesarit kur ai e mënjanon degën e një peme nga koka e Resulull-llahut alejhis-selam gjatë kohës kur bëhej besatimi. (Transmeton Muslimi). Sa i përket të ngriturit kur shohim ndonjë njeri, sikur kur janë njerëzit në një mexhlis (tubim) dhe hyn një njeri e ata ngrihen dhe e përshëndesin, mendimi më i saktë për këtë është se një sjellje e tillë është e ndaluar. Kjo, sipas një transmetimi ku thuhet se Muaviu ka hyrë në një shtëpi në të cilën gjendeshin Ibni Amiri dhe Ibni Zubejri. Ibni Amiri u ngrit kurse Ibni Zubejri mbeti ulur. Atëherë Muaviu r.a. i tha (Ibni Amirit): Ulu se unë e kam dëgjuar Resulull-llahun sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Kush gëzohet kur t’i shohë njerëzit se janë ngritur për te, le ta bëjë gati ulësen e tij prej zjarri”. (Transmetojnë Ahmedi, Ebu Davudi, Tirmidhiu e të tjerë)
6. Nuk do të ishte i plotë selami sikur të bëhej vetëm me shenjë pa mos ia shoqëruar shenjës edhe fjalët e selamit, duke u bazuar në hadithin që e transmeton Xhabiri r.a. ku thuhet: “Mos u përshëndetni siç përshëndeten çifutët, sepse përshëndetjet e tyre bëhen me kokë, duar dhe isharet”. (Transmeton Nesaiu me sened të mirë). Ky rregull i dedikohet atij që ka aftësi artikulluese (folëse) dhe i nënshtrohet imperativit fetar. Përndryshe, një gjest i tillë do të ishte në frymë të Sheriatit islam kur personi në fjalë do të ishte i preokupuar me diç që do ta pengonte në kthimin e selamit, siç është rasti me falësin e namazit, me atë që është larg, atë që është shurdh apo memec etj.
7. Nxitja për ta përhapur selamin sa më shumë dhe të mos bëhemi koprracë ndaj tij, sipas hadithit: “A doni që t’ju udhëzoj në një gjë që nëse e punoni do të duheni: – Përhapeni selamin mes jush”. (Transmeton Muslimi). Ky urdhër për ta përhapur selamin u dha që të përhapet hajri (dobia), të bashkohen zemrat dhe të unjësohen radhët tona.
8. S’është mirë që selamin ta lëmë e mos ta përdorim me fëmijët, sipas transmetimit i cili përcillet nga Enesi r.a. kur ai ishte duke kaluar pranë disa fëmijëve dhe iu dha selam. Pastaj shtoi: Një gjë të tillë Pejgamberi alejhis-selam e vepronte. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi). Kjo me të vërtetë është një nga sjelljet më madhështore të Resulull-llahut alejhis-selam dhe edukatës së tij të përkryer. Ngase në te kemi prova se si duhet fëmijët t’i ushtrojmë që ta mësojnë Sunnetin e Pejgamberit alejhis-selam dhe stërvitje për ta për t’i mësuar rregullat e Sheriatit islam, ashtu që të bëhen të edukuar me etikat e tij.
9. Nuk duhet ta harrojmë selamin kur ndahemi nga mexhlisi, sipas hadithit të Pejgamberit alejhis-selam: “Kur dikush prej jush vjen në mexhlis le të japë selam, e nëse e sheh se më mirë është të ulet, le të ulet. Nëse ndërkohë ngrihet e të tjerët ende janë të ulur le të japë selam ngase selami i parë (kur hyri në mexhlis) nuk është më i vlefshëm se selami tjetër”. (Transmetojnë Ahmedi dhe të tjerët. Hadithi është sahih).
10. Nuk lejohet që mosbesimtarin ta përshëndesim me selam, sipas hadithit: “Mos i përshëndetni çifutët dhe të krisherët me selam, por nëse i takoni, detyroni ata që t’u përmbahen anëve të rrugës”. (Transmeton Muslimi). (kurse nese ata japin selam atëhere duhet kthyer ashtu si na mëson Pejgamberi alejhisselam: Transmetohet se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë:
“Nëse u japin selam Ehli Kitabët, thuajuni: وعَلَيكُم”Ve alejkum” (Edhe mbi ju) )
Abdul Hamid Suhejbani
PËRMBLEDHJE E ETIKAVE ISLAME
Urtësia Shkup 1415/1995
redaktoi: ramadan ramadani
Abdul Hamid Suhejbani ,
19.1.2001