Kjo temë është njera ndër temat më të rëndësishme. Për njeriun që beson tek Allahu i Lartësuar, duhet qe të dorëzoher karshi veprave që burojnë prej Tij, të dijë se Ai është i Urtë, Mbret dhe nuk tallet. Nëse urtësia e një vepre të Tij është e fshehtë për të, padijen e tij ia dedikon vetvetes dhe dorëzohet para të Urtit dhe Mbretit. Nëse mendja i kërkon që të gjejë urtësinë e veprave të Tij, atëherë le të thotë “Ajo urtësi nuk mund të shfaqet për mua, kështu që duhet që çështjen ta dorëzoj tek Pronari i saj.”
Disa popujë kanë parë vetëm nëpërmjet mendjes shumë nga veprat e të Vertetit larg të metave qoftë, duke i logjikuar si vepra, të cilat nëse do të buronin nga krijesa, ato do të binin ndesh me urtësinë, si rrjedhojë Krijuesin e vendosën në të njëjtën pozitë. Ky është kufër (mosbesim) i hapur dhe çmenduri e kulluar.
Është një detyrim që padija t’i dedikohet vetvetes, sepse mendjet janë të pafuqishme për të zbuluar urtësinë e Tij (a.xh.) I pari që veproi kështu ishte Iblisi, i cili mendoi se Allahu (a.xh.) kishte favorizuar dheun mbi zjarrin dhe mendja mendon se zjarrin është më i mirë. Kështu, Iblisi e konsideroi urtësinë e Tij të mangët.
Kjo fatkeqësi ka përfshirë një pjesë të mirë të njerëzve që i takojnë dijes dhe shumë prej njerëzve të thjeshtë. Sa e sa dijetarë kemi parë që kundërshtojnë, njerëz të rëndomtë që kundërveprojnë, e kjo e keqe ka përfshirë shumicën e krijesave. Ata shohin që një dijetari i ngushtohet jetesa dhe një gjynahmadh që i zgjerohet dhe thonë: “Kjo nuk i shkon për shtat urtësisë.”
Dijetarët e dinë se Allahu (a.xh.) ka bërë detyrë nxjerrjen e zekatit, xhizjen, ndarjen e plaçkës së luftës dhe pagesën e dëmshpërblimeve në mënyrë që prej tyre të përfitojnë të varfrit, por këto janë veçanërisht në duart e njerëzve të padrejtë, të cilët çlirohen prej detyrimeve duke u shtirur me nxjerrjen e një pjese të pasurisë, ndërsa i varfri mbetet i uritur.
Duhet që ne t’i kritikojmë këta njerëz tiranë dhe të mos kundërshtojmë ata që i sigurojnë të varfërve atë që i mjafton. Me të tilla gjëra, shumë nga të padrejtët janë ndëshkuar prej bllokimit të të drejtave dhe sprovimit te te varferppve me durimin e tyre ndaj asaj që u takon. Shumica e këtyre
njerëzve kundërshtues, nuk kanë arritur të shpëtojnë në çastin e daljes s shpirtit prej një kundërshtimi që të nxjerr në kufër dhe shpirti është dorëzuar si jobesimtar. Sa e sa njerëz të thjeshtë thonë: “Filani është sprovuar me pa të drejtë”, që do të thotë se atë e ka gjetur diçka që nuk është e drejtë. Disa njerët të ulët kanë thënë:
O Zot, që hënat e natës krijon, degët e rrepës dhe dunat e rërës, që robërit të apasionohen ndalon o Gjykatës i drejtë, drejtësi është kjo?
Një varg të tillë e pëlqejnë dhe e këndojnë një grup dijetarësh, ku në të vërtetë ai është kufër i pastër. Këta nuk e kanë kuptuar sekretin e ndalesës dhe as kuptimin e saj, sepse Allahu (a.xh.) nuk e ka ndaluar të apasionuarin, por ka ndaluar që të veprohet me pasion për gjëra të ndaluara, siç është shikimi, prekja dhe veprat e turpshme. Të përmbajturit para diçkaje joshëse është argument për ekzistencën e Ndaluesit, siç është durimi i të eturit para ujit në ditët e Ramazanit, i cili është një argument i besimit tek ekzistenca e Atij që ka urdhëruar të agjërohet. Po kështu, dorëzimi i shpirtrave në betejë dhe luftë është argument për besimin e palëkundur tek shpërblimi. Pastaj, një gjë e hijshme është një shembull i asaj që Ai (axh.) ka premtuar. Pra, ku është mendja që mendon thellë? Përkundrazi, nëse do të mendonte thellë dhe të duronte pak, me siguri që do të fitonte më shumë. Sikur të thellohesha më tepër duke kujtuar atë që di nga kundërshtimet e dijetarëve dhe njerëzve të thjeshtë, do të zgjatesha shumë.
Njeriu që gëzon shembullin më të mirë në lidhje me sa përmendëm është në rastin e një historie që tregohet për Ibn Rauendin, që një ditë të bukur kishte uri të madhe dhe ul pranë një ure, i vdekur nga uria. Aty pranë kaluan disa kuaj të zbukuruar me mëndafsh dhe astar dhe pyeti: “Te kujt janë këto?” Thanë: “Janë të Ali bin Beltikut, halides.” Pastaj kaluan disa robëresha të hijshme dhe përsëri pyeti: “Të kujt janë këto?” Thane: “Janë të Ali bin Beltikut.” Pranë tij kaloi një burrë që pa tek ai shenjat e lodhjes dhe i hodhi dy copa buke. Ai i mori dhe i hodhi duke thënë: “Të gjitha këto që pashë ishin të Ali bin Beltikut, kurse këto janë për mua?”
O ju që kundërshtoni, jeni të mangët deri në kulm para Atij që nuk ka të meta në veprat e Tij. Në fillim ishit prej uji dhe balte, së dy prej uji të pështirë, pastaj mbartni papastërti vazhdimisht dhe nëse ajri do t’ju mbahej, do të ktheheshit në kufoma. Sa e sa mendime mbart mbi vete ai që tregohet i vendosur prej jush dhe kur i ballafaqon ato me të tjerët, i bëhet e qartë prishja e mendimit të tij. Gjynahet tek ju kanë kaluar kufirin dhe nuk ju ka mbetur gjë tjetër -pas kësaj- veçse të kundërshtoni Mbretin e Unë?
Sikur prej nesh të mos kërkohej gjë tjetër karshi këtyre fatkeqësive, do të kishte qenë më se e mjaftueshme. Sikur Ai t’i kishte krijuar që të tregonin për ekzistencën e Tij krijesat dhe pastaj t’i shfaroste ato pa i kthyer sërish, kjo është një çështje që i përket Atij, sepse Ai është Mbreti, por Ai me mirësinë e Tij ka premtuar rikthimin, shpërblimin dhe qëndrimin e përjetshëm në kënaqësi. Kur diçka që ti nuk ia di shkakun ndodh, paaftësinë tënde dedikoja mangësisë së dijenive të tua. Ndoshta të qëllon të shohesh një të vrarë padrejtësisht. E sa e sa njerëz kanë vrarë dhe kanë bërë padrejtësi, derisa kanë shijuar një pjesë të asaj padrejtësie që kanë bërë? Askujt nuk i shkaktohet një e metë pa e merituar atë, por këto të meta nëpërmjet të cilave kryhet ndëshkimi janë të panjohura për ne. Ne vetëm kemi parë ndëshkimin.
Ruhu që të shpëtosh, bëj kujdes nga ndonjë fjalë kundërshtuese ose heshtje, sepse ndoshta mund të të nxjerrë nga rrethi i Islamit.
“Gjuetia e Meditimeve” – Ibn Xheuzi