Vëllezër dhe motra në Islam!

Tema e ligjeratës së sotme është sekreti i lumturisë së besimtarit. Po flas për këtë temë të caktuar në një kohë ku ka gjithnjë e më pak individ, familje dhe grupe të lumtura, koha në të cilën njerëzit për njëri-tjetrin janë bërë më të rrezikshëm se sa bishat e egra, në një kohë kur njerëzit nxitojnë të zhyten në gabime e mashtrime, nuk kanë dëshirë për të përmbajtur vetveten dhe që rrënjësisht të ndryshohen, në kohën kur kemi gjithnjë e më shumë oratorë – dijetarë të rangut të lartë të Islamit, me tituj të lartë akademik dhe gjithnjë e më pak praktikues të fesë, në kohën e trazirave, konfuzioneve dhe shqetësimeve të qëllimshme për të tjerët ndërsa anashkalim i vetvetes dhe atyre për të cilët do të pyetemi në Ditën e Gjykimit, në kohën e ndërtimit të shtëpive (objekteve banesore afariste) të mëdha e të larta, pa harmoni në to, në kohën ekraneve të mëdha televizive dhe laptopeve përmes të cilëve ‘bandat djallëzore’ i kanë vendosur në dhomat e bijve dhe bijave tona, koha në të cilën paturpësisht flitet për intimitetet, në kohën e ndërtimit të xhamive të bukura, por degradimin e xhematit dhe në kohën e mektebeve luksoze, por gjithnjë e më pak nxënës dhe gjithnjë e me më pak njohuri …
Allahu xh.sh. ju premton besimtarëve të cilët bëjnë punë të mira, se do të jetojnë një jetë të lumtur në këtë botë dhe se do të jenë të shpërblyer edhe me tepër se që e kanë merituar, siç thotë All-llahu xh.sh,. në Kur’an: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre. (En-Nahl 97).
Shkalla më e lartë e mirësive për ne është besimi i vërtetë në Allahun, xh.sh., dhe largimi nga shirku (duke i përshkruar shok Allahut), kurse pas kësaj, një nga dhuratat më të mira që All-llahu, xh.sh., mund të dhuroi është kënaqësia dhe lumturia në zemrat tona dhe në jetën tonë. Vëllezër dhe motra, ne jemi jashtëzakonisht të pasur, nëse jemi të shëndetshëm, nëse kemi harmoni në familjet tona, siguri në punë dhe nëse jetojmë në një shtet ligjor dhe në komunitet të bashkuar.
Thotë Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, në hadithin të cilin e transmeton Imam Buhariu: Transmetohet nga Ubejdullah ibn Mihsan Hatmi, r.a., se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kushdo nga ju që zgjohet i sigurt në shtëpinë e tij, dhe ka ushqim të mjaftueshëm për atë ditë, sikur e tërë bota të jetë e tij.” (Buhariu)
Njeriu i cili është i lirë dhe i sigurt në shtëpinë e tij, i cila ka shëndet të mirë, i cili ka çka të hajë dhe të pijë nga hallalli, jo për tërë jetën, një vit ose një muaj, por vetëm për këtë ditë, ai është njeriu më i pasur. Sa njerëz janë në burg dhe jetojnë në frikë, sa prej tyre janë të sëmurë, që nga dhimbja nuk mendojnë për asgjë, edhe në qoftë se do t’i kishin arkat e mbushura me stoli të arit dhe me të holla dhe plot frigoriferët me rezerva ushqimore, sa ka njerëz që nuk kanë me çka ta shuajnë urinë, e që do të ishin të kënaqur me një copë buke, qoftë edhe të fortë? Sa ka njerëz të pasur e të pakënaqur me pasuritë e tyre, se si grykës – gurman të pakënaqur në lakminë – apetitin e tyre dhe se ka në përgjithësi njerëz të pakënaqur sot?
Thotë Pejgamberi a.s. në hadithin të cilin e transmeton imam Ahmedi: Transmeton Nafi ibn Abdu-l-Haris r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: Lumturitë e njeriut janë: fqiu i mirë, mjeti i udhëtimit i rehatshëm dhe vendbanimi i përshtatshëm”. (Ahmedi)
Të dashurit e mi, vëllezër e motra, fshehtësia e lumturisë sonë është në forcimin e imanit – besimit tonë dhe në kënaqësinë me atë që kemi, ndaj, kush i kupton këto dy gjëra, ai është prej atyre që do të jenë të lumtur në të dy botët.
Si besimtarë që jemi të etur për All-llahun xh.sh., kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij, ne jemi të detyruar që të përpiqemi që të gjitha punët që ne i bëjmë, ti bëjmë saktë dhe në mënyrën më të mirë që dimë dhe mundemi, e të gjitha në përputhje me hadithin e Pejgamberit , salallahu alejhi ve sel-lem: “Allahu i Madhëruar dëshiron, kur ndonjëri prej jush e bënë një punë le ta bëjë me precizitet” (Bejhekiu).
Ne, vëllezër dhe motra duhet të përpiqemi të jemi të parët në çdo gjë, jo që njerëzit të na lavdërojnë, por për shkak se besimtarët duhet të përpiqen të jenë udhëheqës, të kujdesen për orarin e tyre të punës dhe gjatë atij të angazhohen për të përmbushur detyrimet e tyre, që t’i zbukurojnë namazet e tyre me përulshmëri, ta ruajnë vendin e tyre në xhami përmes faljes së namazit me xhemat, të jenë të bindur ndaj prindërve të tyre, të kujdesën për t’i rritur fëmijët e tyre në Islam, të jenë nxënës dhe studentë më të mirë, punëtorët dhe fermerët, drejtorët dhe ministrat, që vazhdimisht të thellohen në njohuritë e tyre, e sidomos të profesionit të tyre, shtëpitë dhe oborret e tyre të jenë të pastra, të rregulluara dhe të bukura, askujt dhe në asnjë formë mos t’i bëjnë padrejtësi përveç në vetëmbrojtje, mos ta tradhtojnë shtetin duke iu shmangur detyrimeve të tyre ligjore, që mos t’i japin vetit të drejtë më shumë se sa që ju takon, kur ta vërejnë se nuk janë në gjendje për të kryer detyrat e caktuara, t’ua lënë të tjerëve që janë më të aftë se ata dhe në këtë mënyrë janë më të denjë, për të luftuar për të drejtat e muslimanëve dhe popullit në përgjithësi, të jenë të lumtur kur muslimanët tjerë janë të lumtur dhe të mërzitur kur muslimanët tjerë janë të mërzitur, që të ndjejnë dhimbje për çdo plagë të çdo muslimani, mos të lejojnë në xhematin dhe lagjet e tyre të ketë të uritur e të zbathur dhe njerëz pa kulm mbi kokë, me një fjalë, të jenë muslimanë praktik .
Prindërit tanë dhe të parët tanë nga kjo botë kanë pasur shumë më pak se ne dhe nuk i kishin shumë gjëra, pa të cilat ne nuk mund ta imagjinojmë jetën sot, por ata ishin shumë më rahat se ne, kishin dashuri të sinqertë reciproke, respekt, bindje ndaj prindërve, kanë respektuar më të vjetrit dhe vetëm kanë dëgjuar dhe përvetësuar prej tyre, janë martuar dhe kanë lindur fëmijë pa frikë për furnizimin, kanë punuar shumë dhe me nderë, na kanë shkolluar pa marrë nga askush ndonjë ndihmë, bursë apo kredi dhe na kanë mësuar moralin, punën dhe nderin… Ne duhet të shikohemi në besimin e tyre, devotshmërinë, durimin, urtësinë e fjalëve të tyre, por edhe heshtjen dhe kujdesin që çdo gjë që kanë bërë janë munduar të jetë hallall dhe me emrin e Allahut.
Në vazhdim do ta tregojmë një ngjarje të urtë lidhur me një princ, i cili ishte sëmurë rëndë dhe asnjëri nga mjekët nuk e dinin diagnozën, ashtu që nuk mund të përcaktonin trajtimin – terapinë. Pas disa kohësh në oborrin e princit vjen një njeri i urtë, dhe i thotë princit se do të shërohesh nëse e vesh këmishën e njeriut të lumtur. Sundimtari menjëherë i dërgoi njerëzit e tij për ta gjetur sa më shpejt njeriun e lumtur dhe nga ai t’ia sjellin këmishën. Njerëzit e sundimtarit shkuan në qytet duke kërkuar njeriun e lumtur. Së pari ata fillojnë me pjesën më të pasur të qytetit, me shpresën se ka njerëz të lumtur. Megjithatë, në mesin e të pasurve të cilët në pamje dukeshin se kanë çdo gjë që zemra e tyre iu dëshiron, ata nuk gjetën asnjë njeri të lumtur, sepse sa më shumë që kishin, dëshironin edhe më shumë. Vazhduan kërkimin në pjesën tjetër të qytetit, dhe më pas në fshatrat përreth, por pa dobi. Kudo që ata shkuan dhe këdo që pyetën, nuk gjetën asnjë njeri që ishte plotësisht i lumtur. Pas një kërkimi të gjatë, njerëzit e princit kthehen në oborrin mbretërorë duke sjellë lajmin e hidhur. Megjithatë , mbreti nuk deshi të dorëzohet aq lehtë, dhe njerëzit e tij i dërgoi në vendet fqinje. Ata vizituan qytetet dhe fshatrat, malet dhe luginat, por pa dobi. Të lodhur dhe të rraskapitur, në fund me atomin e fundit të fuqisë së tyre, vendosin të pezullojnë kërkimin. U ulën në lëndinë për të mbledhur forcën e fundit dhe për tu kthyer në shtëpi. Në atë moment ata e panë bariun i cili para vetës ruante një tufë delesh dhe këndonte. Njëri prej tyre u ngrit dhe e pyeti bariun: “A je ti njeri i lumtur”? Bariu tha: “Po”! Të pranishmit të habitur e shikuan dhe e pyetën: “A do të na shesësh këmishën tënde?” Bariu u përgjigj: “Po, por unë nuk kam këmishë. ”
Vëllezër dhe motra, ta kërkojmë lumturinë në të dy botët, me anë të drejtësisë dhe devotshmërisë, me mbështetje të fortë në Perëndinë dhe në dashurinë e sinqertë islame dhe të konkurrojmë, të bëjmë gara në punë të mira!
E lusim Allahun, xh.sh. të na forcojë në rrugën e Islamit, për të ndihmuar vëllezërit tanë në Palestinë, Irak, Siri, Egjipt,… dhe në çdo cep të botës, ku atyre u kërcënohen të drejtat e tyre, që të na bëjë të lumtur në të dy botët, që të mos na sprovojë me dhunën e sundimtarëve të dhunshëm, të mos na sprovojë me atë që nuk mund ta durojmë, që të ketë mëshirë për prindërit tanë, që fëmijët tanë t’i bëjë gëzim të syve dhe zemrave tona, që të jetë i mëshirshëm në Ditën e Gjykimit dhe në xhenet të na bashkoi me pejgamberët, të ndershmit, të sinqertit, dëshmorët dhe njerëzit e mirë!

Hatib: Nezim Halilović Muderris
Përshtati: Esat Rexha

Burimi