Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit. Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

Të nderuar besimtarë!

Allahu pranon vetëm veprën e mirë

Në xhumanë e kaluar filluam temën “Së pari besimi”. Pyetja vetvetiu vjen: Pse së pari besimi? Përgjigjja ishte: Së pari besimi për arsye se është themeli i fesë dhe se fjalët dhe veprat nuk janë të pranuara nga Allahu nëse besimi nuk është i drejtë.

Allahu i Lartësuar për ithtarët e besimit të drejtë thotë: “Ata janë prej atyre të cilëve Ne do t’ua pranojmë më të mirën e punëve të tyre dhe nuk do t’i vëmë re të këqijat e tyre. (Ata do të jenë) nga banorët e xhenetit – një premtim i vërtetë që u është premtuar.”21

Ndërsa për ithtarët e besimeve të kota thotë: “Dhe Ne do t’i kthehemi çfarëdo lloj pune që bënë ata (mosbesimtarët) dhe do t’i bëjmë veprat e tilla si grimca pluhuri që fluturojnë në erë.”22

Së pari duhet ta mësojmë besimin për arsye të domosdoshmërisë; ajri dhe uji janë të domosdoshëm dhe pa këto të dyja nuk mund të jetojmë dhe po kështu e njëjtë është çështja edhe me besimin e drejtë. Po të jetojë njeriu me besim të kotë e të prishur, përjeton vuajtje, humbje e më pas shëtit prej një fallxhori në tjetrin, nga një magjistar në tjetrin dhe i humbur në gërmadhat e errësirës së kotë ballafaqohet me vdekjen.

Të nderuar muslimanë!

Përgjigjen e pyetjes pse së pari besimi do ta plotësojmë edhe në këtë hytbe. Dhe në vazhdim do të ndajmë ligjëratën tonë në këto pika:
1. Akideja bazë për pranimin e veprës
2. Besimi i drejtë të forcon gjatë sprovave
3. Kush mund ta kalojë provimin në këtë botë?

E lusim Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të Larta që t’i pastrojë qëllimet tona dhe të na ndihmojë në përkujtimin e Tij!

 

Akideja bazë për pranimin e veprës

Duhet të mësohet akideja, të ngrihet baza, sepse veprat dhe fjalët nuk pranohen nga Allahu i Lartësuar pa akide, pa besim të drejtë. Kur vepra dhe fjala buron prej muslimanit që ka besimin e drejtë, pranohet nga Allahu dhe në Ditën e Gjykimit, Ai e shpërblen. Allahu i Lartësuar thotë: “Kushdo që punon të drejtën e të mirën, burrë a grua qoftë, duke qenë besimtar i vërtetë, sigurisht që Ne do t’i dhurojmë atij jetë të mirë (në këtë botë duke qenë i respektuar e i kënaqur dhe furnizim e jetesë sipas ligjit të Allahut) dhe (në botën tjetër) Ne do t’ua paguajmë padyshim atyre shpërblimin sipas veprave të tyre më të mira që ata i kanë punuar.”23

“Dhe kushdo që bën vepra të drejta e punë të mira, mashkull apo femër qoftë dhe është besimtar i vërtetë në njësimin e Allahut (musliman), një i tillë do të hyjë në xhenet dhe atyre nuk do t’u bëhet as padrejtësia më e vogël qoftë edhe sa nakira (lëvozhgë e bërthamës së hurmës).”24

Por të kemi kujdes, pasi nëse njeriu nuk e ka besimin e drejtë, veprimet nuk pranohen, janë të refuzuara dhe në Ditën e Gjykimit nuk shpërblehet dot. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ne do t’i kthehemi çfarëdo lloj pune që bënë ata (mosbesimtarët) dhe do t’i bëjmë veprat e tilla si grimca pluhuri që fluturojnë në erë.”25

“Dhe sigurisht që tashmë të është shpallur ty (Muhamed) si dhe atyre (të Dërguarve) para teje: “Në qoftë se bashkoni të tjerë në adhurim me Allahun, sigurisht që gjithë veprat tuaja do të jenë të pavlera dhe padyshim që do të ishe nga të humburit.”26

Të nderuar besimtarë!

 

Besimi i drejtë të forcon gjatë sprovave

Akideja, besimi i drejtë në Allahun e Lartësuar edukon dhe ngre gjenerata. Burrat të cilët u edukuan në besimin e drejtë ishin të fortë dhe të paluhatur gjatë sprovave. Njeriu në këtë botë i nënshtrohet testit dhe provimit, se ai për këtë është krijuar. Fjalët e Allahut të Lartësuar janë: “Vërtet që Ne e krijuam njeriun nga nutfah (pika) lëngu i bashkuar (të derdhura nga burri dhe nga gruaja), me qëllim që ta provojmë atë, kështu që Ne e bëmë atë dëgjues (dhe), shikues.”27

Sprovat janë pjesë të ligjeve të Allahut për robërit e Tij; njeriu sprovohet me të këqija dhe me të mira, me pasuri dhe varfëri, me shëndet dhe sëmundje dhe kjo do të thotë se sprovat janë të njëpasnjëshme. Të kujtojmë fjalët e Allahut të Lartësuar: “Ne i provuam ata edhe me të mirën edhe me të keqen, me qëllim që ata të mund të ktheheshin (në bindje ndaj Allahut).”28

“Sa për njeriun, të cilin Zoti i tij e provon duke i dhënë atij nderime e mirësi, atëherë ai thotë (i krekosur): “Zoti im më ka nderuar mua. Por kur Ai e provon atë me shtrëngim të të mirave të jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar mua! Jo, nuk është ashtu!”29

“A mendojnë njerëzit se do të lihen pa u trazuar ngaqë thonë: “Ne besojmë” – dhe nuk do të sprovohen? Dhe sigurisht që Ne i sprovuam ata të cilët ishin para tyre. Dhe vërtet që Allahu do ta bëjë të njohur (të vërtetën e) atyre që janë të vërtetë dhe (po kështu) vërtet që Allahu do ta bëjë të njohur (gënjeshtrën e) atyre që janë gënjeshtarë (edhe pse Allahu di gjithçka para se t’i vërë ata në provë).”210

O rob i Allahut!

 

Kush mund ta kalojë provimin në këtë botë?

Pa dyshim që vetëm ai i cili ka besimin e drejtë do të ketë sukses në provimin e kësaj bote. Kur muslimani me besim të drejtë sprovohet me të mira, ai është falënderues dhe mirënjohës se të gjitha këto janë prej Allahut të Lartësuar. “Dhe gjithçka nga mirësitë dhe begatitë që keni, janë nga Allahu.”211

I Dërguari i Allahut, Muhamedi salallahu alejhi ue selem e edukoi umetin dhe sahabët në besim të drejtë sepse ata vetëm kështu ishin të paluhatur. Gjatë sprovës besimtari i kthehet Allahut duke u shprehur me fjalët ngrohëse: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”. Kjo fjalë buron nga besimi i drejtë dhe i ngulitur në zemër, pasi ai ka bindjen e plotë në kthimin tek Allahu.
“…që Ai të shpërblejë ata që kanë bërë të keqen me atë që ata kanë bërë dhe që Ai t’i shpërblejë ata që bëjnë mirë me më të mirën.”212

“Dhe sigurisht që Ne do t’ju provojmë ju me gjëra të tilla si frikë, uri, humbje të pasurisë, të jetës, të frytave, por përgëzimet janë për të duruarit, të cilët thonë kur u bie fatkeqësi: “Vërtet të Allahut jemi dhe padyshim që tek Ai do të kthehemi. Ata janë mbi të cilët derdhen salavatet (bekimet, faljet) nga Zoti i tyre dhe këta janë ata mbi të cilët derdhet Mëshira e Tij, (dhe) mu këta janë të drejtuarit.”213

Durimtarët besimdrejtë janë po këta të cilët shprehen: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”. Po ashtu kemi shembuj të shumtë që praktikisht dëshmohet se muslimani me besim të drejtë është i paluhatur në momente të vështira dhe kritike. Sa për ilustrim, po veçojmë rastin kur umeti islam u sprovua me një sprovë shumë të madhe, pra me vdekjen e Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Sahabët ishin të shokuar, të tronditur, por shikoni besimin e tyre të paluhatur në momentet e sprovave. Ata çfarë bënë?!

Sahabët ishin burra që e donin Muhamedin salallahu alejhi ue selem dhe pa dyshim që kjo dashuri është pjesë e patjetërsueshme e Islamit. Kur ai ndërroi jetë dhe shpirti i tij u ngrit tek Allahu Fuqiplotë, u shpërnda lajmi për vdekjen e Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Një sahab thoshte se nuk ka vdekur, tjetri se ai nuk vdes, tjetri u alivanos! Kështu i kaploi shqetësimi dhe mërzia.

Por në këtë gjendje kritike u ngrit një burrë dhe tha: “’Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”. Ky ishte Ebu Bekri, i cili qëndroi para njerëzve me një fjalim të shkurtër dhe të pashembullt dhe tha: “O ju njerëz! Kush e ka adhuruar Muhamedi, ai ka vdekur. Por kush e adhuron Allahun, Ai është i Gjallë dhe nuk vdes. (Dhe lexoi fjalët e Allahut)

“Muhamedi nuk është tjetër veçse i Dërguar. Tashmë shumë të Dërguar kanë kaluar para tij. Në qoftë se ai vdes ose vritet, atëherë a do të ktheheshit menjëherë prapa (si mosbesimtarë)? Dhe ai që kthehet përsëri prapa, as dëmin më të vogël nuk i shkakton Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.”14

Të nderuar muslimanë!

Gjatë këtyre dy hytbeve u munduam të prezantojmë para jush vetëm disa arsye se pse para së gjithash besimi. Mësuam se besimi është bazë për pranimin e veprës, të forcon gjatë sprovave dhe të gjithë të Dërguarit e Allahut ftonin në La ilahe il-lallah. Mos të harrojë njeriu se qëllimi i jetës së tij në këtë botë është që ta sistemojë jetën në konturet e La ilahe il-lallah.

Allahu im! Forcoji muslimanët në besimin e drejtë!
Allahu im! Na bëj të mundur që të vërtetën ta njohim dhe ta pasojmë!
Allahu im! Na bëj të mundur që të jetojmë me besim të drejtë në La ilahe il-lallah!

 

1 Ahkaf, 16.
2 Furkan, 23.
3 Nahël, 124.
4 Nisaë, 124.
5 Furkan, 23.
6 Zumer, 65.
7 Insan, 2.
8 Araf, 168.
9 Fexhër, 15-17.
10 Ankebut, 2-3.
121 Nahël, 53.
12 Nexhm, 31.
13 Bekare, 155-157.
14 Ali Imran, 144.

 

Ulvi Fejzullahu