Hutbeja e parë
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” Ali Imran 102.
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. Nisa 1.
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore“. Ahzab 70-71.
Vëllezër musliman,
Ai i cili merr ndonjë përgjegjësi prej çështjeve të muslimanëve detyrohet ta kryen atë me përsosmëri për shkak se është amanet që do të jap për të llogari Ditën e Kiametit. Muslimani detyrohet të jetë korrektë në punë dhe ta shfrytëzon maksimumin e tij në kryerjen e detyrave që i ka marrë përsipër. kërkohet prej tij, të jetë i ashpër për përdorimin e forcës por edhe i butë pa treguar dobësi. Nuk duhet t’i favorizon të fortit e t’i nënçmon të dobëtit, por tek ai i forti duhet të jetë i dobët deri sa ta nxjerr hakun prej tij dhe i dobëti të jetë i fortë deri sa ta marrë hakun për të.
Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i ka thënë njërit prej punëtorëve të tij: “Kur je i ulur në mexhlis shikoji njerëzit rreth teje njësoj dhe ata që i ke përpara teje dhe ata të cilët i gjykon, në mënyrë që paria mos të lakmojë padrejtësinë tënde, ndërsa të dobëtit të humbasin shpresën në drejtësinë tënde. Largoju zemërimit, brengës, tiranisë, shqetësimit të njerëzve dhe debateve të ashpra. Allahu obligon gjykimin me drejtësi, e për këtë ekziston shpërblimi dhe kujtimi i bukur në këtë botë. Qëllimet që janë të sinqerta dhe anojnë kah drejtësia, qofshin edhe kundër tij, Allahu do t’i mjaftojë ndaj njerëzve tjerë. Ai i cili zbukurohet me atë që nuk i takon, Allahu do ta poshtërojë. Allahu nga robërit pranon vetëm veprat e sinqerta.”
O ti punëtor, dije se prej teje është blerë koha për t’i shërbyer muslimanët dhe si shkëmbim paguhesh dhe për çdo muaj merr rrogë të plotë. Poashtu prej teje është blerë puna të cilën ti e kryen në këtë kohë, prandaj për çdo minutë që kalon jashtë punës që je i detyruar merr pasuri të palejuar. Çdo punë që e kryen jashtë asaj që je i detyruar ti e ke tradhtuar amanetin dhe për këtë do të japësh llogari para Allahut. Çdo pasuri që e merr prej njerëzve përballë punës që e kryen, kurse ti në anën tjetër për këtë punë merr rrogë të caktuar, është ryshfet, korrupsion dhe pasuri haram.
Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibën Hibani dhe Hakimi, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre e shënojnë një hadith prej ibën Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, “se Profeti, alejhi salatu ue selam, e ka mallkuar dhënësin dhe marrësin e ryshfetit”. Poashtu, imam Taberaniu e ka nxjerr një hadith prej ibën Omerit i cili thotë se Profeti, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Ai që e jep dhe ai që e merr ryshfetin janë në zjarr”. Imam Ahmedi e shënon një hadith prej Theubanit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili na përcjell “se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, e ka mallkuar mitëdhënësin, dhe mitëmarrësin dhe ndërmjetësuesin mes tyre”. Imam Taberaniu na përcjell një hadith nga ibën Abbasi:”Ryshfeti në pushtet është kufër, dhe marrje e padrejtë e pasurisë së njerëzve.”
Hakimi, Allahu e mëshiroftë, shënon një hadith nga ibën Abbasi se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush mbi vete merr përgjegjësinë për dhjetë veta dhe gjykon si ju përgjigjet atyre, do të vijë Ditën e Gjykimit i prangosur. Nëse është i drejtë, nuk merr ryshfet dhe nuk sillet si tiran, Allahu do ta lirojë. Nëse gjykon jo sipas asaj që Allahu ka shpallur, merr ryshfet dhe tregohet i njëanshëm, dora e majtë i lidhet me të djathtën, dhe do të hedhet në xhehenem, ndërsa thellësia e tij arrin pesëqind vjet.”
O ju robër të Allahut,
Ryshfeti është mëkat i ndaluar me konsensusin e të gjithë dijetarëve Islam, qoftë për gjykatësin apo nëpunësin që punon në institucionet shtetërore apo private. Islami e ndalon ryshfetin për shkak se është ngrënie e pasurisë me të kotë. Përhapja e ryshfetit në shoqëri do të thotë përhapje e padrejtësisë dhe dëmit në shoqëri, për shkak se e pengon atë që është më meritor ta merr të drejtën e tij dhe bën që t’i jepet përparësi atij që nuk e meriton. Kjo është krim dhe armiqësi. Asnjëherë ryshfeti nuk është përzier me një punë e që nuk e ka prishur, ose ka hyrë në ndonjë sistem e që nuk e ka rrënuar, ose ka depërtuar në zemër e që nuk e ka shkatërruar. Nuk është përhapur ryshfeti në një popull përveç se e ka zëvendësuar të vërtetën me mashtrim, amanetin me tradhti, sigurinë me frikë, drejtësinë me padrejtësi dhe e ka bërë të lejuar ndëshkimin e Allahut mbi atë popull. Me ryshfet i jepet përparësi dembelëve e përtacëve dhe largohen punëtorët e të përpiktit. Të vërtetën e shëndrron në të pa vërtet dhe të pa vërtetën e shëndrron në të vërtet. Për shkak të ryshfetit sa të drejta janë privuar dhe sa nderi është rrënuar, pandershmëria ka përparuar, ndërsa i ndershmi është nënçmuar? Ryshfeti është sëmundje infektuese dhe shkatërruese.
Hutbeja e dytë
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
Vëllezër besimtarë,
Sa të devotshëm u janë privuar të drejtat e tyre për shkak se nuk kanë dhënë ryshfet dhe sa prej të shëmtuarve e mëkatarëve u është dhënë përparësi kërkesave të tyre për shkak se kanë paguar ryshfet dhe me këtë vepër e kanë njollosur shoqërinë me fëlliqësirën e ryshfetit dhe e kanë merituar ndëshkimin dhe mallkimin e Allahut. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i mallkoi tre veta: mitëdhënësin i cili e jep ryshfetin, dhe mitëmarrësin i cili e pranon ryshfetin dhe ndërmjetësuesin mes tyre i cili ndërmjetëson që të realizohet kjo marrëveshje. Ky mallkim vjen si pasojë e gjurmëve të kobshme që i le në mesin e një shoqërie, prandaj disa prej dijetarëve dhënien e ryshfetit e konsiderojnë si mëkat më të madh se sa t’i paguash të holla një lavireje që të bësh me të imoralitet.
Islami e ndalon çdo lloj të ryshfetit pa marrë parasysh se si emërtohet ai, dhuratë apo shpërblim apo nder apo bakshish, e kështu me radhë. Emërtimet nuk e ndryshojnë esencën, sepse punëtori duhet të kryen detyrën e vet për të cilën paguhet dhe merr rrogë.
O ju musliman frikohuni Allahut dhe largohuni prej kësaj sëmundje, mohojeni këtë vepër të shëmtuar dhe jepjani hakun punës.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mos ia merrni pasurinë njëri-tjetrit padrejtësisht! Dhe mos u bëni mitëdhënës te gjykatësit për t’ua përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe me vetëdije njerëzve një pjesë të mallit”. Bekare 188.
Përktheu: Irfan JAHIU.