[Hyrje]

Secili shtet mëton t’i ofrojë siguri popullit të vet. Për ta bërë një gjë të tillë sigurisht nevojitet organizimi i një force, e cila duhet të marrë përsipër ruajtjen e popullit. Fetarisht, organizimi i kësaj force nuk është thjesht detyrim shoqëror, por edhe kërkesë dhe detyrim fetar, sepse, në mungesë të sigurisë, nuk mund të zhvillohet lirshëm as jeta fetare. Nga këtu, feja sigurinë e konsideron begatinë më të madhe që ka një shoqëri. Muhammedi a.s. ka thënë:
“Kush gdhin duke qenë i sigurt (personalisht dhe familjarisht), i shëndetshëm fizikisht dhe duke pasur furnizimin ditor, ai është sikur t’i jetë dhënë e tërë dynjaja.”(1)
Në këtë hadith flitet për sigurinë e përgjithshme: fizike, shëndetësore dhe materiale, pra për mirëqenien, por siç mund ta vërejmë së pari është filluar me sigurinë fizike, për shkak të vlerës dhe rëndësisë që ka në raport me mirësitë e tjera. Vetëm ata që kanë përjetuar luftëra dinë të bëjnë krahasimin në vlerë dhe rëndësi ndërmjet sigurisë dhe mirësive të tjera.

[Feja për rëndësinë e sigurisë]

Siguria ka rëndësi të veçantë, sepse pa të jeta nuk ka kuptim. Në mungesë të saj, asnjë formë e jetës shoqërore nuk mund të zhvillohet lirshëm, andaj për të, duhet t’ia dimë Allahut, siç duhet t’ia dimë Atij edhe për mirësitë e tjera. Allahu në Kuran thotë:
“Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabesë), 4. i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.” [Kurejsh: 3-4]
Siguria ka rëndësi të madhe edhe për jetën psikike dhe emocionale të njeriut. Muhammedi ? lutej shpesh që Zoti ta begatonte me mirësinë e sigurisë, e thoshte:
“…O Allahu im, më mbulo të metat dhe më ofro qetësi e siguri (nga çdo gjë që më frikëson)…”(2)
Siguria shoqërore vjen si rezultat i përmirësimit shoqëror, i ndryshimit për të mirë, i avancimit me të drejtat e qytetarëve, i drejtësisë dhe barazisë shoqërore. Ja çfarë na mëson Kurani:
“Allahu u ka premtuar atyre prej jush që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri….” [Nur: 55]

[Urdhri për të organizuar ushtrinë dhe vlera e ushtarëve]

Duke qenë se shtetet kanë miq dhe armiq, atëherë ruajtja e shtetit nuk mund të jetë vullnetare. Për këtë shkak, formimi i ushtrisë dhe përgatitja janë domosdoshmëri, përveç të tjerash, edhe për të frenuar armiqtë të cilët duan ta cenojnë sigurinë tonë. Ja çfarë na mëson Allahu:
“Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë veç tyre, të cilët ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh. Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, do t’ju shpërblehet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.” [Enfalë: 60]

Meqë siguria ka kaq vlerë, atëherë edhe ata që e ofrojnë atë kanë vlerë të madhe. Pejgamberi a.s. duke folur për vlerën e tyre thotë:
“Dy sy nuk do t’i djegë zjarri i Xhehennemit: syrin që qan nga frika e Zotit dhe syrin që kalon natën duke ruajtur në rrugën e Zotit.”(3)
Pra, Zoti do t’i dallojë me mëshirën e Vet besimtarin e devotshëm dhe ushtarin besnik. I pari kalon natën duke e adhuruar Zotin dhe duke qarë prej frikës së Tij, ndërsa i dyti rrezikon jetën e vet që t’i ofrojë siguri të tjerëve andaj edhe meriton këtë gradim te Zoti.

Përfundim

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar ligjet për shndërrimin e FSK-ës në ushtri të rregullt. Është një ëndërr jona e kamotshme. Me këtë Kosova merr formë shtetërore më të qartë. Ne, qytetarët, do të ndihemi më të sigurt, më të qetë, sepse kemi ushtrinë tonë e cila na ruan dhe kujdeset për ne, andaj e kemi për detyrim fetar që të mos kursehemi nga lutjet drejtuar Allahut të Lartmadhëruar që ta ruajë vendin dhe popullin tonë, të na begatojë me mirësi e siguri, ta ruajë dhe ta forcojë ushtrinë tonë, t’i begatojë gjithë ata ushtarë me shëndet, forcë, kurajë, guxim e gatishmëri për të qenë gjithmonë në ruajtje dhe shërbim të vendit dhe popullit të tyre.

Përhajr na qoftë ushtria, Zoti e begatoftë me të mira vendin dhe popullin tonë!

___________________
1. Hadithin e transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani dhe Shuajb Arnauti e konsiderojnë hasen.
2. Hadithin e transmeton Imam Ahmedi ndërsa Ahmedi Shakiri konsideron se ka sened të saktë.
3. Hadithin e shënon Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron të saktë.



Burimi