Falënderimi i takon Allahut, Dhuresit të të mirave, larguesit të fatkeqësive, Furnizesit bujar, pezulluesit të sprovave. Ne e falënderojmë Atë me falënderimin e mirënjohësve, kërkojmë falje me kërkimfaljen e mëkatarëve, dhe i kërkojmë Atij nga mirësia e Tij e madhe; sepse Ai është i Pasuri dhe i Lavdëruari, i Mëshirshmi dhe Mëshirëploti. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Vetëm, i Cili nuk ka ortak; Ai i ka dhënë të drejtës mbrojtës dhe ndihmës që kërkojnë bamirësi, thërrasin për të mirën, përhapin virtytin dhe shuajnë të keqen. Me ta përmirësohen gjendjet e shoqërive, zbresin begatitë dhe largohen dënimet. Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij; ai i edukoi shokët e tij që të ekzagjeronin çështjen e mëkatit dhe të mos e nënvlerësonin as të keqen më të vogël, sepse e vogla me të voglën bëhet e madhe. Ai ka thënë: “Ruajuni nga mëkatet e vogla!” Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen, shokët dhe ata që i ndjekin deri Ditën e Gjykimit.
O robër të Allahut, kini frikë Allahun dhe bindjuni Atij, llogariteni veten para se të llogariteni, peshojini fjalët dhe veprat tuaja para se të peshohen për ju, dhe përgatituni për paraqitjen para Allahut duke i shtuar bindjet dhe veprat e mira dhe duke i pakësuar mëkatet; sepse kush merret në llogari hollësisht, do të dënohet: “Atë Ditë do të paraqiteni; nuk do të fshihet prej jush asgjë.” (el-Hakka: 18)
O njerëz: Kush bëhet shkak për udhëzimin e një njeriu, ai merr shpërblimin e veprave të tij të mira, pa iu pakësuar atij asgjë; e kush bëhet shkak për humbjen e dikujt, ai bart mëkatin e tij dhe të atij që e ka humbur. Kjo është një rregull i sheriatit për t’i nxitur njerëzit të përhapin të mirën dhe për t’i frikësuar nga përhapja e së keqes: “Që të bartin mëkatet e tyre të plota Ditën e Kiametit, si edhe pjesë nga mëkatet e atyre që i kanë devijuar pa dije. Sa e keqe është barra që bartin!” (en-Nahl: 25) “Dhe me siguri do të bartin barrët e tyre dhe barrëra të tjera bashkë me to.” (el-Ankebut: 13)
Profeti ﷺ ka thënë: “Kush thërret drejt udhëzimit, ka shpërblimin e atyre që e ndjekin, pa iu pakësuar atyre asgjë. Dhe kush thërret drejt humbjes, ka mëkatin e atyre që e ndjekin, pa iu pakësuar atyre asgjë.” (Muslimi)
Dikur thirrja për të mirën apo të keqen ishte e kufizuar në mjete të pakta, që nuk arrinin te të gjithë njerëzit dhe s’i kalonin kufijtë e vendit ku thërriste njeriu. Nuk kishin as këtë lloj joshjeje, as këtë shpejtësi në përhapje, siç ndodh sot me mjetet që mbahen në dorë, në xhep, nuk ndahen nga njeriu në udhëtim apo vend, natë e ditë, dhe në një sekondë arrijnë te qindra, mijëra apo miliona, qofshin shkrime, zë, imazhe apo video.
Allahu i ka sjellë dobi të madhe njerëzve me këto mjete: ngritën nivelin e vetëdijes, sollën informacione të sakta, u hoqën verbërinë nga sytë e tyre, u zhduk shumë mashtrim që u bëhej. Pasi këto fusha janë të hapura për të gjithë, të vërtetat shfaqen dhe të pavërtetat zhduken, sepse e pavërteta nuk qëndron para së vërtetës. Rruga e njerëzve të pavërtetës është të fshehin të vërtetën që të mos e shohin njerëzit. Thirrja për në rrugën e Allahut nëpërmjet rrjeteve sociale nuk ka nevojë për lejen e askujt dhe nuk mund të pengohet. Edhe mbrojtja pas së cilës fshiheshin mëkatarët për t’i përhapur të këqijat e tyre është thyer, sepse tashmë kushdo mund t’i zbulojë dhe t’i demaskojë të këqijat e tyre.
Ato janë një mjet i lidhjes së farefisit, kujdesit për miqtë, këshillimit dhe përhapjes së mirësisë pa kosto dhe pa lodhje.
Janë mjet i shpërndarjes së dijes dhe dobive, dhe nuk numërohen thesaret e shumta të përhapura në to: fakte, përfitime, sinjale për gabime, këshilla dhe përkujtues. Sa sunete të harruara janë ringjallur me to! Sa njerëz janë penduar! Sa jobesimtarë kanë pranuar Islamin për shkak të një mesazhi, postimi apo videoje!
Por, siç janë portë e hapur për të mirën, po ashtu janë portë e hapur edhe për të keqen: përhapjen e mëkatit dhe mëkate të panumërta përmes disa sekondave dhe disa fjalëve. Publikimi i një fjale të keqe, shpifja, përhapja e imoralitetit – dhe brenda pak orësh miliona njerëz e shohin, e ruajnë dhe e shpërndajnë. Sidomos me llojllojshmërinë e platformave, një material arrin te njeriu nga disa rrugë njëherësh.
Rrjetet sociale zbuluan mangësi të mëdha në edukim, dobësi në moral dhe ulje të nivelit të fesë në shoqëri.
Ato ia treguan të rinjve dhe të rejave gjëra që ata nuk do t’i dinin kurrë pa to. Kureshtja i çoi te njohja e së keqes, dobësia i çoi te guximi për ta bërë, ndërsa dëshira për përvojë i futi në mëkate. Shikoni përshkrimin e besimtareve në Kur’an: “Vërtet, ata që shpifin për gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën; për ata ka dënim të madh..” (en-Nur: 23) Ato janë të pafajshme, të panjollosura, që turpërohen edhe kur u propozohet martesa. Ndërsa sot një pjesë e këtij turpi u zhduk.
Për më tepër, fjalë të ulëta e të pahijshme qarkullojnë mes të rinjve, madje edhe fëmijëve. Fotot e turpshme, videot e pista dhe mburrja me shkeljen e kufijve të Allahut janë bërë të zakonshme. Njerëz që Allahu i ka mbuluar natën, dalin në mëngjes dhe tregojnë mëkatet e tyre para mijëra njerëzve, duke e hequr vetë mbulesën e Allahut.
Dhe më e rrezikshme është se këto platforma ua hapën sytë disa njerëzve të dobët ndaj mëkateve shumë të rënda: shikimit të të afërmve me epsh, sfilimit mes femrave, homoseksualitetit, dhe ndërtimit të marrëdhënieve të ndaluara duke komunikuar, shkëmbyer imazhe dhe video. Prandaj është e domosdoshme t’u japim fëmijëve doza besimi dhe morali për t’i mbrojtur nga kjo sprovë e madhe, t’i frikësojmë me dënimin e Allahut, t’u sqarojmë pasojat fetare, morale, shoqërore dhe shëndetësore.
Një rrezik tjetër: rrjetet sociale i kanë trimëruar mëkatarët të flasin kundër fesë pa dije, të hedhin dyshime mbi tekstet fetare, të zbusin ndalesat dhe detyrimet, të përhapin dyshime për të shkatërruar shumë gjykime fetare. Populli pastaj bie në dyshim, hapen debate të shumta, dhe përçarja bëhet e dukshme mes myslimanëve.
Më e rrezikshme akoma: ateistët dhe zindikët i kanë përdorur këto platforma për ta ulur vlerën e shenjtërive te myslimanët; duke keqpërdorur emrat e Allahut, duke u tallur me Të, me të dërguarit, me Librin dhe me fenë. Me përsëritje, kjo e bën zemrën e njeriut të shurdhër, e humbet xhelozinë për fenë dhe e zhduk zemërimin për hir të Allahut. Ata presin që myslimanët të mësohen me këtë. Këta njerëz nuk mund të ndalohen sepse fshihen pas profileve anonime. Dhe fatkeqësisht ndonjë prej atyre që duan të mirën e shpërndan fjalën e tyre duke dashur ta kundërshtojë, por kështu vetëm ua shpërndan zërin. Përderisa sot njerëzit e mohojnë fort, nesër më pak, e masnesër edhe më pak derisa mësohen me të.
Zgjidhja është të mos i lexojmë fare, të bllokojmë profilet e tyre, t’i fshijmë postimet e tyre menjëherë, dhe t’u themi të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë.
Ka edhe një rrezik tjetër: disa që duan të mirën, nga padija, shpërndajnë hadithe të sajuara, tregime të rreme, vepra të paautorizuara fetare, duke menduar se po marrin shpërblim. Profeti ﷺ ka thënë: “Gënjeshtra në llogari timen nuk është si gënjeshtra mbi dikë tjetër; kush gënjen në emër timin me qëllim, le të përgatitë vendin e tij për në zjarr.” (Buhariu dhe Muslimi) Dhe: “Kush transmeton prej meje një hadith që supozohet se është i rremë, ai është një prej gënjeshtarëve.” (Muslimi)
Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar: “Mos ndiq atë për të cilin nuk ke dije. Veshët, sytë dhe zemra, që të gjitha do të merren në përgjegjësi.” (el-Isra: 36)
Hutbja e dytë
Falënderimi i takon Allahut me një falënderim të mirë, të shumtë e të begatë, ashtu siç e do dhe e pëlqen Zoti ynë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm e pa shok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin në udhëzimin e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Pas kësaj: frikësojuni Allahut dhe bindjuni Atij: “Dhe ruajuni zjarrit që është përgatitur për jobesimtarët. Dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, që të mëshiroheni.” (Ali Imran, 131–132)
O myslimanë: rrjetet sociale janë një sprovë nga Allahu i Lartësuar për robërit e Tij. Sprova ose e çon njeriun drejt së mirës, ose drejt së keqes. Nëse njeriu e kalon me zgjedhje të drejtë, ajo bëhet një mirësi për të dhe një e mirë për të. Por nëse dështon, ajo shndërrohet në dënim dhe në një të keqe për të.
Rrjetet sociale janë enë ku ruhen dhe përhapen e mira ose e keqja. Ato janë rrugë për përhapjen e udhëzimit ose devijimit, mjete për shfaqjen e së vërtetës ose të së pavërtetës. Realiteti i sotëm tregon se ato janë një det i trazuar me të këqija, mëkate, epshe dhe të pavërteta, dhe në mes të tyre rrjedh një lumë i pastër i së vërtetës, mirësisë dhe dobisë. Kush qëndron në mes të lumit, merr të mirën e tyre dhe qëndron larg së keqes. Kush largohet prej tij, bie në detin e mëkateve dhe shthurjes. Kush qëndron në skaj të lumit, merr nga e mira dhe merr edhe nga e keqja. Shumica e njerëzve janë kështu: përzijnë nga të mirat dhe të këqijat, e nga e vërteta dhe nga të pavërtetat, dhe i përhapin ato. Por ajo që ka rëndësi është se çfarë shton njeriu më shumë: të mirën apo të keqen.
Kush nuk arrin ta kufizojë veten vetëm në të mirat e tyre, dhe e tepron në të këqijat e tyre, le ta dijë se shpëtimi nuk krahasohet me asgjë. Edhe nëse duhet t’i braktis të gjitha, dhe t’a çliroi veten prej tyre, nuk humbet dhe as nuk fiton ndaj askujt; ska gjë ngase do të jetë i qetë. Çdo punëtor do të gjejë punën e vet përpara, ndaj njeriu le të shikojë veten e tij, jo të tjerët:“Vallë, a nuk ka dëgjuar ai për atë që thuhet në Shkrimet e Musait dhe të Ibrahimit – i cili i plotësoi detyrimet: se askush nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar; se përpjekjet e tij do të shihen, dhe se do të shpërblehet me shpërblim të plotë; ” (En-Nexhm, 36–41)
Shejh dr. Ibrahim bin Muhamed Elhakil
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve
Ballina Ahlaku-morali Vlerat vs antivlerat Rrjetet sociale Lum mirësish dhe dobie në një det përplotë me mëkate dhe të këqij
- Ahlaku-morali
- Vlerat vs antivlerat
- Vetëdijësim
- Varësia ndaj rrjeteve sociale
- Hutbe
- Urdherimi ne te mire dhe ndalimi nga e keqja
- Devijimi



