“Neutraliteti është thjesht një gjendje e përkohshme; me kalimin e kohës, e keqja do të pranohet si normale nga të gjithë.”

Hyrje

Në filmin e animuar të Disney-t “Finding Nemo”, konflikti kryesor bazohet te një zënkë mes një babai dhe djalit të tij të vogël, Nemo, i cili është në vitin e parë të shkollës fillore. Në kulmin e një skene, i vogli i bërtet babait të tij, “Unë të urrej!”, pastaj largohet i zemëruar, duke ndezur kështu zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjes.

Në filmin e famshëm “Titanic”, shumë detaje ndoshta janë harruar nga shumica e shikuesve, por në vetëdijen e shumë prej tyre mbetet një ndjenjë e fshehtë empatie për “viktimën” e pafat, e cila pengohet nga i fejuari i saj i pamëshirshëm për të pasur “të drejtën e saj natyrore” për një marrëdhënie të ndaluar me një burrë të huaj.

Filmi i animuar “Finding Nemo”, i dedikuar për fëmijë, dhe “Titanic”, një film për grupmosha më të mëdha, janë dy shembuj të qartë mes dhjetëra mijëra rasteve të tjera se si vetëdija jonë, ajo e familjeve tona, e fëmijëve dhe e të rinjve tanë bombardohet çdo ditë. Qëllimi është të lëkunden, të vihen në dyshim, të shtrembërohen dhe në fund të shkatërrohen vlerat tradicionale të shoqërive tona.

Filmat, serialet, programet televizive dhe përmbajtjet e ndryshme që konsumohen sot janë plot me mesazhe të dukshme dhe të fshehura që synojnë të sulmojnë vetëdijen tonë dhe të mpijnë neverinë ndaj së keqes, si në nivel individual ashtu edhe kolektiv. Kjo bëhet në mënyrë që shoqëria të mos i bëjë rezistencë procesit të përmbysjes së vlerave.

Në rastin e filmit “Finding Nemo”, skena ku Nemo i bërtet babait të tij, “Unë të urrej!”, është një moment i fortë dramatik. Nga një këndvështrim edukativ, kjo skenë mund të interpretohet në disa mënyra:

Konflikti i brezave: Skena pasqyron një konflikt real që ndodh shpesh mes prindërve dhe fëmijëve, ku fëmija dëshiron të provojë pavarësinë dhe të çlirohet nga frika dhe mbrojtja e tepërt e prindit.

Normalizimi i urrejtjes: Përdorimi i frazës “Unë të urrej” nga një fëmijë i vogël mund të duket normale në një kontekst dramatik, por kjo mund të thellojë idenë se shprehja e urrejtjes ndaj prindërve është e pranueshme në momentet e zemërimit të thellë. Kjo mund të ulë rëndësinë e marrëdhënies prind-fëmijë në mendjen e fëmijës që shikon dhe e bën më të lehtë për të përdorur të njëjtën frazë në situata të ngjashme. Normalizimi i një fjalori të tillë mosrespektues ndaj prindit çon domosdoshmërisht në zhvlerësimin e autoritetit prindëror dhe krijon një brez të rebeluar, gjë që e bën familjen të pafuqishme për të bartur vlerat te brezi i ardhshëm.

Ndërsa në filmin “Titanic”, marrëdhënia mes Jack-ut dhe Rose-it është e ndërlikuar dhe përcjell mesazhe të ndryshme:

Portretizimi i dhunës familjare: I fejuari i Rose-it, Cal Hockley, portretizohet si një burrë arrogant, i dhunshëm dhe kontrollues, gjë që i jep publikut një arsye për të ndjerë dhembshuri për Rosen dhe dëshirën e saj për t’u çliruar. Kjo e bën marrëdhënien e ndaluar që Rose ka me Jack-un të duket si një “arratisje” e justifikuar nga realiteti i saj i mjerueshëm, sikur po kërkon “dashurinë e vërtetë” dhe “lirinë”.

Legjitimimi i mëkatit: Filmi jo vetëm që shfaq një marrëdhënie të paligjshme, por e mbështjell atë me romantizëm dhe heroizëm. Jack-u paraqitet si një hero që sakrifikon veten për dashurinë e tij për Rosen, duke bërë që publiku të kalojë gjykimin moral të marrëdhënies dhe ta shohë atë si një histori të madhe dashurie.

Shtrembërimi i vlerave: Ky lloj rrëfimi jep një mesazh të fshehtë se angazhimi moral dhe etik mund të sakrifikohet për hir të “dashurisë” ose “lirisë” personale dhe se ndjekja e pasionit justifikon shkeljen e normave dhe vlerave të vendosura. Publiku simpatizon viktimën “e pafat”, duke e justifikuar mëkatin e saj, ndërsa anashkalon faktin se të dyja palët e zgjodhën këtë veprim të ndaluar.

Këta janë vetëm pak shembuj në mesin e një vargu të pafund metodash dhe përpjekjesh për të sulmuar moralin e shoqërisë dhe për të normalizuar amoralen dhe të keqen.

Edhe në realitetin tonë lokal, për fat të keq, hapësira televizive është e stërmbushur me njerëz që nuk kanë asgjë të dobishme për t’i ofruar shoqërisë. Djem e vajza, sidomos vajza, që sapo kanë kaluar adoleshencën, pa ndonjë arritje profesionale, proklamojnë një jetë milionerësh: restorante super të shtrenjta, pushime luksoze, rroba të shtrenjta, etj.

E gjithë kjo nuk bëhet rastësisht, por me qëllim. Pas kësaj maskarade qëndrojnë agjenda të mirëmenduara që synojnë shkatërrimin e moralit shoqëror. Promovimi i këtyre njerëzve, duke u dhënë atyre tepër hapësirë, synon t’i shndërrojë ata në autoritete morale dhe shembëlltyra që duhet ndjekur, me theks të veçantë tek brezat e rinj që janë në kërkim të një busulle morale e shpirtërore.

Çfarë duhet të bëhet?

Ajo që duhet bërë në mënyrë të menjëhershme është ringjallja dhe kultivimi i vazhdueshëm i institucionit të shenjtë islam të “Urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja”. Mbajtja gjallë e këtij institucioni është e domosdoshme për mbarëvajtjen e çdo shoqërie islame, në çdo kontekst. Imam Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë) thotë për rëndësinë e kësaj detyre: “S’ka dyshim se kjo është pika qendrore e fesë dhe qëllimi më i rëndësishëm për të cilin Zoti i dërgoi të gjithë profetët. Nëse ky themel do të fshihej ose do të injorohej, atëherë misioni profetik do të ndërpritet, feja do të shkatërrohej, ligësia do të sundonte, mashtrimi do të përhapjej, injoranca do të mbizotëronte.”

Urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja nuk është thjesht një çështje periferike apo dytësore, por është një shtyllë e fesë dhe një nga veçoritë kryesore që veçon një shoqëri të mirëfilltë islame. Allahu në Kuran, kur përshkruan umetin tonë, thotë: “Ju jeni populli më i mirë i ardhur për njerëzit, urdhëroni për vepra të mira, ndaloni nga të këqijat dhe besoni në All-llahun.” (Ali Imran: 110).

Në shoqëritë tona duket qartë se agjendat shkatërruese kanë shpartalluar të gjitha format e rezistencës përballë tyre. Kalaja e fundit e rezistencës kundër përpjekjeve për ta normalizuar të keqen kemi mbetur ne, muslimanët. Prandaj, duhet të përpiqemi fort që të ketë një zë rezistence kundër të këqijave dhe të mos lejojmë që format e ndryshme të degjenerimit të zënë vend dhe të normalizohen pa asnjë pikë rezistence.

Roli ynë është të mbrojmë ndërgjegjen e individit dhe të shoqërisë nga shthurja dhe shtrembërimi, duke i ripërtërirë dhe rikthyer vlerat te burimet e tyre në mënyrë të vazhdueshme. Kështu ne i ofrojmë individit dhe shoqërisë një shërbim “ri-kalibrimi” periodik të vlerave individuale dhe kolektive.

Këtë mekanizëm të mrekullueshëm e shpjegon hadithi i madh i cili themeloi këtë obligim (që disa e konsiderojnë “shtyllën e gjashtë” të Islamit): “Kush prej jush sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij. Nëse nuk ka mundësi, atëherë me gjuhën e tij. Nëse as këtë nuk e ka mundësi, atëherë me zemër, e ky është besimi më i dobët.”

Me përpjekjen dhe angazhimin tonë për urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja, ne nuk synojmë domosdoshmërisht triumfin në çdo betejë, edhe pse jemi të bindur se në fund e mira fiton.

Angazhimi ynë për urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja i garanton secilit prej nesh daljen faqebardhë para Allahut në takimin e afërt me Të, në Ditën e Llogaridhënies, sepse braktisja e këtij obligimi madhor na shpie në largim nga kënaqësia e Krijuesit.

Allahu i Lartmadhëruar thotë në Kuran: “Ata që mohuan nga bijtë e Izraelit, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, birit të Merjemes. Kjo për shkak se kundërshtuan dhe tejkaluan kufijtë (e Zotit). Ata nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që bënin. Sa e shëmtuar ishte ajo që bënin!”(El-Maide:78-79)

Pra, fakti që ti nuk e bën një mëkat, nuk justifikon heshtjen. Përkundrazi, moskundërshtimi i së keqes dhe mosthërritja për të mirë na bëjnë edhe ne pjesëtarë të saj dhe meritojmë që Allahu të na largojë nga Mëshira e Tij.

Allahu na ruajt!

Po e përmbyll këtë shkrim me një citat nga dijetari i madh Hamed el-Atik (Allahu e mëshiroftë): “Nëse një njeri do të agjëronte gjatë ditës, do të falej gjatë natës dhe do të ishte asket në raport me çdo gjë të kësaj bote, por megjithatë nuk do të zemërohej për hir të Allahut, fytyra e tij nuk do të ndryshonte dhe nuk do të skuqej, nuk do të urdhëronte për të mira dhe nuk do të ndalonte nga të këqijat, atëherë ky njeri do të ishte një nga njerëzit më të urryer tek Allahu dhe me fe më të dobët, dhe ata që bëjnë mëkate të mëdha janë më të mirë tek Allahu se ai.”

Allahu na e përmirësoftë gjendjen dhe na bëftë thirrës për të mirë dhe përmirësues të shoqërisë sonë! Amin!

 

Osman Çekaj