Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet  absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.  Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit  të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike e shokëve të tij besnik dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në ditën e gjykimit.

Vëllezër besimtarë! Ekziston një term vezullues, frazë tingëlluese e që përsëritet shpesh në botën e sotme dhe rreth saj sillen  shumë intelektualë, shkrimtarë dhe analistë. Ky  është një koncept që të gjithë shpirtrat njerëzorë e dëshirojnë për shkak të bukurisë dhe ëmbëlsisë së tij, dhe madje sepse është një ndjenjë e lindur që shpirtrat e thithin së bashku   me ajrin. Armiqtë e fesë dhe ata që luftojnë vlerat dhe virtytin e kanë kapur atë, duke e përdorur fuqishëm në nivel të   vendeve, organizatave dhe mediave, për të arritur qëllime të liga dhe synime  dashakeqe. A e dini se për cilin  term të bukur dhe tingëllues po bëhet fjalë? Është liria. Po, liria që është dëshira e individëve dhe kërkesa e popujve, dhe të cilës të lirët i këndojnë dhe me të  krenohen, dhe të cilën të tjerët e kërkojnë dhe qajnë për të. Çdo i burgosur dhe rob aspiron për të.

Liria, vëllezër, ka një kuptim të saktë dhe me të  shumë kuptime të rreme. Fatkeqësisht dhe për  keqardhje, kuptimi i saj i saktë është zhdukur pothuajse nga mendjet e shumë njerëzve, ose është fshehur qëllimisht prej tyre, në mënyrë që kuptimet e rreme të mund të zënë vendin e saj. Ajo që sot  nënkuptohet me të, vërtetë është skllavërimi dhe poshtërimi i njeriut kur ai dëshiron liri, dhe vendosja e qafës së tij në prangat e formave të ndryshme të skllavërisë. Ai edhe mund të shijojë një pjesë të saj për shkak të injorancës së tij, ose mund të mashtrohet prej saj për shkak të neglizhencës së tij, dhe kështu ai jeton në të për një periudhë të jetës së tij që mund të jetë e gjatë dhe të vazhdoi derisa ai nuk zgjohet nga gjumi e nga dehja e tij përveç kur ka rrëshqitur  në llojet më të ulëta të skllavërisë dhe shkallët më të ulëta të robërisë.

 

Vëllezër myslimanë! Në emër të lirisë, disa njerëz kanë shkelur kufijtë e ligjit islam dhe kanë shkelur mbi rregullat e fesë. Në emër të lirisë, fëmijët nuk u janë bindur baballarëve dhe nënave të tyre  e kanë braktisur ata,  gratë dolën nga bindja ndaj  burrave të tyre dhe u  rebeluan kundër tyre, dhe vajzat madje janë larguar nga shtëpitë e familjeve të tyre pasiqë me të i mashtruan. Ato i kanë grisur vello e turpit, i kanë zhveshur rrobat e modestisë, i kanë flakur rrobat e dëlirësisë dhe e kanë ulur veten në thellësitë më të ulëta, pasi kanë qenë në majet  më të larta. Në emër të lirisë, të drejtat e të tjerëve janë shkelur dhe ata janë dëmtuar. Qoftë edhe me luftë e duke vrarë, e përdhunuar. Në  emër të lirisë, sa e sa prona është shkatërruar, sa e sa  burimet janë manipuluar, sa e sa rregulloret janë shkelur pa respektuar  asnjë kufi.

Pasha Allahin, o robër  të Allahut,  Zoti i Plotfuqishëm e krijoi njeriun të lirë dhe i dha atij vullnet, dëshirë dhe zgjedhje. Po të mos ishte kështu,  Ai nuk do ta mbante përgjegjës e as  nuk do ta kishte ndëshkuar për veprimet e tij. Megjithatë, liria më e madhe që Zoti i Plotfuqishëm i ka dhënë njeriut është se Ai nuk e bëri atë skllav të askujt tjetër. Përkundrazi, Ai nuk e lejoi atë të adhuronte askënd tjetër përveç Tij. Ai, lavdia i qoftë Atij, tha: ” Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të m ë adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat: 56]  Robëria  vetëm ndaj Tij, më të Lartit, është thelbi i lirisë, përmes së cilës njeriu çlirohet nga robëria e krijesave dhe është në kulmin e lirisë në vetvete duke shijuar tërë  atë që Zoti i tij i ka dhënë nga gjërat e lejuara. Ai ha çfarë të dojë, pi çfarë të dojë, vesh çfarë të dojë, nget çfarë të dojë, lëviz kudo që të dojë, bën çfarë të dojë, blen dhe shet çfarë të dojë, punëson dhe jep  e merr me qira çfarë të dojë, martohet dhe miqason kë të dojë, në mesin e shumë  lirive dhe gjërave  të lejuara që Zoti ia ka dhënë, në mënyrë që të jetojë një jetë dinjitoze, të mirë, e larg asaj që Ai ia ka ndaluar për shkak të dëmit dhe pasojave e të këqijave të gjërave të ndaluara.

Por shumë njerëz nuk u bekuan me bindje ndaj Allahut në të cilën shtrihet nderi, begatia dhe shpëtimi i tyre. Ata e lanë atë nën pretekstin e lirisë, të pavetëdijshëm se kishin lënë robërinë  për të cilën ishin krijuar, e  hynë në një skllavëri tjetër të shpikur nga armiqtë e tyre, për në të cilën u tërhoqën pa e kuptuar. Po, vëllezër, armiqtë i kanë bërë njerëzit skllevër të epsheve dhe dëshirave të të gjitha llojeve dhe formave. Ato  i  vendosin ata në lëvizje dhe i drejtojnë, po të njëjtat i bëjnë të qëndrojnë dhe të stopojnë. Kështu që njëri u bë skllav i një gruaje, e tjetri  u bë skllav i një kupe dhe i  drogës, i treti u bë skllav i parave dhe gjërave materiale, i katërti u bë skllav i argëtimit të shfrenuar dhe i argëtimit të ndaluar, dhe të tjerët u bënë skllevër të zakoneve para-islamike dhe zakoneve fisnore etj. etj..

Myslimanë të nderuar!  Koncepti i saktë i lirisë është t’i nënshtrohesh vetëm Zotit, pa i bërë shok askënd tjetër. Liria e vërtetë është që një person të dojë për hir të Zotit dhe të urrejë për hir të Zotit, të japë për hir të Zotit dhe të  privojë për hir të Zotit, të jetojë për hir të Zotit dhe të vdesë në rrugën e Zotit. Ai nuk duhet të ketë zgjedhje ose mundësi tjetër përveç asaj që Zoti ka zgjedhur dhe vendosur. Pas kësaj dhe përveç kësaj, nuk ka gjë tjetër veçse devijim, shkatërrim dhe humbje. Zoti ynë, i Bekuar dhe i Lartësuar, tha:Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” [El-Ahzab: 36], dhe Ai, lavdia qoftë mbi të, tha: “Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: “Dëgjojmë dhe bindemi”. Pikërisht këta janë të shpëtuarit  Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që kanë frikë nga Allahu e i përkushtohen Atij, do të jenë të fituarit e vërtetë.” [En-Nur: 51-52] Dhe ai, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, tha: “Nëse unë ju ndaloj nga diçka, atëherë shmanguni asaj, e  nëse unë ju urdhëroj të bëni diçka, atëherë ybatone sa më shumë që të mundeni.” (Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi).

Kjo është liria në Islam. Ajo ka kufij ligjor dhe udhëzime hyjnore. Nuk përfshin dhënien e lirisë një personi për të zgjedhur atë që Zoti nuk e ka lejuar, as nuk përfshin kryerjen e mëkateve nga një person, tejkalimin e kufijve ose bërjen e asaj që është e ndaluar. Nuk përfshin fyerjen e fesë, shkeljen e parimeve, sulmin ndaj konstanteve, shkatërrimin e vlerave ose kritikimin e asaj që thuhet në Kur’an ose Sunet, vetëm sepse mendjet e devijuara nuk e kanë kuptuar atë. As nuk lejohet të refuzohet e vërteta vetëm se nuk është pranuar nga  natyrëshmëritë  e korruptuara e të devijuara. Përkundrazi, është një dispozitë që Zoti ia ka dhuruar njeriut, duke ia mundësuar që  të përmbushë të drejtën e tij si dhe të kryejë detyrën e tij pa arbitraritet ose agresion, dhe pa dëmtuar veten e as  të tjerët.

Le ta kemi frikë Zotin, robër të Zotit. Sepse në Islam nuk ka liri absolute, përndryshe nuk do të kishte kuptim t’i nënshtrohesh Zotit. Kushdo që nuk e adhuron Zotin, ia ka bërë veten robër të Shejtanit. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Vallë, a nuk ju kam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni djallin, se ai është vërtet armik i hapët juaji, por të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë.  (Jasin: 60-61).

O muslimanë: Ndër gjërat me të cilat shejtani, ndihmësit dhe vëllezërit e tij ua kanë ngatërruar njerëzve është se lirisë i kanë caktuar një kriter të vetëm, e ai është të mos   dëmtojë të tjerët. Prandaj, ata i lejojnë një individi të bëjë çfarë të dojë, edhe nëse e di se kjo do ta dëmtojë atë personalisht.  Sa i përket asaj që i dëmton të tjerët, ai nuk është i lirë ta bëjë atë, vetëm nëse ata pajtohen dhe e pranojnë atë.

E vërteta është se kjo qasje është errësirë mbi errësirë, dhe nuk është e saktë  e as e pranueshme racionalisht apo sheriatikisht. Nuk është e lejuar për një individ ose një grup, qoftë para njerëzve apo vetëm, të bëjë diçka që do t’i dëmtojë ata ose të tjerët. Ajo që është e ndaluar është e ndaluar në çdo kohë dhe në të gjitha vendet, dhe ajo që është e ndaluar fetarisht është e ndaluar në të gjitha rrethanat. Mosbesimi nuk tolerohet, mëkati nuk tolerohet dhe shfaqja e të këqijave nuk pranohet, as përhapja e tyre nuk tolerohet. Nuk ka mëkat në ekzistencë që shfaqet, dëmi i të cilit kufizohet vetëm tek autori i saj. Përkundrazi, është e detyrueshme për njerëzit që ta adhurojnë Zotin plotësisht dhe t’i nënshtrohen Atij: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur. [Ali Imran: 85]

Nëse njerëzit heqin dorë nga urdhërimi për të mirën dhe ndalimi i të keqes me pretekstin se njerëzit janë të lirë të bëjnë çfarë të duan, atëherë ata kanë sjellë ndëshkim mbi veten e tyre.  Ebu Bekr Sidiku – Allahu qoftë i kënaqur me të –  thoshte: “O njerëz, ju recitoni këtë ajet:  “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë.” ( Elmaideh: 105) por unë e kam dëgjuar  të Dërguarin e Allahut – Allahu e bekoftë dhe i dhëntë paqe – duke thënë: ‘Nëse njerëzit shohin një zullumbërës dhe nuk e ndalojnë, Allahu ka të ngjarë t’i përfshijë me dënim  të gjithë ata’” (Transmetuar nga Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, ndërsa Albani e kanëka klasifikuar sit ë saktë.)

Ne po shohim shoqëritë liberale, të cilat e kuptojnë lirinë si liri të pakufizuar, çlirim nga çdo kontroll dhe dalje  nga çdo lloj mbikëqyrje. Individi mund të bëjë çfarë të dojë e pa frikë. Pra, cili është rezultati?! Shkalla e krimit të tyre u rrit, vrasjet u përhapën gjerësisht, vjedhjet u shtuan gjerësisht, rrëmbimet dhe përdhunimet u përhapën në masë të madhe, perversiteti dhe tradhtia u shtua tepër, dhe prishja morale u shfaq në forma të papara më parë, e i mençur është ai i cili merr mësim nga gabimet e tjetrit.

Pra, le ta kemi frikë Zotin, o muslimanë, dhe le të jemi robër  të Tij, muslimanë që i frikësohemi Zotit. Le të ruhemi nga shkelja e kufijve të Tij dhe e rregullave të ligjit të Tij me pretekstin e lirisë, sepse Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” (Fussilet: 46).

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org

Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve