RREGULLI I KATËRT
Një parim tjetër, të cilit duhet t’i përmbahemi, është urdhri që na jep Allahu në këtë ajet: “Të gjithë mbahuni fort prej litarit të Allahut dhe mos u përçani!”¹⁸
Profeti (salallahu alejhi ue selem) e ka shpjeguar këtë ajet duke thënë: “Ju e keni për detyrë të jeni të bashkuar me xhematin dhe ruajuni përçarjes¹⁹.” Po kështu, edhe në një hadith tjetër Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Bashkësia është mëshirë, ndërsa përçarja është ndëshkim²⁰.”
Përçarja me të gjitha llojet e saj: në opinione, në fjalë dhe në vepra është ndëshkim, me të cilin Allahu dënon ata që i kanë devijuar urdhrit të Tij dhe nuk kanë ndjekur udhëzimin e Tij.
Për këtë arsye, ai që i përmbahet xhematit të Ehli-Sunetit dhe pason imamët e dijetarët e tyre, i është përmbajtur Allahut. Ai që ndahet prej tyre, nuk ka siguri se nuk do të bëhet pjesë e përçarjes dhe se nuk do të vuajë ndonjë formë ndëshkimi të Allahut në këtë botë. E lusim Allahun e Lartësuar të na ruajë ne dhe vëllezërit tanë nga kjo e keqe!
Profeti tha: “Bashkësia është mëshirë, ndërsa përçarja është ndëshkim.” Bashkësia në të gjitha format dhe karakteristikat e saj, nëse kapet pas udhëzimit dhe së vërtetës, është mëshirë, me të cilën Allahu mëshiron robërit e tij. Ndërsa përçarja është ndëshkim, nga e cila kurrë nuk vijnë të mira.
Ndaj edhe Allahu, pasi përmendi ajetin: “Të gjithë mbahuni fort prej litarit të Allahut dhe mos u përçani!”, e vijoi me ajetin tjetër që thotë: “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” Dhe më pas tha: “Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh.”
Për ata që janë përçarë me fjalë dhe me vepra, pasi u kanë ardhur prova të qarta dhe udhëzimi, nuk ka siguri se nuk do të devijojnë, nuk ka siguri se nuk do të kenë mosmarrëveshje dhe nuk ka siguri se nuk do të dalin nga rruga e drejtë. Ndaj është e domosdoshme që t’i përmbahemi bashkësisë së pasuesve të Sunnetit dhe Xhematit dhe fjalëve të tyre, gjithashtu të mos u largohemi parimeve, rregullave dhe gjithçka që kanë përcaktuar ata. Këta dijetarë i njohin bazat e pasuesve të Sunnetit dhe Xhematit dhe shumë argumente fetare, të cilat shumë nga njerëzit që pretendojnë se i dinë, nuk i dinë. Kjo sepse këta dijetarë e kanë dijen të qëndrueshme, vlerësimet e sakta dhe kanë mençuri e përvojë të madhe.
Shiko se ç’ka bërë Abdullah ibn Mes’udi (radijallahu anhu) kur ka qenë në Haxh me Othmanin (radijallahu anhu). Othmani e falte namazin të pashkurtuar, në Mina falte katër rekate, ndërsa Sunnet është që të falen të shkurtuara namazet me katër rekate, pra me nga dy rekate. Por Othmani, sipas një mendimi të tij të interpretuar nga ana fetare, falte katër dhe Ibn Mes’udi thoshte: Sunneti i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) është që të falen në Mina dy rekate për çdo namaz katërsh dhe jo ndryshe.
Ibn Mes’udit iu drejtuan dhe i thanë: Ti e thua këtë, ndërkohë që vetë falesh pas Othman ibn Afanit me katër rekate! Pse e bën këtë?!
Ai i tha: O njeri, kontradikta është e dëmshme²¹.
Dhe kjo sepse njerëz të tillë si ata i kishin kuptuar drejtë parimet dhe rregullat, të cilat nëse dikush i shkel, nuk ka siguri se nuk do të bëhet vetë pre e fitnes dhe nuk do të tërheqë edhe të tjerët nga pas. Ibn Mes’udi tha: Kontradikta është e dëmshme.
Burimi: Ligjëratë e mbajtur nga Shejh Salih ibn Abdulaziz Al Shejh “Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në rast fitnesh” Përshtati në shqip me disa shkurtime Justinian Topulli
Artikulli paraprak:👇
RREGULLI I TRETË: Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në rast fitnesh
¹⁸ Sure Ali Imran: 103.
¹⁹ Transmeton Tirmidhiu e Ahmedi dhe është sahih.
²⁰ Transmeton Abdullah ibn Ahmed në Zeuaid Musned dhe është sahih, shih Es-sahiha nr. 667.
²¹ Transmeton Ebu Daudi dhe është sahih



