Në suren e Kadr-it, Zoti njofton se nata e kadr-it kulmon me zbritjen e ëngjëjve në tokë dhe selam-in që e shoqëron atë. Dekretimi i ngjarjeve të vitit pasardhës nxjerr në pah qenien e krijimit në paqe me veten dhe besimtarëve ju kërkohet që të bëhen pjesëtarë në përjetimin e kësaj paqeje. Paqja e kësaj nate rrjedh nga kader-i që dekretohet në këtë natë dhe të qenurit i tij i mveshur me selam – i ruajtur nga çdo e metë, cen dhe difekt. Urtësia e ngjarjeve me të cilat vjen në këtë botë kader-i e bën atë që të jetë pashmangshmërisht në harmoni dhe në paqe me atë që Zoti Bamirës ka ditur se do të ndodhë me robin e Tij. Ky selam është tipar thelbësor i kader-it, i cili përftohet edhe nga kuptimi etimologjik i fjalës kadr dhe përdorimi i saj kuranor.
Folja trigërmëshe ka-da-ra ka kuptimin e “matjes, llogaritjes, ose përcaktimit të sasisë, masës, përmasës, madhësisë, shtrirjes, kufirit, apo vlerës së diçkaje. Kryerja me kadr e diçkaje nënkupton bërjen e saj me masë, sipas një mase, ose në përpjestim me të. Prandaj, shprehja që Zoti e bëri kader diçka për dikë ka kuptimin: Zoti dekretoi, urdhëroi, paracaktoi diçka për dikë, duke e përshtatur atë gjë sipas gjendjes së posaçme të njeriut” (William E. Lane).
Raghib el-Isfahani thotë që kuptimi i fjalës kadar është “qartësimi i sasisë së diçkaje. Prandaj dozimi (takdir) nga Allahu i gjërave shfaqet në dy aspekte: 1. nëpërmjet sigurimit të forcës tek ato, dhe 2. realizimit të tyre sipas një sasie të veçantë, në mënyre të posaçme dhe në përputhje me urtësinë që kërkon situata.”
Këto përkufizime të fjalës kadr përvijojnë karakteristikat e kader-it, të cilat sjellin dhe paqtimin me të. Një ngjarje që ndodh në masën e duhur, e cila ndërthur pasoja të përshtatura në mënyrë të posaçme me gjendjen e njerëzve të prekur prej saj, nuk mbart vetëm se urtësi në përfundimin e saj. Ajeti i 21-të i sures Hixhr e përforcon këtë koncept: “Te Ne gjenden thesaret e çdo gjëje, të cilën nuk e zbresim vetëm se me një masë (bi-kadar) të mirëditur.” El-Bejdauij është i mendimit se “përmendja e thesareve tregon që Zoti ka fuqinë të sjellë pa mundim dhe lehtësisht në ekzistencë shumëfishin e masës së gjërave që krijon. Përveçimi me anë të Vullnetit Hyjnor për të krijuar një masë të caktuar, sipas karakteristikave të përcaktuara, në një kohë dhe gjendje të veçantë, nuk tregon vetëm se ekzistëncën e një caktuesi të Urtë” që “vepron në interes të njerëzve” (Xhelal ed-Din es-Sujuti).
Urtësia e kader-it del në pah në mënyrën si Zoti ka ndarë furnizimin për njerëzit. Pasuria e perceptuar si e pakët dhe e pamjaftueshme nga dikush është në të vërtetë sasia e duhur për të: “Sikur Allahu t’ua zgjeronte furnizimin robëerve të Tij, ata do të silleshin si despotë në tokë. Por Ai zbret me masë (bi[1]kadar) çfarë dëshiron; Ai ka dijeni dhe largpamësi për robërit e Tij” (Esh-Shura 42, 27). “Ky ajet ka zbritur për një grup muslimanësh të varfër, të cilët dëshiruan të kishin pasuri dhe bollëk në këtë jetë. Sikur Allahu t’ua kishte dhënë atë që kërkuan, ata do të ishin rebeluar dhe do t’i kishin tejkaluar kufijtë e vendosur prej Tij duke u dhënë pas kësaj pasurie. Duke qenë largpamës për gjendjen e robërve të Tij, Ai e di se cilit i përshtatet dhe cilin e korrupton pasuria apo varfëria” (Ibën Xherir et-Tabari). “Nëse Zoti do t’u kishte dhënë shumë pasuri do të kishin kërkuar akoma më shumë, ashtu siç ka thënë Profeti: Sikur biri i Ademit të kishte dy lugina me flori do lakmonte t’u shtonte atyre një të tretë. Prandaj, dijetarët muslimanë kanë thënë se Zoti i njeh më së miri zemrat e robërve të Tij dhe e di kur shtimi i furnizimit do t’i korruptonte shpirtrat e tyre. Për këtë arsye, pakësimi i furnizimit nuk konsiderohet poshtërim nga Zoti dhe shtimi i furnizimit nuk është domosdoshmërisht shenjë virtyti dhe superioriteti” (Muhammed el[1]Kurtubij).
Në librin e tij Vizioni i Islamit, William Chittick e ka përkthyer termin kader si përmasim. Foljes përmasoj i korespondon në origjinalin anglisht folja “to measure out”, që ka kuptimin e “veçimit të një mase të posaçme të diçkaje nga një sasi më e madhe e saj” (Macmillan dictionary). Kuptimi i kësaj fjale përkon me domethënien e fjalës bi-kadar në ajetin e 21-të të sures Hixhr të përmendur më herët, ashtu sikurse përputhet me qenien e kader-it ajo pjesë e ngjarjeve e vitit në vazhdim që shkëputet prej Pllakës së Ruajtur (Leuhi Mahfudh) drejt ëngjëjve shkrues në natën e kadr-it.
Duke ju referuar ajetit të 27-të të sures Shura, William Chittick thotë se “Zoti e përmason me kujdes atë që ju jep krijesave të Tij, përndryshe ato do t’i kapërcenin kufijtë e tyre dhe do ta prishnin rendin e krijuar. Në sfond gjendet gjithmonë Urtësia e Zotit, tek përcakton se çfarë është e mirë për mbarë krijimin. Një nga rrjedhimet e ajeteve që trajtojnë përmasimin është se Zoti ka qëllimet e Tij kur u jep njerëzve aq sa u jep. Prapa veprimeve të Tij ka urtësi dhe bamirësi, edhe kur nuk ia dalim ta kuptojme urtësinë. Besimtari beson te përmasimi i Zotit, i mirë apo i keq qoftë ai. Fjala në arabisht për të mirën është khajr, kurse për të keqen është sherr. Konteksti kuranor i fjalëve khajr dhe sherr nuk nënkupton një pohim për të drejtën dhe të gabuarën, por më shumë për përfitimin apo humbjen që sjell një gjë. E mira dhe e keqja që përmasohen kanë të bëjnë me gjërat që njerëzit duan të kenë ose të shmangin, jo për një të mirë apo të keqe morale. Kështu, në hadithin e Xhibrilit, kur Profeti u referohet të dyjave, përmasimit të së mirës dhe së keqes, kishte parasysh gjykimin njerëzor për situatën. Por, ajo që duket si e keqe sot mund të rezultojë se ka qenë e mirë në përfundim. Shpesh Kurani tregon se njerëzit mund të jenë të gabuar në gjykimet e tyre për të mirën dhe të keqen. Njerëzit mendojnë se ajo që dëshirojnë është e mirë dhe ajo që nuk pëlqejnë është e keqe. Për pjesën më të madhe të njerëzve, kjo do të thotë se përfitimet e kësaj bote janë të mira. Por Kurani këmbëngul se ato nuk janë domosdoshmërisht të mira për njerëzit, sidomos nëse i bëjnë që të harrojnë përgjegjësitë e tyre njerëzore.”
Punoi: Gerdi Demneri