Allahu i Lartësuar thotë: “Ne po ta tregojmë ty rrëfimin e tyre me të vërtetë: Ata ishin djem të rinj që besuan tek Zoti i tyre, dhe Ne ua shtuam atyre udhëzimin.” [El-Kehf: 13]
Kjo është hutbja e tretë nga seria “Çështjet e të rinjve”. Më herët sqaruam se rinia përfshin meshkujt dhe femrat që janë nga mosha e pubertetit deri në moshën dyzet vjeç.
Edhe pse kjo seri hutbesh i drejtohet kryesisht të rinjve, ajo përfshin edhe të moshuarit, sepse nuk ka shtëpi që nuk ka një të ri që ka nevojë për këshillën e tyre.
Titulli i hutbes së parë ishte: Pse kjo seri.
Titulli i hutbes së javës së kaluar ishte: Rinia në Kuran.
Ndërsa titulli i hutbes së sotme është: Rinia në hadithet e Pejgamberit s.a.v.s..
Përsëri dua të theksoj: Ne, muslimanët, jemi pasues të një libri të shpallur dhe të një të dërguari të dërguar. Prandaj, ne, në të gjitha çështjet tona shikojmë lart, drejt shpalljes hyjnore dhe jo poshtë. Parimet tona i marrim nga të vërtetat e Kur’anit dhe të Sunetit, jo nga teoritë e njeriut. Ne i studiojmë çështjet tona duke u mbështetur në fuqinë e qiellit, jo duke u mbështetur në epshet e tokës.
Për këtë arsye, pas hutbes së kaluar ku kërkova në Kuran për pozitën e të rinjve, këtë javë iu drejtova haditheve të Pejgamberit s.v.s.s. për të parë se çfarë thotë ai për rininë. Kështu lindi kjo hutbe: Rinia në hadithet e Pejgamberit s.a.v.s..
O vëllezër, unë kam studiuar një numër të konsiderueshëm hadithesh të Pejgamberit s.a.v.s. që flasin për të rinjtë, dhe pashë se ato mund të përmblidhen në tre bosht kryesorë:
Hadithe që përmbajnë lavdërim për rininë.
Hadithe që përmbajnë urdhra dhe ndalesa për të rinjtë.
Hadithe që përmbajnë këshilla për rininë.
Pra, kemi lavdërim, urdhërim e ndalim, dhe këshilla. Këto janë tre boshtet, dhe unë do t’ju sjell disa prej këtyre haditheve, pastaj do të kalojmë te nxjerrja e mësimeve dhe përfundimeve.
Boshti i parë: Grupi i haditheve ku ka lavdërim për të rinjtë:
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu çuditet me një të ri që nuk ka prirje drejt gabimeve-lajthitje“ 1 (pra tek ai nuk ka marrëzi dhe padituri; dhe “çudia” e Allahut siç i përket Lartmadhërisë së Tij pa përngjasim me krijesat, këtu ka edhe kuptimin e kënaqësisë).
I Dërguari ﷺ ka thënë: “Shtatë veta do t’i fusë Allahu në Hijen e Tij ditën kur nuk ka hije tjetër përveç Hijes së Tij” 2 dhe hadithi është i njohur për ju, ndërsa pika që na intereson këtu është: “një i ri që është rritur në adhurimin e Allahut” Vlen të vihet re se ky i ri vjen i dyti në renditje: i pari është imami i drejtë, dhe i dyti është i riu i rritur në adhurimin e Allahut.
I Dërguari ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: I riu besimtar që beson në caktimin Tim, është i kënaqur me Librin Tim, i mjaftuar me furnizimin Tim, që heq dorë nga epshi i tij për hir Tim, është tek Unë si një prej engjëjve të Mi”3
Ky është grupi i parë i haditheve që përmbajnë lavdërim për të rinjtë.
Boshti i dytë: Grupi i haditheve ku ka urdhër dhe ndalim për të rinjtë:
I Dërguari ﷺ ka thënë: “O ju të rinj, kush prej jush ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse kjo është më ruajtëse për shikimin dhe më mbrojtëse për nderin; e kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi është mbrojtje për të” 4
I Dërguari ﷺ ka thënë: “O t djelmosha të Kurejshit, mos bëni zina, sepse ai të cilit Allahu ia ruan rininë (nga mëkatet) do të hyjë në Xhenet” 5— dhe në një transmetim tjetër: “O të rinj të Kurejshit,…. ….“
Abdullah ibn Amr ibn el-As r.a. thotë: E mblodha-memorizova Kuranin dhe e lexoja atë brenda një natë të vetme. I Dërguari ﷺ më tha: “Kam frikë se koha do të të jetë e gjatë dhe do të lodhesh; lexoje atë për një muaj”. I thashë: O i Dërguari i Allahut, më lër të kënaqem nga forca dhe rinia ime. Tha: “Lexoje për njëzet ditë”. I thashë: O i Dërguari i Allahut, më lër të kënaqem nga forca dhe rinia ime. Tha: “Lexoje për dhjetë ditë”. I thashë: O i Dërguari i Allahut, më lër të kënaqem nga forca dhe rinia ime. Tha: “Lexoje për shtatë ditë”. I thashë: O i Dërguari i Allahut, më lër të kënaqem nga forca dhe rinia ime, por ai nuk pranoi” 6
Këta ishin disa shembuj nga grupi i dytë i haditheve që përmbajnë urdhra dhe ndalime për të rinjtë.
Boshti i tretë dhe i fundit: Grupi i haditheve që përmbajnë këshilla dhe udhëzime për të rinjtë.
Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ: “Allahu e do të riun pendues” 7
I Dërguari ﷺ ka thënë: “Këmbët e birit të Ademit nuk do të lëvizin Ditën e Kiametit nga vendi i tij para Zotit të tij, derisa të pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij dhe si e ka kaluar, për rininë e tij dhe si e ka shpenzuar, për pasurinë e tij nga e ka fituar dhe në çfarë e ka shpenzuar, dhe çfarë ka bërë me atë që ka ditur” . 8
Këta janë shembuj nga grupi i tretë i haditheve që përmbajnë këshilla dhe udhëzime për të rinjtë.
Përfunduan tre boshtet e haditheve: Lavdërim, urdhër e ndalim, dhe këshilla.
Tani te nxjerrja e përfundimeve:
1 – Të rinjtë kanë nevojë për lavdërim, sepse lavdërimi i nxit ata drejt shtimit të prodhimit dhe punës.
Dhe siç e dëgjuat, Profeti ﷺ ka lavdëruar të riun besimtar, të riun e zellshëm që nuk ka lajthitje, të riun që rritet në bindje ndaj Allahut, të riun që e vë rininë dhe fuqinë e tij në kthimin tek Allahu. Dhe dikur, Profeti ﷺ lavdëroi besnikërinë e Ebu Ubejdes ibn el-Xherrâh, diturinë e Muadhit, leximin e Zejdit, gjykimin e Aliut, dhe shërbimin e Temimit për umetin.
Dhe unë nuk kam parë prej tij ﷺ lavdërim apo vlerësim për vallëzimin e ndonjë të riu nga sahabët, as për famën e kotë të të rinjve nga sahabët. Nuk e ka lavdëruar Profeti ﷺ muzikën rok, apo pop, apo metal; nuk ka lavdëruar Profeti ﷺ një vajzë që shfaq trupin e saj, apo që hedh poshtë turpin e saj, apo që derdh ujin e fytyrës së saj (metaforë për humbjen e nderit).
Nuk është marrë Profeti ﷺ me “mbretëreshat e bukurisë”, as me modelet e veshjeve, as me shitëset e epshit.
Kjo sepse Islami ta dëshiron ty, o i ri punën, ndërsa armiqtë e tij duan prej teje argëtim dhe dembeli.
Islami ta dëshiron ty oj e re, të merresh me moralin fisnik, me vepra madhështore, mendjen e ndritur; ndërsa armiqtë e tij duan për ty të merresh me buzëkuqin, me pudrat e fytyrës dhe ballit. Mes parantezave si shënim anësor: gratë e njërit prej shteteve arabe islame, brenda një viti të vetëm, kanë konsumuar 538 tonë buzëkuq, 43 tonë llak thonjsh dhe rreth pesëmbëdhjetë miliardë lira siriane=300 milion dolar i kanë shpenzuar për parfumet.
Allahu dëshiron që t’jua pranojë pendimet tuaja, por ata që jepen pas epsheve, dëshirojnë që të largoheni krejtësisht nga udha e drejtë. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.” [En-Nisa: 27–28].
Hadithet që flasin për urdhërim dhe ndalim tregojnë se Profeti ﷺ i urdhëronte dhe i ndalonte të rinjtë, dhe të rinjtë e sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, i zbatonin urdhrat e tij dhe ndalesat e tij.
Edhe ti, o i ri, ke nevojë për dikë që të urdhëron me të vërtetën dhe të ndalon nga e kota. Ti je i madh kur pranon dhe zbaton të mirën, dhe largohesh nga e keqja duke e braktisur atë. I madh është ai që i bindet urdhrave të së vërtetës dhe ndalohet nga të këqijat, ndërsa i vogël është ai që nuk ndikohet veçse nga dëshirat e veta dhe tregohet mendjemadh ndaj të tjerëve.
Ja një ngjarje:
Siç dihet për atë që hyn në xhami është legjitime të falë dy rekate, që quhen përshëndetja e xhamisë. Por çfarë ndodh nëse dikush hyn në xhami në kohën e lindjes ose të perëndimit të diellit? Këto janë dy kohë kur falja e namazit është e urrejtur në përgjithësi. A duhet t’i falë dy rekatet apo t’i lërë, duke qenë se është kohë e papëlqyeshme?
Imam Shafiu dhe Imam Ibn Hanbeli thonë: personi duhet t’i falë dy rekatet e përshëndetjes së xhamisë edhe në kohë të papëlqyeshme, sepse ky namaz ka një shkak (hyrjen në xhami). E papëlqyeshme është vetëm falja e namazit pa ndonjë shkak.
Ndërsa Imam Ebu Hanife dhe Imam Maliku thonë: nuk falet përshëndetja e xhamisë në këto dy kohë.
Një herë, Imam Maliku hyri në xhaminë e Profetit ﷺ në kohën e lindjes së diellit bashkë me disa nga nxënësit e tij. Ai u ul pa i falur dy rekatet e përshëndetjes së xhamisë, sepse ishte i mendimit se falja në atë kohë është e papëlqyeshme. Një djalosh e pa Imam Malikun që hyri në xhami dhe u ul pa falur dy rekatet.
Djaloshi i tha Imam Malikut: “O burrë, çohu dhe fali dy rekatet e përshëndetjes së xhamisë.” Imam Maliku u ngrit, i fali dy rekatet dhe pastaj u ul. Nxënësit e pyetën: “A nuk është mendimi yt në këtë çështje ashtu e ashtu?” Ai u përgjigj: “Po, por pata frikë të mos futesha në fjalën e Allahut të Lartësuar: ‘Kur u thuhet atyre: Përuluni, ata nuk përulen.’” (El-Murselat: 48).
Pra, i madh dhe me vlerë është ai që pranon urdhrin dhe ndalimin, ndërsa i vogël dhe pa peshë është ai që nuk pranon gjë përveç urdhrit të epshit të tij. Njeriu vazhdon të shtojë dijen për sa kohë mëson, por nëse thotë: “Unë jam i ditur”, atëherë ka rënë në injorancë.
Prandaj, o të rinj, ruajuni nga mburrja me mendimet tuaja dhe nga mendjemadhësia që t’ju pengon të përgjigjeni urdhrave dhe ndalesave të së vërtetës.
Hadithet e grupit të tretë janë hadithet që përmbajnë këshilla dhe udhëzime për të rinjtë. Ato përmbajnë gjithashtu një thirrje për pleqtë, burrat më të vjetër dhe të moshuarit, që t’u japin këshillat e tyre brezit të ri. Këshillat tuaja, o të moshuar, janë dije që vlejnë sa vitet e jetës suaj, prandaj mos ia mohoni ato brezit të të rinjve. Feja është këshillë.
Në vendet e zhvilluara ekzistojnë banka informacioni ku blihen të dhëna me dhjetëra, qindra, madje edhe me mijëra e miliona dollarë. Prandaj, o burrat tanë të moshuar, mos u tregoni koprracë me këshillat tuaja për rininë tonë. Feja është këshillë.
Një nga vëllezërit tanë të nderuar, në moshë të mesme, më shkroi disa fjalë shumë të dobishme.
(Për ta sqaruar: nga puberteti deri në moshën 40 vjeç quhet mosha e rinisë; nga 40 deri në 60 vjeç është mosha e pjekurisë së mesme; nga 60 deri në 70 vjeç është mosha e pleqërisë; dhe pas 70 vjeç fillon pleqëria e thellë.)
Ai tha: Paqja qoftë mbi ju. Pesë gjëra më mungonin mua dhe shumë të rinjve tanë iu mungojnë sot. Kur isha i ri, udhëtova në një vend perëndimor për të studiuar shkencat inxhinierike, dhe atje mësova këto pesë gjëra, të cilat i gjeta shumë të rëndësishme për arritje, përparim dhe sukses:
Përkushtimi
Edukimi i vetes -disiplina
Përqendrimi- Fokusimi
Durimi
Marrja e vendimeve
O vëllezër të nderuar, ky është realiteti i rinisë sipas hadithit të Profetit ﷺ, ku ka lavdërim për ta, urdhra dhe ndalesa për ta, dhe këshilla që u bëjnë dobi.
Përfundimi që mund të konkludojmë është se të rinjtë tanë kanë nevojë për ata që lavdërojnë virtytet e tyre. Ndërsa ju, o të rinj, dëgjoni ata që ju urdhërojnë dhe ju ndalojnë me të drejtë. Dhe ju, o pleq e të moshuar, këshilloni të rinjtë tanë.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
_____________
1)Transmeton Ahmedi në “Musned” nr. 17371, Ebu Ja’la në “Musned” nr. 1749. Hejthemiu e ka konsideruar të mirë në “Mexhme’ ez-Zevaid” nr. 17954.
2)Transmeton Buhariu në “Sahih” nr. 660 dhe Muslimi në “Sahih” nr. 2380 nga Ebu Hurejra r.a..
3)E transmeton Dejlemiu nr. 8081 nga Enesi r.a.. Edhe pse autori e ka sjellur këtë hadith, në zingjirin e tranmsetusëve të tij është një tranmsetues i dobët-Sad ibn Seid. SH.P.
4) Buhariu në “Sahih” nr. 5065, Muslimi në “Sahih” nr. 3398 dhe Ahmedi në “Musned” nr. 3592 nga Ibn Mesudi r.a..
5) Bejhekiu në “Shu’ab el-Iman” nr. 5426 dhe Tajjalesiu në “Musned” nr. 2756 nga Ibn Abbasi; transmetimi i dytë: ‘O të rinjtë e Kurejshit, mos kryeni kurvëri. Dijeni se kush e ruan organin e tij (nga imoraliteti), ai do të hyjë në Xhenet.'” është te Hakimi në “Mustedrek” nr. 8062, i cili tha: hadith sahih sipas kushteve të Muslimit, dhe është heshtur mbi të nga Zehebiu; gjithashtu te Bejhekiu në “Shu’ab el-Iman” nr. 5425 dhe Ebu Ja’la në “Musned” nr. 1427.
6) Ibn Hibani në “Sahih” nr. 756 dhe Abdurrezzaku në “Musannef” nr. 5956
7)“Kenz el-Ummal” nr. 10185, ndërsa Irakiu e ka konsideruar të dobët zinxhirin e tij në “Tahrixh Ehadith el-Ihja”.
8) E ka transmetuar el-Bezzari nr. 2640, et-Taberani (20/60) nr.111, dhe el-Axhuri në Ahlakul-Ulema:77.
Dr. Muhamed Hajr Sheaal
Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve



