Nuk ka dyshim se Islami është e vërteta por forma se si performohet nga ithtarët e tij është shumë me ndikim në përqafimin e tij nga jomuslimanët. Është urdhër i Allahut që njerëzit t’i thërrasim në fenë e Tij me urtësi. Allahu thotë:
Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.“ (en-Nahl, 125)
Thirrja në rrugën e Allahut me urtësi dhe mençuri është baza, nga e cila duhet startuar gjithmonë. Vetëm pajisja me urtësinë, e cila nënkupton të bësh të duhurën në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me njerëzit e duhur, garanton suksesin. Ndryshe, nëse performimit të Thirrjes Islame (Daves) i mungon ky element, atëherë dëmet do të jenë më të mëdha se dobitë. Për ta dëshmuar këtë do t’i referohem fjalës së Allahut drejtuar Musait dhe Harunit [alejhimaselam], të cilët po bëheshin gati për të shkuar tek Faraoni dhe për t’ia kumtuar fjalën e Allahut. “Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. 44. Atij i thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet.“ (Taha, 43-44)
Ky ajet fsheh në vete një urtësi, të cilën mund të mos e kemi vënë re më parë ani pse e kemi lexuar me dhjetëra e qindra herë këtë ajet. Është studiuesi Muhammed Shehrani ai që përgjatë thellimit në studimin e Shkencës së Da’ves e ka zbuluar atë. Ja çfarë thotë:

Ai që mediton këto dy ajete do të vërej se Allahu i Madhëruar nuk e ka urdhëruar Musanë dhe Harunin [alejhimaselam] me fjalë të caktuara të cilat do të duhej tua thoshin Faraonit, armikut të Allahut; jo, Allahu i mësoi për mënyrën me të cilën mund ta demantojnë thënien e tij (Faraonit), e që është metoda e butësisë dhe mirësjelljes në thirrjen e Faraonit.” ([1])

Pra, Allahu i ka mësuar se me Faraonin duhet të sillen butë, të thonë fjalë të buta, kjo është me rëndësi, ndërsa formulimin e tyre ua ka lënë në dispozicion Musait dhe Harunit [alejhimaselam].

Qëllimi është që t’i përfitohet zemra, që ai të zbutet, që atij t’i përkujtohet se Allahu fal pendimtarët, dhe në këtë më e rëndësishmja ngel mënyra që ke përvetësuar, aftësitë dhe shkathtësitë që zotëron, jo fjalët që mund t’i mësosh përmendësh. Një mjeshtër i zoti mund të ndërtojë qindra modele shtëpish. Kjo pasi që ai ka përvetësuar mjeshtërinë, jo modelin.
Pikërisht kjo është rëndësia e Shkencës së Daves, që të përgatisë dhe nxjerrë kuadro, të aftë për të vepruar në ambiente, rrethana dhe me njerëz të ndryshëm.
 
 
 


[1] Esh-Shehrani, Muhammed ibn Sa’d Bukneh. (2012). Ilmu-d-Da’veti ila Allahi Teala – hakikatuhu ve ehemmijjetuhu – dirasetun te’silijjetun. Mekkë: Universiteti Ummu-l-Kura. Tezë magjistrature e pabotuar. F. 64.