Hyrje |
Feja është sistem jete me të cilin besimtarët rregullojnë raportet me Krijuesin por edhe me krijesat. Nisur nga këto detyra, feja ka një ndarje në tre fusha kryesore: fe (iman), ligje (Islam) dhe moral (ihsan). Secila nga këto fusha ka rëndësinë dhe rolin e vet në jetën e besimtarit dhe formimin e tij. Në këtë hutbe, në fokus do të jetë morali dhe rëndësia e tij në formimin e lidhjeve tona me njerëzit përreth. Pra, do ta trajtojmë fushën e tretë të fesë, jo nga aspekti teorik e filozofik i konceptit për moralin, por nga ai praktik i ndikimit të tij në fuqizimin e lidhjeve tona me njëri tjetrin. Më qartë, përgjatë kësaj hutbeje, do të mundohemi të gjejmë përgjigje për dy pyetje kryesore:
1) Përse morali?, dhe 2) Cila është rëndësia e tij në raportet tona me njëri tjetrin? |
Përse morali? |
Morali nuk është vetëm shtylla e tretë e fesë por edhe hapësira ku dy fushat e mëparshme (imani dheislami) testojnë efektin e tyre në edukimin tonë. Morali dhe mirësjellja është rezultati i rolit të besimit dhe adhurimit në jetën tonë. Por jo vetëm kaq.
1) Morali është sinonimi i Islamit, është misioni me të cilin është shfaqur. Pejgamberi Muhammed ﷺ ka thënë: «إنَّما بُعِثتُ لأتمِّمَ صالحَ الأخلاقِ» «Unë jam dërguar për të përsosur moralet e mira!»[1] Në një rast dikush i kërkoi Pejgamberit Muhammed ﷺ të mallkonte dikë, ndërsa ai ia ktheu: «Unë nuk jam dërguar mallkues; jam dërguar mëshirë!»[2] 2) Morali është imazhi më i theksuar i kumtuesit të kësaj feje, Pejgamberit Muhammed ﷺ. Për tipare është lëvduar edhe nga Allahu i madhëruar. Në Kur’an qëndron: ﴿وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ﴾ “Dhe, me të vërtetë, ti je me virtyte të mëdha!” [Kalem: 4] 3) Morali është imazhi ynë më i përkthyer dhe vepra që na ofron tek Allahu i madhëruar, së pari, dhe tek i Dërguari i Tij, Pejgamberi Muhammed ﷺ. «Besimtarët me besimin më të përsosur janë ata me moralin më të mirë.»;[3] «…dhe më së afërmi meje në Ditën e Llogarisë do të jetë ai që nga ju ka moralin më të mirë.» [4] |
Pra, për neve myslimanëve, morali është fe dhe feja është moral, andaj edhe duhet t’i kushtojmë rëndësi. Por: |
Cila është rëndësia e moralit në raport me njëri tjetrin? |
Nëse moralin e vëmë në funksion të përmirësimit të raporteve tona me njëri tjetrin, ai di të bëjë mrekulli. Ai është i magjishëm dhe efekti i tij është mahnitës. Më konkretisht, morali arrin atje ku nuk mund të arrijë asgjë tjetër dhe bën atë që asgjë tjetër nuk mund ta bëjë. Më qartë: |
1) Morali na bashkon me njëri tjetrin. Imam Gazaliu duke folur për moralin e mirë tregon se fryt i tij është afrimi i njerëzve ndërmjet vete…Kjo gjë në shikim të parë mund të duket e thjeshtë por nga perspektiva fetare shihet si gjëja më e rëndësishme. Në Kur’an, Allahu na tregon se vëllazëria fetare me të cilën na ka begatuar është e atillë që nuk mund të arrihet nën asnjë moto dhe nën asnjë slogan, sikur që nuk mund ta arrijë asnjë kauzë, qoftë edhe me buxhet të tërë dynjasë. Thotë Allahu: |
﴿وَأَلَّفَ بَيْنَ قُلُوبِهِمْ ۚ لَوْ أَنفَقْتَ مَا فِي الْأَرْضِ جَمِيعًا مَّا أَلَّفْتَ بَيْنَ قُلُوبِهِمْ وَلَـٰكِنَّ اللَّـهَ أَلَّفَ بَيْنَهُمْ ۚ إِنَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ﴾
“Dhe, Ai, i bashkoi zemrat e tyre. Sikur ti të shpenzoje tërë atë pasuri që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Perëndia i bashkoi ato, – Ai, me të vërtetë është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” [Enfalë: 63] |
Pikërisht këtij qëllimi i shërben morali i mirë, dhe këtu qëndron, përveç tjerash, sekreti pse feja na ka urdhëruar me mirësjellje ndaj njerëzve.[5] |
2) Morali i mirë dhe mirësjellja janë rruga më e shkurtër për të bërë të lumtur të tjerët. Kjo është mënyra se si na kanë mësuar të parët tanë. Njëri nga hoxhallarët derisa ishte duke ecur me një prej nxënësve të vet ndërsa kishin mbaruar mësimin, panë një punëtor që ishte zbathur dhe po punonte në një arë. Nxënësi i tha: Sikur t’ia marr njërën këpucë dhe t’ia fshehim e të shohim reagimin e tij dhe të qeshim me të. Sigurisht, nuk kishte për qëllim ta lëndonte por thjesht të bënte shaka. Punëtori ishte i varfër dhe humbja edhe e këpucëve për të do të ishte humbje e madhe. Mësuesi refuzoi. Në vend të kësaj nxënësit ia ofroi moralin e mirë si mënyrë komunikimi me të varfrit. Eja të fusim ca para në këpucët e tij, të fshihemi diku dhe të shohim reagimin e tij- i tha. Ashtu vepruan. Kur i varfri kreu punën dhe u bë gati të mbathte këpucët, u mahnit nga paratë që gjeti. Filloi të qante nga gëzimi dhe të bënte sexhde falënderimi për Allahun. O Allahu im, e kisha gruan të sëmurë ndërsa fëmijët pa ushqim, më bërë zgjidhje, i tërë falënderimi qoftë për ty! Nxënësi aq shumë u ndikua nga kjo saqë nuk i mbante lotët dot.
Kështu, në vend të shakave, që mbase i lëndojnë të varfrit, të sillemi mirë me ta, t’iu ndihmojmë, sepse i bëjmë të lumtur ata dhe vet bëhemi të lumtur. |
3) Morali kompensim i aspektit material dhe jo vetëm. Është edhe argument kundër atyre që justifikohen me mungesë të të mirave materiale për të qenë produktiv në shoqëri. Pejgamberi Muhammed ﷺ ka thënë: «Mos nënvlerëso asnjë të mirë që mund ta bësh, qoftë edhe ta takosh vëllain me buzëqeshje..» [6]; «Ju nuk do të mund t’i mbuloni të gjithë njerëzit me pasurinë tuaj, andaj le t’i mbulojnë buzëqeshja dhe morali juaj i mirë!» [7] |
Përfundim
– që ta mishërojmë imanin me sjelljet tona, – që të realizojmë objektivat islame në jetën dhe veprimtarinë tonë, dhe – që të prodhojmë lumturi në shoqëri, duhet të kemi moral dhe sjellje të mira. Allahu na bëftë prej besimtarëve që kanë besim të përkryer, sjellje të mira dhe raporte të shkëlqyera me njëri tjetrin! |
[1] Sahihu Edebi-l-mufred, nr. 207.
[2] Transmeton Muslimi, nr. 2599.
[3] Transmeton Ebu Davudi, 4682. Albani e ka saktësuar këtë hadith.
[4] Sahihul xhami, nr. 1176.
[5] Shih ajetin: “…dhe thoni njerëzve fjalë të mira…” Bekare: 83; hadithi: “Shoqëroji njerëzit me moral të mirë.”.
[6] Essilsiletu essahihatu, nr. 3422.
[7] Sahihu-t-Tergib, nr. 2661.