Në fillim kishte këshillim
Kur diskutojnë këshillimin dhe provat që e mbështesin atë në tekstet ligjore islame, dijetarët dhe shkrimtarët kanë prirjen të përqendrohen në dy ajete të veçanta kuranore, përkatësisht në suren 42, ajeti 38 dhe në suren 3, ajeti 159. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre dy fragmenteve në çdo trajtim të subjektit të këshillimit, unë do t’i diskutoj ato në kohën e duhur. Megjithatë, dua të filloj me fragmentin kuranor që thotë:
“Dhe ja! Mbështetësi yt u tha engjëjve: “Unë do të vendos në tokë një që do ta trashëgojë atë”.
Dhe ata thanë: “A do të vendosni mbi tokë atë që do të përhapë korrupsion mbi të dhe do të derdhë gjak, ndërsa ne e lartësojmë lavdinë Tuaj të pafund, lavdërojmë dhe mbajmë emrin Tënd?”
[Zoti] u përgjigj: “Me të vërtetë, unë e di atë që ju nuk e dini”.
Dhe Ai i dha Ademit emrat e të gjitha gjërave, pastaj i solli brenda te engjëjt dhe tha: “Shpallni për mua emrat e këtyre (gjërave), nëse ajo që thoni është e vërtetë!”
Engjëjt u përgjigjën: “Ti je i Pafund në lavdinë Tënde. Nuk kemi njohuri mbi këto që na ke dhënë. Vërtet, vetëm Ti je i Gjithëditur dhe i Urtë”.¹
Në një vëzhgim intrigues mbi këtë pasazh, dijetari i njohur, Muhammed Et-Tahir ibn Ashuri, sugjeron se ky shkëmbim mendimesh midis Zotit dhe engjëjve të Tij është një lloj këshillimi që ndodhi në fillim të krijimit, në mënyrë që të siguronte udhëzime për qeniet njerëzore që në fillim. Ai shkruan: “Këto fjalë të Zotit u drejtohen engjëjve, si një mjet për t’i furnizuar ata me informacionin që do t’i bëjë të kuptojnë epërsinë e sojit njerëzor. Në këtë mënyrë, Ai synon të kapërcejë dyshimin ndaj qenieve njerëzore, të cilat Ai e di se janë në zemrat e tyre. Fjalët e Tij kanë për qëllim, gjithashtu, një lloj këshillimi, duke treguar kështu nderin. Me anë të këtyre fjalëve, Zoti u ofron engjëjve udhëzime nën petkun e një detyrimi dhe nuk është, në të vërtetë, duke kërkuar këshilla lidhur me punët e Tij. Përkundrazi, në këtë mënyrë, Ai kërkon t’i bëjë engjëjt të vetëdijshëm mbi mençurinë e fshehtë me të cilën krijoi Ademin. Kjo është përmendur në ekzegjezën kuranore.
Më duket se ky këshillim kishte për qëllim të ishte një realitet, në lidhje me krijimin e qenies së parë njerëzore dhe do të bëhej një parim për informimin e pasardhësve të tij. Arsyeja është se, kur një kusht ose ide e caktuar lidhet me formimin e diçkaje, kjo sjell një harmoni midis kushteve apo idesë së lartpërmendur dhe njësisë me të cilën është e lidhur”.²
Nëse ne ndërtojmë mbi pikëpamjen e shprehur nga Ibn Ashuri dhe komentues të tjerë, të cilëve ai u referohet, këshillimi është praktika e parë shoqërore për të cilën Zoti krijoi një precedent. Një tjetër mësim që rrjedh nga kjo ngjarje, është se kjo praktikë është një shembull që duhet të ndiqet edhe në lidhje me pyetjet që tashmë janë zgjidhur, ose përgjigjet të cilat tashmë janë të njohura.
Konsultimi i këtij lloji ka qëllime dhe përfitime specifike, disa prej të cilave janë përmendur nga Ibn Ashuri, ato shkojnë përtej kërkimit të këshillës. Qëllime të tilla përfshijnë mësimin, dhënien e nderit dhe vendosjen e një shembulli për të tjerët, për të mësuar dhe për të ndjekur.
Një rast tjetër që mund të përfshijmë në këtë kategori, është situata në të cilën Ibrahimi u konsultua me djalin e tij, për një urdhër që kishte marrë nga Zoti. Ne lexojmë në Kuranin e Shenjtë se: “… kur fëmija ishte bërë mjaft i madh për të ndarë mendimet [me babain] e tij, ky i fundit i tha: “O biri im i dashur! Unë kam parë në ëndërr, se duhet të të sakrifikoj ty. Më thuaj, atëherë, se cili do të ishte mendimi yt?”³
Çështja, nëse Ibrahimi duhej të sakrifikonte djalin e tij, tashmë ishte vendosur nëpërmjet një urdhri hyjnor. Megjithatë, Ibrahimi i tha djalit: “Mendo, pra, cili do të ishte mendimi yt?”. I biri iu përgjigj: “O im atë! Bëj ashtu si je urdhëruar! Ti do të më gjesh, nëse dëshiron Zoti, në mesin e atyre që janë të durueshëm në fatkeqësi”.⁴
Në lidhje me këtë, Et-Tartushi thotë: “Vendosmëria juaj për të kryer atë që keni në mendje dhe për të treguar korrektësinë e saj, nuk duhet t’ju ndalojë të kërkoni këshillë. A nuk e shihni se Ibrahimi ishte udhëzuar ta sakrifikonte djalin e tij në formën e një urdhri që nuk pranoi asnjë diskutim?!
Sidoqoftë, ndjeshmëria e tij morale e rafinuar dhe njohuria e tij për pozitën e lartë që gëzonte në zemrat e të tjerëve e çuan në një këshillim me djalin e tij për këtë çështje, kur i tha: “O biri im i dashur! Unë kam parë në ëndërr, se duhet të të sakrifikoj ty. Më thuaj, atëherë, se cili do të ishte mendimi yt?”⁵
Një mendim i ngjashëm shprehet nga gjykatësi Badruddin ibn Xhema‘ah, i cili shkruan: “Këshillimi ishte një praktikë e ndjekur rregullisht nga pejgamberët. Miku i dashur i Zotit, Ibrahimi (a.s.),nmori një urdhër të rreptë për të sakrifikuar djalin e tij. Sidoqoftë, ai nuk u përmbajt për t′u konsultuar me birin e tij mbi këtë çështje”.⁶
Ata që janë mësuar të konsultohen me të tjerët edhe në çështjet që janë të dukshme, kurrë nuk do të përmbahen nga kjo gjë, në lidhje me çështjet që janë të paqarta. Prandaj, nëse këshillimi është një praktikë e lavdërueshme dhe e dobishme, lidhur me çështjet që tashmë janë vendosur, imagjinoni sa më e rëndësishme dhe e nevojshme duhet të jetë për çështjet shumëplanëshe dhe komplekse, mbi të cilat ekzistojnë pikëpamje të ndryshme dhe kontradiktore.
Veprimi i Ibrahimit për t′u konsultuar me të birin, na sjell ndër mend një shembull tjetër të këshillimit mbi nivelin e njësisë familjare, që përshkruhet në fragmentin vijues nga Kurani:
“Dhe, kur i lëshoni gratë dhe ato kanë ardhur në përfundim të afatit të tyre të pritjes, mos i pengoni ato të martohen me burra të tjerë [ose të martohen me ish burrat e tyre]⁷, nëse ata kanë rënë dakord me njëri-tjetrin, në mënyrë të drejtë. Kjo është një këshillë për secilin prej jush, që beson në Zotin dhe në Ditën e Fundit.
Kjo është mënyra më e virtytshme për ju dhe më e pastra. Dhe Zoti e di, ndërsa ju nuk e dini. Dhe nënat [e divorcuara] mund t’i ushqejnë fëmijët e tyre për dy vjet të tëra, nëse dëshirojnë të përfundojnë periudhën e ushqyerjes. Dhe është detyrë e atij që i ka lindur fëmijët, për të siguruar në mënyrë të drejtë ushqimin dhe veshmbathjen e tyre. Asnjë qenie njerëzore nuk do të rëndohet më shumë sesa është në gjendje të mbajë; asnjë nënë nuk duhet të vuajë për shkak të fëmijës së saj, as babai për fëmijën e tij. Dhe e njëjta detyrë qëndron mbi trashëgiminë [e babait]. Dhe, nëse të dy [prindërit] vendosin, me pëlqimin dhe këshillën e ndërsjellë, pas ndarjes [të nënës dhe fëmijës], ata nuk do të bëjnë mëkat”.⁸
Këshillimi përmendet qartë në ajetin e dytë: “me pëlqimin dhe këshillën e ndërsjellë” dhe, në mënyrë të nënkuptuar, në ajetin e parë: “nëse ata kanë rënë dakord me njëri-tjetrin, në mënyrë të drejtë”. Në të dyja rastet, pëlqimi i vërtetë konsiderohet të jetë arritur vetëm pasi dialogut dhe këshillim me vullnet të ndërsjellë në gjithçka që kërkohet, me dëshirën për të mirën, pajtimin, maturinë dhe drejtësinë.
Nga ajeti i parë kuptojmë se, nëse dy bashkëshortë arrijnë një mirëkuptim të ndërsjellë, mbi bazën e të cilit ata dëshirojnë të rifillojnë së bashku jetën të martuar, një kujdestar nuk ka të drejtë të parandalojë këtë gjë. Nga ajeti i dytë mësojmë se periudha e ushqyerjes me gji, e vendosur për dy vjet të plota, mund të reduktohet,npor vetëm nëse ndërprerja ndodh në bazë të këshillimit dhe pëlqimit të ndërsjellë. Me fjalë të tjera, vendimi për të larguar fëmijën nga gjiri nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, nga asnjëri prej prindërve.
Kjo do të thotë se menaxhimi i çështjeve të fëmijës është një e drejtë dhe përgjegjësi e përbashkët e të dy prindërve dhe se duhet të ndodhë në bazë të marrëveshjes dhe këshillimit të ndërsjellë, në mënyrë që zgjedhjet e bëra të jenë ato që, për aq sa është e mundur, t’i shërbejnë më së miri interesave të fëmijës.
Fakti që gruaja është ushqyese e fëmijës, nuk e autorizon atë të marrë një vendim të njëanshëm për të larguar fëmijën ose për të zgjatur periudhën e gjidhënies. Në mënyrë të ngjashme, në rastin e burrit, roli i tij si shtylla e familjes dhe kryefamiljar, nuk i japin të drejtën për të marrë vendime për fëmijët e tij, në mënyrë autokratike. Përkundrazi, nëna është partnerja i tij në menaxhimin e punëve të tyre. Rrjedhimisht, të gjitha vendimet duhet të merren nga “pëlqimi dhe këshillimi i ndërsjellë”, ose, siç e shpreh Kurani tjetërkund, “marrja e këshillës së ndërsjellë, sipas asaj që është e drejtë dhe e arsyeshme”⁹
Lidhur me frazën: “Dhe, nëse të dy [prindërit] vendosin, me pëlqimin dhe këshillën e ndërsjellë, pas ndarjes [të nënës dhe fëmijës], ata nuk do të bëjnë mëkat (pra, nuk do të ndëshkohen për këtë)”, Ibn Kethiri thotë: “Kjo do të thotë se prindërit vendosin të heqin fëmijën nga gjiri, para se të jetë dy vjeç, sepse besojnë që kjo të jetë në dobi të vetë fëmijës. Dhe, nëse ata janë konsultuar së bashku për çështjen dhe kanë arritur marrëveshje të përbashkët, nuk kanë faj për këtë gjë”.
Ajo që ne mund të nxjerrim nga kjo, është se, në qoftë se njëri nga prindërit do të vendoste në mënyrë të njëanshme të ndante fëmijën nga gjiri, kjo nuk do të ishte e mjaftueshme, pasi nuk është e pranueshme që njëri prej tyre të imponojë pikëpamjen e tij, ose të veprojë njëanshëm, pa u konsultuar me tjetrin. Kjo është pikëpamja e shprehur nga Eth-Thevri dhe të tjerët.
Kjo marrëveshje e cila kërkon t’i kushtohet vëmendje e veçantë çështjeve të fëmijës, shërben për ta mbrojtur atë dhe, kështu, është shprehje e mëshirës dhe dhembshurisë së Zotit.
Sepse Zoti ka veçuar prindërit në detyrën e rritjes së fëmijëve të tyre dhe i ka udhëhequr ata në atë që do të ishte më e dobishme për ta dhe për pasardhësit e tyre. Në suren 65, Zoti thotë: “Dhe, nëse ato e ushqejnë pasardhësin tuaj pas divorcit përfundimtar, jepini shpërblimin dhe këshillohuni me njëri-tjetrin në mënyrë të drejtë (për të ardhmen e fëmijës)!”¹⁰
Duke marrë parasysh sa u tha më sipër, vendimet që kanë të bëjnë me edukimin e fëmijëve të vegjël (vendndodhjen, llojin, kohëzgjatjen dhe vazhdimin ose ndërprerjen), shëndetin, vendbanimin, udhëtimin, aktivitetet e tyre (cilat janë të pranueshme dhe cilat jo, cilat duhet të inkurajohen dhe cilat nuk duhet), si dhe ato që kanë të bëjnë me udhëzime profesionale ose martesën, nëse kanë nevojë për këshillim dhe asistencë nga nënat dhe baballarët e tyre, të gjitha këto dhe më shumë bëjnë thirrje për menaxhim të përbashkët këshillues midis prindërve, ose midis prindërve dhe fëmijës në fjalë, nëse ai ose ajo ka arritur moshën e pjekurisë.
Rekomandohet gjithashtu, që prindërit të konsultohen me vetë fëmijët e vegjël, në mënyrë që t’i njohin ata me procesin e këshillimit, si një mënyrë jetese. Shumë tradita pejgamberike u bëjnë thirrje prindërve t’i pyesin vajzat e tyre, nëse ato pranojnë të martohen me këtë apo atë kërkues. Sipas një tradite të tillë, Aishja ka thënë: “E pyeta të Dërguarin (a.s.), nëse familja e një vajze dëshiron ta japë atë në martesë, a duhet të kërkojnë mendimin e saj për këtë çështje dhe ai u përgjigj: – Po, duhet!”¹¹
Këshillimi kërkohet kur ka pyetje në lidhje me martesën, me punët e familjes dhe rritjen e fëmijëve, apo në situata që përfshijnë konflikte dhe mosmarrëveshje.
Zoti deklaron në Kuran:
“Dhe, nëse keni arsye të keni frikë, se mund të ndodhë një shkelje mes një çifti [të martuar], emëroni një arbitër nga njerëzit e tij dhe një nga njerëzit e saj. Nëse të dy dëshirojnë t’i vendosin gjërat drejt, Zoti mund të sjellë pajtimin e tyre. Vini re, Zoti është me të vërtetë i Gjithëdijshëm!”¹²
Fragmenti i mësipërm përmban një komandë të nënkuptuar për t’u angazhuar në këshillim. Për aq kohë sa ekzistojnë dy arbitra, vlerësimi i çështjes dhe miratimi i një zgjidhjeje të mundshme mund të arrihet vetëm nëpërmjet këshillimit mes palëve jo në harmoni, të pasuara nga marrëveshje të ndërsjella për zgjidhjen ose daljen nga ajo situatë.
Për më tepër, ashtu si nevojitet këshillimi për martesën, ashtu është i nevojshëm edhe për divorcin. Kjo është praktikë e cila u miratua nga i Dërguari i Zotit për vete dhe për gratë e tij, dhe pastaj e krijoi si precedent për komunitetin musliman. Në kontekstin e gënjeshtrës, shpifjes që dikur u përhap rreth saj, Aishja tha: “Kur i Dërguari (a.s.) e ndieu se shpallja nga Zoti ishte e ngadaltë në ardhje, ai thirri ‘Ali ibn Abi Talib dhe Usame ibn Zejdin dhe kërkoi këshillën e tyre, nëse duhet ta divorconte gruan e tij”.¹³ Në mënyrë të ngjashme, kur një ndjenjë e pakënaqësisë u rrit mes të Dërguarit (a.s.) dhe grave të tij, për shkak të kërkesave të tyre të vazhdueshme, që ai të siguronte më shumë të ardhura për mbështetjen e tyre materiale, ai u kërkoi të konsultoheshin me baballarët dhe nënat e tyre, nëse do të qëndronin me të, apo do të kërkonin divorc.
Sipas Kuranit, Zoti i tha atij: “O Pejgamber! Thuaju grave të tua: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe magjinë e saj, atëherë unë do t’jua siguroj dhe do t’ju liroj në mënyrë të pashmangshme. Por, nëse dëshironi Zotin dhe Pejgamberin e Tij, (në të mirë të jetës) në botën tjetër, atëherë, vërtet, për mirëbërësit Zoti ka përgatitur një shpërblim të madh”.¹⁴
I Dërguari i Zotit ua prezantoi këtë çështje grave të tij, duke u dhënë atyre zgjedhjet e parashtruara në dy ajetet e cituara më sipër. Fillimisht, ai iu drejtua Aishes: “Nuk ka asnjë arsye që ju të veproni me ngut. Përkundrazi, së pari, duhet të kërkoni këshillë nga prindërit tuaj!”¹⁵
Sipas një versioni tjetër të të njëjtit tregim, ai tha: “Unë preferoj që mos të nguteni [në vendimin tuaj], por që [së pari] të konsultoheni me prindërit tuaj!”. Dhe Aishja iu përgjigj: “Mos duhet të konsultohem me prindërit e mi për ty, o i Dërguari i Zotit?! Përkundrazi, unë zgjedh Zotin, të Dërguarin e Tij dhe jetën në botën tjetër”.¹⁶
Burimi: “Shura – Parimi kuranor i këshillimit, një mjet për rindërtim dhe reformë” Ahmad Al-Raysuni
¹ Kuran, 2:30-32. Vetëm nëse është specifikuar ndryshe, citimet kuranore janë marrë prej Muhammad Asad: Mesazhi i Kuranit (Gibraltar: Dar al-Andalus, 1984).
² Muhammad al-Tahir ibn Ashur, Al-Tahrir wa al-Tanwir (Tunis: al-Dar al-Tunisiyyah li al-Nashr, 1984), 1/400.
³ Kuran, 37:102.
⁴ Kuran, 37:102
⁵ Abu Bakr al-Tartushi, Siraj al-Muluk (Al-Matba’ah al-Wataniyyah bi Thaghr alIskandariyyah, pa datë), f. 132. (Do të kem rastin të kthehem te ky pasazh shkurtimisht, nëse do Zoti).
⁶ Badr al-Din ibn Jama’ah, Tahrir al-Ahkam fi Tadbir Ahl al-Islam, ed. Fuad Abd al-Munim Ahmad, Edicioni i dytë (Katar: Ri’asat al-Mahakim al-Shar’iyyah wa al-Shu’un al-Diniyyah, 1991), f. 169.
⁷ Përkthimi në kllapa është në përputhje me mendimin e autorit më poshtë dhe bazohet në Abdullah Yusuf Ali: Kuptimi i Kuranit të Shenjtë, Edicioni i 11-të, Botimet Amana, 2004.
⁸ Kuran, 2:232-233
⁹ Kuran, 65:6; ‘Abdullah Yusuf ‘Ali: Kuptimi i Kuranit të Shenjtë
¹⁰ Kuran, 65:6;
¹¹ Sahih al-Bukhari: Libri i fushatave ushtarake (Kitab al-maghazi), seksioni mbi
hadith al-ifk (tradita që merret me shpifjen që u përhap në lidhje me ‘Aishen)
¹² Kuran, 4:35.
¹³ Sahih al-Bukhari: Libri i fushatave ushtarake (Kitab al-maghazi), seksioni i titulluar “Llogaria e shpifjes” (hadith al-ifk).
¹⁴ Kuran, 33:28-29, surja al-Ahzab.
¹⁵ Sahih al-Bukhari, Libri i komenteve (Kitab al-tafsir).
¹⁶ Sahih Muslim, Libri i divorcit (Kitab al-talaq), seksioni i titulluar “Dhënia e mundësisë së zgjedhjes një gruaje [mes qëndrimit me burrin e saj ose ndarjes], çon në divorc, vetëm nëse është i pranishëm synimi për t’u shkurorëzuar”