Sedat ef.Islami

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Gjendja e rëndë ekonomike që mbretëron në vendin tonë ka bërë, përveç tjerash, që, për të ardhur deri tek sigurimi i një mbijetese solide, njerëzit ndonjëherë të mos zgjedhin mjete a mënyra. Janë përhapur forma të shumta të ndaluara fetarisht të fitimit dhe përvetësimit të pasurisë. Siç është vënë re nga studimet në terren, në popujt e dalë nga luftëra dhe konflikte, këto dukuri janë më të theksuara se tek të tjerët, e rrjedhimisht edhe me më shumë pasoja. Them këtë ndërsa parasysh kam faktin se shumica absolute e këtij populli janë myslimanë, dhe, dukuri të këtilla, si: vjedhja, mashtrimi, kontrabanda, fajdeja, kamata, janë vështirë të paramendueshme në shoqëritë islame. Andaj, sot, të nderuar vëllezër, do të ndajmë bashkërisht këtë kohë të rezervuar për këtë ritual javor tonin, për të mësuar diç rreth konceptit islam për fitimin dhe për rreziqet që paraqet fitimi i ndaluar për besimtarin.

Besimtarë të nderuar!
Myslimanët, ndryshe nga të tjerët, besojnë në Caktimin e Allahut (Kada dhe Kader), se çdo gjë që ndodhë në këtë botë, ndodhë me dijen e Allahut. Në kuadër të kësaj pjese të besimit, hyn gjithsesi edhe përcaktimi për pasurinë.
Allahu i Madhëruar ka thënë:
…Ne kemi përcaktuar ndër ta gjendjen e jetës në këtë botë…“ (ez-Zuhruf, 32)
Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] ka thënë: “Vërtetë, Allahu ka ndarë me jush – ka caktuar moralet tuaja, ashtu siç ka caktuar furnizimet tuaja!”
Një gjë të tillë, Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!], na e mëson edhe në raste tjera. Në hadithin të cilin e transmeton Imam Muslimi nga Ibni Mes’udi [Allahu qoftë i kënaqur me të!], Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] thotë: “…pastaj (derisa foshnja është në barkun e nënës, në ditën e 120-të) i dërgohet meleku, i cili e frymëzon me shpirt dhe urdhërohet me katër gjëra: me shkrimin e furnizimit të tij, vdekjes, punës dhe se a do të jetë i pikëlluar apo i lumtur…”
Kjo gjë ka rëndësinë e vet, ngase njeriun do ta pengojë nga kërkimi i furnizimit në gjëra të ndaluara, por, nuk do të duhej të merrej ekstremisht, ngase kësisoj do të keqkuptohej dhe për pasojë do të kishte gjëra, si papunësia, prej të cilave feja është e pastër. Ky hadith nuk thërret për ta braktisur punën, përkundrazi. Besimtari duhet të punojë, të angazhohet, të kërkojë furnizimin me çdo mjet dhe mënyrë të ligjshme dhe vetëm të ligjshme, ngase ai nuk do të vdes pa realizuar atë që ka caktuar Allahu për të. “Vërtetë, Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) më frymëzoi në shpirtin tim se askush nuk do të vdesë pa plotësuar paraprakisht furnizimin e tij, andaj, t’ia keni frikën Allahut dhe kërkojeni furnizimin me të mirë!”
Një element tjetër i konceptit islam për fitimin, e që flet për përsosmërinë e Islamit si fe, është edhe vënia e kritereve për botëkuptimet e fitimit. Kamata, kjo sëmundje që po vret, nuk është sikur tregtia, ani pse, sipërfaqësisht, elementi i ‘pëlqimit’ demonstrohet në shitblerje – tregti dhe në kamatë. Kamata është padrejtësi, është shtypje e të varfërve, është armë e shkatërrimit në masë të humanizmit dhe solidaritetit shoqëror. Nga këtu, Allahu ua përkujton njerëzimit parimin e dallimit ndërmjet fitimit të lejuar dhe atij të ndaluar, e thotë:
Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: “Edhe shitblerja nuk është tjetër, por njësoj sikurse edhe kamata”! E All-llahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën… “ (el-Bekare, 275)
Jo vetëm kamata, por çdo formë tjetër e fitimit që bëhet duke shkelur kriteret e parapara, konsiderohet e pavlefshme. Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] kishte kaluar pranë një shitësi ushqimesh, i cili kishte fshehur të metat e artikujve të tij ndërsa kishte shfaqur vetëm elemente të mira. Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] e futi dorën në ushqim dhe pa se ishte i lagur. Ç’është kjo? – e pyeti. E ka lagur shiu – iu përgjigj njeriu. Po atëherë pse nuk e ke vënë këtë sipër – itha ndërsa shtoi edhe këto fjalë që janë si rregull fetar: “Ai që na mashtron ne, nuk është prej nesh!”
Koncepti për fitimin ka dhe një karakteristikë tjetër. Fitimin, në raste të caktuara, edhe nëse është në përputhje me rregullat teknike, e sheh si të dështuar kur ai pushton njeriun aq sa e bën të harrojë edhe adhurimin. Ky nuk quhet fitim. Fitimi, në fakt, do të duhej të ishte motiv për të shumuar rrugët, në mënyrë që të vihet tek fitimi më i madh, kënaqësia e Allahut, ndryshe, humbja e këtij ideali për besimtarin, është humbje që nuk kompensohet me asgjë. Allahu ka thënë:
Po, kur ata shohin ndonjë tregti ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: “Ajo që është tek All-llahu është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e All-llahu është furnizuesi më i mirë!”“ (el-Xhumua, 11)
Ta humbasësh Xhennetin, është humbja më e madhe që mund ta pësosh. Por jo vetëm Xhennetin, mashtruesit do të humbasin edhe dynjanë. Edhe fitimi, për të cilin sakrifikojnë kaq shumë, pra edhe me Xhennet, do t’iu humb. Allahu ka thënë:
All-llahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën, All-llahu nuk e do asnjë besëprerë dhe mëkatar.“ (el-Bekare, 276)
Zhdukja e kamatës –kanë thënë dijetarët- ka kuptimin e humbjes së bereqetit të asaj që është fituar prej kamatës. Njerëzit e tillë, sado që të kenë fituar pasuri të shumta, i sheh gjithnjë duke vrapuar pas saj, sikur i kanë shpirtrat e varfër. Ata, edhe më keq, do t’i humbasin lidhjet me Allahun. Ata do të privohen nga kjo që kanë nevojë më së shumti për të. lutjet e tyre do të refuzohen nga Allahu. Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] ka thënë:
“Allahu është i mirë dhe nuk pranon tjetër përveç të mirës, dhe Allahu ka urdhëruar besimtarët me atë, me të cilën i ka urdhëruar edhe të Dërguarit (Pejgamberët). Thotë Allahu i Madhërishëm: “O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira.“ (el-Mu’minun, 51). Po ashtu thotë: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë.“ (el-Bekare, 172). Pastaj –vazhdon transmetuesi- (Pejgamberi) përmendi njeriun, i cili udhëton gjatë; flokëshprishur, i ngrit duart kah qielli (e lutet): O Zoti im! O Zoti im!, ndërsa ushqimin e ka haram, pijen e ka haram, është ushqyer nga harami, andaj si t’i përgjigjet (plotësohet duaja) të tillit?!”
Do t’i refuzohet lutja në këtë botë ndërsa në botën tjetër do të ndëshkohet. Pejgamberi [paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të!] ka thënë: “Për çdo mish (shëndet) të fituar nga kamata, zjarri do të jetë më meritori për të (djegien e tij).”
Allahun e lusim të na mbrojë nga çdo gjë që tërheq pas vete hidhërimin e Tij!

_______________________________________
Hadithin e transmetojnë Imam Ahmedi në Musned dhe Imam Buhariu në Edebu-l-mufred ndërsa Shejh Albani në Es-silsiletu-s-sahihah, 2714, e vlerëson autentik.
Albani në Mushkiletu-l-fakr, nr. 15, thotë se është autentik.
Hadithin e transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij, nr. 102, Tirmidhiu në Sunen, nr.2224 dhe Ibni Maxheh në Sunen, nr. 1315.
Hadithin e transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij.
Albani në Sahihu-l-xhami, 4395, e vlerëson autentik.

Burimi