Në ditët e fundit të vitit 2019, shoqëria shqiptare u bë dëshmitare e një padrejtësie të pabesueshme: shtrëngimin e Agron Tufës dhe familjes së tij për të lënë vendin dhe për të kërkuar strehë politike në një vend europian. Dhe Agron Tufa është jo vetëm një poet i madh i gjuhës shqipe dhe autor i romaneve të jashtëzakonshme “Fabula rasa” dhe “Mërkuna e zezë”, por në momentin e kërcënimeve ndaj familjes së tij ishte edhe funksionar i lartë i shtetit shqiptar, si drejtor i një agjencie parlamentare për studimin e krimeve të komunizmit.
Në fakt, dhuna e ushtruar ndaj Agron Tufës është një dhunë e ushtruar ndaj gjithë shoqërisë shqiptare dhe nuk kemi parasysh këtu dhunën në nivel pragmatik që intimidon dëshmitarin, por dhunë më bazike, në nivel politik: dhunë për të frikësuar këdo që vë në rrezik pushtetin e së majtës historike shqiptare. Sepse me siguri që bëhet fjalë për një çështje dominimi dhe pushteti, përderisa grupi i shoqërisë shqiptare, që koniunkturalisht doli fitues nga L2B, vazhdon me agresivitet që të drejtën e vet të pretenduar për ta dominuar shoqërinë shqiptare, ta legjitimojë ende përmes kësaj lufte. Me siguri që ndërmarrja e këtij legjitimimi anakronik është shenjë e paaftësisë së këtij grupi për të ofruar ide dhe vizion për zhvillimin e shoqërisë shqiptare të pasviteve ’90, por duke pasur parasysh se në thelb kjo nuk është vetëm paaftësi e së majtës shqiptare, por edhe e grupeve të tjera të shoqërisë shqiptare, këtë konstatim e lëmë mënjanë, ndoshta për ta trajtuar një herë tjetër.
I. Këtu është e domosdoshme të përpiqemi të shpjegojmë si çështje të dorës së parë agresivitetin në rritje në ligjërimin publik të së majtës historike shqiptare dhe skandalin e shkujdesjes së saj për të reflektuar mbi dëmet e shkaktuara në përgjithësi ndaj shoqërisë dhe krimet ndaj segmenteve të caktuara të kësaj shoqërie. Duke u vënë menjëherë emrin e vërtetë gjërave që po flasim: në të vërtetë, potenciali që një luftë e kryer 80 vjet më parë të prodhojë ende motivacion për ballafaqim mes grupeve, është provë e mjaftueshme se para se të jetë një Luftë Çlirimtare (apo më saktë, fakti që ajo ishte edhe një luftë çlirimtare), tregon natyrën e saj prej një lufte civile, pra, të një lufte për dominim dhe pushtet mes dy grupeve të së njëjtës shoqëri. Kjo luftë u bë në situatën e ndërlikuar të pranisë së trupave të shteteve të huaja brenda territorit shtetëror shqiptar, por edhe në kushtet e një lëvizjeje politike globale si Internacionalja Komuniste dhe Kominterni, që shndërronin në çështje jo vetëm sovranitetin dhe lirinë kombëtare, por edhe vizionin për shoqërinë dhe formën e qeverisjes. Këto dy çështje u ngërthyen me njëra-tjetrën, praktikisht në të gjitha vendet e përfshira në L2B dhe nga sa dimë nga historia e pas 1945-ës, çështja e zgjedhjes ideologjike të vizionit për shoqërinë dhe formën e regjimit nuk qe për asnjë moment çështje ballafaqimi dhe konkurrimi, por çështje e koniunkturës gjeopolitike: vendet që u lanë në zonën e influencës sovjetike zgjodhën një vizion të ri për shoqërinë, të pazbatuar më parë, mbështetur në njësimin e shoqërisë me shtetin, kushtëzimin e zhvillimit përmes efikasitetit të luftës së klasave, derogimin e pronës private, tregut të lirë dhe bindjeve fetare, ndërsa vendet që u lanë në zonën e influencës amerikane mbajtën vizionin e mëparshëm për shoqërinë, në të cilin shteti është një rregullator i proceseve të natyrshme, ku përfshihet shoqëria, ku njihen dhe mbrohen me ligj e drejta e opinionit, e besimit, e pronës dhe tregut të lirë.
Në momentin që s’ka asnjë dyshim se ç’ndodhi gjatë viteve 1943-1944 ishte një luftë civile, atëherë çdo përpjekje për ta mjegulluar apo aq më tepër mohuar këtë fakt, jo vetëm është një strategji manipulative legjitimimi e së majtës shqiptare, por edhe një modul konfondues i marrëdhënies së shoqërisë shqiptare me të vërtetën e të qenit të saj. Në këtë kuptim nuk është urgjente, por thjesht e pashmangshme, të merremi me efektet dhe kuptimet e kësaj lufte civile, në dy periudhat e tjera që e pasuan: Diktatura dhe Tranzicioni.
Një luftë civile si luftë brenda llojit për definicion është shumë më e ashpër se një luftë për territor dhe dominim. Po ashtu, një luftë civile është shumë më tepër me natyrë përfundimtare, pasi kjo luftë nuk e toleron maturinë dhe ekuivokun. Prandaj, si rregull, kur një luftë civile pas shumë peripecish përmbyllet, dominimi i palës fituese shfaqet solid dhe jetëgjatë: nuk ka shumë vend që pala humbëse të shpresojë për rikthim apo rivalitet, ngaqë fuqia e palës që fitoi ka tendencën të rritet dhe bashkë me të rriten edhe mundësitë për survejim dhe kontroll të palës së mundur. Dhe me kalimin e kohës dhe ndërrimin e brezave, rezultatet e kësaj lufte bëhen gjithmonë e më të natyrshme duke u ngulitur në natyrën e gjërave.
Ky është rregulli, kurse përjashtimi është që, ose si pasojë e një përmbysjeje koniunkturale jashtë shoqërisë ku u zhvillua lufta civile, ose si pasojë e një nekroze të paparashikueshme të palës që fitoi luftën, ose si pasojë e një vitaliteti të paparashikueshëm të palës që humbi luftën, të kemi një rikthim pretendues të palës që doli e humbur nga lufta, pa u konsumuar deri në fund faza paslufte që do të çonte në devirilizimin përfundimtar të palës humbëse. Nëse ky rikthim i rrallë ndodh si pasojë e virilitetit të pashembullt të grupit që humbi luftën, atëherë ky rikthim është në thelb një revansh: pala e rikthyer do të bëjë të njëjtën gjë, pra, do ta pasojë fitoren e vet me një periudhë represive deri në skartimin politik të palës humbëse- historia do të fillojë nga e para. Por nëse rikthimi ndodh prej gjeopolitikës apo degradimit së palës fituese, atëherë ky rikthim, duke mos qenë dot revansh, i mbetet të jetë veç një rehabilitim-historia nuk fillon nga e para, por sidoqoftë s’mund të mos revizionohet.
Posa domosdoshmëria e këtij revizionimi bëhet akute, krijohet një tension strukturor mes tri fazave të njëpasnjëshme të historisë së afërt të së njëjtës shoqëri: Lufta Civile, Paslufta Represive, Tranzicioni. Mënyra sesi do t’u jepet kuptim dhe vlerë, negative apo pozitive, secilës prej këtyre fazave, do të përcaktojë dhe marrëdhëniet në vazhdim mes palëve në konflikt dhe, përmes kësaj, edhe mbarëvajtjen e mbarë shoqërisë.
Nuk mund të mos vërehet prania e një formule: epërsinë dhe për pasojë përparësinë do ta përcaktojë se cili prej dy grupeve, grupi i përmbysur apo grupi i rehabilituar, do të arrijë t’i japë kuptim favorizues për veten dhe defavorizues për tjetrin, dy prej këtyre fazave historike, duke e dorëzuar si të pambrojtshme fazën që mbetet.
Sepse në kushtet kur rikthimi është një rehabilitim dhe jo një revansh, mundësia për një epërsi totale, pra, për përvetësim të të tria fazave, nuk ekziston, nga ku derivon menjëherë si një rregull i pashmangshëm, që secila prej palëve që kërkon dominim semantik të të tria fazave, është duke i shpallur praktikisht luftë tjetrës, duke mos i njohur asaj asnjë arsye të vlefshme të qeni.
Po ashtu, menjëherë si rregull i pashmangshëm shfaqet pamundësia për t’i dhënë vlerë pozitive fazës së dytë – pasluftës represive: rikthimi apo në njëfarë mënyre ringjallja e grupit të humbur, mu në mes të procesit të ndërmarrë nga grupi fitues, për ta sterilizuar deri zhbërë atë, pra, kjo kapje në kohë reale në krim, e bën të pambrojtshme gjithë çfarë ka ardhur pas luftës. Për pasojë, lufta e ftohtë mes dy grupeve mbetet të bëhet për dy fazat e mbetura: grupi i rehabilituar për të dominuar semantizimin edhe të njërës prej tyre (me qëllim për të dominuar dy me një në ndarjen e tri fazave historike), kurse grupi i përmbysur për të dominuar semantizimin e të dyjave fazave të mbetura, me të njëjtin qëllim, për të dominuar dy me një ndarjen e fazave historike.
Po ashtu, në rangun e një rregulli shfaqet edhe fakti që dominimi i semantizimit të tranzicionit korrespondon me palën që fiton zgjedhjet, pra, nuk është një dominim përfundimtar, por që kalon nga njëra palë te tjetra.
II. Do ta tregojmë përmbushjen e kësaj formule në realitetin e shoqërisë shqiptare, por vetëm pasi të paraqesim atlasin e mundësive që dy palët e luftës civile patën pas Pasluftës Represive dhe në fillim të tranzicionit. Pas vitit 1990, pala që kishte humbur luftën civile, e shtresëzuar edhe me grupin e të dëmtuarve nga regjimi gjatë fazës së Pasluftës Represive, duke qenë se përmbysja e rendit të pushtetit erdhi nga gjeopolitika dhe nekroza e palës në pushtet, e gjeti veten në kushtet e rehabilitimit dhe jo të revanshit (pra, ishte më në fund e papërndjekur dhe e lirë, por jo e fortë dhe e organizuar).
Po të ishte rikthyer përmes revanshit, mundësitë do të ishin dy: ose do t’ia rikthente represionin me represion grupit të përmbysur, ose do të dënonte vetëm krerët dhe ekzekutorët e drejtpërdrejtë të represionit, duke e toleruar në tërësi grupin dominues të Luftës Civile dhe Pasluftës Represive.
Kurse rikthimi përmes rehabilitimit do të thoshte se ky grup, i cili kishte në favor faktorin gjeopolitik, dështimin e padyshimtë të sistemit, nekrozën dhe pafuqinë reaguese të lidershipit të regjimit, për këto arsye do t’i duhej vetëm të kishte vizion të qartë për çfarë kishte ndodhur dhe si mund të rikthehej natyrshmëria e shoqërisë dhe shtetit shqiptar, si dhe njerëz të zotë, që të fitonte zgjedhjet dhe të fitonte pushtetin. Vetëm plotësimi i njëkohshëm i këtyre kushteve mund ta garantonte këtë sukses, që në thelb do të thotë se suksesi rrezikohej vetëm nga pamundësia e dy faktorëve të fundit, pasi tre të parët, tashmë pas tridhjetë viteve, dihet me siguri që ishin ndërkohë të garantuar. Por duke qenë se faza represive ndaj tij zgjati për dy breza, ky grup nuk mund të kishte as vitalitetin, as organizimin e duhur për të marrë natyrshëm radhën e pushteti.
Gjithsesi, në emër të së drejtës së vet morale që buronte nga persekutimi, ky grup sërish mund të synonte të fitonte zgjedhjet dhe pushtetin edhe pa vizion dhe material njerëzor, duke pasur edhe në këtë rast probabilitet të mirë për të fituar pushtetin, por me siguri probabilitet shumë të vogël për ta mbajtur dhe ushtruar atë. Ne e dimë se për fat të mirë, ky grup në këto kushte, as nuk e synoi këtë aventurë.
Pas djegies së këtyre dy mundësive në kushtet e rehabilitimit, çfarë i mbetej këtij grupi ishte ose të hiqte dorë nga protagonizmi politik dhe nga gara për pushtet, duke mbetur për inerci një grup i parëndësishëm i shoqërisë shqiptare, ose t’i bashkëngjitej një force politike të re, e cila përfaqësonte aspiratën mbarëpopullore për rrëzimin e sistemit të vjetër dhe ngritjen e një sistemi të ri. Duke shpresuar që përmes kësaj force të kontribuonte në këtë proces dhe t’i jepte vetes si grup mundësinë të rimëkëmbej. Pra, rikthimi përmes rehabilitimit, për fat të keq të këtij grupi, e bëri të pashmangshme detantën si marrëdhënie mes dy palëve të Luftës Civile, në kushtet e reja të pas Pasluftës Represive.
Nga ana tjetër, grupit të persekutorëve, njëkohësisht ushtruesve të pushtetit të dhunshëm ndaj mbarë shoqërisë shqiptare dhe sidomos ndaj grupit të parë, nëse do të ishte përmbysur prej revanshit të të persekutuarve, do të kishte këto dy mundësi: nëse grupi i rikthyer do t’ia kthente represionin me represion, atëherë do t’i lejohej gjithçka të mundte si çdo grup që duhet të mbijetojë në kushte terrori, por nëse grupi i rikthyer do të dënonte vetëm ideatorët dhe ekzekutorët e represionit të Pasluftës, atëherë mbarë grupi që fitoi Luftën e Parë Civile, dhe tashmë i përmbysur e në kushtet e mundësisë për t’u rilegjitimuar, vetëm pas një kohe të gjatë do të duhej ta shihte këtë kohë si një bekim për të kërkuar falje dhe për të reflektuar, për të qetësuar viktimat e represionit dhe për të pranuar se mosmëtimi për pushtet është e vetmja rrugë për të qetësuar ndërgjegjen. Pra, përmbysja jo prej një revanshi, për fat të mirë të grupit që ushtroi represionin e Pasluftës, e bënte të pashmangshme detantën, në kushtet e reja të tranzicionit
Kurse, siç edhe u përmbys nga gjeopolitika, në kushtet e vetëm një rehabilitimi të grupeve që pati persekutuar, ky grup ende kishte si mundësi të njëjtë të distancohej nga persekutimi dhe represioni, të kërkonte ndjesë dhe t’u jepte gjithsesi një mundësi për revansh këtyre grupeve, duke e konsideruar si një të drejtë të natyrshme të tyre marrjen e drejtimit të mbarë shoqërisë shqiptare. Siç kishte edhe mundësinë të mbronte me këmbëngulje drejtësinë e represionit të Pasluftës dhe në këtë rast do të tërhiqte zemërimin e gjithë shoqërisë, do të dëmtohej dhe praktikisht do të humbte çdo mundësi për t’u kthyer në pushtet (mundësia më e keqe për të). Ose mundësinë e tretë, të distancohej për sy e faqe, të ndryshonte për syte e mundur të përfshihej në garën e përhershme të grupeve për të fituar pushtetin mbi të gjithë shoqërinë, mundësi, në fakt, që na rezulton se edhe e ndoqi (kjo e fundit, mundësia më e keqe e mundshme për mbarë shoqërinë). Nga parashtrimi i mësipërm rezulton se në kushtet e një rehabilitimi dhe jo një revanshi, grupi i të persekutuarve, mes rrugëve që iu ofruan, ndoqi më të mirën e mundshme për veten dhe mbarë shoqërinë, kurse përkundrazi grupi i persekutorëve ndoqi mes rrugëve të mundshme, më të keqen për shoqërinë në funksion të rikthimit të vet.
III. Vetëm tani jemi në gjendje që gjithë sa thamë ta shpjegojmë me anë të formulës së paraqitur më lart (duke rikujtuar paraprakisht se tentativa e cilësdo palë, që dominimin e vet ta kalojë nga dy me një në tre me zero, është praktikisht refuzimi i detantës dhe shprehje gatishmërie për rikthim në luftë civile).
Dhe tentativë të tillë kanë bërë të dyja palët: kur PD fitoi zgjedhjet e 1992, në aleancë me grupin që humbi Luftën Civile dhe që pësoi represionin e Pasluftës, pasi në mënyrë të natyrshme përvetësoi semantizimin edhe të Pasluftës edhe të tranzicionit, kërkoi në mënyrë agresive (mjafton të kujtojmë debatin shterpë për 29 Nëntorin), të përvetësonte edhe semantizimin e L2B, duke synuar dominim total të palës tjetër. Por detanta e pashmangshme, që përmbysja e regjimit nuk erdhi përmes revanshit, nuk e mundësonte një dominim të tillë. Ndërsa PS, duke konfirmuar pa mëdyshje papranueshmërinë e Pasluftës Represive, por duke mos kërkuar falje asnjëherë (qoftë edhe në emër të fondit elektoral që trashëgoi nga Partia e Punës), kapërceu raportet e formulës, sepse implikoi që në semantizimin e Pasluftës është po njësoj kontribuuese si dhe pala tjetër, gjë që bën që me çdo ardhje të PS në pushtet, ajo të marrë automatikisht edhe tranzicionin dhe nëse tregohet agresive në semantizimin e L2B, të marrë edhe këtë të fundit, duke shkuar te një dominim total tre me zero.
Këto tentativa kufishkelëse sugjerojnë një rikthim të ndershëm te formula: kur gjatë tranzicionit është në pushtet PD si parti në aleancë me të dëmtuarit nga Paslufta Represive, do të duhet të mos synojë dominimin e diskursit politik për sa i përket L2B (pa pushuar asnjëherë së bëri këtë në nivelin e diskursit shkencor). Sepse duhet të pranojë se komunistët i rrëzoi nga pushteti rënia e Murit të Berlinit dhe jo një revansh (aspak i tepërt nëse do të ndodhte) i grupeve nën represion të shoqërisë shqiptare. Nga ana tjetër, PS duhet jo thjesht të konfirmojë terrorin e Pasluftës Represive, por duhet të kërkojë ndjesë për të, aq më tepër kur është në pushtet. Dhe aq më tepër kur është në pushtet dhe nuk e ka kërkuar ende këtë ndjesë, nuk mund të kërkojë me agresivitet në diskursin politik semantizimin e L2B. Sepse ajo duhet të pranojë se qe vetëm pasojë e terrorit dy brezësh ushtruar nga ata, prej të cilëve ka trashëguar fondin elektoral, që grupeve nën represion iu bë e pamundur të shfaqeshin në vrullin e një revanshi.
Në këtë kuptim, prej formulës derivon që secila prej dy partive, kur është në pushtet, duhet t’ia ndalojë vetes semantizimin politik të L2B dhe ta tolerojë grupin tjetër brenda detantës së tranzicionit që të bëjë pikërisht këtë që i ndalon vetes (përpos kësaj, PS që të përfitojë këtë reciprocitet me PD, e cila është partia në aleancë me grupin e rehabilituar pas Pasluftës, duhet edhe të kërkojë ndjesë për represionin e Pasluftës, për aq sa trashëgoi potencialin politik të Partisë së Punës)
Sepse grupi i të persekutuarve, gjatë Pasluftës Represive, u dëmtua aq rëndë në materialin e tij njerëzor, sa rivendosja e ekuilibrave brendapërbrenda shoqërisë shqiptare do të kërkonte një kalim të vullnetshëm të së drejtës për revansh te ky grup, siç e kemi treguar në shkrimin tonë “Revansh”, botuar në këtë gazetë në nëntor të vitit 2016.
Nën këtë perspektivë bëhet e qartë se sa i paskrupullt qe agresioni verbal ndaj Agron Tufës si përfaqësues i grupeve që pësuan represionin e Pasluftës, ushtruar nga përfaqësues atavikë të së majtës në pushtet: edhe sikur Agron Tufa të ishte përfaqësues i PD-së, sipas imperativit të formulës, ishte duke kontribuar për mosshkeljen e detantës si tentativë ende në proces të PS-së në pushtet.
Por e vërteta është ende më e qartë se kaq. Në krye të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa ishte si përfaqësues i grupit që i mbijetoi represionit të Pasluftës dhe si i tillë dha si provë atë që do të duhet të uronim të gjithë si shoqëri: rigjenerimin e këtij grupi pas terrorit dybrezësh. Nëse shoqëria nuk bëri asgjë për të mundësuar rigjenerimin e njërit prej grupeve të saj, të paktën të përshëndeste shenja të këtij rigjenerimi: Agron Tufa shfaqet si maja e diamantit të grupeve nën represionin e Pasluftës. Sepse Agron Tufa, me hulumtimin dhe botimin e literaturës së përkthyer a shkruar gjatë represionit nga të persekutuarit, me iniciativat për dekomunistizimin e ligjërimit publik shqiptar, me denoncimin e kthimit të organikës së SSH-së në strukturat e pushtetit të sotëm, me zbulimin e së vërtetës së frikshme të kampit të Tepelenës dhe deri me padinë në gjyq për eksponentë të Represionit të Madh të Pasluftës, në kushtet kur fluksi politik i grupit të tij nuk e dominon tranzicionin dhe ia kanë relativizuar epërsinë e semantizimit të Pasluftës, vetëm sa zbatoi imperativat e formulës në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe pasi e ka bërë këtë në rrafsh individual, me retorikën e lartë të gjithë krijimtarisë së vet letrare, e bëri edhe në rrafsh institucional duke e impostuar brenda një metodike të lartë punën e institutit që drejtonte, duke u shfaqur njëherazi si maja e diamantit të grupit të rehabilituar pas Pasluftës, por edhe si emancipues i mbarë shoqërisë shqiptare.