Prej gjërave të cilat beson myslimani është se Allahu vepron çka dëshiron . Po ashtu, prej gjërave që myslimani është i bindur në to është se Allahu nuk i bënë padrejtësi askujt. Njeriu në këtë botë sprovohet me të mira dhe me të këqija: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni” (Enbija’35). “Ne i vumë në provë ata me mirësi dhe fatkeqësi, me qëllim që të ktheheshin (në rrugë të drejtë). (A’raf 168).
Njeriu sprovohet me të mirën , që të bëhet e qartë se sa po e falënderon Allahun për të mirat që Ai ia dhuroi, dhe sprovohet me të keqen që të bëhet e qartë se sa po është në gjendje të duroj me atë sprovë që është goditur. Këto janë dy rrugët që ndihmojnë njeriun në arritjen e kënaqësive të Allahut, në afrimin te Ai. Sikur që për mes këtyre rrugëve njeriu mund ta arrij hidhërimin e Allahut. Allahu e sprovoi Sylejmanin alejhi selam me të mira. E bëri sundimtar të botës. Ia nënshtroi të gjitha krijesat, xhinët, njerëzit, kafshët, shpezët, retë të gjitha ishin nën sundimin e tij. Por ky pushtet i tij veç sa e forcoi raportin me Zotin e tij edhe më shumë. Pas gjithë këtij sundimi ai tha: O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!” (Neml 19). Pas kësaj Allahu i dha Sylejmanit këtë epitet: “Një rob të mrekullueshëm. Ai i drejtohej gjithnjë me pendesë Zotit! (Sad 30). Ndërsa e kundërta ishte me Faraonin. Ai me sundimin e tij e arriti hidhërimin e Allahut. Sundimi atë e bëri arrogant, mendjemadh, të pa drejtë. Duke u mashtruar me sundimin e tij, ai iu drejtua popullit të tij: “Dhe Faraoni tha: “O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje! (Kasas 38). Në fund Allahu thotë për ta: “Faraoni dhe ushtria e tij u sollën me arrogancë dhe padrejtësisht në tokë, duke menduar se nuk do të ktheheshin te Ne. Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve! (Kasa 39,40).
Ndërsa në anën tjetër Allahu sprovoi Ejubin alejhi selam me sëmundje, sëmundje shumë e rëndë. Sëmundje e cila shkaktoi ndarjen e tij nga familja, humbjen e pasurisë, dëbimin e tij nga qyteti nga frika e shpërndarjes së kësaj epidemie te të tjerët. Ejubi alejhi selam duroi, nuk u luhat në besimin e tij, nuk mendoi keq për Zotin e tij. Përkundrazi, sëmundja e forcoi edhe më shumë. U bë u durueshëm dhe me këtë arriti kënaqësinë e Allahut, arriti gradën e lartë te Allahu, mori epitetin njeriut më të mrekullueshëm të Allahut. Ja se si e cilëson Allahu këtë rob të tij: “Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti! ( Sad 44). Si rezultat i këtij durimi, Allahu e shpërbleu edhe në këtë botë para se ta marr shpërblimin te Allahu në botën tjetër: “Ne ia kthyem atij familjen dhe dy herë më tepër, si mëshirë prej Nesh dhe këshillim për mendarët ( Sad 43).
Sprova për besimtarin është matësi më i mirë i besimit të tij. Shumë prej neve besimtarëve pretendojmë afërsinë te Allahu, pretendojmë dashurinë ndaj Tij. Kemi dëshirë të jemi më të afërtit e Zotit. Allahu e sjell sprovën që të qes në sheh pretendimet tona. Allahu thotë: Elif, Lâm, Mîm. Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë (Ankebut 1-3).
Myslimani nuk ndryshon në besimin e tij, si do që të jetë situata dhe gjendja e tij. I Dërguari i Allahut thotë: “ Jam i habitur me çështjen e besimtarit. Të gjitha çështjet e tij janë në të mirën e tij, dhe kjo nuk i takon askujt përveç besimtarit. Nëse e godet një e mirë, ai e falënderon Allahun dhe kjo është në të mirën e tij. Nëse e godet ndonjë e keqe, bënë durim dhe kjo është në të mirën e tij”. Shumë prej njerëzve, kur janë në gjendje të rehatshme, e falënderojnë Allahun. Por, në momentin e ndonjë problemi, apo sprove, e gjen duke menduar keq për Allahun, duke u largu prej adhurimit. Nuk llogaritet besimtarë ideal ai i cili ndryshimet dhe sfidat e tij të kësaj bote ndryshojnë edhe raportin e tij me Krijuesin e tij.
Sprova është prej ligjeve të Allahut në këtë gjithësi. Ligjet e Allahut në këtë gjithësi janë të mbushura me sekrete dhe fshehtësi. Nga një herë ato sekrete na bëhen të qarta për ne, e nga njëherë nuk mund ti zbulojmë të gjitha në këtë botë.
Prej sekreteve të ligjit të sprovës është që të dallohet e mira nga e keqja, të mirin nga i keqi. Allahu thotë: “Që Allahu të veçojë të keqin nga i miri” (Enfal 37). Pra, që të dallohen të mirët nga të këqijtë dhe të pastrohen radhët e njerëzve duhet të ndodhë ndonjë sprovë në mesin e tyre, që i miri mos të shpresoj në të keqin dhe i keqi mos të silet me njerëz se është i mirë.
Sekreti i ligjit të sprovës po ashtu mund të jetë edhe si dënim i asaj që veprojnë njerëzit prej veprave të liga, mohimin e Allahut, përhapjen e fesadit në tokë, bërjen e mëkateve. Me këtë sprovë zakonisht janë goditur jo besimtarët dhe ata të cilët luftuan rrugën e Zotit,a ta të cilët kundërshtuan pejgamberët e Allahut, dhe kjo sprovë është dënim nga Zoti. Allahu thotë për ta: “Ne i dënuam kështu si pasojë e mosbesimit dhe e mosmirënjohjes së tyre. Vallë, a dënojmë Ne tjetërkënd, përveç mosmirënjohësve? (Sebe’17).
Sekreti i ligjit të sprovës është gjithashtu edhe ngritje e shkallëve të besimtarit, shlyerje e mëkateve. Këto sprova të kësaj fushe kanë të bëjnë vetëm me besimtarin, nëse ai din ti menaxhoj këto momente, duke llogarit me atë sprovë ngritjen në shkalla më të larta te Allahu dhe faljen dhe shlyerjen e mëkateve. Nga ky këndë kuptohet edhe fjala e Pejgamberit i cili thotë: “ Atij që Allahu ia dëshiron të mirën e sprovon”. Ndërsa për shlyerjen e mëkateve na tregon më së miri edhe ky hadith i Pejgamberit: “Nuk ka ndonjë sprovë që e godet besimtarin, përveç se Allahu me atë sprovë do të ja shlyej të këqijat, gjersa edhe thera e cila futet në këmbën e njeriut”. Në hadithin tjetër i Dërguari i Allahut zgjeron edhe më shumë sprovën e besimtarit duke thënë: “nuk e godet myslimanin ndonjë preokupim, pikëllim, lodhje, mundim, gjersa edhe thera që plagoset me të, përveç se Allahu do të ia shlyej me atë sprovë mëkatet”.
Askush nuk mund të shpëtoj nga sprovat në këtë botë. Sikur dikush të shpëtonte nga sprovat në këtë botë, do të shpëtonin pejgamberët e Allahut, njerëzit më të mirë dhe më të zgjedhur në sipërfaqen e tokës. Sikur të meditonim në sprovat e pejgamberëve, hekuri do të shkrihej e fëmija do të thinjët. Ata u sprovuan në fenë e tyre, u sprovuan në jetën e tyre, u sprovuan në trupin e tyre, u sprovuan në nderin e tyre, u sprovuan në shëndetin e tyre, u sprovuan në familjen e tyre. Pejgamberët ishin njerëzit me besimin më të lartë, ishin njerëzit më të dashur dhe më të zgjedhur të Allahut, por, ata ishin edhe njerëzit që më së shumti u sprovuan në këtë botë, që të jenë shëmbëlltyrë për jetën ton.
Allahu është i Butë me robërit e Tij. Nuk i sprovon ata me atë që nuk kanë mundësi ta bartin. Sprova është brenda mundësisë dhe kapacitetit të njeriut. Dhe për këtë besimtari nëse din ta menaxhoj sprovën do të ketë mundësi ta tejkaloj atë në formën më të mirë dhe do të fitoj shumë prej asaj sprove.
Prej faktorëve që ndihmojnë në lehtësimin e sprovës janë:
Njohja e Allahut kur njeriu është në rehati. Nëse ti e njeh Allahun kur je në begati, në rehatllëk, atëherë do ta gjesh Allahun ndihmëtarin më të mirë në momentin e sprovave. E mira kthehet me të mirë. Nëse ti e njeh Zotin tënd kur je në gjendje te rehatllëkut, Allahu do njeh ty kur je në gjendje të vështirë.
Besimi në caktimin e Allahut. Nuk ka diçka që e flladit zemrën, e qetëson shpirtin dhe sjell qetësi shpirtërore në momentin e sprovave më shumë se besimi në caktimin e Allahut dhe nënshtrimin ndaj asaj që ka caktuar Allahu. Nënshtrimi ndaj caktimit të Allahut e largon njeriun nga hidhërimi, nga mos përmbajtja, nga mendimi i keq për Zotin e tij.
Llogaritja në shpërblimin e Allahut. Prej besimit që e ka besimtari ndaj Zotit të tij është se Ai nuk i bënë padrejtësi askujt. Atë të cilin e ka sprovuar dhe e ka privuar nga ndonjë e mirë që nuk i ka privuar të tjerët, Ai do të ja shpërblej këtë. Allahu thotë për durimtarët: Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë” (Zumer 10). Kjo privilegj e shpërblimit është vetëm për durimtarët dhe për askënd tjetër.