RAMAZANI, MUAJ I KUR’ANIT |
|
[Hyrje] Ramazani është muaji në të cilin filloi shpallja e Kur’anit, librit të cilin Allahu i Madhëruar e zgjodhi për njerëzimin si udhërrëfyes për në rrugën e cila garanton lumturinë në të dy botët. Përzgjodhi natën më të mirë, Natën e Kadrit, që ta çelë shpalljen e tij, për të na treguar se mësimet dhe mirësitë me të cilat disponon ky libër janë vërtetë të shumta dhe të pazëvendësueshme, veçmas nëse kihet parasysh misioni përmbyllës që ka Kur’ani. Pra, duke qenë se pas tij më nuk ka shpallje tjera nga qielli, atëherë Kur’ani ngelë absolutisht i pazëvendësueshëm. Allahu i Madhëruar duke na kujtuar këto karakteristika të përgjithshme të Kur’anit thotë: ﴿شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ﴾ “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)…” [Bekare, 185] ﴿ وَأَنْزَلْنَا إِلَيْكَ الْكِتَابَ بِالْحَقِّ مُصَدِّقاً لِمَا بَيْنَ يَدَيْهِ مِنَ الْكِتَابِ وَمُهَيْمِناً عَلَيْهِ ﴾ “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre…” [Maide, 48] Marrë parasysh këto veçori, Kur’ani është libër ndryshe nga librat tjerë fetarë për nga saktësia, mësimet dhe ndikimi. Kjo hutbe në fokus ka dëshmi të cilat provojnë madhështinë e Kur’anit sipas tre fushave të përshkuara më lartë. |
|
[Kur’ani, libër hyjnor] Kur’ani është libër të cilin Allahu ia shpalli Muhammedit a.s., nëpërmjet melekut Xhibril. Roli i Muhammedit a.s. është kumtues dhe shpjegues. Pra, Muhammedi a.s., nuk është autor i Kur’anit, siç gabimisht mendojnë disa[1]. Kur’ani, është libër në përkatësinë hyjnore të të cilit nuk ka dyshim [Bekare, 2]. Atë e shpalli Allahu duke marrë njëherësh përsipër edhe ruajtjen e tij nga çfarëdo ndryshimi a shtrembërimi. ﴿إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ﴾ “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” [Hixhr, 9] |
Ajo që dëshmon se Kur’ani është hyjnor e jo njerëzor është përmbajtja e tij. Në Kur’an, Allahu na bën thirrje t’i referohemi kësaj përmbajtje, sepse saktësia e saj absolute dhe përsosuria e saj prej hyjnoreje dëshmojnë një gjë të tillë. ﴿أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ وَلَوْ كَانَ مِنْ عِنْدِ غَيْرِ اللَّهِ لَوَجَدُوا فِيهِ اخْتِلَافًا كَثِيرًا﴾ “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” [Nisa, 82] Kur’ani nuk ka mjaftuar me këtë thirrje. Për ta dëshmuar se është hyjnor dhe jo njerëzor, ka shpallur sfidë që dikush nga njerëzit ose të gjithë bashkë të angazhohen që t[ sjellin diçka të ngjashme me të, sfidë kjo që vlen deri në përfundim të kësaj dynjaje. Në Kur’an Allahu shpall këtë sfidë. ﴿فَلْيَأْتُوا بِحَدِيثٍ مِّثْلِهِ إِن كَانُوا صَادِقِينَ﴾ “Atëherë le të sjellin një libër të ngjashëm me të, nëse ajo që thonë është e vërtetë!” [Tur, 34][2] |
|
[Kur’ani, libri me udhëzimin më të mirë] |
Veçori tjetër e Kur’anit është përmbajtja doktrinarë e tij. Mësimet e Kur’anit janë më të mirat, më të qëlluarat, më të dobishmet. Ja çfarë na mëson Allahu i Madhëruar: |
﴿إِنَّ هَذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ﴾ “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…” [Isra, 9] |
Komentuesit e Kur’anit kanë përmendur se “më e mira” e përmendur në ajet prefshin tërë atë që gjendet në Kur’an, pra të gjitha mësimet e tij janë absolutisht më të mira, sepse nuk ka gjë në këtë ejtë që na duhet e që Kur’ani nuk e ka përfshirë. ﴿مَّا فَرَّطْنَا فِي الكِتَابِ مِن شَيْءٍ﴾ “…Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë…” [En’amë: 38] [3] Sa për ilustrim: – Kur’ani përmban konceptin më të mirë për besimin në Zot, i cili parashtrohet edhe në mënyrë logjike. P.sh. kur Zoti na mëson se nuk duhet të ketë më shumë se një Zot që qeveris me gjithësinë, na tregon se, logjikisht, prania e më shumë se një zoti, nuk mund të ndodhë sepse do të kishim dy krijues, dy urdhërues, dy ndalues, dy që japin jetë, dy që marrin jetë, gjëra këto që nuk paramendohet të ketë më shumë se një Zot, ndryshe, gjithçka do të shkatërrohej [Kur’ani: Enbija: 22]. – Kur’ani përmban konceptin më të mirë sa i përket balancimit ndërmjet shpirtërores dhe materiales, fesë dhe dynjasë. Besimtari urdhërohet të falet por edhe të punojë [Kur’ani: Kasas: 77; Xhumuah: 10], të jap për të tjerët por edhe ta ruajë pasurinë [Kur’ani: Isra: 29; Furkan: 67], të hajë e të argëtohet por jo të kalojë në nivele shthurje [Kur’ani: A’rafë: 31]. – Kur’ani përmban kodin më të mirë etik, i cili refuzon që besimtari të zbret në nivel të injorantëve [Kur’ani: Al Imran: 133-134; A’rafë: 199]. Përmbajtja e tij etike është ajo që Muhammedi a.s., e shpreh si mision të tij: “Unë jam dërguar për të përsosur vlerat morale.[4]” |
|
[Kur’ani, libër këshillimi] Përmbajtja e Kur’anit e parashtruar me urtësi hyjnore shërben për të këshilluar njerëzit që të drejtohen në rrugën që është më e mira. Mësimet e tij janë aq të fuqishme saqë as gurët nuk mund t’i përballojnë. ﴿ لَوْ أَنْزَلْنَا هَذَا الْقُرْآنَ عَلَى جَبَلٍ لَرَأَيْتَهُ خَاشِعًا مُتَصَدِّعًا مِنْ خَشْيَةِ اللَّهِ ﴾ “Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut…” [Hashr: 21] Ky ajet, siç kanë shënuar komentuesit, është dëshmi për fuqinë ndikuese të Kur’anit, sepse është ndryshe nga fjalët tjera, nga këshillat tjera, nga rrëfimet tjera. Kur’ani pushton njeriun, e tërheq, e me stilin mahnitës e josh, me mësimet e dobishme e përfiton, ndryshon. Dikush nga dijetarët paskësh thënë fare në fund të jetës se po të dinte në fillim për mësimet e Kur’anit dhe urtësitë e tij të panumërta, nuk do të angazhohej me asgjë tjetër. Kur’ani, që nga koha e Muhammedit a.s., e deri në kohën tonë, shumë nga ata që janë njoftuar me Kur’an, e kanë pranuar atë. Madje, edhe sipas UNESCO-s, Kur’ani është libri që më së shumti lexohet në botë. |
|
[Përfundim] |
Nëse Ramazani është muaji i Kur’anit, atëherë ai meriton të jetë prioritet ynë në Ramazan, jo vetëm për ta lexuar, për shpërblim, por edhe për tu ndalur tek këshillat e porositë e tij për të marrë mësim. Allahu na bëftë ithtarë të Kur’anit dhe na lartësoftë me të në dunja dhe ahiret! |
[1] Edhe në të kaluarën, disa e akuzonin Muhammedin a.s. se kinse ai paskësh marrë këtë Kur’an nga të tjerët, pra mohonin atributet hyjnore të tij. Shih Kur’anin: Furkan, 4-6; Nahl, 103.
[2] Shih edhe: Bekare: 23; Hud: 13; Isra: 88.
[3] Shih edhe: Nahl: 89; Isra: 12; Merjem: 64.
[4] Hadithin e shënojnë Ahmedi, Nesaiu dhe Buhariu në Edeb el-Mufred. Albani thotë se është hadith hasen.