Nga hytbeja e kaluar thamë se prej shkaqeve që i Dërguari i Allahut e veçoi këtë muaj (muajin Shaban) është se në këtë muaj ngritën veprat e një viti te Allahu. Melaiket dorëzojnë raportet e tyre te Allahu për veprimin tënd gjatë tërë vitit. Sigurisht se ti dëshiron që kur të ngritët raporti yt te Zoti ti të jesh në gjendjen më të mirë të adhurimit. Dëshiron që raportin tënd vjetor ta përfundosh me agjërim.
Le të jetë kjo një shkëputje nga tema e javës së kaluar për të filluar temën e kësaj jave.

Është mbyllur një raport një vjeçar për të gjithë atë që ti ke vepruar gjatë këtij viti. A nuk do të ishte mirë dhe e dobishme për jetën tonë që këtë raport ta marrim dhe ta analizojmë mirë. Cilat janë rëniet dhe cilat janë ngritjet. A ma shumë je përmend për të mirë apo për të keq në këtë raport? A më shumë është i mbushur me vepra të mira apo me vepra të këqija. Ky raport një ditë do të bëhet publik. Një ditë do të lexohet. Një ditë do të merresh parasysh në bazë të këtij raporti. Ajo është dita kur të dalim para Allahut, në ditën e gjykimit do të dorëzohet raporti para teje. Do të vij raporti ose nga ana e djathtë ose nga ana a e majtë. Allahu thotë në librin e Tij: Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): “Ja, lexoni librin tim! Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.” Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur, në një kopsht të lartë, frutat e të cilit do t’i kapë lehtë. (Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!” Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im dhe të mos e kisha ditur llogarinë time! Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)! Pasuria ime nuk më solli dobi dhe më la fuqia ime!” ( El hakka 19-29). Ky raport do të lexohet para syve tu. Allahu thotë në Kuran: Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” ( Isra’ 13-14). Secili prej neve dëshiron që në këtë raport të gjenden vetëm veprat tona të mira.

Ne në këtë botë dëshirojmë që ti rregullojmë raportet me të tjerët. Angazhohemi që vendi ynë të ketë raporte të mira me vendet tjera. Angazhohemi që ne të kemi raporte të mira me prindërit, të afërmit, me njerëzit në përgjithësi. E pse të mos jetë pjesë e angazhimit ton edhe ndërtimi i raportove të mira me Zotin ton?! Muaji shaban është muaj i përmbylljes së këtij raporti dhe pastaj muaji ramazan është muaj i hapjes së një raporti të ri me vetën tënde.

Sa mirë është që njeriu të hap një faqe te re të jetës së tij, të hap një faqe të re me Krijuesin e tij. Ta ripërtërij jetën me besimin në Allahun, me bindjen dhe mbështetjen te Ai, me pendim të sinqertë te Allahu. Pendimi është fillimi, mesi dhe fundi i rrugës drejt Allahut. Nuk është e vërtetë se pas tridhjetë vite të jetës, apo pesëdhjetë, apo gjashtëdhjetë, kthimi te Allahu nuk vlen. Edhe një ditë nëse të ka mbet nga jeta jote, bëre atë ditë, ditë të kthimit tënd te Allahu, ditë të pendimit, ditë të ripërtëritjes së jetës tënde me besim dhe dashuri ndaj Allahut. Nëse kërkon njeri pa mëkate nuk mund ta gjesh, sepse ai nuk ekziston. “ Çdo birë i Ademit është mëkatarë, ndërsa më i mirë prej mëkatarëve është ai që pendohet”.

Filloje Ramazanin me hapjen e një faqeje të re në jetën tënde. Nuk ke nevojë ta përkujtosh të kaluarën, kur ti je drejtë një të ardhme më të mirë. Por, shiko përpara dhe përpiqu të përmirësosh raportin tënd me Allahun. Dije se mëkatin e parë që e bënë pas pendimit është mendimi se Allahu nuk do ta fal ty atë mëkat.

Njerëzit të cilët dëshirojnë shpëtimin nuk i pengojnë ngjarjet e së kaluarës, edhe nëse janë të shumta. Nuk i ndalojnë pengesat edhe nëse ato janë të vështira.

O ti njeri, ngriu dhe hape një faqe të re të jetës tënde. Jeto botën e tashme jo të kaluarën. Nëse ke dështuar në mësimet tua. Nëse ke bërë ndonjë krim. Nëse ke humb në gara. Mos ju kushto rëndësi të gjitha këtyre. Kalorësi i shpejtë është më së shumti i rrezikuar. Njeriu me synime të larta më së shumti xhelozohet. Çdo njeri që është ngritur ka kaluar nëpër rreziqet e dështimit, por i ka tejkaluar ato.
Fillo një faqe të re të jetës tënde dhe mos u bë rob i të kaluarës. Kush ka thënë se njeriu llogaritet me të kaluarën e tij?! Kush ka thënë se njerëzit e shpëtuar kanë vetëm faqe të bardh të jetës, pa njolla. A nuk ka thënë Zoti yt: “ O birë i Ademit derisa ti më lutesh dhe shpreson në Mua, Unë ti fali mëkatet dhe nuk kam dert aspak. O birë i Ademit sikur mëkatet tua të arrinin retë në qiell, ndërsa ti kërkon falje te Unë, Unë ti fali mëkatet dhe nuk kam dert. O birë i Ademit sikur të sillesh te Unë me mëkate sa rëndësia e tokës, ndërsa ti më takon duke mos më bërë shok Mua në adhurim, do të më gjesh me falje sa rëndësia e tokës”.

Mendoje vetën tënde në momentet e daljes së shpirtit. Mendoje vetën se një ditë do të mbetesh i vetmuar në varrin tënd, pa babë, pa nënë, pa shokë. Mendoje vetën tënde kur do të qëndrosh para Zotit tënd për të dhënë llogari. A do të kesh mundësi me qëndrua në këmbët e tua? Mendoje vetën kur gjymtyrët do të flasin për vetën tënde. Çka do të veprosh nëse në këto momente e humb xhenetin tënd, vendin që Allahu ka përgatitur për ty në xhenet. Dije se nëse ti pendohesh te Allahu, Allahu të gjitha veprat e këqija do ti zëvendësoj në të mira dhe Allahu gëzohet me pendimin tënd.

Por, kjo çështje ka nevojë që ti ta hapësh një faqe të re me Zotin tënd. Ramazani është shansi më i mirë që ti të fillosh një faqe të re, që ti të fillosh një jetë të re, që të prodhosh një jetë më të mirë se ajo që ka kaluar.

Secili prej nesh dëshiron të avancohet në jetën e tij. Nëse je një punëtorë i thjeshtë dëshiron të bëhesh një krye punëtorë. Nëse je shef i një sektori, dëshiron të bëhesh shef i të gjitha sektorëve. Nëse ke përfunduar fakultetin dëshiron të përfundosh edhe magjistraturën. Nëse ke përfunduar këtë dëshiron të përfundosh doktoraturën. Të gjitha këto përpjekje të njeriut janë sfiduese, janë të vështira, por njeriu me angazhimin e tij arrin deri te rezultati. Të gjitha këto angazhime njeriu i bënë me qëllim të avancimit më të mirë në jetën e tij. Raporti yt me Zotin a është pjesë e këtij avancimi? Apo, mos kjo nuk është në agjendën e jetës tënde? Apo ke vendos që raporti me Zotin tënd të jetë në nivel të ultë sikur vitet e kaluara. A hiq nuk po mendojmë që të rrisim standardin edhe në këtë drejtim.

Ramazani është mundësi e ndryshimit tënd. Është mundësi e përmirësimit të raporteve tua me Krijuesin tënd. Është mundësi e hapjes së një faqeje të re të jetës tënde. Është mundësi e avancimit dhe ngritjes më të lart të besimit, devotshmërisë, përsosmërisë shpirtërore, raporteve tua me njerëz etj.
Le të jetë motoja e këtij muaji: “Unë kam vendos të agjëroj Ramazanin. Sepse agjërimi i këtij muaji është obligim dhe përsos shpirtin tim”.

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati