Çdo njeri i ka pasionet dhe dëshirat e veta. Secili vrapon pas pasionit të tij. Zemrën e tij e lidh për atë që e dashuron. Pasioni njeriun mundë ta qoj edhe në shkatërrim, në humbjen e shpresës së jetës, nëse ai është i çorientuar. Ndërsa besimtari i mirëfilltë, pasion të tij ka adhurimin e Krijuesit. Zemra e tij qetësohet atëherë kur përmendet Allahu. Shpirti i tij ngritët atëherë kur ai i përulet Krijuesit të tij.

 

Besimtari në Ramazan gjallëron zemrën e tij. Synimi i zemrës së besimtarit në Ramazan është arritja e kënaqësisë së Krijuesit si dhe përfundimi nga errësirat e mëkateve në dritën e imanit. Parulla e zemrës së besimtarit në Ramazan është: “e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde” ( Ta Ha 84). Për këtë njëri prej të parëve, prej myslimanëve u habit kur dëgjoi një grua e devotshme duke thënë: Për Zotin jam mërzit nga jeta. Sikur të shitej vdekja diku do ta blej atë, nga malli që më ka marr për Zotin tim dhe nga dashuria e madhe. Ky njeriu i tha gruas a je e sigurt prej punës që po e bënë? Tha jo, por dashuria ndaj Tij dhe mendimi i mirë për Të. A mendon se më dënon Zoti kur unë e dua Atë”.

Andaj udhëto me zemrën tënde drejt Allahut. Thotë Jahja b. Muadh. “rruga në këto botë matet me hapa ndërsa rruga e ahiretit matet me zemra”. Jetoje Ramazanin me një zemër, sikur ka lind një zemër e re, zemër e cila është e mbushur me dashurinë e Krijuesit. Zemra e cila është drejtuar ka Krijuesi i Tij, nuk gjen lodhje e as mundim. Për këtë kur Musai udhëtoi për ta kërkuar Hidrin, një njeri që Allahu i kishte dhënë dije që nuk i kishte dhënë Musait, gjatë rrugës ndjeu uri dhe lodhje dhe i tha djaloshit që ishte me të ma jep ushqimin sepse po e ndie vetën të lodhur. Ndërsa kur udhëtoi për takimin me Zotin e tij, takim i cili zgjati tridhjetë ditë dhe pastaj i plotësoi edhe dhjetë të tjera, nuk ndjeu uri e as lodhje. Dallimi ishte se udhëtimi i parë ishte drejt një krijese, ndërsa i dyti ishte drejt Krijuesit. Kështu zemra e njeriut kur udhëton drejt Krijuesit nuk gjen lodhje e as mundi, atë që njeriu e gjen kur udhëton drejt ndonjë krijese.

Ramazani na ka dhënë një shans të mirë në pastrimin e zemrës nga sëmundjet e ndryshme. Ramazani është shans e madhe për akumulimin e zemrës me besim. Është një shans e mirë që ne ta pastrojmë shpirtin ton. Nëse kanë kaluar këto ditë të Ramazanit dhe është humbur kjo shans atëherë mundohu këto ditë të mbetura të Ramazanit që ta mbushim zemrën ton dhe shpirtin ton me dritën e besimit. Ai i cili nuk e gjallëron zemrën e tij në Ramazan kur do ta gjallëroj atë? Ai i cili nuk ka shtuar nga besimi në Ramazan kur do ta shtoj besimin e tij. Abdullah b. Mesudi tha: “ kërkoje zemrën tënde në tri gjëra: “ në dëgjimin e Kuranit, në vendet ku përmendet Allahu, dhe në momentet e vetmisë. Nëse zemrën tënde nuk e gjen në këto vende, atëherë kërko nga Allahu që ta jep një zemër të re. Sylejman Havas thotë: “ Shërimi i zemrës është në pesë gjëra: në leximin e Kuranit me meditim, mos mbushja e barkut së tepërmi, namazi i natës, lutjet në kohën e syfyrit dhe ulja me njerëz të mirë.

Besimtari duhet ta shikoj zemrën e tij se cilit grup i takon. Thotë Ibnul Kajjimi zemrat janë katër lloje: Zemra e mbushur me dritën e imanit, zemër e cila shndritë. Zemra e mbyllur dhe e vulosur, kjo është zemra e jobesimtarit, i cili nuk e njeh Krijuesin e tij. Zemra e kthyer prapë. Kjo është zemra e dy fytyrëshit i cili e ka njohur të vërtetën , por ia ka kthyer shpinën. Dhe zemra të cilën herë mbushet me iman e herë zbrazet. Kjo zemër, fuqia e saj varet nga fuqia e besimit. Ramazani duhet ta edukoj zemrën tënde. Ahmed b. Hanbeli e ka pyetur një dijetar për njeriun i cili njërin prej namazeve e ka harruar për ta falur dhe nuk i bie mend se cilin namaz e ka harruar, çka të veproj në këtë moment? Tha kjo është zemër e cila është e pakujdesshme. Është obligim për të që së pari ta edukoj zemrën e tij.
Ai i cili dëshiron zemër të shëndosh, me agjërimin e tij duhet ta edukoj zemrën e tij. Ai i cili angazhohet për ta edukuar zemrën e tij, Allahu do ta ja mundësoj që edhe veprimet e jashtme ti ketë të mira. Ndërsa kush i ka veprimet e jashtme të mira dhe zemrën e mirë, Allahu do të ja mundësoj udhëzimin në rrugën e Allahut. Allahu thotë në Kuran: Ata që luftojnë ( me vetën e tyre) për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët! ( Ankebut 69).
Me ramazanin, besimtari duhet ti jep jetë zemrës së tij. Thotë Ali b. Ebu Talib:” Allahu në tokën e Tij i posedon disa enë. Prej enëve të Zotit janë zemrat e robërve të Tij. Allahu i mbush vetëm ato zemra që janë të buta, të pastra dhe të fuqishme. Andaj gjallëroje zemrën tënde me përmendjen e Allahut. Përmendja e Allahut për zemrën është sikur ushqimi për trupin. Sikur që trupi nuk e gjen kënaqësinë e ushqimit nëse është i sëmur, ashtu edhe zemra nuk e ndien kënaqësinë e përmendje së Allahut nëse zemra nuk është e lidhur me Allahun. Zemra e cila e do Allahun dëshiron të mbushet me dritën e besimit.

A nuk është koha tash në këtë muaj të bekuar, në këto ditë të fundit të këtij muaji që të përmirësojmë zemrat tona në raport me Allahun? A nuk është koha që ti pastrojmë zemrat tona? Sa ramazana erdhën dhe shkuan, ndërsa ne ende jemi me zemër të pandryshuar. Sa kohë të adhurimeve kalojnë dhe ne ndoshta i praktikojmë dhe shpirtrat tonë ende nuk kanë ndryshuar. Nëse ende nuk jemi penduar, të pendohemi tash. Nëse ende nuk e kemi mbushur zemrën ton me iman, ta mbushim tani. Nëse zemrën tonë nuk e kemi larguar nga e keqja, ta largojmë tani.
Ramazani po kalon në mesin ton. Gjysma e tij vetëm e ka kaluar. Allahu e ka bërë verën, stinën më të nxehtë të viti freski, dhe ky është një argument shumë i fortë që Allahu me këtë dëshiron të na lehtësoj agjërimin.

Nëse edhe në këtë Ramazan nuk e ke ndërmend të ndryshosh, atëherë kur do të ndryshosh? Nëse edhe Ramazani nuk po len ndikimin e tij në jetën tonë, atëherë kush do të ndikoj.
Jemi duke shkuar ka dhjetëshi i fundit i Ramazanit. Dhjetë netët e fundit të Ramazanit i Dërguari i Allahut i ka dalluar nga të tjerat. Këto dhjetë net i Dërguari i Allahut shpeshtonte adhurimin e tij, gjallëronte natën me namaz, e zgjonte familjen e tij për namaz. Edhe ne ti dallojmë këto dhjetë net me adhurim dhe përkushtushmëri më të madhe. Dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë fundi i garës që ti ke filluar në fillim të Ramazanit, është fundi i maratonës tënde, është fundi i arritjes së shpërblimeve të Ramazanit. Andaj, le të garojmë për vendin e parë. Le të garojmë që ti arrijmë këto shpërblime te Zoti ynë. Çmimi i këtyre shpërblimeve është shumë i lartë, e ai është xheneti dhe kënaqësia e Allahut.

Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati