Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Ramazani dëshiron që ne të shikojmë me shpirt

Një tregim (hikaje) thotë se një baba i pasur e çoi djalin e tij në fshat. Ai donte t’i tregonte djalit se sa të varfër mund të ishin njerëzit. Ata i kaluan disa ditë me familje të varfra fshatare. Kur po ktheheshin në shtëpi, babai i tha të birit: “A e ke parë sa të varfër mund të jenë njerëzit”? Për këtë pyetje, djali i dha babait të tij një përgjigje e cila e befasoi. Ai i tha: “Unë i pashë këto: Ne kemi një qen në shtëpinë tonë, ata kanë katër. Përballë shtëpisë tonë ka një pishinë që shtrihet në gjysmën e oborrit, kurse ata kanë një përrua që nuk ka fund. Në kopshtin tonë ka llamba artificiale, kurse në kopshtet e tyre shkëlqejnë yjet. Shikimi ynë arrin deri në gardhin e oborrit , kurse shikimi i tyre e përfshin të gjithë horizontin.” Babai mbeti i hutuar, duke mos ditur se çfarë të thoshte, kurse i biri e përfundoi përgjigjen me fjalët: “Faleminderit baba, që më tregove sa të varfër jemi!”

Shpirti i pastër i fëmijës e pa këtë botë ndryshe. Ai e pa atë ashtu çfarë është dhe gjeti kënaqësi në atë që një njeri i konsumuar nga lakmia në përgjithësi nuk e sheh. Në burimet e fesë sonë, gjejmë ku thuhet se pasuria, pasuria e vërtetë, nuk është në bollëkun e pasurive, por në kënaqësinë e shpirtit.

Po na vjen muaji më i zgjedhur, muaji i vetëm që përmendet në Kuran, ramazani. Po na vjen, ashtu siç vjen shiu i bereqetshëm dhe e ngjall tokën e thatë e të plasaritur dhe, falë shiut, zbukurohet. Po na vijnë; rahmeti, magfireti, mbrojtja nga zjarri dhe drita, që të derdhen me bollëk dhe pa masë mbi ne, që të na freskojnë shpirtin, që të na zgjojnë dhe të na mundësojnë ta shohim botën, që ta shohim këtë botë ndryshe, që ta shohim ashtu siç është në të vërtetë.

Allahu i Plotfuqishëm na thotë se ajo që shohim me syrin e kësaj bote është mashtrim. Na thotë se kjo botë është lojë dhe argëtim. Por ja, këtu është ramazani, këtu janë ditët e bekuara dhe të zgjedhura; që do të na lejojnë ta shikojmë botën me shpirt, me shpirt të pastruar dhe të fisnikëruar; që do të na mundësojnë me atë shikim ta kuptojmë se pasuria e vërtetë nuk është në bollëkun e të mirave të kësaj bote, por në bollëkun e veprave të mira. Pse të varfrit, të varfërit besimtarë, në Ditën e Gjykimit do të jenë grupi i zgjedhur dhe do të jenë të parët që do të hyjnë në Xhenet me Pejgamberin? Sepse kur të zbatohen rregullat dhe kriteret e vlerësimit, ata do të jenë të pasur. Asgjë nga kjo botë nuk do të jetë e dobishme për askënd në botën e ardhshme, prandaj ajo nuk është pasuri e vërtetë.

Ramazani po vjen tek ne për të na udhëhequr tek e Vërteta dhe për të na treguar se çfarë është me të vërtetë e vlefshme dhe çfarë do të jetë e dobishme për ne, kur çdo gjë materiale do të bëhet e pavlefshme. Në ramazan, besimtari nuk e shikon këtë botë vetëm me sy. Shiu i bereqetshëm i ramazanit bie në shpirtin e tij duke e ngjallur atë dhe ai shikon dhe thotë: “Me agjërim; me largim nga ushqimi, nga pija dhe nga kënaqësitë trupore, prej agimit deri në perëndim, unë këte trup, që është veshja ime, e mësoj dhe e ushtroj që të heqë dorë nga çdo kënaqësi që qëndron përtej kufirit të caktuar nga Allahu. Përmes agjërimit, përmes kësaj tërheqjeje nga ushqimi dhe pijet, me këtë stomak të uritur, unë po mësoj që ta kuptoj të uriturin. Ramazani më fut në hallin e tyre dhe më thotë, o njeri, pranë teje ka njerëz të uritur. Do të fitosh shumë të mira, do të fitosh pasuri të jashtëzakonshme, nëse i ushqen ata, nëse i vesh dhe nëse u ndihmon. Ramazani dëshiron, prandaj po vjen, që shpirtrat tanë të shohin, që ata ta shohin këtë botë, sepse ata e dinë se asgjë materiale nuk i ushqen ata. Ushqimi i tyre është kënaqësia, kurse kënaqësia më e madhe e njeriut është kur bën një vepër të mirë. Allahu i Plotfuqishëm, kur flet për jobesimtarët thotë: “… Në të vërtetë, atyre nuk u janë verbuar sytë (në këto gjëra), por u janë verbuar zemrat e veta në kraharor.“ (el-Haxhxh, 46)

Ramazani po na vjen për të na udhëhequr në rrugën e drejtë, dhe për të na treguar se cilët janë të varfërit e vërtetë. I varfër është ai që del para Zotit të botëve pa sexhde dhe pa ruku, i cili del para Zotit të botëve dhe nuk e di përgjigjen e pyetjes së parë. Një sexhde e bërë në ramazan është sa shtatëdhjetë të tilla jashtë ramazanit; nëse është sexhde e namazit vullnetar, atëherë ajo shkruhet si sexhde e namazit farz jashtë ramazanit. Po na vijnë ditët e ramazanit, në të cilat shejtani është i prangosur dhe i lidhur me zinxhirë, kështu që rruga për në xhami dhe për në sexhde është e lehtësuar. Ramazani dëshiron që shpirti ynë ta ndjejë bukurinë dhe ta përjetojë ëmbëlsinë e robërisë ndaj Allahut. Sado i pasur të jesh tani, këtu në dynja, sado pasuri të dynjasë që të kesh, sado që ta keshë pishinën e madhe në oborrin tënd, nëse nuk ke sexhde, do të jesh vërtet i varfër. O njeri, lejoje ramazanin që ta ringjallë shpirtin tënd me shiun e frytshëm të mëshirës dhe udhëzimit, dhe shpirti yt ta shohë dhe ta kuptojë se sa i varfër je, nëse nuk je në ibadet. Ramazani ka për detyrë të na pastrojë shpirtin, në mënyrë që ne ta shohim dynjanë ashtu siç është, kalimtare dhe kur të jemi në tabut, krejtësisht të pavlerë.

Ramazani vjen tek ne për të na marrë nën mbrojtjen e dispozitave të fesë sonë dhe, për të na mësuar se si të sigurojmë kopshte me lumenj të pafund të mjaltit dhe të qumështit. Ai po vjen për të na treguar rrugën për në banesën të cilën syri nuk mund ta përfshijë, sepse është e madhe sa qiejt dhe Toka. Ramazani është koha e duhur, në fakt, është koha e vetme, në të cilën shpirtit i mundësohet që ta shohë qartë të vërtetën, sepse në të bashkohen të gjitha ibadetet, ruhijje, bedenijje dhe malijje, përkatësisht, adhurimet e shpirtit, të trupit dhe të pasurisë. Ramazani thotë: O njeri, ti do të jesh i pasur kur kjo për ty të jetë më e rëndësishme, nëse ti ndan nga pasuria jote. Ti nuk e ke plotësuar ramazanin nëse nuk ke ndarë nga pasuria jote dhe, as agjërimi nuk do të pranohet pa sadaka. Ti nuk e ke kuptuar as jetën, as nuk e ke kuptuar detyrën tënde si mëkëmbës i Allahut në Tokë, nëse vetëm e grumbullon dynjanë, kurse asgjë prej saj nuk ndan. Ramazani po vjen për të na mësuar, për të na ndryshuar, për të na fisnikëruar, për të na afruar me Krijuesin dhe me Pejgamberin. Ramazani po vjen për të na paralajmëruar dhe për të na rikthyer në ekuilibrin midis trupit dhe shpirtit.

O ramazan! Të falënderojmë që po vjen tek ne dhe po na bën të mundur që sytë tanë të shohin me shpirt dhe zemrat tona ta kuptojnë esencën e ekzistencës sonë.

O Allahu i Plotfuqishëm, jepja shpirtrave tanë të ndotur nga mëkati, shiun e mëshirës dhe të faljes Tënde dhe na bëj të pasur në Ditën e Gjykimit! Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić;

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

Burimi