Kurejshët menduan që të provojnë një mënyrë të re në sfidimin e misionit të Muhamedit ﷺ, mënyrë kjo që do të fillonte me joshje e, gjithnjë sipas tyre, do të mbaronte me frikësim dhe kërcënime. Muhamedit ﷺ do t’i bënin oferta që të sprapsej nga ky mision, kurse xhaxhait të tij do t’i dërgonin selam (kërcënues) që ta kishte parasysh çështjen e nipit të tij, madje do t’i kërkonin që të mos vazhdonte më me përkrahjen që i bënte Muhamedit dhe fesë së tij.[1]

Ja sesi ishin mënyrat e tyre:

  1. Liderët kurejshë vajtën tek Ebu Talibi dhe i thanë: “Ti je i moshuar dhe gëzon vlerë e pozitë te ne. Të kemi tërhequr vërejtjen ndaj nipit tënd, por, siç duket, nuk e ke marrë parasysh (nuk e ke ndaluar). Betohemi në Allahun se ne nuk do ta durojmë fyerjen që ua bën baballarëve tanë, zhvlerësimin që u bën ëndrrave tona, sharjen dhe diskreditimin që ua bën zotave tanë. Kemi ardhur që ta ndalosh, përndryshe do të të luftojmë ty dhe atë, derisa të shkatërrohet njëra palë (ne ose ju).”

Ebu Talibit i erdhën rëndë këto kërcënime, e shqetësuan shumë ndarja dhe armiqësia e popullit, por, megjithatë, Muhamedin ﷺ nuk ua dorëzoi dhe nuk u distanca prej tij. Kërkoi ta thërrisnin Muhamedin ﷺ , të cilit i tha: “O nipi im! Populli yt më erdhën sot dhe më thanë kështu e kështu. Mos më shtyj në diç që, as unë e as ti nuk mund ta përballojmë. Mos ua thuaj më ato fjalë prej të cilave po ndihen keq.”

Muhamedi ﷺ nuk u luhat as për një çast të vetëm. Përkundrazi, tregoi vendosmëri të madhe, nuk i frikësohej askujt, sepse e dinte se ishte në të vërtetën, se Allahu do ta bënte fenë e tij triumfuese, se fjala e tij do të ngadhënjente… Sakaq, kur Ebu Talibi e pa këtë vendosmëri dhe qëndrueshmëri të Muhamedit ﷺ dhe se ai nuk e kishte ndërmend të braktiste misionin e thirrjes në teuhid (besim të pastër), tha: “Betohem në Allahun se, pa u shtrirë unë i vdekur në dhé, nuk do të mund të arrijnë te ti. Marsho me çështjen tënde, nuk do të kesh asnjë pengesë. Përgëzohu dhe qetësohu shpirtërisht!”[2]

  • Me pranimin e Islamit nga ana e Hamza ibn Abdulmutalibit dhe Omer ibn Hatabit, gjërat do të ndryshonin për të mirë. Retë e zymta filluan të largohen ngadalë, ndërsa ky fakt filloi t’i shqetësojë kurejshët.  Shtimi i myslimanëve dhe hyrja në Islam duke mos çarë kokën për armiqësinë e kurejshëve i bëri të ndihen në ankth. Menduan të negociojnë me Muhamedin ﷺ. I dërguan Utbe ibn Rebian me disa oferta materiale, me shpresë se pranon diç prej tyre dhe heq dorë nga misioni i tij.

Utbe shkoi te Muhamedi ﷺ dhe iu afrua pranë: “O biri i vëllait tim! Ti e di vendin dhe pozitën që gëzon te ne. Popullit tënd i ke sjellë një problem të madh: i ke përçarë, ua ke zhvleftësuar ëndrrat e tyre, i ke fyer zotat dhe fenë e tyre e paraardhësit ua ke shpallur jobesimtarë. Andaj, dëgjo prej meje këtë ofertë që po të bëj, ndoshta të pëlqen diç e saj dhe e pranon.” Profeti ﷺ i tha: “Fol, o Ebu Velid, po të dëgjoj!”

Atëherë Utbe filloi t’ia shpalosë ofertën: “O biri i vëllait tim! Nëse me këtë mision synon të grumbullosh pasuri, atëherë ne do të grumbullojmë pasuri për ty, derisa të jesh njeriu më i pasur në mesin tonë. Nëse me këtë kërkon nder prijatari, do të të bëjmë të parin tonë, e s’do të ndërmarrim asgjë pa ty. Nëse me të synon mbretërinë, do të të bëjmë mbret. E, nëse ky që po të vjen (engjëlli me shpallje) është diç që po të shtihet (je sëmurur mendërisht) e nuk po mund ta largosh dot, atëherë do të kërkojmë shërim për ty dhe do të shpenzojmë pasuritë tona, derisa të shërohesh prej tij, sepse ka raste kur natyra e njeriut e ngadhënjen atë e, rrjedhimisht, ka nevojë për shërim…

Profeti ﷺ e dëgjonte me vëmendje, e, kur e kreu, i tha: “A e përfundove, o Ebu Velid?!” Ai pohoi. “Atëherë, dëgjomë mua!” Utbe pranoi. Profeti ﷺ filloi t’ia lexonte disa ajete kuranore:

﴿بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمنِ الرَّحِيم * حم * تَنزِيلٌ مِّنَ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ * كِتَابٌ فُصِّلَتْ آيَاتُهُ قُرْآنًا عَرَبِيًّا لِّقَوْمٍ يَعْلَمُونَ * بَشِيرًا وَنَذِيرًا فَأَعْرَضَ أَكْثَرُهُمْ فَهُمْ لا يَسْمَعُونَ * وَقَالُوا قُلُوبُنَا فِي أَكِنَّةٍ مِّمَّا تَدْعُونَا إِلَيْهِ

“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Hâ, Mîm. Kjo është Shpallje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë shtjelluar qartë, një Kuran në gjuhën arabe, për njerëzit me dije. Ai sjell lajme të mira dhe paralajmërime, por shumica e njerëzve ia kthejnë shpinën dhe largohen pa e dëgjuar. Ata thonë: “Ajo për të cilën ti na thërret, nuk i arrin zemrat tona, sepse ato janë të mbrojtura mirë. Veshët tanë janë të shurdhër e midis nesh e teje ka perde. Prandaj ti vepro si të duash, se edhe ne kështu do të veprojmë.” (Kurani: Fusilet, 1-5)

Profeti ﷺ vazhdoi t’i lexonte ajete nga Kurani, kurse Utbe, që vuri duart pas shpine, e dëgjonte me vëmendje. Profeti ﷺ lexoi deri tek ajeti i sexhdes dhe, kur arriti aty, bëri sexhden. Pastaj iu drejtua Utbes: “Dëgjove atë që dëgjove, o Utbe, ti (mendo e vendos çfarë të duash) me të!”[3]

Në një motërzim tjetër qëndron se, Utbe dëgjoi derisa arriti tek ajeti:

﴿ فَإِنْ أَعْرَضُوا فَقُلْ أَنذَرْتُكُمْ صَاعِقَةً مِّثْلَ صَاعِقَةِ عَادٍ وَثَمُودَ

Nëse ata shmangen, ti thuaju: “Ju paralajmëroj me rrufenë që goditi fiset ad dhe themud.” (Kurani: Fusilet, 13)

… me ç’rast u ngrit i lemerisur e i trishtuar duke vënë dorën e tij në gojën e Profetit e duke i thënë: “Po të përgjërohem për Zotin dhe familjen që të ndalosh së lexuari!”

Utbe u kthye me shpejtësi te njerëzit e tij, thuajse po e ndiqnin vetëtimat, sakaq kurejshëve u propozoi e bile i nxiti që ta linin të qetë Muhamedin që ta kryente misionin e tij.[4] 

Së pari me bekimin e Allahut e pastaj me urtësinë e tij Muhamedi ﷺ përzgjodhi këto ajete që Utbes t’ia tregojë të vërtetën përkitazi me misionin dhe të Dërguarin, si dhe që Muhamedi bart një libër të shpallur nga Krijuesi që u dedikohet krijesave të Tij, i cili udhëzon në të vërtetën dhe i shpëton nga humbja. Për të besuar në këtë libër dhe për të vepruar sipas tij, Muhamedi ﷺ është i thirrur dhe i obliguar para të gjithëve. Nëse Allahu i Madhëruar urdhëron njerëzit që të mbajnë fenë, atëherë ky urdhër paraprakisht përfshin Muhamedin ﷺ ose i dedikohet atij para të tjerëve. Ai me këtë nuk kërkon pushtet, pasuri apo famë. Edhe pse pati mundësinë, ai hoqi dorë prej këtyre gjërave, për shkak se është korrekt në atë që fton dhe ka besim të çiltër në Zotin e tij.[5]

Ky qëndrim është ndër qëndrimet me më së shumti urtësi që i janë dhënë Profetit ﷺ. Ai qëndroi i paepur në misionin e tij dhe tregoi sinqeritet e korrektësi duke refuzuar pasurinë, pushtetin, famën, kënaqësitë dhe martesën. Ai zgjodhi fjalët e duhura për vendin e duhur, gjë e cila është domethënia ose ajka e urtësisë.

  • Idhujtarët vendosën që ta luftojnë Islamin e ta dëmtojnë fizikisht Muhamedin ﷺ dhe tërë ata që pranojnë Islamin.

Që nga momenti kur Muhamedi ﷺ kumtoi publikisht thirrjen e tij dhe shpjegoi kotësinë e adhurimit të idhujve, Meka pothuajse shpërthente nga mëria, inati e hidhërimi. Për dhjetë vjet myslimanët i kishte konsideruar si mëkatarë arrogantë, duke u shkaktuar probleme të shumta, duke lejuar derdhjen e gjakut e shkeljen e nderit të tyre dhe konfiskimin e pasurisë së tyre në Haremin e Shenjtë, për të vazhduar me tallje e përqeshje, ironi e përgënjeshtrim, shtrembërim të të vërtetave të Islamit, hedhje të dyshimeve në të, lansim të akuzave të pabaza, kundërshtim të Kuranit duke e përshkruar si trillim i thurur nga të parët… Po kështu, krahas këtyre, tentuan që të arrinin një ujdi, që ata ta adhuronin Zotin një vit, kurse vitin tjetër Muhamedi ﷺ të adhuronte idhujt e tyre, e imazhe të tjera qesharake të negociatave të tyre.

Muhamedin e akuzuan ﷺ për të çmendur e të prekur nga magjia, për gënjeshtar e fallxhor, por ai ﷺ qëndronte i fortë, i palëkundur, llogariste në shpërblimin e Allahut dhe shpresonte se Allahu do ta ndihmonte fenë e Tij dhe do ta bënte triumfuese.[6]

Kurejshët e maltretuan Muhamedin ﷺ më shumë se pjesën më të madhe të besimtarëve. Ebu Xhehli donte ta nënçmonte duke e rrëzuar me fytyrë përtokë (si forma më e theksuar e poshtërimit ndër arabë), por Allahu i Plotfuqishëm e ruajti dhe e mbrojti. Ebu Hurejra, radijallahu anhu, transmeton: “Ebu Xhehli tha: “Në praninë tuaj Muhamedi po e vendosë fytyrën në dhé (tokë)?!”[7] Thanë: “Po.” Tha: “Betohem në Latin dhe Uzanë se, nëse e shoh duke e bërë këtë, do ta shkel me këmbën time në fyt ose do ta plandos – do ta rrëzoj përtokë dhe do t’ia përbalt fytyrën.” Ebu Hurejra vazhdon: “Dërguari i Allahut ﷺ vajti dhe filloi të falej, ndërkohë ai ishte zotuar për ta shkelur në fyt. Por, u çmeritën kur për një çast e panë duke u zmbrapsur – ecte mbrapsht dhe bënte me duar, sikur mbrohej nga diç. I thanë: “Çfarë pate?” Tha: “Ndërmjet meje dhe tij ishte një hendek plot zjarr, trishtim dhe krahë (të shumtë të engjëjve).” Profeti ﷺ ka thënë: “Po të më afrohej, engjëjt do ta shqyenin copë-copë. Ebu Hurejra tregon: “Pastaj Allahu i Madhëruar shpalli:

﴿ كَلَّا إِنَّ الْإِنسَانَ لَيَطْغَىٰ

“Por vërtet që njeriu shkel çdo cak” (Kurani: El Alak, 6),

… dhe ajetet që pasojnë deri në fund të kaptinës (në fjalë).[8]

Allahu i Madhëruar e mbrojti Muhamedin ﷺ  prej këtij dhe tiranëve të tjerë, kurse Muhamedi ﷺ duroi këtë dhunë duke shpresuar në shpërblimin e Allahut. Muhamedi ﷺ sakrifikoi veten, pasurinë dhe kohën e tij për fenë e Allahut. 

  • Një pamje tjetër të dhunës së ushtruar nga ky tiran dhe zullumqar na e sjell sahabiu i nderuar Abdullah ibn Mesud, radijallahu anhu, i cili rrëfen: “Teksa Muhamedi ﷺ po falej në Qabe, Ebu Xhehli dhe disa shokë të tij qëndronin ulur (duke e shikuar me mëri). Vetëm një ditë më parë ishin therur disa kafshë, andaj Ebu Xhehli iu drejtua shoqërisë së tij: “Kush shkon te kasapi që të marrë mbetjet e kafshëve të therura për t’ia hedhur sipër Muhamedit kur të bëjë sexhden?” U ngrit më fatkeqi (Ukbe ibn Ebu Muajti), i mori mbetjet dhe, kur Muhamedi ﷺ bëri sexhden, ia hodhi mbi supe. Qeshën shumë, aq sa këmbët nuk i mbanin dot, andaj mbështeteshin te njëri-tjetri, kurse unë shikoja e nuk kisha mundësi të bëja asgjë. Profeti ﷺ qëndronte ashtu dhe nuk ngrihej, derisa dikush shkoi dhe e lajmëroi Fatimen, e cila ende ishte e mitur. Ia largoi babait të saj ato plehra, pastaj u drejtua nga ata dhe i fyente. Kur Muhamedi ﷺ e kreu namazin, ngriti zërin dhe u lut kundër tyre. E kishte zakon që, kur lutej, lutej tri herë, dhe, kur kërkonte, kërkonte tri herë. U lut e tha tri herë: “O Allahu im! Ty po ta lë çështjen e kurejshëve!” Me të dëgjuar lutjen, të qeshurat e tyre ndaluan. U frikësuan nga lutja e tij. Pastaj Muhamedi ﷺ vazhdoi të lutej: “O Allahu im! Hakmerru ndaj Ebu Xhehl ibn Hishamit, Utbe ibn Rebias, Shejbe ibn Rebias, Velid ibn Utbes, Umeje ibn Halefit, Ukbe ibn Muajtit” dhe përmendi edhe të shtatin, emri i të cilit nuk më kujtohet. Betohem në Atë që e ka dërguar Muhamedin ﷺ me të vërtetën se këta që i apostrofoi në lutjen e tij, i kam parë të shtrirë (vrarë) në Betejën e Bedrit, e më pas janë tërhequr zvarrë në gropën e Bedrit (varrin e bërë shpejt e shpejt për të mos u dekompozuar trupat e tyre).[9]  
  • Ndër keqtrajtimet më të rënda që ka përjetuar Muhamedi ﷺ prej idhujtarëve është rasti që Buhariu e shënon në Sahihun e tij nga Urve ibn Zubejri, i cili thotë: “I pata thënë Abdullah ibn Amër ibn el Asit: “Më trego për persekutimin më të rëndë që idhujtarët ia kanë bërë Muhamedit ﷺ!” Më pati thënë: “Teksa Muhamedi ﷺ falej në një qoshe të Qabesë, erdhi Ukbe ibn Ebu Muajti, i cili e kapi për krahësh Muhamedin ﷺ dhe në qafë ia vari një rrobë, duke e shtrënguar fort. Erdhi Ebu Bekri dhe e kapi për krahësh, e largoi nga Muhamedi ﷺ dhe i tha:

﴿أَتَقْتُلُونَ رَجُلًا أَن يَقُولَ رَبِّيَ اللَّـهُ وَقَدْ جَاءَكُم بِالْبَيِّنَاتِ مِن رَّبِّكُمْ ۖ

“Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë Allahu është Zoti im” (Kurani: Gafir, 28)

Tortura dhe brutaliteti i idhujtarëve ndaj Muhamedit ﷺ dhe sahabëve vazhdoi, madje me forma dhe imazhe shumë të rënda, gjë që shtynë sahabët që të venë te Muhamedi ﷺ dhe të kërkojnë një rrugëdalje, një lutje për ndihmë. Por, Muhamedi ﷺ, si i urtë që ishte, kishte besimin në Allahun dhe ndihmën e Tij në nivelin më të lartë, andaj nuk lëkundej. Habab ibn Ereti, radijallahu anhu, rrëfen: “Iu ankuam të Dërguarit të Allahut ﷺ (për persekutimet nga idhujtarët) teksa ai ishte i mbështetur në burdën e tij, që e kishte bërë jastëk, në hije të Qabesë, e i thamë: “A nuk do të na ndihmosh, a nuk do të lutesh për ne?” Ai na tha: “Para jush (në të kaluarën) ka ndodhur që, për shkak të fesë, merrej njeriu, ia hapnin gropën, ku e vendosnin, e pastaj e merrnin sharrën dhe e përgjysmonin. Pastaj, ia rripnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Betohem në Allahun se Allahu do ta plotësojë këtë fe, ashtu që kalorësi do të shkojë prej Sanasë deri në Hadramevt e nuk do të frikësohet prej askujt tjetër përveç prej Allahut, si dhe prej ujkut për kopenë e vet, por ja që ju po nguteni.[10]

Ja, kështu persekutimet dhe keqtrajtimet e idhujtarëve ndaj Muhamedit ﷺ dhe shokëve të tij rriteshin dita-ditës, dhe këtë, jo për tjetër, përveç që të lartësonin fjalën e Allahut, ta kumtonin të vërtetën, për shkak të përqendrimit në të (të vërtetën), thirrjes për në besimin e pastër dhe luftimin e adeteve, zakoneve dhe besëtytnive të idhujtarisë. 

  • Profeti ﷺ u torturua në forma dhe mënyra të ndryshme, secila më brutale dhe më e dhunshme se tjetra. Për ta përqeshur dhe për t’u tallur me të, ia deformuan edhe emrin. Idhujtarët, duke shfaqur urrejtjen dhe mërinë e tyre ndaj Muhamedit ﷺ, nuk e thërrisnin me këtë emër, që ka kuptimin e lëvdimit dhe mirësisë. Ia shtrembëruan emrin, nga Muhamed (i lëvduar) në Mudhemem (i nënçmuar, përbuzur). Kur e përmendnin për të keq (e mallkonin), shpreheshin: “Allahu bëftë kështu e kështu me Mudhememin!” Por, ngaqë emri “Mudhemem” nuk ishte emër i Muhamedit ﷺ, kjo që thoshin, falë ndihmës së Allahut, nuk qëllonte në nishan Muhamedin ﷺ. Muhamedi ﷺ ka thënë:

»أَلاَ تَعْجَبُونَ كَيْفَ يَصْرِفُ اللَّهُ عَنِّي شَتْمَ قُرَيْشٍ وَلَعْنَهُمْ، يَشْتِمُونَ مُذَمَّمًا، وَيَلْعَنُونَ مُذَمَّمًا وَأَنَا مُحَمَّدٌ«

“A nuk mahniteni sesi Allahu largon prej meje të sharat e kurejshëve dhe mallkimin e tyre?! Po e shajnë dhe po e mallkojnë Mudhememin (të nënçmuarin, përbuzurin), ndërsa unë jam Muhamedi (i lëvduari).”[11]

Profeti ﷺ ka pesë emra, por ky emër nuk është asnjëri prej tyre.[12] 

Kur Umu Xhemil, gruaja e Ebu Lehebit, kishte dëgjuar për ajetet që ishin shpallur përkitazi me të dhe burrin e saj, kishte vajtur te Profeti ﷺ, i cili ishte duke qëndruar te Qabeja bashkë me Ebu Bekrin, radijallahu anhu. Kishte mbushur duart me gurë, por Allahu ia mori shikimin, ndaj nuk e shihte dot Muhamedin ﷺ. Iu afrua Ebu Bekrit dhe i tha: “Ku e ke shokun? Jam informuar se ai po flet keq për mua. Betohem në Allahun se, po ta gjeja, do ta gjuaja në gojë me këta gurë. Betohem në Allahun se unë jam poete”, – dhe “recitoi”:

Mudhememin e kundërshtuam,

Çështjen e tij e refuzuam,

E fenë e tij s’e pranuam.[13]

Kurejshët vazhduan ta keqtrajtonin Muhamedin ﷺ dhe ata që pranonin Islamin. Gjendja u përshkallëzua kur numri i myslimanëve rritej nga dita në ditë. E, kur Muhamedi ﷺ pa se gjendja përkeqësohej dhe se nuk mund të bënte asgjë që të parandalonte dhunën që ushtrohej mbi shokët e tij, saqë prej tyre kishte që torturoheshin deri në vdekje, dha leje për të migruar në Etiopi. Ishin gjithsej 12 burra dhe 4 gra që migruan herën e parë. Prijës kishin Othman ibn Afanin, radijallahu anhu. Deshi Allahu që, në kohën kur ata ishin në bregdet, ndaluan dy anije dhe i bartën e i dërguan në Etiopi. Ishte muaji rexheb i vitit të pestë të dërgimit të Muhamedit ﷺ. Kurejshët morën vesh për punën e tyre, kështu që iu vunë gjurmëve, por nuk arritën t’i zinin dot. Duke qenë në Etiopi myslimanët u dezinformuan se idhujtarët e kishin lënë të lirë Muhamedin ﷺ, kështu që u kthyen nga Etiopia në Mekë. Por, vetëm pak para arritjes kuptuan se lajmi ishte i gënjeshtërt dhe se kurejshët, jo që nuk kishin hequr dorë nga dhuna, porse e kishin ashpërsuar atë. Disa prej tyre arritën që të hynin në Mekë nën mbrojtjen dhe protektoratin e disa familjeve, prej të cilëve edhe Ibn Mesudi. Ai kuptoi se lajmi, kinse kurejshët e kishin pranuar Islamin, ishte i rremë. Në Mekë mund të hyhej vetëm nën mbrojtjen e ndonjë familjeje, ose fshehurazi. 

Gjërat vazhduan kësisoj. Dhuna e kurejshëve nuk u ndal. Profeti ﷺ dha leje për të dytën herë që të emigrohej në Etiopi. Kësaj radhe numri i atyre që shkuan ishte më i madh: 83 burra dhe 9 gra. Në mesin e tyre ishte edhe Amar ibn Jasiri. Muhaxhirët myslimanë ishin të sigurt në fqinjësinë e mbretit As’hameh en Nexhashiu. Kur kurejshët morën vesh për këtë, i dërguan dhurata që t’ua kthente muhaxhirët në Mekë. Nexhashiu nuk i ktheu ata, por ua ktheu dhuratat e tyre në shenjë refuzimi. Kështu, muhaxhirët vazhduan të jetojnë të sigurt në Etiopi deri në vitin e Hajberit, kur iu bashkëngjitën Muhamedit ﷺ në Medinë.[14]  

  • Kur kurejshët panë përhapjen e Islamit dhe numrin e madh të atyre që e pranonin atë përditë, si dhe kur mësuan për mirëpritjen që iu bë atyre në Etiopi e sigurinë që iu ofrua, menduan hapin e radhës: donin të lëçitnin fiset beni hashim, beni abdulmutalib dhe beni abdumenaf. Dëshironin një bojkot të plotë duke braktisur tregtinë, martesat, përshëndetjet, takimet etj. Kusht të heqjes së bojkotit kishin dorëzimin e Muhamedit ﷺ. Shkruan edhe një fletushkë (kontratë), të cilën e varën në murin e Qabesë. Të gjithë pjesëtarët e fiseve beni hashim dhe beni abdulmutalib ranë në ujdi për ta mbrojtur Muhamedin ﷺ, duke përjashtuar Ebu Lehebin, që ishte krah kurejshëve, jo vetëm kundër Muhamedit ﷺ, por edhe kundër beni abdulmutalibëve dhe beni hashimëve.

Profeti ﷺ u izolua në shuabin (pronën, luginën) e Ebu Talibit më 1 muharrem të vitit të shtatë të dërgimit. Mbetën në një gjendje bojkoti dhe izolimi. Kishin mungesë furnizimesh me ushqim dhe gjëra të tjera esenciale për tre vjet me radhë. Gjendja vazhdoi deri atëherë kur Muhamedi ﷺ pa mjerimin e madh që i kishte kapluar, dëgjoi të qarat e fëmijëve që qanin nga mungesa e ushqimit, si dhe u informua nga Allahu se Ai, qoftë i Lartësuar, kishte dërguar një brejtës që kishte brejtur fletushkën në tërësi, me përjashtim të vendit ku theksohej emri i Allahut. Lidhur me këtë e lajmëroi xhaxhain, i cili doli dhe i lajmëroi kurejshët, duke shtuar: “Nëse kjo që po thotë nipi im nuk është e vërtetë, atëherë do t’jua dorëzojmë, ndryshe, do ta largoni bojkotin dhe padrejtësinë ndaj nesh.” Pranuan. Shkuan te Qabeja dhe e zbritën poshtë kontratën-fletushkën. Panë se ishte ashtu siç ka thënë Muhamedi ﷺ. Ata që vazhduan në idhujtarinë e tyre, u mbushën edhe më shumë me inat dhe mëri kundrejt myslimanëve. Por, embargoja dhe bojkoti u hoqën. Muhamedi ﷺ doli nga kjo gjendje izolimi, ndërkohë ishte viti i dhjetë i dërgimit. Pas gjashtë muajsh i vdiq xhaxhai, e vetëm tri ditë (thënë ndryshe) pas vdekjes së tij vdiq edhe Hatixhja, radijallahu anha.[15]   

Pas vdekjes së tyre të këqijat do ta vërshonin Muhamedin ﷺ. Mendjelehtët nga radhët e popullit të tij do të shfaqnin guxim prej arrogantësh dhe gangsterësh, që ta lëndonin Muhamedin fizikisht e psikikisht ﷺ. Shkoi në Taif, me shpresë se do t’i përgjigjeshin thirrjes së tij apo do ta strehonin, ose t’i ndihmonin kundrejt popullit të vet. Jo që nuk iu përgjigjën, nuk e ndihmuan e nuk i ofruan strehim, porse e maltretuan, madje më shumë seç e kishte maltretuar populli i vet.[16] 

Burimi: Dr. Seid el Kahtani
QËNDRIMET E PROFETIT
MUHAMED ﷺ GJATË THIRRJES


[1] Shih: El-Bidaje ve-n-nihaje (3/41) dhe Fikhu-s-Sire, të Muhamed Gazalit (f. 112).

[2] Shih: Siretu Ibn Hisham (1/278); El-Bidaje ve-n-nihaje (3/42); Fikhu-s-Sire, të Muhamed Gazalit (f. 114) dhe Err-Rrehik el-mahtum (f. 94).

[3] Shih: Siretu Ibn Hisham (1/278); El-Bidaje ve-n-nihaje (3/42); Fikhu-s-Sire, të Muhamed Gazalit (f. 114) dhe Err-Rrehik el-mahtum (f. 94).

[4] Shih: Tefsir Ibn Kethir (4/62); El-Bidaje ve-n-nihaje (3/62); Tarihu-l-Islam, të Dhehebiut (f. 158); Fikhu-s-Sire, të Muhamed Gazalit (f. 114) dhe Hadha el-Habib ja muhibb (f. 102).

[5] Shih: Fikhu-s-Sire, të Muhamed Gazalit (f. 113).

[6] Shih: Fikhu-s-Sire, të Muhamed Gazalit (f. 113); Err-Rrehik el-mahtum (f. 80, 82); Et-Tarih el-islamijj, të Mahmud Shakirit (2/85, 88, 91, 93, 94) dhe Hadha el-Habib ja muhibb (f. 110).

[7] Kësisoj idhujtarët e quanin dhe konsideronin kryerjen e sexhdes. Përkthyesi.

[8] Hadithin e shënon Muslimi në Sahihun e tij, libri El Munafikine, kreu: Ajeti kuranor: “Kel-la inne-l-insane le jatga en reahu istagna”, 4/2156, hadithi numër 2797. Shih: Sherhu-n-Nevevijj, 17/140.

[9] Hadithin e shënojnë Buhariu në Sahihun e tij, libri El vudú, kreu: “Idha ulkije ala dhahri el-musal-li kadhrun ev xhifetun lem tefsed alejhi salatuhu”, 1/349, hadithi numër 240 dhe Muslimi në Sahihun e tij, libri El xhihad ve-s-sejr, kreu: “Ma lekije en-Nebijju, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, min edha el-mushrikine ve-l-munafikine”, 2/1418, hadithi numër 1794.

[10] Hadithin e shënon Buhariu në Sahihun e tij, libri El menakib, kreu: Alamat en-nubuvveti fi-l-Islam, 6/619, hadithi numër 3612, si dhe e shënon edhe në pjesë tjera të Sahihut.

[11] Hadithin e shënon Buhariu në Sahihun e tij, libri El menakib, kreu: “Ma xhae fi esmai Resulil-lahi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem,” 6/554, hadithi numër 3533.

[12] Shih hadithin që e shënon Buhariu në Sahihun e tij, libri El menakib, kreu: “Ma xhae fi esmai Resulil-lahi, sal-lallahu alejhi ue sel-lem”, 6/554, hadithi numër 3532.

[13] Shih: Siretu Ibn Hisham (1/378).

[14] Shih: Zad el-mead, të Ibn el Kajimit (3/23, 36, 38); Siretu Ibn Hisham (1/343); Err-Rrehik el-mahtum (f. 89); Hadha el-Habib ja muhibb (f. 120); El-Bidaje ve-n-nihaje (3/66); Et-Tarih el-islamijj, të Mahmud Shakirit (2/98; 109) dhe Tarih el-Islam, të Dhehebiut (f. 183).

[15] Shih: Zad el-mead, të Ibn el Kajimit (3/30); Siretu Ibn Hisham (1/371); Err-Rrehik el-mahtum (f. 112); El-Bidaje ve-n-nihaje (3/64); Et-Tarih el-Islamijj, të Mahmud Shakirit (2/109, 127, 128) dhe Tarih el-Islam, të Dhehebiut (f. 126, 137).

[16] Shih: Zad el-mead, të Ibn el Kajimit (3/31) dhe Err-Rrehik el-mahtum (f. 113).