Vdekja është ligj i Allahut që përshkon të gjitha krijesat. Në shikim të parë duket e ftohtë dhe frikësuese. Ajo vjen befas, nuk na afatizon, nuk na jep mundësinë e rikthimit, dhe, për më tepër, na mëson se me vdekjen nuk merr fund njeriu. Vdekja, në fakt, është fillimi. Këtë të vërtetë njeriu e kupton në momentet kur ta kapin dhimbjet e vërteta të vdekjes. Allahu na e tregon këtë në Kur’an:
وَجَاءَتْ سَكْرَةُ الْمَوْتِ بِالْحَقِّ ۖ ذَٰلِكَ مَا كُنتَ مِنْهُ تَحِيدُ
“Agonia e vdekjes i vjen me atë të vërtetën (i zbulohet çështja e ahiretit); kjo është ajo prej së cilës ke ikur.” [Kaf: 19.]
Por jo, të gjithë njerëzit kanë ikur prej kësaj të vërtetë dhe rrjedhimisht jo të gjithë përjetojnë frikën e takimit me vdekjen. Për disa prej robërve të Allahut vdekja shndërrohet në momente gëzimi e pushimi shpirtëror. Allahu i madhëruar në këto momente kur dikujt i zbulohet e vërteta, besimtarëve të sinqertë iu dërgon melekë që t’i qetësojnë.
إِنَّ الَّذِينَ قَالُوا رَبُّنَا اللَّـهُ ثُمَّ اسْتَقَامُوا تَتَنَزَّلُ عَلَيْهِمُ الْمَلَائِكَةُ أَلَّا تَخَافُوا وَلَا تَحْزَنُوا وَأَبْشِرُوا بِالْجَنَّةِ الَّتِي كُنتُمْ تُوعَدُونَ
“S’ka dyshim se ata që thanë: “Zoti ynë është All-llahu”, pastaj nuk u luhatën, atyre u zbresin melaiket (në prag të vdekjes dhe u thonë): “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni, keni myzhde Xhennetin që ju premtohej!” [Fussilet: 30.]
Këto momente na i përshkruan edhe Pejgamberi (ﷺ). Siç transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, pranë Pejgamberi (ﷺ) kaloi një xhenaze ndërsa ai tha: “I pushuar ose të pushuar prej tij!” Shokët e pyetën: O i Dërguari i Allahut, kush është pushuesi dhe tjetri që njerëzit pushojnë prej tij? Pejgamberi (ﷺ) tha: Besimtari nga lodhjet dhe mundimet e dynjasë, kalon në mëshirë të Allahut, ndërsa me vdekjen e mëkatarit pushojnë njerëzit, vendet, pemët dhe shtazët.
Të dashur vëllezër!
Si ta bëjmë vdekjen pushim për ne?
Si ta arrijmë mirësinë që në momentet e vdekjes, kur disa robër trishtohen, ne të jemi të qetë e të përgëzuar?
Kjo hutbe, me lejen e Allahut, mëton të gjejë përgjigje për këto pyetje?
SI TË NA ZË VDEKJA DUKE QENË TË SIGURT E TË QETË?
1.  Ndjekja e këshillave dhe udhëzimeve fetare
Allahu i madhëruar ka thënë:
﴿فَمَن تَبِعَ هُدَايَ فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ﴾
“…ata që i përmbahen udhëzimit Tim nuk do të kenë frikë dhe nuk do të hidhërohen.” [El Bekare: 38.]
Jeta është udhëtim në rrugë të panjohur. Për të qenë i sigurt, duhet të ndiqen udhëzimet dhe shenjat, ndryshe, çdo lëvizje djathtas apo majtas, mund të na kushtojë. Pejgamberi (ﷺ) një ditë bëri një vijë të drejtë ndërsa anash saj bëri vija tjera dhe tha: Kjo vija e drejtë është rruga e Allahut ndërsa këto vijëzat janë rrugica, në krye të së cilës qëndron një djall që thërret në të. Pejgamberi (ﷺ) lexoi nga Kur’ani ajetin:
﴿وَأَنَّ هَذَا صِرَاطِي مُسْتَقِيمًا فَاتَّبِعُوهُ وَلَا تَتَّبِعُوا السُّبُلَ فَتَفَرَّقَ بِكُمْ عَنْ سَبِيلِهِ﴾
“Dhe, qe, kjo është rruga ime e drejtë; prandaj ndiqeni, e mos shkoni rrugëve tjera që t’ju shmangin ato nga rruga e Tij…” [El En’amë: 153.][1]
Këtë porosi e gjejmë dhe në vende tjera në Kur’an. Allahu na mëson:
﴿إِنَّ الَّذِينَ قَالُوا رَبُّنَا اللَّـهُ ثُمَّ اسْتَقَامُوا فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ﴾
“Me siguri, ata që thonë: “Zoti ynë është Perëndia! – dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, për ta nuk ka kurrfarë droje dhe as që do të pikëllohen.” [El Ahkaf: 13.]
Të qëndrosh në rrugën e drejtë d.t.th. t’i përmbahesh udhëzimeve të Allahut duke mos lajthitur.
2. Angazhimi me vepra të mira
Njeriu në jetën e vet nuk mund të jetë neutral. Ai ose do të bëjë vepra të mira, ose vepra të këqija. Për këtë shkak, që të jemi stabil në rrugën e drejtë dhe rrjedhimisht të kemi vdekje të mirë, na duhet   të punojmë. Allahu thotë:
﴿مَنْ آمَنَ بِاللَّـهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ وَعَمِلَ صَالِحًا فَلَهُمْ أَجْرُهُمْ عِندَ رَبِّهِمْ وَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ﴾
“…kush besoi prej tyre (sinqerisht) Allahun, dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë as nuk kanë përse të pikëllohen.” [El Bekare: 62.]
Duhet të punojmë që e mira të na bëhet shprehi. Pejgamberi (ﷺ) ka thënë: “E mira është traditë.”, jo në kuptim të formalitetit, por në kuptim të mishërimit me veprën e mirë.
Këto vepra duhet të bëhen për hir të Allahut, ndryshe nuk na bëjnë dobi.
3. Namazi
Nga të gjitha veprat, pas besimit namazi është vepra më e rëndësishme dhe me ndikimin edukativ më të madh. Allahu e ka përshkruar si një vepër që e ndalon njeriun nga të këqijat kurse Pejgamberi (ﷺ) ka shpjeguar se namazi të pastron nga mëkatet. Për këtë shkak, kush e fal namazin, ka shumë gjasa që momentet e fundit të jetës të merr këtë myzhde për Xhennet. Allahu thotë:
﴿إنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ وَآتَوُا الزَّكَاةَ لَهُمْ أَجْرُهُمْ عِندَ رَبِّهِمْ وَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ﴾
“S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, falën namazin dhe dhanë zekatin i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike as brengosje.” [El Bekare: 277.]
4. Pendimi dhe përmirësimi i të kaluarës
Që të kemi fund të mirë, na duhet të pendohemi vazhdimisht, sepse pendimi i shlyen mëkatet që i dimë dhe të tjerat që nuk i dimë. Për këtë shkak, është porosi fetare që të pendohemi dhe të përmirësojmë të kaluarën. Allahu thotë:
“فَمَنْ آمَنَ وَأَصْلَحَ فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ”
“…E kush besoi dhe u përmirësua, ata nuk kanë as frikë as brengë.” [El En’amë: 48.]
﴿فَمَنِ اتَّقَىٰ وَأَصْلَحَ فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ﴾
“…E kush ruhet dhe përmirësohet, për ta s’ka as frikë as s’kanë përse të pikëllohen.” [El A’rafë: 35.]
Pejgamberi (ﷺ) pendohej shtatëdhjetë deri në njëqind herë, megjithëqë që të gjitha mëkatet i kishte të falura!
Të dashur vëllezër!
Që të kemi vdekje të mirë, duhet të jemi të sinqertë, të ndjekim këshillat fetare, të bëjmë vepra të mira, të falim namazin dhe të pendohemi vazhdimisht!
Allahu na mundësoftë që ndarjen nga kjo botë ta kemi me besim e me përgëzime prej Allahut!
[1] Transmetojnë Bezzari dhe Ibn Maxheh. Albani e ka saktësuar këtë hadith.