Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Ka qenë traditë e Pejgamberit, alejhi’s selam, që me rastin e ardhjes së Muajit të Ramazanit, t’i përgëzoj besimtarët për të dhe t’i nxis për mirësitë, vlerat, dhuntitë dhe begatitë e tij, duke ua treguar mënyrat më efektive të mundshme për vjeljen e këtyre mirësive. Përshkrimi i Ramazanit si një muaj që ngërthen në vete shanset më jetike për pastrimin e shpirtit, faljen e mëkateve, shumimin e të mirave; si një muaj në të cilin ka zbritur Kur’ani dhe është Nata e Kadrit, bëri që edhe parapërgatitja për të të ishte pjesë e agjendës së Pejgamberit, alejhi’s selam. Ndaj, edhe ne, në shenje trasimi të rrugës se tij, vendosëm që në këtë Xhuma të fundit të Muajit Sha’ban, t’iu ftojmë për përgatitje për muajin e Ramazanit duke e lutur Allahun e Madhëruar që të mos na privojë nga mirësitë e tij!
I. Përse të përgatitemi për Ramazan
1. Fundi dhe fillimi. Në fakt, neve përgatitemi për Ramazan ngase muaji në të cilin jemi shënon një lloj viti që nuk është as vit kalendarik, as ekonomik, as akademik, por është vit shpirtëror. Ju kujtohet hadithi i Pejgamberit, alejhi’s selam që kur u pyet për Muajin Sha’ban pati thënë:
“هُوَ شَهْرٌ تُرْفَعُ فِيهِ الْأَعْمَالُ إِلَى رَبِّ الْعَالَمِينَ فَأُحِبُّ أَنْ يُرْفَعَ عَمَلِي وَأَنَا صَائِمٌ
…Ai është një muaj në të cilin ngritën veprat tek Zoti i botëve ndaj dua që vepra ime të ngritët duke qenë unë agjërueshëm” .
Ngritja e veprave tek Allahu i Madhëruar bëhet në tri forma:
   Çdo ditë
   Çdo javë, dhe
   Çdo vit, siç ndodhë në këtë muaj .
Dhe, nëse veprat nuk llogariten si fillojnë por si mbarojnë, atëherë, duhet që edhe kjo javë e fundit që ka mbetur, të stërmbushet me pendim, istigfar, dua, namaz, sadaka, me shpresë se fundi do të vulosë për të mirë vitin që po lëmë pas.
2. Ramazani është maratonë e shpirtit, ku garimi bëhet me zemër dhe trup, ndaj, nëse një atlet për të fituar maratonën fillon me stërvitje shumë më herët, përse edhe ne të mos fillojmë përgatitjet për këtë maratonë. Realisht, moskuptimi i mirëfilltë i këtij parimi, ka bërë që xhamitë tona pas javës së parë të zbrazen: maratonën e kanë filluar atletë të papërgatitur. Në fillim falë shumë namaz, lexon shumë Kur’an, falë rregullisht teravitë dhe të gjitha namazet në xhami, kurse më pas, i braktisë shumicën. Mu për këtë, parimin për vazhdim të suksesshëm në rrugën e Allahut të Madhëruar, pa shkëputje, Muhammedi, alejhi’s selam e shembëlloi me një rrugëtim në këmbë, që nëse njeriu nuk ec me pushime dhe në mënyrë sistematike, ai do të përshkojë një distancë pro shume shpejt do ta ndërpres udhëtimin ngase nuk do të ketë fuqi fizike për të.
Këtë parim, për adhurimet në përgjithësi, e aprovoi edhe Muhammedi, alejhi’s selam në metodologjinë e tij. Buhariu dhe Nesaiu transmetojnë se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“إِنَّ الدِّينَ يُسْرٌ وَلَنْ يُشَادَّ الدِّينَ أَحَدٌ إِلَّا غَلَبَهُ فَسَدِّدُوا وَقَارِبُوا وَأَبْشِرُوا وَاسْتَعِينُوا بِالْغَدْوَةِ وَالرَّوْحَةِ وَشَيْءٍ مِنْ الدُّلْجَةِ
Vërtet, feja është e lehtë dhe nuk ndodhë askush ta sfidojë atë (duke dalë jashtë normales në adhurim) e të mos pësojë disfatë. Por ju bëjeni atë që është e qëlluar (pa tepricë apo pakësim), nëse nuk mund ta bëni perfekten atëherë afrojuni asaj, përgëzohuni (me shpërblim për veprat sistematike), ndihmohuni (në rrugën e Allahut të Madhëruar ashtu siç ndihmoheni) me ecje (udhëtim normal) në fillim të ditës, pas zenitit dhe në fund të natës (adhurim kohë pas kohe)”.
Pra, realisht, për të mos dështuar në Ramazan, është dashur që të fillojmë shumë më herët me agjërim dhe me namaz nate.
3. Nëse fillimi starton suksesshëm dhe i organizuar, atëherë edhe fundi do të jetë i tillë.  Ja çfarë shembulli e sjell Pejgamberi, alejhi’s selam.
“إنما الأعمال كالوعاء إذا طاب أسفله طاب أعلاه و إذا فسد أسفله فسد أعلاه
Veprat janë sikur një enë; nëse ushqimi në fund zihet si duhet, atëherë edhe pjesa e sipërme zihet, ndryshe, nëse është djegur pjesa e poshtme, edhe pjesa e sipërme prishet” .
4. Zemra i ngjan motorit të një makine, e cila pas mundimit të shumtë me mëkate e padrejtësi, ka nevojë për një riparim, në mënyrë që këtë vit të ri ta startoj e pastër. Thotë Allahu i Madhëruar:
“كَلَّا بَلْ رَانَ عَلَى قُلُوبِهِم مَّا كَانُوا يَكْسِبُونَ
Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan.”. El Mutaffifine, 14.
Imam Ahmedi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“إِنَّ الْمُؤْمِنَ إِذَا أَذْنَبَ كَانَتْ نُكْتَةٌ سَوْدَاءُ فِي قَلْبِهِ فَإِنْ تَابَ وَنَزَعَ وَاسْتَغْفَرَ صُقِلَ قَلْبُهُ فَإِنْ زَادَ زَادَتْ فَذَلِكَ الرَّانُ الَّذِي ذَكَرَهُ اللَّهُ فِي كِتَابِهِ  كَلَّا بَلْ رَانَ عَلَى قُلُوبِهِمْ مَا كَانُوا يَكْسِبُونَ
Kur besimtari të bëjë mëkat, në zemrën e tij i bëhet një njollë e zezë; nëse pendohet, largohet prej tij dhe kërkon falje, zemra i pastrohet, ndryshe, nëse shtohen mëkatet, njolla zgjerohet saqë përfshin tërë zemrën, Ky është  “Rani” që Allahu e përmendi në Librin e Tij “Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan, zemrat e tyre ua mbuluan.” .
5. Ramazani është mysafir i Allahut të Madhëruar, që nënkupton se si të respektohet ai, ashtu respektohet edhe Allahut të Madhëruar, ndaj pritja dhe përcjellja e këtij muaji, reflekton shumë drejt dhe qartë respektin tonë për Allahun e Madhëruar.
II. Përgatitje psikike
Me rastin e fillimit të përgatitjeve për Ramazan, një vend shumë kyç duhet t’i rezervohet përgatitjes psikike. Më konkretisht, duhet të gjesh përgjigjen për:
Ramazani çfarë pozite ka në fe?
Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“بُنِيَ الْإِسْلَامُ عَلَى خَمْسٍ شَهَادَةِ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَأَنَّ مُحَمَّدًا رَسُولُ اللَّهِ وَإِقَامِ الصَّلَاةِ وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ وَالْحَجِّ وَصَوْمِ رَمَضَانَ
Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka Zot përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi dhe agjërimi i Ramazanit”. Buhariu.
Çfarë përfaqëson Ramazani?
Ramazani është kohë adhurimesh. Është stinë e shumëfishimit të veprave, është muaj i faljes së mëkateve, është muaj i shpalljes së Kur’anit, është muaj që vulosë fatin për të ardhmen e njeriut….Në këtë muaj shkruhen edhe caktimet vjetore të njerëzve…
Thotë Allahu i Madhëruar:
“لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ
Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!”. El Kadr, 3.
Kurse Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“قَالَ اللَّهُ كُلُّ عَمَلِ ابْنِ آدَمَ لَهُ إِلَّا الصِّيَامَ فَإِنَّهُ لِي وَأَنَا أَجْزِي بِهِ
Thotë Allahu: Çdo vepër e njeriut është për të me përjashtim të agjërimit, i cili më përket Mua dhe Unë shpërblej për të…” .
“مَنْ صَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ
Kush agjëron Ramazanin me besim dhe llogari (në shpërblim të Allahut), i falen mëkatet e mëhershme” .
Çfarë prioritetesh ka?
Puna pa kushte zakonisht nuk jep efektet e duhura. Ramazani, përveç që është muaj i shumëfishimit të veprave, ai ka bërë edhe bllokimin e djajve, atyre që të pengojnë nga veprat, ndaj Pejgamberi, alejhi’s selam thotë:
“إِذَا كَانَتْ أَوَّلُ لَيْلَةٍ مِنْ رَمَضَانَ صُفِّدَتْ الشَّيَاطِينُ وَمَرَدَةُ الْجِنِّ وَغُلِّقَتْ أَبْوَابُ النَّارِ فَلَمْ يُفْتَحْ مِنْهَا بَابٌ وَفُتِحَتْ أَبْوَابُ الْجَنَّةِ فَلَمْ يُغْلَقْ مِنْهَا بَابٌ وَنَادَى مُنَادٍ يَا بَاغِيَ الْخَيْرِ أَقْبِلْ وَيَا بَاغِيَ الشَّرِّ أَقْصِرْ وَلِلَّهِ عُتَقَاءُ مِنْ النَّارِ وَذَلِكَ فِي كُلِّ لَيْلَةٍ
Në Natën e parë të Ramazanit, prangosen djajtë dhe xhinët e tërbuar, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe nuk hapet asnjë, hapen dyert e Xhennetit dhe nuk mbyllet asnjë, kurse një thirrës thërret: O kërkuesi i hajrit, eja! O kërkuesi i të keqes, pakëso të këqijat! Allahu i Madhëruar për çdo natë liron njerëz nga zjarri” .
Cilat janë synimet e Ramazanit?
Çfarë në të vërtetë dëshiron Allahu i Madhëruar nga ne me agjërim? A dëshiron që të ndiejmë uri e etje apo pas kësaj synohet diç më madhore?
Duhet ta dish se Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për adhurimet tona. Tek Allahu i Madhëruar nëse ti han apo jo nuk ndikon as në shtimin as në pakësimin e pasurisë së Tij. Sikur tërë njerëzit të kërkonin nga Allahu i Madhëruar çfarëdo që iu vjen në mendje dhe secilit t’i plotësohej dëshira, prapë pasuria e Allahut nuk do të pakësohej. Agjërimi synon diçka tjetër:
1. Pastrimin e shpirtit tënd. Thotë Allahu i Madhëruar:
“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. El Bekare, 183.
2. Dobësinë tënde para Allahut të Madhëruar. Të ka mashtruar pasuria, pozita, fama, kurse tash kur agjëron sheh se sa i dobët je, sa i pafuqishëm që je, kurse Allahu i Madhëruar, Ai është SAMED, nuk ka nevojë për ushqim dhe të gjitha krijesat kanë nevojë për Të.
3. Solidarizimin me të varfrit. Përplot 11 muaj ke ngrënë dhe nga neglizhenca nuk ke përkujtuar vështirësinë e varfërisë dhe urisë. Tash kur agjëron përkujton se njeriu ka mungesë të gjërave më elementare për jetë, ndaj edhe të hapet zemra dhe jep lëmoshë më shumë se në muajt tjerë.
Çka humbi nëse nuk agjëroj?
Ti humb:
1. Shansin më të volitshëm të faljes së mëkateve, që ndoshta vitin e ardhshëm nuk do të kesh mundësi ta shfrytëzosh ngase vdekja nuk dihet kur vjen. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“وَرَغِمَ أَنْفُ رَجُلٍ دَخَلَ عَلَيْهِ رَمَضَانُ ثُمَّ انْسَلَخَ قَبْلَ أَنْ يُغْفَرَ لَهُ
…I poshtëruar qoftë ai që i vjen Ramazani dhe i del pa iu falur mëkatet…” .
2. Radhitesh në mesin e mëkatarëve më të mëdhenj.
Thotë Imam Dhehebiu në librin e tij të njohur El Kebair: Mëkati i 10 (për nga pesha prej mëkateve të mëdha  është): ngrënia në Ramazan pa arsye dhe leje”. Po ashtu Imam Dhehebiu cek mendimin e Ibni Abbasit i cili thotë: Nyjet [lidhja] e  Islamit  dhe rregullat e fesë janë tri: Dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, namazi dhe agjërimi i Ramazanit, andaj kush e braktisë njërën prej këtyre tri parimeve ai ka bërë kufër (ka rënë në mosbesim)”, mendim të cilin e përkrah Dhehebiu. Transmetohet nga Ibni Mes’udi dhe të tjerët prej sahabeve se: Kush e prishë një ditë pa arsye nuk mund ta kompensojë edhe po të ketë agjëruar tërë vitin (e kanë transmetuar të pestit por nuk është vërtetuar nga Muhammedi) .
Kjo, përveç terash, edhe për faktin se nëse një kohë shquhet me shumëfishim të veprës, atëherë edhe mëkati në të, shumëfishohet. Në Qabe, një namaz ka shpërblim të shumëfishtë por anashkalimi i namazit me qëllim, siç thonë dijetarët, ka dënim të shumëfishtë.
Si e pritnin të tjerët Ramazanin?
Selefi vuanin për Ramazanin. Mos agjërimi as që diskutohej, aty bëhej fjalë për agjërim madje edhe pa syfyr fare. Ata donin të agjëronin me  madje pa ndërprerje e prej tyre kishte qe kërkonin nga Pejgamberi, alejhi’s selam të agjëronin vazhdimisht, edhe jashtë Ramazanin. Meraku që iu mbetej për dynjanë ishte agjërimi në ditë me vapë të madhe….
Paramendo çfarë do të donin ata që nuk janë më në mesin tonë?
Filani vdiq dje. Sot na dhanë lajmin se një djalë i ri ndërroi jetë. Para dy javëve e varrosëm filanin…Ata më nuk kanë shansin e agjërimit. Sikur ti të kishte qenë ky filani, paramendo sa mëkate ke pa shlyer, sa gabime ke pa i falur, sa gjynahun e ke të regjistruar, si do t’i fshije ato?
A e di se do të thuaje po të ishte filani:
“رَبَّنَا أَخْرِجْنَا نَعْمَلْ صَالِحاً غَيْرَ الَّذِي كُنَّا نَعْمَلُ
… O Zoti ynë, nxirrna e të bëjmë vepra të mira, e jo si ato që i bënim!…”. Fatir, 37.
Por Allahu i Madhëruar do të kishte thënë:
“أَوَلَمْ نُعَمِّرْكُمْ مَا يَتَذَكَّرُ فِيهِ مَنْ تَذَكَّرَ وَجَاءَكُمُ النَّذِيرُ فَذُوقُوا فَمَا لِلظَّالِمِينَ مِنْ نَصِيرٍ
… Po a nuk u dhamë juve jetë aq saqë ai që ka dashur të mendojë, ka mundur të mendojë gjatë asaj kohe, madje juve juve u ka ardhur edhe pejgamberi, pra shijoni, se për zullumqarët nuk ka ndonjë ndihmëtar”. Fatir, 37.
Më vështirë agjërimi apo Xhehennemi?
Edhe kësaj pyetjeje duhet t’ia gjesh përgjigjen për arsye se veprat shpërblehen sipas llojit të tyre. Nëse në këtë botë ke agjëruar dhe ke ndier uri e etje, në Ahiret do të shpërblesh me shuarje të etjes në ditën kur ke më së shumti nevojë. Paramendo veten në mesin e dhjetëra miliarda njerëzve, ku do të qëndrosh për 50.000 vite, si do ta shuash etjen….Po agjërove 10-15 orë, Haudi i Pejgamberit, alejhi’s selam të pret.
Me këtë rast, si një motiv më shumë për të duruar etjen dhe urinë, do të përkujtoja se agjërimi është i mishëruar me një adhurim që quhet ”Durim” dhe që të dy janë veprat e vetme që kanë shpërblim të pakufij prej Allahut të Madhëruar, ndaj agjëro!
III. Përgatitja konkrete
Përgatitja konkete nuk nënkupton assesi anën materiale. Të shkojmë e të blejmë artikuj ushqimor thuajse Ramazani është garë ushqimore…Jo, duam që të përgatitesh shpirtërisht për Ramazan, dhe ja disa nga mënyrat:
1. Largim para afrimit. Si? Ekziston një rregull tek dijetarët muslimanë “التخلية قبل التحلية ” (Zhveshje nga mëkatet para se t’i qasemi veprave të mira). Me një fjalë, duhet të ndalësh dhe duke krahasuar këtë Ramazan me të kaluarin të korrigjosh gabimet që të kanë privuar nga shpërblimi:
A) Kalimi i kohës pranë filmave televiziv. Ramazani nuk është muaji serialeve por muaj i Kur’anit.
B) Shoqëria me të cilët natën e kalon nëpër kafeteri
C) Fjalori banal, i cili zhvleftëson agjërimin
2. Pendimi për të kaluarën dhe vendosmëria për të ardhmen. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“مِنَ الْمُؤْمِنِينَ رِجَالٌ صَدَقُوا مَا عَاهَدُوا اللَّهَ عَلَيْهِ
Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë All-llahut…”. El Ahzab, 23.
Bëhu edhe ti si këta burra që kur ia dhanë besën Allahut të Madhëruar, dhe vendosmërinë që ky Ramazan të jetë ndryshe nga të mëparshmit, dëshmoje.
3. Agjëro për Allahun e Madhëruar e jo për traditë, ndryshe agjërimi yt kontestohet.
4. Lute Allahun e Madhëruar që ta arrish Ramazanin, dhe nëse do të dish se për çfarë lutesh, lexoje këtë hadith nga Talha b. Ubejdil-lah:
“Dy burra nga Belijji erdhën tek i dërguari i Allahut, alejhi’s selam, dhe pranuan Islamin bashkërisht. Njëri është më punëtor (në aspektin fetar) se tjetri. Ky luftoi dhe ra dëshmor kurse tjetri jetoi edhe një vit e më pas vdiq. Thotë Talha: pashe në ëndërr se derisa isha tek dera e Xhennetit, erdhën ata dy. Doli dikush nga Xhenneti dhe ia lejoi atij qe vdiq më vonë të hyj i pari. Pastaj doli dhe e thirri atë që ra dëshmor. Më pas u kthye tek unë dhe më tha: Shko se ende nuk ka ardhur koha për ty. Talhaja në mëngjes iu tregonte njerëzve, të cilët u çuditën kurse lajmi i shkoi në vesh edhe të dërguarit, alejhi’s selam. Po nga kush çuditeni?- i pyeti.  Nga ky që përpiqej në adhurim më shumë dhe që ra dëshmor e nuk hyri në Xhennet para atij që vdiq më vonë- i thanë.  Pejgamberi, alejhi’s selam iu tha:
“أَلَيْسَ قَدْ مَكَثَ هَذَا بَعْدَهُ سَنَةً قَالُوا بَلَى قَالَ وَأَدْرَكَ رَمَضَانَ فَصَامَ وَصَلَّى كَذَا وَكَذَا مِنْ سَجْدَةٍ فِي السَّنَةِ قَالُوا بَلَى قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَمَا بَيْنَهُمَا أَبْعَدُ مِمَّا بَيْنَ السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ
Po ky a nuk jetoi pas tij një vit? Po – i thanë. Dhe arriti Ramazanin ku agjëroi dhe bëri kaq e kaq sexhde në vit? – i pyeti prapë. Po- thanë. Ata janë larg njeri tjetrit në Xhennet si largësia ndërmjet qiejve dhe tokës” .
5. Vetëdijesimi se këto vepra nuk të ofrojnë më shumë se sa mëshirën e Allahut të Madhëruar ndaj puno për të. Hasani qante shumë dhe thoshte:
“أخاف أن يطرحني في النار ولا يبالي
Kam frikë të më hedh në zjarr dhe të mos bezdiset fare”.
6. Katalogu. Nëse merr një udhëtim, kujdesesh që ta kesh me vete katalogun. Çfarë udhëtimi dëshiron të bësh. Në Ramazan ofrohen tri lloje:
1. Agjërimi i njerëzve të thjeshtë. Këta janë agjërues që largohen vetëm nga ushqimi dhe pija.
2. Agjërimi i njerëzve të dalluar, të cilët agjërojnë edhe me gjymtyrë, pra nuk flasin e nuk veprojnë keq, dhe
3. Agjerimi i të dalluarve nga të dalluarit, të cilët agjërojnë edhe me zemër, të cilës nuk ia lejojnë dot të preokupohet me diç tjetër përveç Allahut të Madhëruar.
Përfundim
Me gjithë këto të mira që i ka Ramazani, jo të gjithë e presin me kënaqësi. Ka njeri që Ramazanin e pret shumë vrazhdë, madje edhe nëse agjëron, për çdo ditë shprehjen kryesore e ka: Mbaruam! InshaAllah shkon sa më shpejtë…Por mjerisht ka të atillë që fare nuk e duan…e urrejnë…
Tani kur flasim për ardhjen e Ramazanit, ka njerëz që do ta presin nëpër plazhe…Të mjerët ata…Këtyre, me gjithë mëkatin e madh që bëjnë, nuk do iu themi pabesimtarë, por do t’ua përkujtojmë fjalën e Allahut të Madhëruar:
“فَلَمَّا نَسُوا مَا ذُكِّرُوا بِهِ فَتَحْنَا عَلَيْهِمْ أَبْوَابَ كُلِّ شَيْءٍ حَتَّى إِذَا فَرِحُوا بِمَا أُوتُوا أَخَذْنَاهُمْ بَغْتَةً فَإِذَا هُمْ مُبْلِسُونَ
Meqë lanë pas dore atë me çka u këshilluan (t’i drejtohen Zotit), Ne ua hapëm dyert e çdo gjëje (begatie) derisa kur u gëzuan për atë që ju kishte dhënë, i kapëm befas, e ata mbetën të zhgënjyer”. El En’am, 44.
Vallahi! Ka gjasa që Allahu i Madhëruar t’i dënojë atje!
Urime Ramazani dhe e përjetofshim bashkërisht për shumë vjet ashtu siç është më së miri!
Sedat ISLAMI
14.08.2009, e xhuma
Hutbe mbajtur në Xhaminë “Mirësia” në Vushtrri