Hutbeja e parë

Falënderimi i takon vetëm Allahut i cili e bëri muajin e Ramazanit zotëri të gjithë muajve dhe dyfishues të mirësive dhe veprave. Atë e falënderoj dhe lavdëroj dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e agjëruesve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahut dhe robin e Allahut.

Të nderuar vëllezër muslimanë,

Frikojuni Allahut me frikërespekt të vërtet dhe dijeni se Ai ju mbikëqyr kudo që të jeni në fshehtësi apo haptazi.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” Bekare183.

Çdo musliman është mallëngjyer për muajin e Ramazanit, muajin e mëshirës dhe Kuranit.  Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit. Prangosen shejtanët dhe në të është një natë më e mirë se një mijë muaj. Ky muaj ditët i ka të caktuara, kujtimet dhe kënaqësitë e paharruara, dhe veprat e mira të dyfishuara. Prandaj ju o vëllezër të Islamit, ju përgëzoj me zotërinë e muajve i cili na vjen pas një mungese të gjatë, ashtu si i përgëzonte Muhamedi, sal-allahu alejhi ue selem, shokët e tij dhe u thoshte: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit kurse mbyllen dyert e xhehenemit. Në këtë muaj shejtanët mbyllen. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtet i privuar.”

Si mos të përgëzohet mëkatari kur i mbyllen dyert e xhehenemit dhe i hapen dyert e mëshirës dhe pendimit? Si mos të përgëzohet i mençuri kur në këtë kohë lidhen shejtanët? Muaj që nuk e arrin asgjë dhe askush në të mira dhe dobi. Ky muaj është muaj i fitoreve për Umetin. Në këtë muaj u fitua lufta e Bedrit, u çlirua Mekja, e më vonë Endelusi dhe Hitini e shumë të tjerë.

Sot disa prej muslimanëve Ramazanit ia humbin shkëlqimin dhe vlerën e tij. Në vend që ta veçojnë me agjërim dhe Kuran ata i braktisin shtëpitë për udhëtime dhe aventurë. Disa e shfrytëzojnë që ditën të flenë, ndërsa natën të lozin dhe argëtohen dhe ta luftojnë Allahun me mëkate.

Ardhja e këtij muaji është begati e madhe për atë që Allahu nuk ia merr shpirtin. Dëshira e sa njerëzve ka qenë që ta agjërojnë këtë muaj të shenjtë, por sot nuk janë në mesin tanë?! Sa prej nesh këtë vit do ta agjërojmë së bashku e vitin tjetër Ramazanin do ta presim në varre:“Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” Lukman 34.

Si ta gostitim këtë mysafir të vlefshëm?

Ky mysafir gostitet me hapjen e zemrave para se t’ia hapim dyert e shtëpisë, dhe me pastrimin e shpirtrave dhe pastrimin e pasurisë.

Prandaj, ti i cili i bën mëkat Allahut pendohu me sinqeritet që zemra jote të përmirësohet dhe gjendja jote të drejtohet. Allahu, azze ue xhel,thotë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. Tehrim 8.

O ju muslimanë,

Ky muaj është muaj i mëshirës dhe i faljes mes njerëzve. Muaj i largimit prej urrejtjeve dhe armiqësive, shkaqe që Umetin e përçanë dhe e dobësuan. Atë që Ramazani e takon si mos respektues i prindërve, këputës i lidhjeve familjare, braktisës i vëllezërve të Islamit, përgojues dhe shpifës në nderin e myslimanëve, u lexojmë ajetet: “Frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë” Enfal 1, dhe “Kurse ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira – Ne nuk ngarkojmë askënd më tepër nga sa ka mundësi – ata janë banorë të Xhenetit, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë. Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu.” Earaf 42-43.

Ky muaj është muaji i ndihmesës dhe lëmoshës. Prej urtësive të tij është që muslimani të bashkëvepron me vëllezërit e tij në të gjitha sferat dhe t’i përgjigjet thirrjeve të varfërve dhe të dobëtëve. E ndjen në vete varfërinë e tyre, pikëllohet me pikëllimin e tyre dhe i dhemb shpirti me dhimbjen e shpirtrave të tyre. Ia zgjat dorën me lëmoshë dhe ndihmë dhe shpreson që Allahu veprat dhe pasurinë t’ia dyfishon: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.”Bekare 261.

Ky muaj është muaji i lutjeve dhe duave. Pasuria e fituar me haram është shkak i belave. Lutjet nuk pranohen, ëndrrat dhe shpresat nuk realizohen dhe dyert e qiejve nuk hapen. Pritja e Ramazanit me pastrimin e pasurisë prej haramit dhe bërjen e duave të sinqerta janë shpresa e muslimanit në dynja dhe ahiret: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” Bekare 186.

Shiko në veten tënde, hulumto në shtëpinë tënde, fute dorën në xhepin tënd, pastroje pasurinë prej çdo harami që të dalësh para Allahut me zemër të frikësuar, pasuri të pastruar dhe lutje të sinqerta të cilave u hapen dyert e qiejve.

Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Pesë namazet, namazi i xhumasë deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër janë shkak për faljen e gjynaheve që janë bërë në mes tyre, nëse largohesh nga gjynahet e mëdha.”

Ata të cilët e kuptojnë Ramazanin si medrese për forcimin e imanit, pastrimin e moralit dhe forcimin e vullnetit, ata janë që përfitojnë prej tij. Gjatë ditës e shijojnë kënaqësinë e agjëruesit, gjatë natës e shijojnë ëmbëlsinë e namazit dhe lutjeve, ata janë të cilëve u hapen dyert e xhenetit dhe u mbyllen dyert e xhehenemit, dhe i takojnë melekët natën e Kadrit me paqe dhe përgëzime. Ata janë të cilët ndahen prej Ramazanit të mëshiruar dhe të falur, me pendim dhe lutje të pranuar, dhe me besim të ripërtërirë dhe të forcuar.

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell prej Abdullah ibën Amër ibën Asit, radijallahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për robin në ditën e Kiametit. Agjërimi thotë: “O Zot ai është ndalur nga ushqimet dhe epshet e tij ditën, më lejo të jem ndërmjetësues për të”. Dhe thotë Kurani: “O Zoti im ai është ndalur nga gjumi natën, më lejo të jem ndërmjetësues për të dhe u jepet leja për ndërmjetësim.”

Sad ibën Sehël, radijallahu anhu, na transmeton se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Vërtet në xhenet është një derë e cila quhet Rejan, nëpër të cilën Ditën e Kiametit do të hynë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër përveç tyre. Do të thirret nga ajo derë ku janë agjëruesit. Pasi që të hynë ajo derë mbyllet dhe nuk do të mund të hyjë në të askush tjetër.”

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon vetëm Allahut për begatinë e Imanit, Islamit dhe Kuranit. Falënderimi i takon vetëm Allahut që na mundësoi ta presim muajin e Ramazanit. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

O ju robër të Allahut, frikojuni Allahut me frikërespekt të vërtet: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” Bekare183.

Të parët tanë të mirë e kuptuan urtësinë e Ramazanit. Ditët e tyre ishin angazhim, prodhim dhe përsosmëri. Netët e tyre ishin asketizëm, namaz dhe Kuran. I tërë muaji për to ishte adhurim, mësim dhe bamirësi. Gjuhët e tyre agjëruese nuk përgojonin, sytë e tyre agjëruese haram nuk shikonin dhe zemrat e tyre agjëruese kah asnjë mëkat dhe gjynah nuk mëtonin.

Sot disa prej muslimanëve i morën të parët si model dhe e morën Ramazanin si sezon i adhurimeve dhe dyfishim i shpërblimeve. Ditën e agjëruan me përkushtim dhe natën u falën me përkushtim. Ndërsa disave prej tyre Ramazani nuk u bëri aspak dobi. Ditën e morën për gjumë, natën për argëtim, ngrënie dhe dëfrim. Allahu e bëri largim prej ushqimeve dhe epsheve dhe ndihmë të varfërve, ata e bënë bollëk të ushqimeve dhe pijeve duke u lavdëruar para njerëzve se unë jam i pasur.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Allahu i lartësuar ka thënë: Çdo vepër që kryen biri i Ademit është për të dhe çdo vepër e mirë i shpërblehet me dhjetë të mira deri në shtatëqind, përveç agjërimit, sepse agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ai largohet prej epsheve dhe ngrënies për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, një kur ha iftarin dhe tjetri kur të takojë Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut.”

“Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.”

“Kush e agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon atij fytyrën prej zjarrit të xhehenemit shtatëdhjetë pranvera.”

E lus Allahun, azze ue xhel, që në këtë muaj të na falë dhe mëshirojë, adhurimet të na i shtojë, duatë dhe lutjet të na i pranojë, neve të gjithëve dhe prindërit tanë dhe familjet  e tona prej Zjarri të na liron.

Hutbe nga Dr. Abdulbari Thubejti (imam dhe hatib në xhaminë e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam)

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Burimi në gj. shqipe: albislam.com