Pranimi i veprave, rëndësia, shkaqet dhe shenjat

“All-llahu na i pranoftë adhurimet”. Kjo është lutja më e shpeshtë që e kemi dëgjuar në këto ditë festive të bajramit. Kjo është simboli i muslimanëve dhe përshëndetja e tyre gjat bajramit. Kjo shprehje me të madhe përdoret pas përfundimit të dy adhurimeve të mëdha në Islam, pas agjërimit dhe haxhit. Andaj edhe tregon rëndësinë që ka në islam pranimi i veprave të mira.

Kjo nuk është për tu habitur sepse pranimi i veprave të mira është qëllimi i secilit musliman, është baza e shpëtimit dhe suksesit në dynja dhe ahiret.

Pranimi i veprave ka shkaqe, për të cilat duhet të kujdeset secili musliman, ai zakonisht duhet të lutet duke thënë:

“Zoti yn, na i prano prej nesh veprat tona, sepse Ti dëgjon dhe Di, na e prano pendimi, sepse Ti je Pendimpranuesi dhe i Mëhsirshmi”.

Një: rëndësia e pranimit të veprave të mira

Është e ditur se bujku mbjell që të korrë, studenti mëson që të arrin sukses në mësime, mirëpo çfarë do të ishte gjendja e bujkut kur do të shkonte te ara e ta shihte shkret?! Çfarë ndjenjash do ta kaplonin atëherë?! Do të mërzitet me të madhe, madje ndoshta edhe do t’i ikë mendja nga befasia dhe telasheja e madhe që e ka goditur. E njejta gjendje do ta kaplon edhe studentin, i cili është përpjekur, ka ndejtur pa gjum dhe është lodhur, mirëpo në fund të vitit, e gjen emrin e tij në listën e të dështuarëve!

All-llahu [subhanehu ve teala] shumë bukër e përshkruan këtë gjë duke thënë:

“E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur”. (El-Furkan: 23).

Është treguar në gjurmët e vjetra se Sulejmani [alejhis-selam] kaloi pran një bujkut, i cili punonte. Kur e pa ky njeri Sulejmanin [alejhis-selam], tha: All-llahu i ka dhënë familjes së Davudit pushtet të madh. Iu afrua Sulejmani [alejhis-selam] e i tha: “O rob i All-llahut, nëse ta pranon All-llahu një tesbih është më mirë për ty se dynjaja dhe çka ka mbi te”.

Tregohet se Ebu Derda [radijall-llahu anhu] ka thënë:

“Po ta dija se All-llahu mi ka praniar dy rekate, do të isha prej njerëzve më të lumtur, sepse All-llahu [subhanehu ve teala] ka thënë:

” All-llahu pranon vetëm prej të devotshmive”. (El-Maide: 27).

Dy: Shkaqet e pranimit të veprave të mira

Ka disa shkaqe për pranimin e veprave të mira, të cilat janë përmendur në formë indirekte në Kur’an, në Sunnetin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe në fjalët e selefit, [radijall-llahu anhum]. Këto mund ti përmbledhin si vijon:

1- Islami.

All-llahu [subhanehu ve teala] në Kur’an thotë:

“E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshëpruarit”. (Ali Imran: 85).

Kjo tregon se kufri, mosbesimi është pengesë e pranimit të veprës së mirë.

Gjithashtu All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ata, të cilët pas besimit të tyre u bënë pabesimtarë, e pastaj e shtuan mosbesimin, atyre kurrsesi nuk do t’u pranohet pendimi. Të tillët janë mu ata të humburit. Ata që nuk besuan dhe vdiqën si mosbesimtarë, asnjërit prej tyre nuk do t’i pranohet për kompensim, qoftë edhe plotë faqen e dheut ari. Ata i pret një dënim i dhembshëm dhe për ta nuk ka ndihmëtarë”. (Ali Imran: 90- 91).

2- Sinqeriteti.

Prej kushteve për pranimin e veprës së mirë është edhe sinqeriteti, sepse All-llahu është më i panevojshmi nga ortaku dhe asnjë vepër nuk e pranon nëse nuk është e sinqertë për hirë të Tij.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë”. (El-Kehf: 110).

Ka shumë ajete që e potencojnë këtë domethënie, kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e potencon këtë element në shumë hadithe, prej tyre është edhe ky hadith kudsi:

“Unë jam më i panevojshmi për ortak, kush ban ndonjë vepër, në të cilën më ban ndokend ortak, e lë veprën edhe ate që ma bani ortak”. (Muslimi).

Nana e Merjemes [alejhas-selam] tha:

“(Përkujtohu) Kur gruaja e Imranit pat thënë: “Zoti im, unë këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj thjesht vetëm për shërbimin Tënd, pra pranoje këtë prej meje, vertet Ti je Ai që dëgjon e di”! (Ali Imran: 35).

Si rezultat i kësaj ishte pranimi i kësaj vepreje, duke thënë:

“Zoti i saj e pranoi premtimin e saj ashtu si është më mirë, e rriti me një edukatë të mirë e të plotë “. (Ali Imran: 37).

Si shpërblim i sinqeritetit të saj u dha pranimi i kësaj vepre dhe zotimi.

Duhet ditur se shikru e anulon shpërblimin dhe asgjëson veprën. All-llahu [subhanehu ve teala] i drejtohet Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] duke i thënë:

“Pasha All-llahun, ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (All-llahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jeshë prej të humburve”. (Ez-Zumer: 65).

Ibn Kajjimi [rahimehull-llah] thotë:

“Sjembulli i atij që vepron vepra pa sinqeritet dhe pasim të sunnetit është sikur një udhëtar i cili e mbush cakullin e tij me rërë, e kjo e rëndon e aspak dobi nuk i ban”. (El-Fevaid”, fq. 44).

3- Pasimi i sunnetit të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

All-llahu [subhanehu ve teala] i urdhëron besimtarët duke u thënë:

“Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. (Ali Imran: 31).

Pasimi i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është prej shkaqeve që të mundëson të fitosh dashurinë e All-llahut [subhanehu ve teala], e kjo domethënë edhe pranimin e veprave dhe faljen e mëkateve.

Andaj Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] na mëson e na thotë:

“Kush ban ndonjë punë e cila nuk është sipas çeshtjes sonë, ajo është e refuzuar”. (Muslimi).

4- Devotshmëria.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

” All-llahu pranon vetëm prej të devotshmive”. (El-Maide: 27).

Mënyra se si është shprehur All-llahu në këtë ajet jep të kuptojmë se All-llahu vetëm nga të devotshmit i pranon veprat e mira, të cilët e respektojnë në çdo kohë dhe në çdo kohë frikohen prej Tij.

5- Bamirësia ndaj prindërve.

Kjo duket qartë në suren El-Ahkaf, ku All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, e bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj (e ai vazhdon të jetojë) derisa ta arrijë pjekurinë e vet dhe kur t’i mbush dyzet vjet ai thotë: “Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën Tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mij, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bën të mirë pasardhësit e mij, unë pendohem te Ti dhe unë jam me muslimanët”.

Pas këtij ajeti erdh ajeti tjetër, ku thuhet:

“Të tillët janë ata që Ne ua pranojmë në mënyrën më të mirë atë që punuan, ua kapërcejmë të këqijat e tyre duke i radhitur me banuesit e xhennetit. (Ky është) Premtim i vërtetë që u është premtuar”. (El-Ahkaf: 16).

Në këtë ajet All-llahu [subhanehu ve teala] tregoi se i pranon veprat e atyreve që i përmbushin këto cilësi që u përmendën në ajetin paraprak, e në kokë të këtyre veprave ishte bamirësia ndaj prindërve dhe lutja për ta.

6- Kujdesi për kohën dhe përparësinë.

Pra secili musliman duhet dhënë kujdes prioriteteve, domethënë duke kryer punën më të rëndësishme e pastaj ate që është me më pak rëndësi. Kjo del në shesh shumë qartë në fjalën e Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu], i cili duke këshilluar Omerin [radijall-llahu anhu] tha:

“Ke frikë All-llahun dhe dije se All-llahu i kërkon disa vepra gjatë ditës, të cilat nuk i pranon gjat natës, dhe i kërkon disa vepra gjatë natës, të cilat nuk i pranon gjatë ditës dhe se All-llahu nuk i pranon nafilet përderisa nuk i kryne farzet”.

7- Vepra të jetë e mirë.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

” te Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, “. (El-Fatir: 10). Domethënë këto vepra i pranon.

8- Mosmahnitja me veprën që e kemi bërë

Kjo gjë është edhe ma precize se sinqeriteti dhe më i fshehur. Ibn Kajjimi [rahimehull-llah] e emërton: “Mos të mendojmë se kemi bërë të mirë”.

Pastaj thotë: “vepra më e dobishme është që të ikësh prej njerëzve me sinqeritet, kurse nga vetja me mosparje të mirësisë që e ke bërë”.

Afër kësaj domethënie është edhe qëllimi prej fjalës së njeriut pasi ta përfundon namazain: estagfirull-llah, që mos të habitet me namazin e tij dhe që vazhdimisht të jetë i vetëdijshëm se ka mangësi të mëdha.

Shenjat e pranimit të veprave të mira

Nga mëshira e All-llahut për ummetin e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është edhe fakti se na i ka fshehur shumë shenja të pranimit të veprave të mira, madje edhe të gjitha shenjta, që askush prej nesh mos të mburet me veprat e tija. Andaj All-llahu [subhanehu ve teala] e tregon këtë tregim:

“Lexoju (Muhammed) atyre (jehudive e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurbanë, nga të cilët njërit iu pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: “Unë do të të mbys ty” (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: “All-llahu pranon vetëm prej të devotshmive”. (El-Miade: 27).

Ky ajet në mënyrë të qartë na tregon se pranimi i veprës është gjë e fshehur, është në Dorë të Zotit, e kjo është mëshirë dhe mirësi për njeriun, me qëllim që të mbetet mes shpresës dhe frikës.

Prej shenjave të pranimit të veprave të mira në popujt e kaluar ka qenë që të zbret një zjar nga qielli e ta mer flijimin e atij që i është pranuar vepra, mirëpo në ummetin e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], mund të konkludohen disa shenja, prej tyre janë:

1- Përgjigje e lutjes.

Nëse kjo vepër është lutje, me përgjigjen e saj, bëhet e qartë se kjo vepër është pranuar. Siç ndodhi me ata tre persona që mbeten të ngujuar në shpellë.

2- Dashuria e njerëzve për te dhe pranimi i tij në mesin e njerëzve.

Në hadith kudsi tregohet kjo:

“Kur All-llahu e do një njeri, e urdhëron Xhibrilin [alejhis-selam] që të thërret në qiell: o ju banorët e qiellit, All-llahu e do këtë njeri, edhe ju ta doni. Atëherë e duan banorët e qiellit, e pastaj i lëshohet pranimi në tokë”. (Muslimi).

Nëse pranohet ky njeri prej Zotit, pa dyshim se edhe vepra e tij është e pranuar te Ai.

3- Të të mundësohet të bësh vepër të mirë pas saj.

Prej shenjave të pranimit të vepër së mirë është edhe ajo që kanë thënë dijetarët: “Kur All-llahu ia pranon besimtarit një vepër, i mundëson ta bëjë edhe një vepër të mirë pas sajë”. Kjo del në shesh qartë gjat kryejres së Haxhit.

Hasan basriu thotë:

“Prej shenjave të pranimit të haxhit është që haxhiu të kthehet më asket në dynja dhe i dhënë pas ahiretit”.

4- Vazhdimi në këtë vepër të mirë

Nëse një vepër është për All-llahu, ajo vazhdon dhe nuk ndalet, kurse ajo që nuk është për All-llahu nërpritet dhe ndalet. Përderisa një vepër është për All-llah, pa dyshim se All-llahu me mëshirën e Tij do ta pranojë atë vepër. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

“Ai është që pranon pendimin e robërve të vet dhe shlyen të këqijat dhe e di çka punoni”. (Esh-Shura: 25).

5- Të jetë i kënaqur me vendimet dhe caktimet e Zotit

All-llahu [subhanehu ve teala] duke folur për besimtarët që veprojnë vepra të mira thotë:

“Shpërblimi për ta te Zoti i tyre janë: vendet në xhennete nëpër të cilët burojnë lumenj, e aty janë përgjithmonë, pa këputur. All-llahu është i kënaqur ndaj tyre, e edhe ata janë të kënaqur prej Tij. E ky është për atë, që i ka pasur dronë Zotit të vet”. (El-Bejjine: 8).

Me ate që është i kënaqur All-llahu, atij ia pranon veprat dhe ia bekon.

E lusim All-llahun që të na i pranojë veprat e mira dhe të na i fal gabimet. Amin.

Muhamed Sadik Abdul-Munim

Përshtati: Bekir Halimi

http://www.almujtamaa-mag.com,
28.11.2003