Pozita e Kur’anit në zemrat tona
Jemi në prag të pushimeve verore, andaj mendojme se është shumë e arsyeshme që gjatë këtyre pushimeve verore, sikur që përmendëm në hutben e kaluar, të mirremi me mësimin dhe studimin e Fjalës së All-llahut, Kur’anit Fisnik.
Kur tia hedhim një shikim realitetit të muslimanëve tanë, patjetër duhet të parashtrojmë pyetjen: cila është pozita e Kur’anit në zemrat dhe në jetën tonë, në aspektin e besimit, bindjes, dijes, kuptimit, zbatimit, gjykimit me te dhe shërimit të të gjitha sëmundjeve?
Kjo pyetje na del vetvetiu në shesh dhe fatkeqësisht na e tregon gjendjen e mjerueshme në të cilën gjinden muslimanët.
Vallë, a jemi duke e ditur pozitën që ka Kur’ani në përgjithësi dhe pozitën që ka patur në kohën e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe shokëve të tij?
Vallë, a mos po realizohet ankesa e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për largimin e popullit të tij nga ky libër:
“E i dërguari tha: “O Zot im, vërtet populli im e braktisi këtë Kur’an!”. (El-Furkan: 30).
A nuk janë të gjitha këto pyetje meritore që të ndalemi së paku për të menduar dhe për të anlizuar këtë gjendje dhe për të kërkuar zgjidhje për këtë situatë të mjerueshme në të cilën gjindemi ne?
Mendoj se ky pushim veror mund të jetë një pikënisje e shëndoshë për riafrimin tonë me këtë Kur’an dhe kthimin e Kur’anit në jetën tonë.
Kurani është dritë dhe shpirt
All-llahu, subhanehu ve teala, duke treguar për Kur’anin thotë:
“Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur’anin). Ti nuk ke ditur çka është libri (Kur’ani) as ç’është besimi, por Ne atë e bëmë dritë me të cilën e vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve tanë. Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë”. (Esh-Shura: 52).
Sipas këtij ajetit del në shesh se Kur’ani i ka dy cilësi kryesore: shpirt dhe dritë. Me njërën i ngjall njerëzit nga vdekja e cila i kaplon njerëzit për shkak të injorancës dhe largimit nga udhëzimi dhe dritë e cila ia shndërrit njeriut rrugën pas udhëzimit dhe fitimit të shpirtit.
Mbarë njerëzimi ka nevojë për këtë dritrë hyjnore për të larguar errësirën e devijimit, sidomos në këtë shekull që janë bashkuar errësirat e epsheve të ndryshme me errësirat e dyshimeve dhe besimeve të kota. Këto errësira kanë arritur nivelin e asaj që e ka përshkruar All-llahu, subhanehu ve teala, duke thënë:
” errësira njëra mbi tjetrën sa që nuk mund ta shohë ai as dorën e vet. Atij të cilit All-llahu nuk i jep dritë, ai nuk ka për të pasur dritë”. (En-Nur: 40).
Ndalu dhe mendo për një njeri i cili ecë në errësirë të madhe, secili hap i pengohet, frika ia mbush zemrën me çdo lëvizje, kurse mëdyshjet ia kaplojnë zemrën me çdo ide, sepse ecë drejt të panjohurës, nuk i di reziqet që e presin, e mos të flasim për dimenzionet dhe sasinë.
Ky njeri kërkon me padurim edhe një xixë të dritës, e cila ia pakëson pengimet, ia largon frikën dhe ia eliminon mëdyshjet. Për këtë njeri kjo xixë e vogël e dritës është sikur një thesar i madh.
Shiko se si e përshkruan këtë gjendje Kur’ani fisnik:
“Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) iu duket mirë mohuesve ajo që veprojnë”. (El-Enam: 122).
Dhe në ajetin tjetër:
“Vetëtima gati ua merr të pamurit dhe, sa herë që ajo u bën dritë atyre, ata ecin në te, e kur u errësohet mbesin aty “. (El-Bekare: 20).
Mirëpo fatkeqësisht disa njerëz parapëlqejnë të jetojnë në errësirë, kurse drita u pengon, sepse ajo ua shpalos mangësitë, i publikon defektet, ua nxjer në pah të zezat e zemrës dhe mendjes së tyre.
Edhe pse Kur’ani është dritë shndërritëse, zemrat dhe mendjet e tyre mundohen ti largojnë njerëzit nga ky:
“Ata që nuk besuan thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni!”. (Fussilet: 26).
“Kur ti e lexon Kur’anin, në mes teje dhe atyre që nuk e besojnë botën tjetër, Ne vëmë një perde të padukshme”. (El-Isra: 45).
Këto ajete nuk flasin vetëm për të kaluarën e hershme të njerëzimit, fatkeqësisht shumë përputhen edhe me shumë tentime të njëpasnjëshme të mosbesimtarëve për të larguar muslimanët nga ku Libër Fisnik.
Ajetet që flasin për vlerën e Kur’anit
Në vijim do ti përmendim disa ajete që flasin për vlerën e Kur’anit:
“Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh”. (El-Isra: 9).
“Vallë, a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (i humbur) dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu (si këtij në errësirë) iu duket mirë mohuesve ajo që veprojnë”. (El-Enam: 122).
“Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim”. (El-Isra: 82).
“All-llahu e shpalli të folmen më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas here (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrënqethen lëkurët dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i All-llahut, me të udhëzon atë që do. E atë që All-llahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues”. (Ez-Zumer: 23).
“Ata që e mohuan Kur’anin kur u erdhi janë të marrë; ai është një libër ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit”. (Fussilet: 41- 42).
“Ai, që ia shpalli Furkanin (Kur’anin, dallues të së vërtetës nga e pavërteta) robit të vet (Muhammedit) që të bëhet pejgamber i botës (këshillues), është i madhëruar”. (El-Furkan: 1).
“Ta, Sin. Këto janë ajete të Kur’anit dhe të librit të kuptueshëm. Janë udhërrëfyes dhe myzhde për besimtarët”.
“Edhe ky (Kur’an) është libër që e zbritëm; është i bekuar, vërtetues i të mëparshmes, e që t’i tërheqësh vërejtjen nënës së fshatrave (të banorëve mekas) dhe atyre përreth saj (mbarë botës). Ata që e besojnë Ahiretin, besojnë në të (Kur’anin), ata edhe e falin namazin rregullisht”. (El-Enam: 92).
“Ata që lexojnë librin e All-llahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata e shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (All-llahu) do t’ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t’ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është mëkatfalës dhe shumë mirënjohës”. (Fatir: 29- 30).
“Thuaj: “Sikur të ishte deti ngjyrë për t’i shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnim shtesë edhe një si ai (deti)”. (El-Kehf: 109).
“Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndokush që merr mësim?”. (El-Kamer: 17).
“Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë me ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e All-llahut (do të shteroheshin detet, do të soseshin lapsat, e jo mrekullitë e Zotit). All-llahu është ngadhënjyesi i urtë”. (Lukman: 27).
“O ju njerëz, juve ju erdhi nga Zoti juaj argument dhe Ne ju zbritëm dritë të qartë”. (En-Nisa: 174).
Këto janë vetëm disa ajete që flasin për vlerën e Kur’anit dhe sqarojnë disa cilësi dhe veti të Kur’anit.
Disa hadithe që flasin për vlerën e Kur’anit
Ithtarët e Kur’anit janë njerëzit e All-llahut
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“All-llahu ka njerëz të vetët. I thanë: cilët janë ata? Tha: ithtarët e Kur’anit janë njerëzit e All-llahut dhe të dalluarit e Tij”. (“Sahihul-Xhamii”, nr. 2165).
Kurani ndërmjetëson për lexuesin e tij në ahiret
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Lexoni Kur’an, sepse do të vijë në Ditën e Kijametit si ndërmjetësues për ate që e ka lexuar”. (Muslimi).
Ai që lexon Kur’an ngritet në gradat e xhennetit për aq sa ka ajete me vete
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:
“Do ti thuhet lexuesit të Kur’anit: lexo, ngjitu dhe këndo sikur ke kënduar në dynja, sepse vendi yt është te ajeti i fundit që do ta lexosh”. (“Sahihul-Xhami”, nr. 8122).
Lexuesi dhe hafizi i Kur’anit ka përparësi gjat varrimit
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, të vrarët gjatë betejës së Uhudit i mblidhte në një var dhe thoshte:
“Kush di më shumë Kur’an? Kur tregonin për dikend, ai atij i jepte përparësi në var”. (Buhariu).
Zbresin melaqet, qetësia dhe mëshira për Kur’anin dhe ata që e lexojnë ate
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Çdo herë që tubohen njerëzit në ndonjë shtëpi të All-llahut për të lexuar Librin e Tij dhe për ta studiuar mes tyre, atëherë mbi ta bie qetësia, i kaplon mëshira, i rrethekojnë melaqet dhe i përmend All-llahu tek krijesat që gjinden tek Ai”. (Muslimi).
Shumfishimi i shpërblimit për leximin e Kur’anit
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Kush lexon një shkronjë nga libri i All-llahut ka nga një shpërblim, kurse çdo shpërblim dhjetëfishohet. Nuk them se Eliflammimi është një shkronjë, por elifi është një shkronjë, lami është një shkronjë dhe mimi është një shkronjë”. (“Sahihul-Xhamii”, nr. 6469).
Nderimi i bartësit të Kur’anit është nga madhërimi i All-llahut
Ebu Musa El-Eshariu, radijall-llahu anhu, tregon se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Nga madhërimi i All-llahut është nderimi i një të thinjuri musliman, bartësin e Kur’anit (hafizin), i cili as nuk e tepron dhe as që largohet nga ai dhe nderimi i një pushtetari të drejt”. (“Sahihul-Xhamii”, nr. 2199).
Bartësi i Kur’anit (hafizi) vishet me petkun e nderit dhe i vihet kurora e nderit
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Do të vijë bartësi (hafizi) i Kur’anit në Ditën e Kijametit e do të thuhet: o Zot, jepi veshmbathje, e do ti vihet kurora e nderit. Pastaj do të thuhet: o Zot shtoja veshmbathjen, e do ti vishet petku i nderit. Pastaj do të thuhet: o Zot ji i kënaqur prej tij, e do ti thuhet lexuesit: lexo dhe ngjitu, kurse për çdo shkronjë i shtohet një e mirë”. (Sahihul-Xhamii”, nr. 8030).
Kur’ani e ngrit njeriun
Omeri radijall-llahu anhu, ka thënë: Pejgamberi, juaj, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“All-llahu me këtë Kur’an i ngrit disa njerëz dhe me këtë Kur’an i ul disa tjerë”. (Muslimi).
Domethënë nëse e lexojnë dhe punojnë sipas tij ngriten lart e nëse e lën pas shpine, as e lexojnë dhe as veprojnë sipas tij, atëherë mbeten shumë posht.
Më i miri prej jush është ai që ua mëson njerëzve Kur’anin
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Më i mirë prej jush është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson tjerve ate”. (Buhariu).
Vlera e hafizit të Kur’anit
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Shembulli i besimtarit që lexon Kur’an është sikur shembulli i citrusit, ka aromë të këndshme dhe shije të mirë. Shembulli i besimtarit që nuk lexon Kur’an është sikur shembulli i hurmës, nuk ka aromë, mirëpo ka shije të mirë. Shembulli i munafikut që lexon Kur’an është sikur shembulli i borzilokut, ka aromë të mirë, mirëpo shijen e ka të hidhur dhe shembulli i munafikut që nuk lexon Kur’an është sikur shembulli i kungullit të idhët, ska as aroma kurse shijen e ka të idhur”. (Buhariu dhe Muslimi).
Vlera e atij që është i shkathtë me Kur’an dhe atij që ka vështirësi gjat leximit të tij
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Ai që e lexon Kur’anin dhe është hafiz i tij është sikur melaqet e ndershme (që e sjellin shpalljen nga Levhi Mahudhi), kurse ai që e lexon Kur’anin dhe kujdeset për te edhe pse e ka vështirë, i ka dy shpërblime”. (Buhariu dhe Muslimi).
All-llahu e dëgjon ate që lexon këndshëm Kur’anin
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“All-llahu nuk ka dëgjuar askend sikur dëgjon një Pejgamberi i cili lexon këndshëm Kur’anin”. (Buhariu dhe Muslimi).
Domethënë leximi i këndshëm i Kur’anit bëhet shkak që All-llahu të dëgjon leximin tënd. A ka vlerë më të madhe se kjo? A ka shpërblim më të madh se kjo? Në mesin e miliona dhe miliardë njerëzve, All-llahu të veçon ty për të dëgjuar këndimin tënd të këndshëm të Kur’anit. Po mos të kishte vlerë dhe dhunti tjetër lexuesi dhe hafizi i Kur’anit përpos kësaj, do ti mjaftonte.
Lakmia ndaj lexuesit të Kur’anit
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Nuk duhet patur lakmi në asgjë, përpos se në dy gjëra: ndaj njeriut që All-llahu i ka dhënë Kur’anin, kurse ai e lexon gjatë natës dhe ditës dhe ndaj njeriut që All-llahu i ka dhënë pasuri dhe e shpenzon gjatë natës dhe gjatë ditës”. (Buhariu dhe Muslimi).
Hifzi i Kur’anit është më mirë se të mirat e kësaj bote
Ukbe ibën Amiri, radijall-llahu anhu, thotë: Na doli Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kurse ne ishim në Suffe e tha:
“Kush prej jush dëshiron që të shkon në Bat’han dhe Akik e të mer dy deve të majme dhe të mira, duke mos bërë mëkat e as duke mos i këputër raportet familjare? Thamë: të gjith ne e kishim bërë një gjë të tillë. Atëherë tha: nëse secili prej jush për çdo ditë shkon në xhami dhe i mëson dy ajete nga Libri i All-llahut është më mirë për te se sa të ketë dy deve, nëse i mëson tre, më mirë se tre deve”. (Sahih, Ebu Davudi).
Vlera e sexhdes gjat leximit të Kur’anit
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Kur të lexon njeriu Kur’an dhe të bën sexhde, largohet shejtani dhe qanë e thotë: vaj për mua. U urdhërua njeri të përuket dhe u përul dhe e fitoi xhennetin, unë u urdhërova të përulem dhe refuzova, andaj e meritova zjarin”. (Muslimi).
All-llahut krenohet me ata që grumbullohen për të lexuar Kur’an
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i pa disa njerëz të mbledhur dhe u tha:
“Pse jeni tubuar? Thanë: jemi tubuar të përmendim All-llahun, ta falënderojmë për udhëzimin tonë në Islam dhe për dhuntitë që na ka dhënë. U tha: më erdhi Xhibrili, alejhisselam, dhe më lajmëroi se All-llahu me ju krenohet te malaqet”. (Muslimi).
Këto ishin disa hadithe që flasin për vlerën e leximit të Kur’anit dhe bërjes hafiz i tij. Mendoj se nëse ndalemi dhe i analizojmë pak më thellë këto hadithe, do të marim një energji të mjaftueshme që secili prej nesh të punon që së paku në shtëpinë e tij të ketë një hafiz, në mos ma shumë.
vazhdon….
Bekir Halimi,
1.7.2005