Breshka e gardhit

S’jam i sigurt nëse keni dëgjuar rrëfenjën e breshkës së gardhit. Rrëfenja flet për këtë bujkun e moshuar i cili po kalonte skaj një gardhi mbi shtyllën e të cilit pa një breshkë, me ç’rast i thotë vetes: “ajo aty nuk ka hypur vetë, as vendin nuk e ka aty, as nuk di çka të bëjë aty lart; pra, cili budalla e ngjiti breshkën përmbi gardh?”

Xhamia është mbase pjesa më e rëndësishme e cilitdo komunitet musliman, dhe mënyra si udhëhiqet ajo ndikon shumë në zotësinë e komunitetit për të ngelur i bashkuar, aktiv dhe produktiv. Ama fatkeqësisht, kur sheh kush janë anëtarë të këshillit të xhamisë tuaj lokale, ti mendon a është veç njëri nga ta, apo janë të gjithë breshka gardhi? Marrë parasysh sfidat që shkaktohen nga kulturat dhe fenomonet e dëmshme bashkëkohore dhe me ndikim të madh, nevoja për anëtarë të këshillit që janë vizionarë, inspirues, të ditur, ndikues dhe të përkushtuar, është thelbësore. Pra njerëz që sjellin kontribut real në komunitet. Jo veç njerëz me nijet të mirë, punëtorë dhe entuziastë, ndonëse mund të jenë fort të dashur, por njerëz kompetentë për këtë detyrë. Entuziazmi nuk e zëvendëson diturinë e as përvojën.

 
Procesi i përzgjedhjes

Meqë kam shërbyer në këshilla të korporatave të ndryshme, kam njohuri për procesin e përzgjedhjes të anëtarëve të këshillit. Në të gjitha kompanitë publike, përjashto bizneset familjare, njerëzit ftohen të shërbejnë në këshillat e udhëheqësisë duke u mbështetur në gjurmët e karrierës së tyre personale, prestigjin e emrave të tyre, dijen profesionale dhe rrjetin e tyre me njerëz. Nuk ka as edhe një rast, në dijeninë dhe përvojën time, ku një anëtar këshilli ngritet aty ngase ai është zgjedhur nga, epo… nga kush?! Dhe mbi çfarë baza? Porsi breshka e gardhit. Cili është kualifikimi për të shërbyer në një këshill xhamie? Përnjëmend, a di të më përgjigjet ndokush?!

Më lejoni të ndaj me ju mendimet e mia në këtë çështje nga përvoja ime 40-vjeçare si konsulent në organizata komerciale, jofitimprurëse, fetare (jo vetëm islamike), aktiviste, qeveritare dhe edukative përgjatë tre kontinenteve. Unë kam intervistuar shumë liderë potencialë për kompani të ndryshme shumëkombëshe dhe kam shkruar librin “Hiring Winners” (Të punësuarit e fitimtarëve).

Ne përmendim 3 P-jat – Punë, Pasuri, Pjekuri kur rekrutojmë anëtarë këshilli për organizata jofitimprurëse. Përvojë punë në fushat që janë të rëndësishme për funksionimin e xhamisë. Pasuri personale dhe gatishmëria për të bërë donacione të dalluara për xhami, si dhe lidhje të fuqishme me njerëz që janë të gatshëm të dhurojnë. Dhe pjekuri e urtësi, fruti i përvojës shumëvjeçare përkatëse, sidomos në raportet me njerëz.

Anëtarësia e këshillt nuk është as shpërblim dhe as bakshish. As nuk është rrjedhojë e ndonjë gareje të popullaritetit. Një anëtar këshilli duhet ta plotësojë një nevojë specifike, prandaj edukimi dhe përvoja duhet të jenë kushtet dhe jo popullariteti me masën. Ky është problemi me sistemin tonë politik në shoqëri, poashtu, ku njerëzit zgjedhen të garojnë për qeveri duke u bazuar në popullaritetin e tyre me masat. Por qeverisja kërkon vizion, strategji, nivel të lartë aftësish dhe përvojë. Ata as që ia kanë idenë si të qeverisin dhe as që kanë përvojë në qeverisje, ndaj ne përfundojmë me breshka gardhi.

E njëjta gjë ndodh në këshillat e xhamive. Xhamia është objekt kritik i synuar për të sjellë dobi në të gjithë komunitetin. Atyre që e udhëheqin, anëtarëve të këshillit të tij, u duhen aftësi dhe shkathtësi specifike. Të qenët i famshëm nuk është nga to. Për këtë arsye ne kemi njerëz në këshillin e xhamisë që s’kanë fare përvojë në udhëheqjen e një organizate, as s’kanë ide çka të bëjnë dhe as që mund të trajnohen ngase nuk e kanë edukimin e nevojshëm teknik për të mësuar aftësi menaxheriale.


Anëtari ideal i një këshilli

Roli parësor i anëtarit të këshillit është ai i planifikimit strategjik dhe mbikëqyrjes. Jo ai i mikromenaxhimit praktik apo ekzekutimit. Prirja për të vepruar kështu është një shenjë alarmi se personi në detyrë është i papërshtatshëm për pozitë në këshill. Cilësia e dytë është etja e tyre për dituri dhe mësim. Të pyeturit për librat që janë duke lexuar aktualisht ju orienton nëse personi në fjalë ka gjasa të jetë i përshtatshëm në këshill. Kushdo që nuk lexon ose nuk dëgjon ligjërata rregullisht, e ka të vështirë t’ia dalë mbanë.

Anëtarët e këshillit duhet të jenë muslimanë praktikues të përkushtuar, me mendje dhe zemër të hapur dhe të kenë pasion për t’i shërbyer xhematit dhe komunitetit. Ata duhet të jenë të gatshëm që të shpenzojnë pasurinë e tyre dhe të jenë ndikues të rrethit të tyre për të përkrahur xhaminë dhe programet e saj. Gatishmëria për të përkrahur xhaminë financiarisht është kriter i rëndësishëm për të qenë anëtar i këshillit. Ata duhet ta kuptojnë rolin e këshillit që nuk përkon me atë të rojës, mjeshtrit a kopshtarit. Ata duhet të jenë planifikues strategjikë dhe këshilltarë që mbikëqyrin punët, duke e parë këtë gjë si kontributi më efektiv i tyre. Ata nuk duhet të përfshihen në punë krahu, siç perceptohet në disa xhami. Përvoja për të bashkëpunuar me xhemat dhe Bashkësinë Islame janë avantazh i qartë. Anëtarët e Këshillit duhet të kenë aftësi të shkëlqyera të komunikimit dhe aftësi për të zgjidhur probleme të cilat janë kruciale për mbajtjen e xhematit të bashkuar dhe të lidhur. Ata duhet t’i motivojnë të tjerët të marrin pjesë në aktivitetet e hajrit të xhamisë.

Këshilli i xhamisë, sikur një këshill korporateje, i jep prestigj xhamisë dhe është fytyra e xhematit. Pra kush e përbën atë, përbën diferencë të madhe. Kush nuk e përbën atë, përbën një diferencë edhe më të madhe. Përzgjedhja e anëtarëve të këshillit pse janë ata të këtij fisi apo arsye të tjera joparimore, vetëm dëmton dhe është shkak për të ushqyer paragjykim dhe diskriminim. Anëtarët e këshillit duhet të zgjidhen duke u bazuar në përshtatshmërinë profesionale të tyre dhe duhet të kenë zgjuarsinë dhe urtësinë për të tërhekur të gjithë xhematin kah hajri, kah aktivizmi. Dhe për ta zbritur breshkën nga gardhi.

 

Mirza Yawar Baig
Marrë nga: https://muslimmatters.org/2022/12/22/selecting-members-for-masjid-board-the-ideal-muslim-leadership/

Përktheu:
Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org