Sedat ef.Islami

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Atij që shpalli Kur’anin si udhëzues dhe sqarues i të vërtetës nga e kota.
O Zoti ynë! Ne nuk mund të të lavdërojmë ashtu siç Ti e meriton. Ti je ashtu siç e përshkrove dhe lavdërove Veten!
Dëshmojmë se askush përveç Teje nuk është i denjë për adhurimin dhe lutjet tona, sikur që dëshmojmë se ajo që thanë pabesimtarët dhe idhujtarët për Ty është vetëm një shpifje e pabazë.
Po kështu dëshmojmë për Muhammedin se është robi dhe i dërguari Yt i fundit; Ti e dërgove për t’i nxjerr njerëzit nga adhurimi i njerëzve në adhurimin e Zotit të njerëzve, Krijuesin e tyre dhe të qiejve e tokës, t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, nga injoranca në besim…
O Zoti ynë! Mëshiroje Muhammedin, familjen, shokët dhe pasuesit e tij!
Amin!!!

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Ndër aktivitetet e parapara për shënimin e përvjetorit të nëntë të rrënimit të kullave binjake në SHBA, ani pse private, ishte edhe ajo e pastorit Terry Jones, pastor i kishës së Floridas, për djegien e Kur’anit, e cila edhe pse jo drejtpërdrejtë prej tij, nuk mbeti pa u realizuar. Kur’ani jo vetëm që u djeg, por ai para syve të atyre që kanë zemra të verbra, edhe u përdor si leckë tualeti.
Thënë të drejtën, këto nuk kanë qenë të papritura ngase dekada e parë e këtij mileniumi të ri karakterizohet më së shumti për shkeljen e të drejtave të komunitetit mysliman në botë, vetëm se sekretin e rezervimit të këtyre aktivitete djallëzore për këtë përvjetor pas nëntë vitesh e kam vështirë ta kuptoj.
Përse Kur’ani të çnderohet, çfarë ka në të që nuk shkon?
Të nderuar!
Ky raport armiqësor i jomyslimanëve me Kur’anin nuk nis sot. Ai në fakt daton që nga shpallja e vet Kur’anit, ani pse formacionet dhe teknikat në luftën kundër tij janë përsosur.
Për të kuptuar këtë që sot po ndodhë, lidhshmërinë e së sotmes më të djeshmen, gjenealogjinë e pashkëputur të armiqve të Kur’anit, preferoj që të kthehemi në retrospektivë dhe t’i bëjmë një vështrim historik problematikës në fjalë.
Më konkretisht, dua që shtjellimin tone ta përqendrojmë në pikat në vijim:
1. Kur’ani në epokën e politeizmit
2. Orientalistët dhe Kur’ani
3. Kur’anistët
4. Përse e urrejnë Kur’anin?
Ndaj, vëllezër të nderuar, e lus Allahun e Madhëruar të më bekojë për të vërtetën sikur që kërkoj nga ju vëmendje dhe koncentrim.

1. Kur’ani në epokën e politeizmit

Kur’ani, jo vetëm nga stilistika dhe rrjedhshmëria e lartë gjuhësore por edhe nga mësimet dhe teoritë paraqiste diç që ishte jashtëzakonisht e vështirë të pranohej nga shoqëria idhujtare arabe e kohës. Nëse kihen parasysh imazhet kryesore të shoqërisë: idhujtaria, besëtytnitë, padrejtësia, skllavëria, prostitucioni, kamata dhe fajdeja, çnjerëzimi i femrës, atëherë të rivalizohet kjo me një sistem jete ku idhujtaria zëvendësohet me monoteizëm, besëtytnitë me besim e bindje, padrejtësia me drejtësi, skllavëria me liri, prostitucion me nder, kamata me lëmoshë, shkelja e së drejtës me respektim të saj, nuk mund të jetë e lehtë. Rezistenca doemos se do të jetë e fortë.
Nga këtu, shohim se Kur’ani dhe bartësi i tij, Muhammedi, alejhi’s selam u etiketuan me lloj-lloj shpifjesh vetëm e vetëm që elita e lartë e shoqërisë të vazhdonte me jetën e tyre të shthurur dhe luksoze në kurriz të shtresës së varfër. Menduan se njeriu që do të duhej sjellë këtë Kur’an do të ishte një i “zgjedhur” nga mesi i tyre, një që shquhej për fodullëk, për kryelartësi, për pushtet, e jo Muhammedi, alejhi’s selam.
“وَقَالُوا لَوْلاَ نُزِّلَ هَذَا الْقُرْآنُ عَلَى رَجُلٍ مِّنَ الْقَرْيَتَيْنِ عَظِيمٍ
Pastaj thanë: “Përse të mos i ketë zbritur ky Kur’an një njeriu të madh nga dy qytete?” ez-Zuhruf, 31.
Me këtë –siç nënvizon Ibni Kethiri- kishin për qellim Velid b. Mugiren në Mekke apo Urve b. Mesud eth-Thekafiun në Taif.
Ajo që predikonte Muhammedi, alejhi’s selam me Kur’an, ishte e pakapshme për logjikën e tyre të prishur, saqë e cilësonin si imagjinues, si fantazues, njeri që flet përralla.
“أَجَعَلَ الْآلِهَةَ إِلَهاً وَاحِداً إِنَّ هَذَا لَشَيْءٌ عُجَابٌ
A mendon ai t’i bëjë zotat Një Zot? Vërtet, kjo është gjë shumë e çuditshme!” Sad, 5.
Mu për këtë, misionin e Kur’anit e konsideruan si “tradhtar” ngase po tenton që tua ndërroj fenë e trashëguar ndër breza.
“وَإِذَا تُتْلَى عَلَيْهِمْ آيَاتُنَا بَيِّنَاتٍ قَالُوا مَا هَذَا إِلَّا رَجُلٌ يُرِيدُ أَن يَصُدَّكُمْ عَمَّا كَانَ يَعْبُدُ آبَاؤُكُمْ وَقَالُوا مَا هَذَا إِلَّا إِفْكٌ مُّفْتَرًى وَقَالَ الَّذِينَ كَفَرُوا لِلْحَقِّ لَمَّا جَاءهُمْ إِنْ هَذَا إِلَّا سِحْرٌ مُّبِينٌ
E kur u lexoheshin atyre ajetet tona të qarta, ata thoshin: “Ky nuk është tjetër vetëm se njeri, i cili dëshiron t’ju shmangë nga ajo që adhuronin prindërit tuaj” dhe thoshin: “Ky (Kur’ani) nuk është tjetër vetëm se është gënjeshtër e trilluar!” Madje, ata që nuk besuan të vërtetën, pasi ajo u erdhi, i thanë: “Kjo (Muhammed, Feja Islame, Kur’ani) nuk është tjetër vetëm se magji e qartë!” Sebe, 43.
Nga këtu, për sprovim dhe sfidim, Muhammedit, alejhi’s selam i kërkonin gjëra anormale.
“وَقَالُوا يَا أَيُّهَا الَّذِي نُزِّلَ عَلَيْهِ الذِّكْرُ إِنَّكَ لَمَجْنُونٌ ` لَوْ مَا تَأْتِينَا بِالْمَلائِكَةِ إِن كُنتَ مِنَ الصَّادِقِينَ
Dhe ata thanë: “O ti që t’u shpall përkujtimi (Kur’ani), me të vërtetë ti je i çmendur! 7. Përse nuk na erdhe me engjëj (që të vërtetojnë) nëse je i sinqertë?” el-Hixhr, 6-7.
Kur panë se të folurit e tij nuk është të zakonshëm por ka diç në brendësi, e cila tërheq shpirtin shumë, e akuzuan për magjistar, gënjeshtar, poet, fallxhor, etj. Allahu ua demantoi këto e tha:
“إِنَّهُ لَقَوْلُ رَسُولٍ كَرِيمٍ ` وَمَا هُوَ بِقَوْلِ شَاعِرٍ قَلِيلاً مَّا تُؤْمِنُونَ ` وَلاَ بِقَوْلِ كَاهِنٍ قَلِيلاً مَّا تَذَكَّرُونَ ` تَنزِيلٌ مِّن رَّبِّ الْعَالَمِينَ
Se me të vërtetë ai (Kur’ani) është fjalë (e Zotit) që e lexon i dërguari i ndershëm. 41. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti, po ju nuk besoni. 42. Nuk është as fjalë e ndonjë falltori, po ju nuk përkujtoheni. 43. Është zbritje prej Zotit të botëve!” el-Hakka, 40-43.
“وَقَالُوا أَسَاطِيرُ الْأَوَّلِينَ اكْتَتَبَهَا فَهِيَ تُمْلَى عَلَيْهِ بُكْرَةً وَأَصِيلاً
Edhe thanë: “(për Kur’anin) Janë legjenda të të parëve, që ai (Muhammedi) kërkoi t’i shkruhen ato, e i lexohen atij mëngjes e mbrëmje” el-Furkan, 5.
Madje, shpifen edhe atë se kinse një i huaj ia ka mësuar këtë libër. Allahu i Madhëruar përshkruan këtë e thotë:
“وَلَقَدْ نَعْلَمُ أَنَّهُمْ يَقُولُونَ إِنَّمَا يُعَلِّمُهُ بَشَرٌ لِّسَانُ الَّذِي يُلْحِدُونَ إِلَيْهِ أَعْجَمِيٌّ وَهَـذَا لِسَانٌ عَرَبِيٌّ مُّبِينٌ
Ne dimë shumë mirë se ata thonë: “Atë (Muhammedin) është kah e mëson një njeri!” Mirëpo, gjuha e atij nga i cili anojnë (supozojnë) ata është joarabe (e paqartë), e kjo (e Kur’anit) është gjuhë arabe e stilit të lartë e të qartë.” en-Nahl, 103.
Meqenëse Kur’ani nuk sfidonte vetëm këtë kategori njerëzish, por edhe ata që kishin devijuar nga revelatat e mëhershme hyjnore, respektivisht çifutët dhe të krishterët, s’do mend se edhe prej tyre do të kishte reagime, madje edhe më të ashpra. Kjo për shkak se lufta zhvillohej rreth një koncepti, që secila nga palët pretendonte të vërtetën qiellore. Kur’ani vazhdimisht i provokonte me fakte dhe nxiste reagime që përveç urrejtjes dhe mllefit asgjë parimore nuk kthenin.
“يَا أَهْلَ الْكِتَابِ لاَ تَغْلُواْ فِي دِينِكُمْ وَلاَ تَقُولُواْ عَلَى اللّهِ إِلاَّ الْحَقِّ إِنَّمَا الْمَسِيحُ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ رَسُولُ اللّهِ وَكَلِمَتُهُ أَلْقَاهَا إِلَى مَرْيَمَ وَرُوحٌ مِّنْهُ فَآمِنُواْ بِاللّهِ وَرُسُلِهِ وَلاَ تَقُولُواْ ثَلاَثَةٌ انتَهُواْ خَيْراً لَّكُمْ إِنَّمَا اللّهُ إِلَـهٌ وَاحِدٌ سُبْحَانَهُ أَن يَكُونَ لَهُ وَلَدٌ لَّهُ مَا فِي السَّمَاوَات وَمَا فِي الأَرْضِ وَكَفَى بِاللّهِ وَكِيلاً
O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thuani tjetër gjë për All-llahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu, Isa, bir i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i All-llahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besojeni pra All-llahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. All-llahu është vetëm një All-llah; larg qoftë asaj që Ai të ketë fëmijë. Ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë është vetëm e Tij. Mjafton që All-llahu është planifikues i pavarur. ”en-Nisa, 171.
Provokimi arrin kulminacionin atëherë kur Kur’ani bën ofertë bashkimi:
“قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْاْ إِلَى كَلَمَةٍ سَوَاء بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلاَّ نَعْبُدَ إِلاَّ اللّهَ وَلاَ نُشْرِكَ بِهِ شَيْئاً وَلاَ يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضاً أَرْبَاباً مِّن دُونِ اللّهِ فَإِن تَوَلَّوْاْ فَقُولُواْ اشْهَدُواْ بِأَنَّا مُسْلِمُونَ
Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos All-llahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)”!” Ali Imran, 64.
Verbëria shpirtërore i bënë që ta refuzojnë të vërtetën dhe përgjatë gjithë historisë ta kundërshtojnë atë në forma dhe mënyra të ndryshme, madje edhe duke shndërruar këtë në arte e shkenca, një prej të cilave edhe orientalizmi.

2. Orientalistët dhe Kur’ani

Orientalizmi, si formacion i rregullt dhe i organizuar, është pjellë e frikës së evropianëve të krishterë, të cilët duke parë depërtimin Islam në perëndim (Spanjë) dhe në lindje (Turqi) menduan për mënyra se si ta dobësojnë këtë ndikim. Të thyer para fuqisë ushtarake, ata menduan depërtimin nëpërmjet ideve, dhe këtë duke studiuar Islamin me qëllim të hedhjes së dyshimeve në të. Disa që patën shpirt të pastër, kur hasën në të vërtetën e pranuan atë ndërsa të tjerët -shumica- e refuzuan edhe pse e panë se është e vërtetë.
Orientalizmi merr hovin atëherë kur pushteti islam merr fund dhe vendet e çliruara kthehen nën sundimin e të krishterëve ndërsa shumë vende islame shndërrohen në koloni të tyre. Tashmë mundësitë e studimit ishin më të mëdha dhe fuqia e ndikimit, nëse kihet parasysh se ishin pushtetarë, ishte shumë e madhe. Vodhën librat dhe pjesë të madhe të trashëgimisë së shkruar islame dhe i dërguan në bibliotekat e tyre anembanë botes. Prezenca e një numri të madh të literaturës islame, ende në dorëshkrim, në Amerikë dhe Evropë e dëshmon këtë…
Ata deshën që ta shpërbejnë shoqërinë islame dhe atë duke sulmuar pikërisht epiqendrën e fuqisë së tyre: Kur’anin. Ndër motivet kryesore të tyre për këtë nismë djallëzore ishin:
a. Dyshuan në autenticitetin e Kur’anit në mënyrë që besimi te muslimanët të mos jete motiv i forcës dhe fuqisë. Nga këtu njërin ndër aspektet më të rëndësishme të Kur’anit, aspektin legjislativ të tij, e përshkruan si të huazuar nga jashtë. Menduan se ndryshimi i tematikave të ajeteve kur’anore nga Mekka në Medinë, është me ndikim të çifutëve. Harruan se në Mekke u diskutua vetëm për besim ngase nuk mund të ndërtohet çatia pa themel. Nuk mund të krijohet shoqëri ligjore islame pa pastruar besimin nga idhujtaria dhe besëtytnitë dhe instaluar paraprakisht besimin monoteist. Ndryshe, shoqëria e zhveshur nga besimi, nuk ka karrierë të gjatë.
Po kështu dyshuan edhe në mënyrën e kodifikimit – mbledhjes dhe tubimit të Kur’anit në një Mus’haf. Thanë se kinse nuk është tubuar në kohën e Pejgamberit, alejhi’s selam, e mund të ketë lëshime. Arsyeja përse e bënë këtë është përvoja e tyre e hidhur me vetveten dhe librat e tyre. Allahu i Madhëruar ua pati lënë nën kujdes librat por ata i ndërruan. Per të mos u përsëritur kjo, Allahu i Madhëruar garantoi ruajtje e Kur’anit:
“إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ
Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” el-Hixhr, 9.
Pastaj tradita e mbajtjes në mend të Kur’anit nga Pejgamberi, alejhi’s selam e deri në ditët e sotme është argumenti më i mirë se Kur’ani edhe po të mos ishte tubuar fare në Mus’haf do të vazhdonte të mbetej i pandryshuar.
b. Akuzuan Kur’anin për të “sensibilizuar” popullatën e botës se kinse edhe Kur’ani ka vërejtje dhe kritika nuk duhet t’i drejtohet vetëm Dhjatës së Vjetër dhe të Re – Biblës).
Megjithatë, edhe pse zgjati shumë kohë ky ndikim dhe kjo prani e tyre, largimi i tyre nga vendet islame krijoi një boshllëk, të cilin disi duhej ta mbushnin. Për të vazhduar së qëndruari, jo fizikisht por ideologjikisht, kontribuuan në një apo formë tjetër në ringjalljen e lëvizjes antiislame, lëvizjes Kur’aniste dhe përkrahjen e saj.

3. Kur’anistët

Kur’anistët janë një grup të rekrutuarish, mjerisht nga radhët e muslimanëve, në njësitë logjistike të armiqve të fesë islame, të cilët duke dështuar në luftëra frontale zbuluan se arma më efikase e tyre është luftimi i Islamit nga bijtë e tij. Ndaj, fokusimi i tyre ishte në shpirtin e Islamit, në bazën themelore të fesë, në Kur’anin Famëlartë. Ata, duke kuptuar se Kur’ani, me gjithë faktin se është bazë e fesë, vetvetiu nuk mbijeton dot si libër i qartë dhe kuptimplotë pa bazat tjera të fesë, e në veçanti pa Sunnetin, i cili e sqaron atë më së miri, ia mohuan këtë të fundit për ta pasur sa më të lehtë ekzekutimin e qëllimeve të tyre të prishura. Emërimi i tyre, në fakt, është me emër të kundërt nga misioni që kanë, siç përdoren ngjashëm me këtë edhe termet Livat (Lutistët) për homoseksualët, prej të cilëve ishte i pastër Luti, alejhi’s selam, por meqë qe përhapur në kohën e tij morri këtë emërtim. Kështu, Kur’anistët do të mund t’i definonim si ”Lëvizje e dezertuar nga radhët e muslimanëve të cilët mohojnë argumentimin me Sunnet duke pretenduar, djallëzisht, mjaftimin vetëm me Kur’an.”
Në vijim, do të paraqesim disa nga bindjet e tyre më të çoroditura të selektuara në bazë të tematikës:
– Thërrasin në gjykim vetëm me Kur’an.
– Mohojnë hadithet duke i cilësuar ato si mendime dhe ide të njerëzve dhe assesi Vajh (shpallje hyjnore), madje Sunnetin e quajnë edhe fe tokësore.
– Mohojnë burime tjera fetare, si: Ixhmain, Kijasin, kurse Ixhtihadin, Siren, Tefsirin, Fetvatë, i refuzojnë pa rezervë.
– Kane vetëm tri namaze kurse Namazin e Xhumasë e falin me dy rekate por me nga një sexhde.
– Agjërimi është në muajin Sha’ban e jo në Ramazan.
– Qabeja është idhull.
– E kanë lejuar martesën e gjyshit me mbesën dhe vëllait me vajzat e vëllezërve me arsyen se Kur’ani nuk e ka ndaluar.
– Nuk i japin selam njëri tjetrit.

4. Përse e urrejnë Kur’anin?

Mbeti të sqarohet: Përse gjithë kjo urrejtje ndaj Kur’anit? Përse të digjet Kur’ani? Përse të çnderohet? Çfarë lidhje ka ai me shkatërrimin e kullave binjake?
Protestat e organizuara kundër ndërtimit të xhamisë afër lokacionit të kullave binjake, me çka pasuan edhe me djegien e Kur’anit, përveç tjerash, na zbuluan qëllimet e tyre e vërteta. Nuk janë në pyetje kullat binjake por filozofia e pamposhtur islame. Paramendoni, e vetmja pankartë – parulle në një protestë të mbajtur në Nju Jork ishte: Islam hates gays – Islami urren homoseksualët. Çfarë lidhje ka kjo me kullat binjake?
Pra, në pyetje është ideologjia islame, dhe ne do të mundohemi të paraqesim arsyet përse urrejnë Kur’anin:
a. Autenticiteti i Kur’anit
Kur’ani i sfidon dhe vazhdon t’i sfidojë…Pamundësia për t’iu përgjigjur solli deri tek urrejtja e tij. Ja në çfarë gare i thërret Kur’ani:
“قُل لَّئِنِ اجْتَمَعَتِ الإِنْسُ وَالْجِنُّ عَلَى أَن يَأْتُوا بِمِثْلِ هَذَا الْقُرْآنِ لاَ يَأْتُونَ بِمِثْلِهِ وَلَوْ كَانَ بَعْضُهُمْ لِبَعْضٍ ظَهِيرًا
Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri – tjetrin.” el-Isra, 88.
“أَمْ يَقُولُونَ افْتَرَاهُ قُلْ فَأْتُوا بِعَشْرِ سُوَرٍ مِّثْلِهِ مُفْتَرَيَاتٍ وَادْعُوا مَنِ اسْتَطَعْتُم مِّن دُونِ اللهِ إِن كُنْتُمْ صَادِقِينَ ` فَإِن لَّمْ يَسْتَجِيبُوا لَكُمْ فَاعْلَمُوا أَنَّمَا أُنْزِلَ بِعِلْمِ اللهِ وَأَن لاَّ إِلَهَ إِلاَّ هُوَ فَهَلْ أَنْتُمْ مُّسْلِمُونَ
Apo, pse ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kur’anin)”. Thuaj: “Formuloni pra dhjetë kaptina si ai (Kur’ani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë!” 14. E nëse nuk u përgjigjen juve, atëherë pra ta keni të qartë se ai (Kur’ani), është i zbritur me dijen e All-llahut dhe se nuk ka zot pos Tij. A jeni pra muslimanë?” Hud, 13-14.
“وَمَا كَانَ هَذَا الْقُرْآنُ أَن يُّفْتَرَى مِن دُونِ اللهِ وَلَكِن تَصْدِيقَ الَّذِي بَيْنَ يَدَيْهِ وَتَفْصِيلَ الْكِتَابِ لاَ رَيْبَ فِيهِ مِن رَّبِّ الْعَالَمِينَ ` أَمْ يَقُولُونَ افْتَرَاهُ قُلْ فَأْتُوا بِسُورَةٍ مِّثْلِهِ وَادْعُوا مَنِ اسْتَطَعْتُم مِّن دُونِ اللهِ إِن كُنْتُمْ صَادِقِينَ
Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos All-llahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve. 38. Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Silleni pra ju një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni.” Junus, 37-38.
b. Forca e tij dhe ndikimi në jetën e besimtarit
Kur’ani arriti të bëjë ndryshimin më të madh në historinë e shoqërive: transformoi arabët nomade në njerëz të dijes, kulturës dhe moralit. Krahasoni vetëm mënyrën e ndalimit të alkoolit në Islam dhe në Amerikë në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar do të shihni sa ndikim të madh ka ai. U desh të shpenzohen shuma marramendëse për vetëdijesimin e popullatës, që dolën të jenë pa ndonjë sukses të shënuar; u organizuan demonstrata, u burgosën e pati edhe viktima….dhe krejt në fund, Qeveria nxori ligjin e ri që lejonte alkoolin. Në Islam i tërë ky mund dhe të gjitha këto shpenzime u mjaftuan me vetëm një fjalë:
” فَهَلْ أَنتُم مُّنتَهُونَ
… Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” el-Maide, 91.
Ndoshta këtu qëndron sekreti i përgjigjes së ish-Kryeminsitri francez, Lakostes, i cili në manifestimin e diplomimit të një gjenerate vajzash muslimane të edukuara sipas frymës perëndimore, manifestim ky që dështoi për shkak të dështimit të nismës, ngase vajzat dolën të veshura me shami dhe Kur’an në dorë, me ç’rast Lakoste për ta shfajësuar veten tha: “Çfarë të bëj unë kur Kur’ani ehte më i fortë se Franca?!”
c. Luftimi i dukurive negative
Islami nuk bashkëjeton me të keqen. Ai e lufton atë, përgjithmonë. Nga këtu, Kur’ani në shoqërinë bashkëkohore, e cila shquhet për shthurje dhe degjenerim moral, është i tepërt. Parulla në atë demonstratë: “Islami urren homoseksualët”, aludon më së miri këtë. E kjo me kujton edhe fjalën e Allahut, i Cili na mëson se veti e përbashkët e të gjithë lapërdharëve të çdo kohe ehte urrejtja e vlerave dhe moralit:
“وَمَا كَانَ جَوَابَ قَوْمِهِ إِلاَّ أَن قَالُواْ أَخْرِجُوهُم مِّن قَرْيَتِكُمْ إِنَّهُمْ أُنَاسٌ يَتَطَهَّرُونَ
Përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër vetëm se të thonë: “Dëboni ata (Lutin me besimtarë) nga vendbanimi juaj, ata janë njerëz që ruhen shumë (i largohen të shëmtuarës).” el-A’rafë, 82.
Islami që urren dhe ndalon alkoolin, prostitucionin, homoseksualizmin, lezbicizmin, drogën, nuk ka vend në shoqëritë moderne. Kjo ngase ai është i MORALSHËM.
d. Rreziku i vetëm Kur’ani
Përderisa Kur’ani është ky dhe gëzon këtë autoritet, atëherë ai është pengesa e vetme e tyre në rrugën drejt çrrënjosjes globale të vlerave. Luftimi i tij i pa rezervë bëhet ngase ai disponon me “shkopin magjik” dhe po shndërroi muslimanët prapë siç kanë qenë, atëherë vaj halli për perëndimorët. “Ne kemi konstatuar se rrezikun i njëmendtë ehte ai në Islam dhe në forcën e tij për zgjerim, nënshtrim dhe në gjallërinë mahnitëse që ka”, “Muslimanët mund ta përhapin civilizimin e tyre në botë me shpejtësinë e njëjtë që e bënë në të kaluarën, por kjo varet nga kthimi i tyre në moralin që e patën në fillim kur iu qasën misionit për herë të parë…”- janë vetëm disa nga deklaratat e tyre që vërtetojnë çështjen në fjalë.
Nëse keni parasysh se sa është shtuar numri i atyre që kanë përqafuar Islamin vetëm prej viti 2001 e tutje, atëherë mund ta imagjinoni edhe frikën që kanë, për të mos thënë se mund t’i “arsyetoni” për të.

Besimtarë të nderuar!
Kam përshtypjen se ne ende nuk dimë çfarë libri madhështor kemi në mesin tonë. Ende nuk ia kemi dhënë hakun sa duhet. Nëse mëtonin krenarinë, dinjitetin, prijatarinë, vlerat, nderin, atëherë kthejuni Kur’anit! Ai është burimi i forcës dhe moralit tuaj!

O Zoti ynë! Bëje Kur’anin pranverë të zemrave tona, udhëzues tonin në këtë jete, shoqërues në varr, ndërmjetësues në mahsher dhe lartësues në Xhennet!
Amin!!!

Hutbe e mbajtur në Xhaminë Mirësia në Vushtrri, 17/9/2010.

Burimi