Përkujtimi i begative të përditshme (1)

Begatitë  e Përhershme dhe Begatitë e ripërtrira

Qoftë lavdëruar Allahu që krijoi qiejt dhe Tokën dhe bëri errësirën dhe dritën. E megjithatë, ata që nuk besojnë, sajojnë zota të tjerë si të barabartë me Zotin e tyre.

Është Ai që ju krijoi nga balta dhe pastaj caktoi një afat në këtë botë (vdekjen) dhe një tjetër në botën e përtejme (Ditën e Kiametit). Por përsëri ju dyshoni.

Ai është Allahu (i vetmi Zot i Vërtetë) në qiej dhe në Tokë; Ai di çfarë fshihni dhe çfarë tregoni, si dhe atë që arrini të fitoni.   (El-En’am: 1–3)

E falënderojmë Atë për udhëzimin dhe mbrojtjen që na ka dhënë, e falënderojmë për dhuratat e Tij të panumërta dhe mirësitë me të cilat na ka shpërblyer. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm dhe pa ortak; robërit nuk e kanë njohur Atë ashtu siç duhet, dhe nuk e kanë vlerësuar siç e meriton. Prandaj e mohoi kush e mohoi, e kundërshtoi kush e kundërshtoi, dhe u tregua i pakujdesshëm në bindjen ndaj Tij kush u tregua anipse, sikur njerëzit ta njihnin madhështinë e Tij, i Lartësuar qoftë Ai,  zemrat e tyre do të mbusheshin me frikë, respekt, dashuri dhe madhërim ndaj Tij. Dhe sikur ta dinin fuqinë e Tij të plotë, zemrat e tyre nuk do të lidheshin me askënd tjetër përveç Tij. E sikur ta kuptonin shpërblimin e Tij, trupat e tyre do të përkulnin në adhurimin ndaj Tij.

Por Ai, i Lartësuar qoftë,  është më i mëshirshëm me robërit e Vet sesa prindërit me fëmijët e tyre, madje më i mëshirshëm me ta se sa janë ata me vetveten.

Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij; ai ishte njeri që mendonte shumë për madhështinë dhe fuqinë e Allahut, për veprat dhe mirësitë e Tij. Ky mendim e çonte gjithmonë drejt përmendjes së Tij, falënderimit dhe adhurimit më të bukur. Ai e këshilloi edhe umetin e tij që të mendojnë thellë për madhështinë e Zotit, sepse ky meditim i çon në përkushtim në bindje dhe në shmangie nga mëkatet. O Allah, zbrit paqen, mëshirën dhe bekimin e Tij mbi të, mbi familjen, shokët dhe ndjekësit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pas kësaj: kini frikë Allahun e bindjuni Atij, dhe falënderone Atë për mirësitë që ua ka dhuruar, sepse falënderimi i shton ato, ndërsa mosmirënjohja i humb. Siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe kur Zoti juaj shpalli: Nëse jeni mirënjohës, Unë do t’ua shtoj (mirësitë); por nëse jeni mohues, ndëshkimi Im është i ashpër.” (Ibrahim: 7).

O ju njerëz! Dijeni se  ndër shenjat e largimit të njeriut nga mëshira e Allahut është harresa e mirësive të Tij, qoftë për shkak të mohimit, qoftë për shkak të mësimit dhe adaptimit me to. Ndërsa prej shenjave të suksesit në këtë botë dhe në tjetrën është që njeriu t’i kujtojë gjithmonë mirësitë e Allahut ndaj tij, në çdo kohë dhe gjendje, t’ia përkujtojë vetes dhe të tjerëve, në vështirësi e lehtësi, në gëzim e trishtim, në kohë pushimi e angazhimi, në rini, në pjekuri e në pleqëri. Sepse mirësitë e Allahut e rrethojnë robin në çdo fazë të jetës së tij, dhe kujtimi i tyre e shtyn njeriun drejt falënderimit, e falënderimi i shton ato. Po ashtu, përkujtimi i tyre ia lehtëson njeriut dhimbjen për atë që i ka munguar apo që nuk e ka arritur, dhe ia zbut goditjet e kësaj bote, sëmundjet e brengat e saj. Kur njeriu e sheh se çfarë të mirash i ka dhuruar Allahu në të kaluarën dhe i krahason me bashkëmoshatarët që janë privuar nga to, ai bindet se Zoti i tij i ka dhënë më shumë sesa meriton, thjesht nga bujaria dhe mëshira e Allahut. E kur sheh dikë që është goditur me sprova më të mëdha se të tijat, sprovat e veta i duken të lehta. Me këtë mënyrë, ai jeton me zemër të qetë, duke u lëkundur mes falënderimit dhe durimit, siç lëkundet mes gëzimit dhe vështirësisë, dhe zemra e tij mbetet e mbushur me kënaqësi ndaj Zotit në çdo gjendje.

Nuk ka sëmundje më të rrezikshme në këtë fushë se sa harresa e mirësive-nimeteve ekzistuese. Robi harron mirësitë që Allahu i ka dhënë në të kaluarën dhe në të tashmen, dhe vështrimi i tij ngushtohet aq shumë sa nuk sheh gjë tjetër veç asaj që i mungon, apo ndonjë të keqe të vogël që e shqetëson. Harresa mund ta çojë deri aty sa të mendojë se mirësitë që ka, janë të merituara prej tij, pa ndonjë arsye tjetër përveçse sepse i janë dhënë.

Por e vërteta është se çdo mirësi që njeriu ka, është, thjesht, nga bujaria e Allahut ndaj tij. Njeriu nuk do t’i meritonte ato sikur të mos ishte mëshira dhe falja e Zotit për padrejtësitë dhe mëkatet e tij. Ajetet që dëshmojnë këtë janë të qarta, si ku thotë Allahu: “Zoti yt është Falës dhe i mëshirshëm. Sikur t’i ndëshkonte ata për atë që kanë bërë, do t’ua përshpejtonte dënimin.” (El-Kehf: 58). Dhe gjithashtu: “Sikur Allahu t’i ndëshkonte njerëzit për padrejtësitë e tyre, nuk do të mbetej asnjë krijesë mbi tokë.” (En-Nahl: 61).

Kur shokët e Profetit u plagosën në Uhud dhe humbën të dashurit e tyre, Allahu i përkujtoi me mirësinë e fitores në Bedër për t’ua lehtësuar dhimbjen dhe për t’i kthyer drejt falënderimit ndaj Tij: “A kur ju goditi fatkeqësia (në Uhud), pasi që kishit goditur dyfishin e saj  më parë (në Bedër), thatë: ‘Nga erdhi kjo?’ Thuaj: ‘Kjo është nga vetë ju.’ Vërtet Allahu ka pushtet mbi çdo gjë.” (Ali Imran: 165).

Po ashtu, jobesimtarët e Mekës, kur u mësuan me mirësitë e Zotit të tyre, nuk i shikonin më ato për t’i falënderuar, por i morën si të merituara, gjë që i çoi drejt mohimit të tyre. Allahu ua përkujtoi këtë zakon të tyre me fjalët: “(Shkatërrimin e ushtrisë  së elefantit Allahu e bëri) Për të mbrojtur fisin Kurejsh,  për t’i mbrojtur ata në udhëtimin që bëjnë dimër e verë.  Prandaj le të adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie (Qabes),  i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.” (Kurejsh: 1–4). Kurejshët ishin mësuar të udhëtonin dimrit drejt Jemenit dhe verës drejt Shamit për tregti, por harruan se udhëzimi, lehtësimi dhe siguria e atyre udhëtimeve ishin dhuratë nga Allahu. Karvanët e tyre shpëtonin nga grabitjet vetëm falë mbrojtjes së Tij. Por adaptimi  i tyre ndaj këtyre mirësive i bëri të harrojnë Dhuruesin e tyre. Për këtë arsye, Allahu, pasi ua përmendi këto mirësitë, i urdhëroi t’i përkushtohen adhurimit të Tij të vetëm, duke i kujtuar se Ai ishte që i kishte mbrojtur nga uria dhe frika, dhe se Ai i kishte nderuar për shkak të shenjtërisë së Qabesë. Ai thotë: “Vallë, a nuk e shohin ata se si Ne u kemi dhënë atyre një vend të shenjtë e të sigurt (Mekën), ndërkohë që njerëzit rreth tij po grabiten? A mos vallë ata besojnë në gjëra të kota, ndërsa dhuntitë e Allahut i mohojnë?!” (El-Ankebut: 67). Kjo u solli atyre respekt ndër njerëz dhe dashuri prej tyre.

Ky kujtim hyjnor që Allahu u bëri jobesimtarëve të Kurejshit për mirësitë që ishin mësuar me to është një mësim edhe për ne. Kur lexojmë suren Kurejsh dhe ajo na kalon shpesh nëpër duar, duhet të meditojmë për mirësitë me të cilat jemi mësuar, që të mos i marrim si të merituara, por t’i kujtojmë e t’i falënderojmë.

Mirësitë e zakonshme për njeriun janë të panumërta; disa janë të përhershme, disa ripërtëriten, e disa janë të përbashkëta për të gjithë njerëzit. Por zakonisht njeriu kujton vetëm ato që janë të reja dhe i harron ato të përhershmet që përtërihen çdo ditë.

Ndër begatitë e përhershme të përbashkëta është begatia e krijimit, begatia e nënshtrimit të diellit dhe hënës, begatia e nënshtrimit të asaj që është në qiej e në tokë, begatia e nënshtimit të tokës dhe çfarë është mbi të për dobinë e njeriut, si edhe begatia e çdo gjëje që gjendet mbi tokë nga mirësitë, furnizimet, të mirat dhe pasuritë që vetëm Allahu i Lartësuar mund t’i numërojë. Po ashtu, begatia e natës dhe ditës, e gjumit dhe pushimit, dhe shumë të tjera nga begatitë e shumta të përhershme dhe të përgjithshme për njerëzimin, të cilat njerëzit janë mësuar me to dhe pak prej tyre falënderojnë për to. Megjithëse Allahu i Lartësuar na ka përkujtuar për to në shumë ajete dhe na ka njoftuar se Ai është i fuqishëm t’i heqë ato, për këtë arsye ne si besimtarë duhet t’i kujtojmë dhe t’i falënderojmë vazhdimisht, duke mos lejuar që adaptimi me to të na çojë në harresë, apo në mendimin se ato na takojnë me të drejtë, apo në bindjen se nuk do të na hiqen kurrë. Falënderimi është adhurim që besimtari e kryen dhe shpërblehet për të, përveçse ai është edhe shkak për qëndrueshmërinë dhe shtimin e begative.

Ndër begatitë e përhershme dhe të ripërtërirshme njëkohsisht  janë rënia e shiut, jeta në atdhe, siguria e qetësia dhe ngjashme me këto. Këto janë begati që përtërihen në çdo kohë, por njerëzit janë mësuar me to e për këtë janë treguar të pakujdesshëm në falënderim, ndonëse e shohin qartë se si këto u mungojnë atyre që janë përreth tyre. Nuk i ruan dhe nuk i vazhdon ato për ta veçse Allahu i Lartësuar, prandaj falënderimi ndaj Tij është detyrë që u takon robërve.

Ka gjithashtu begati individuale që ripërtërihen dhe që njeriu i harron për shkak të mësimit me to, duke mos i falënderuar siç duhet. Ndër to është begatia e udhëzimit në të vërtetën dhe qëndrueshmërisë në të, begatia e suksesit në kryerjen e detyrimeve fetare, të veprave vullnetare dhe të çdo forme adhurimi dhe afrimi tek Zoti, begatia e Kuranit, e leximit, meditimit dhe veprimit sipas tij. Po ashtu begatia e shëndetit, mirëqenies, mbulimit të të metave, ngopjes dhe të tjera si këto. Të gjitha janë begati që ripërtërihen, por njeriu shpesh është i pakujdesshëm ndaj tyre ngaqë është mësuar me to. Sikur të krahasonte gjendjen e vet me atë të atyre që i kanë humbur këto begati, do të kuptonte mirë se sa e madhe është mirësia e Allahut të Lartësuar ndaj tij dhe do të mundohej më shumë në falënderimin ndaj Tij.

I lutemi Allahut të Lartësuar që të na i vazhdojë, shtojë dhe bekojë begatitë e Tij ndaj nesh, dhe të na japë sukses në falënderimin për to. Kërkojmë mbrojtje tek Ai që të mos bëhemi mohues të begative, e Ai është Dëgjuesi, dhe Përgjigjësi i lutjeve.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon Allahut me një falënderim të mirë, të shumtë e të begatë, ashtu siç e do dhe është i kënaqur Zoti ynë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm, pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që ndjekin udhëzimin e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pas kësaj: kini frikë Allahun dhe bindjuni Atij. Allahu i Lartësuar thotë: “Kini frikë zjarrin që është përgatitur për mohuesit, dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit që të mëshiroheni” (Ali Imran, 131–132).

O muslimanë! Nga mëshira e Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij besimtarë është se Ai ua përkujton atyre begatitë e përhershme dhe të ripërtërira dhe i urdhëron ata që t’i falënderojnë, në mënyrë që të jenë prej falënderuesve, të shpërblehen për falënderimin e tyre, që begatitë e tyre të qëndrojnë e të shtohen, dhe që mësimi me to të mos i çojë në harresë.

Për begatitë e përhershme Allahu i Lartësuar thotë: “Ai krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë” (El Furkan, 62). Dhe thotë: “Nga mëshira e Tij ju bëri natën dhe ditën që të pushoni në të dhe të kërkoni prej mirësisë së Tij, dhe ndoshta do të jeni falënderues” (El Kasas, 73). Dhe thotë: “Allahu e ka bërë natën që ju të pushoni, ndërsa ditën e ka bërë të ndritshme për të parë. Vërtet, Allahu është Dhurues i madh ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk janë mirënjohës” (Gafir, 61).

Sa për begatitë e ripërtëritshme, Allahu i Lartësuar thotë: “Ai i dërgon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij. Kur erërat lëvizin retë e rënda me shi, Ai i çon ato tek ndonjë vend i vdekur, ku lëshon shi dhe me anë të tij nxjerr lloj-lloj frutash; po kështu do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Këta janë shembuj që t’ua vini veshin.  Toka e mirë i jep frutat me lejen e Zotit të saj, ndërsa toka e keqe, zor se jep gjë. Kështu, në mënyra të ndryshme, Ne ua shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve mirënjohës. ” (El Araf, 57–58). Dhe thotë: “Vallë, a nuk e shohin ata se, ndër gjërat që Duart Tona kanë krijuar për ta, janë bagëtitë që ata zotërojnë?!  Ne bëmë që ato t’u nënshtrohen atyre, kështu që disa i shalojnë e prej disave ushqehen, prej disave pinë dhe nxjerrin dobi të tjera. Vallë, si të mos falënderojnë!” (Ja Sin, 71–73).

Këta janë vetëm disa shembuj nga shumë ajete të tjera që tregojnë rëndësinë e përkujtimit të begative të përhershme e të ripërtërishme dhe falënderimit ndaj Allahut të Lartësuar për to, në mënyrë që mësimi me to të mos i bëjë njerëzit t’i harrojnë. Sepse shumë prej këtyre begative janë më me vlerë dhe më të dobishme për njeriun sesa begatitë e reja apo individuale, sikur njerëzit të mendonin mbi to dhe të njihnin vlerën e tyre.

Lutuni dhe dërgoni salavate e selame  mbi Profetin tuaj…….

 

Shejh Dr. Ibrahim bin Muhamed el-Hakil

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve