Falënderimi i takon Zotit të botëve, i Cili begatoi besimtarët me dërgimin e pejgamberit, Allahu thotë: “Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur”. Ali Imran 164.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut, i Cili nuk ka të barabartë, duke qenë i sinqertë në adhurim ndaj Tij, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, i dërguar mëshirë për botët, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e pasojnë deri Ditën e Fundit.
O ju njerëz!
Keni frikë Allahun dhe dëgjoni thirrjen e Tij, përgjigjuni urdhrave të Tij dhe largohuni nga ato gjëra që ju ka ndaluar që të jeni të mëshiruar, Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, e mos e braktisni atë se ju po e dëgjoni (Kur’anin). Dhe mos u bëni si ata që thanë: “Dëgjuam”, e në të vërtetë ata nuk dëgjojnë. Krijesat (gjallesat) më të dëmshme te All-llahu janë ata të shurdhëtit (që nuk dëgjojnë të vërtetën) memecët (që nuk e thonë të drejtën) të cilët nuk logjikojnë. All-llahu do t’i bënte të dëgjojnë ata (shurdhmemecët) po të dinte (të pritej prej tyre) se do të arrinin ndonjë të mirë, po edhe sikur t’i bënte të dëgjojnë, ata do të zbrapseshin dhe do të refuzonin O ju që besuat, përgjigjjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë) dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni te Ai”. Enfal 20-24.
Në këto ajete Kuranore urdhëron Allahu në respekt ndaj Tij dhe ndaj të dërguarit të Tij, në përgjigje ndaj Tij dhe ndaj të dërguarit të Tij gjatë dëgjimit të urdhrave apo ndalesave të cilat dalin prej Tij dhe prej të dërguarit të Tij. Ka ndaluar nga përngjasimi me jobesimtarët dhe hipokritët në mos respektimin dhe mos përgjigjen ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij, ngase jobesimtarët kanë refuzuar të dëgjojnë fjalën e Allahut, sikur që thotë Allahut: “Ata që nuk besuan thanë: “Mos e dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni”. Fusilet 26.
Ndërsa çifutët thanë: “Dëgjuam (me veshë) e kundërshtuam”. Bekare 93. E hipokritët: “thanë: “Dëgjuam”, e në të vërtetë ata nuk dëgjojnë”. Enfal 21.
Ata shtiren se kanë dëgjuar dhe janë përgjigjur por në fakt nuk janë të tillë, ngase ata dëgjojnë me veshët e tyre por nuk dëgjojnë me zemër, më pas Allahu ka treguar se këta kategori të bijve të Ademit janë krijesat më të këqija, Allahu thotë: “Krijesat (gjallesat) më të dëmshme te All-llahu janë ata të shurdhëtit (që nuk dëgjojnë të vërtetën) memecët (që nuk e thonë të drejtën) të cilët nuk logjikojnë”. Enfal 22.
Pra shurdhë nga dëgjimi i të vërtetës, memec për kuptimin dhe të folurit me të, dhe i ka përshkruar se ata nuk logjikojnë, pra nuk kanë mendje të shëndoshë me të cilat mendojnë për fundin, por mendjet e tyre nuk tejkalojnë meditimin për dynjanë e pranishme dhe kënaqësitë e afërta, ata janë sikur kafshët që nuk kanë dert tjetër pos çfarë të fusin në barkun, as që mendon për të ardhmen e as që përgatitet për jetë tjetër, mirëpo ata janë edhe më të ulët se kafshët, ngase kafshët respektojnë Allahun për atë që i ka krijuar, e ata u krijuan për të adhuruar e mohuan, për këtë Allahu thotë: “Ata nuk trajtohen ndryshe, por vetëm si kafshë, bile janë edhe më të humbur nga e vërteta”. Furkan 44.
Robër të Allahut!
Prej myslimanit është e kërkuar që të dëgjon fjalën e Allahut kur të lexohet, me kuptim dhe dituri rreth kërkesave të tyre, e pastaj pas dëgjimit e kuptimit të fjalës së Allahut dhe fjalës së të dërguarit myslimani duhet të drejtohet drejt të vepruarit me to dhe t’i përgjigjet kërkesave të tyre, përndryshe dëgjimi dhe kuptimi pa vepër do të jenë argument kundër tij ditën e Kiametit, Allahu thotë: “A nuk u janë lexuar juve ajetet e Mia; e ju nuk i besuat ato?”. Muminun 105. Gjithashtu thotë: “Jo, ty të patën ardhur argumentet e Mia, e ti i përgënjeshtrove ato, u bëre kryeneç dhe ishe prej atyre që nuk besuan”. Zumer 59.
Ndërsa sot sa herë dëgjojmë dhe lexojmë ajetet e hadithet, dhe kundërshtojmë të punojmë me atë që kemi dëgjuar, duke qenë se atë që dëgjojmë dhe nuk veprojmë me të do të jetë argument kundër nesh ditën e Kiametit, i dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kurani është argument për ty ose kundra teje”.
Të shikojmë sa herë jemi përgjigjur thirrjeve të njëpasnjëshme, të ndryshme të Allahut në Librin e Tij, “O ju njerëz”, “O bijtë e Ademit”, “O ju që keni besuar”, “O robër të mi”, disa prej të parëve tanë kanë thënë: “Kur të dëgjosh fjalën e Allahut “O ju që keni besuar” hape veshin mirë ngase ose është hair me çka urdhërohesh apo sherr nga i cili ndalohesh. Allahu i Madhëruar ka treguar se çfarë urdhëron dhe thërret, është jetë për zemrat mbi të cilën ngritët jeta e plotë e lumtur për trupin në këtë botë dhe tjetrën, Allahu thotë: “O ju që besuat, përgjigjjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, (për fenë e drejtë)”. Enfal 24.
Disa komentues kanë thënë: (për atë që ju jep jetë) është për qëllim Kurani. E disa kanë thënë islami, ngase aty ka jetë gjallëri prej kufrit, sikur që thotë: “a është ai që qe i vdekur kurse Ne e ngjallëm”. EnAm 122.
Dhe kanë thënë është për qëllim lufta në rrugë të Allahut ngase aty është krenaria e muslimanëve pas nënçmimit, dhe fuqia e tyre pas dobësimit. Më pas Allahu i kërcënon ata që nuk janë përgjigjur thirrjes së Tij, dhe thotë: “dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni te Ai”. Enfal 24.
Kush nuk i përgjigjet Atij dhe të dërguarit të Tij do ta dënon me lajthitje të zemrës së tij, e nuk do ta pranon të vërtetën më pas, siç thotë: “Ne i rrotullojmë zemrat dhe të parët e tyre (prej besimit) ashtu sikundër nuk e besuan atë (Kur’anin) për herë të parë, dhe i lëmë të bredhin të hutuar në atë mashtrimin e tyre”. Enam 110.
Keni kujdes të mos refuzoni urdhrin e Allahut që të parën herë kur t’ju vije, se Allahu është ai që ndërhyn mes njeriut dhe zemrës së tij, dhe i rrotullon zemrat kah të do, për këtë i dërguari salallahu alejhi ue selem shpesh thoshte: “O rrotullues i zemrave, përqendro zemrën time në fenë Tënde”.
Robër të Allahut
Allahu thotë: “ti përgëzoji pra robërit e Mi, Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit”. Zumer 17-18.
Prej nesh kërkohet që të dëgjojmë dhe të pasojmë, kërkohet të dëgjojmë fjalën e Allahut dhe të dërguarit të Tij, ngase ai që nuk e dëgjon sot, do të ketë keqardhje nesër kur jobesimtarët do të thonë: “Dhe thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim ndër banuesit e zjarrit”. Mulk 10.
Kërkohet nga ne që të dëgjojmë hutbet, ligjëratat, të prezantojmë në kurse, tribuna që të dëgjojmë atë që na bën dobi e të mësojmë fenë tonë, të dëgjojmë programet fetare të dobishme të cilat transmetohen nëpërmjet radiove që arrijnë në çdo shtëpi e çdo vend, mirëpo shumica nga ne nuk i dëgjojnë, edhe nëse i dëgjojmë nuk i meditojmë. Në tokë nëse nuk bie shiu apo nuk arrin uji ajo tokë vdes, po ashtu edhe zemrat nëse nuk u arrin shpallja, verbërohen, sëmuren e vdesin.
Nëse njeriu nuk prezanton në hutbe, as që dëgjon këshillë, e as që lexon Kuran, e as hadith nga i dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem, si do të jetë gjendja e tij? Prej nga do ta kupton fenë? Si do ti përgjigjet Allahut dhe të dërguarit të Tij?
Përgjigjja ndodh vetëm pasi të ketë dëgjuar thirrjen, e Allahu na ka thirrur në Librin e Tij dhe me fjalët e të dërguarit të Tij, Allahu thotë: “Ai ju thërret (në besim) për t’ju falur mëkatet”. Ibrahim 10.
E kush e ka dëgjuar thirrjen e Allahut është i obliguar ti përgjigjet. “E kush nuk i përgjigjet atij që thërret në rrugën e All-llahut, ai nuk është i pamposhtur në tokë dhe pos Atij, ai nuk ka mbrojtës, të tillët janë në një humbje të hapët”. Ahkaf 32.
Ka prej njerëzve që refuzojnë të përgjigjen thirrjes së Allahut në tërësi, këta janë jobesimtarët dhe hipokritët të cilët kanë thënë “kemi dëgjuar dhe kundërshtuar”, ka prej njerëzve që pranon atë që është në pajtim me epshin e tij dhe refuzon të kundërtën, ky person është rob i epshit të tij, e nuk është rob i Allahut që pason thirrjen e Zotit, Allahu thotë: “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata ndjekin vetëm dëshirat e veta, e kush është më i humbur se ai që duke mos pasur fakt prej All-llahut, ndjek epshin e vet? S’ka dyshim se All-llahu nuk udhëzon popullin zullumqar”. Kasas 50.
Ky është sikur ai i cili beson një pjesë të librit dhe e mohon një pjesë, thirret të prezanton në namazin me xhemat në xhami, ai nuk përgjigjet, thirret ta braktisë kamatën, ryshfetin dhe marrëdhëniet e ndaluara e ai nuk mendon ti le dhe të largohet prej tyre, urdhërohet për punë të mirë dhe ndalohet nga e keqja e nuk është zbatues i tyre, edhe pse ai emërtohet me fe, dhe thotë se është prej myslimanëve, personi i tillë nëse ka shpëtuar nga kufri, nuk do të shpëton nga hipokrizia dhe sjellja e keqe.
Thirrja e Allahut arrin tek çdo person në forma të ndryshme, qoftë nëpërmjet leximit të fjalës së Allahut apo sunetit të Dërguarit salallahu alejhi ue selem, nëpërmjet thirrësve në rrugë të Allahut, nëpërmjet atyre që urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga të këqijat.
Hutbeja e dytë
O ju njerëz, dijeni se ekzistojnë pengesa të cilat janë mes robit dhe mes përgjigjes ndaj Allahut dhe të dërguarit të tij, andaj ti keni kujdes ato.
Prej tyre janë: Kryelartësia ndaj pranimit të së vërtetës, ashtu siç ndodhi me Iblisin kur Allahu e urdhëroi atë t’i bëjë sexhde Ademit, refuzoi dhe u bë kryelartë, e tha: Unë jam më i mirë se ai. I Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kryelartësia e refuzon të vërtetën dhe nënçmon njerëzit”.
Prej pengesave tjera është: Zilia, siç ndodhi nga jehudët kur i Dërguari salallahu alejhi ue selem i thirri ata që ti besojnë atij, nuk iu përgjigjën dhe mohuan, me zilinë që kishin pasi që u kishte ardhur e vërteta.
Prej pengesave është edhe: Fanatizmi në mendime, grupe, pasimi i verbër i baballarëve, sikur që kishin vepruar jehudët dhe paganët, Allahu thotë: “Dhe kur atyre u thuhet: “Besoni atë që e shpalli All-llahu”, ata thonë: “Ne besojmë atë që na u shpall neve”, kurse e mohojmë atë pas tij, edhe pse është vërtetues i atij që e kanë ata dhe është i vërtetë.”. Bekare 91.
“E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): “Pranoni atë që All-llahu e shpalli”! Ata thonë: “Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë”! Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t’i pasonin)?”. Bekare 170.
Prej pengesave është edhe pasimi i epshit, Allahu thotë: “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, atëherë dije se ata ndjekin vetëm dëshirat e veta, e kush është më i humbur se ai që duke mos pasur fakt prej All-llahut, ndjek epshin e vet? S’ka dyshim se All-llahu nuk udhëzon popullin zullumqar”. Kasas 50.
I Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka besuar asnjë prej jush përderisa dëshira e tij të jetë pasuese e asaj me të cilën kam ardhur unë”.
Prej pengesa është edhe frika nga njerëzit, mos durimi nga dëmi i tyre, Allahu thotë: “Nëse ne ndjekim rrugën e drejtë së bashku me ty, ne me të shpejtë do të jemi të dëbuar prej vendit tonë”. Kasas 57.
Allahu thotë: “Mos u frikohuni atyre, por frikohuni nga Unë, nëse jeni besimtarë”. Ali Imran 175.
I Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush përfiton kënaqësinë e njerëzve duke hidhëruar Allahun, Allahu mbi të do të jetë i hidhëruar edhe njerëzit do të hidhërohen me të”.
Shejh: Salih ibn Feuzan Ali Feuzan
Përktheu: Shpend ZENELI