Organizatat jofitimprurëse janë jetike për strukturën komunale të komunitetit musliman amerikan. Shumica e organizatave jofitimprurëse muslimane janë xhami. Të tjerët kanë role të tjera specifike, si shërbime ligjore, shërbime sociale, klinika falas, qendra të davetit ose programe të tjera. Nëse jeni i përfshirë në një organizatë jofitimprurëse, si anëtar bordi, për shembull, një nga qëllimet më të rëndësishme është rritja e organizatës jofitimprurëse. Pra, nëse jeni në bordin e një xhamie, për shembull, dëshironi të siguroheni që pjesëmarrja të rritet, donacionet të rriten dhe çdo shërbim që i ofroni komunitetit të rritet me kalimin e kohës. Pra, nëse misioni juaj është të bëni një punë të mirë që i sjell dobi Islamit, komunitetit musliman dhe njerëzimit, ju dëshironi të bëni më shumë prej saj dhe të siguroheni që puna juaj do të vazhdojë shumë pasi të mos jeni më i përfshirë. Vetë donatorët shpesh i shohin donacionet e tyre si investime dhe pëlqejnë të shohin rritje si ajo që duan të shohin kur investojnë për veten e tyre në tregjet ndër të bursës. Ndërsa për disa mund të duket si ofendim nocioni se një organizatë jofitimprurëse është si një biznes, ngjashmëritë janë thjesht shumë të mëdha për t’u injoruar.
Megjithatë, kjo dëshirë dhe nevojë për t’u rritur mund të zbutet me gjëra që nuk janë saktësisht në misionin e një organizate muslimane. Gjëja më e madhe është të kesh përgjegjësi sociale. Termi “përgjegjësi sociale” vjen nga bota e biznesit. Është ideja që biznesi ka një rol përtej fitimeve dhe rritjes. Një organizatë me përgjegjësi shoqërore ka detyrime ndaj punonjësve, fqinjëve, mjedisit, shitësve dhe punonjësve të shitësve. Ju dëshironi që organizata juaj, fitimprurëse ose jofitimprurëse, të jetë një shërbyes i mirë i komunitetit. Investitorët filluan të marrin në konsideratë të drejtat e njeriut, mjedisin dhe ndikimet e tjera sociale të kompanive ku investojnë.

Përgjegjësia shoqërore nuk ka të bëjë me aktivizmin social apo politik. Organizata të ndryshme punojnë drejt rezultateve të ndryshme dhe shumë prej tyre nuk do të përfshihen në asgjë politike. Por politika sigurisht që mund të bashkohet në fotografi.
Koncepti i përgjegjësisë sociale është i pazhvilluar në mesin e organizatave jofitimprurëse muslimane amerikane. Është koha që të fillojmë ta trajtojmë atë. Në vazhdim do ti përmendim disa fusha me të cilat mund të fillojmë.

– ‘’Pagat e varfëra’’
Një nga shembujt e profilit më të lartë të papërgjegjshmërisë sociale për shumë xhami ka qenë pagesa e imamit. Disa vite më parë, m’u kërkua të ndihmoja në një mosmarrëveshje në një xhami dhe mësova se organizata kishte punësuar një imam me mbi 20 vite përvojë në shërbim ndaj komunitetit, i cili paguhej shumë pak. Ishte e turpshme. Paga e ulët e këtij imami nuk ishte një incident i izoluar. Ndërsa në vitet që pasuan, paga e imamit është rritur, të paktën në zonën time, paga e ulët për të gjithë punonjësit ka vazhduar.
Çështjet shpesh shkojnë përtej pagesës, por edhe kushteve rraskapitëse të punës, pa kufizime në numrin e orëve apo përgjegjësive që mund ti kryejnë. Imamët që kanë ardhur nga vendet tjera (emigrantë) janë veçanërisht të cenueshëm ndaj abuzimit nga punëdhënësit e xhamive. Largimi nga kushtet e padrejta apo edhe mbrojtja e të drejtave të tyre ndaj një punëdhënësi nuk është aq e lehtë për t’u bërë sa do të ishte për vendasit.
Një parim themelor duhet të jetë që organizatat muslimane të sigurojnë që punonjësit të bëjnë një jetë të dinjitetshme dhe që kushtet e tyre të punës, orët dhe përgjegjësitë të jenë të drejta, diçka më e mirë se sa një punonjës individual mund të negociojë vetë. Ka shqetësime buxhetore për ta bërë këtë, si dhe për faktin se zakonisht është e mundur të gjesh punonjës, duke përfshirë imamë dhe mësues, të gatshëm të punojnë për shumë pak. Organizatat muslimane duhet të vendosin që kushtet e pagave dhe të punësimit duhet të jenë të përgjegjësi shoqërore.

– Jini të përgjegjshëm me zekatin
Për fat të keq; Zekati është gjerësisht subjekt i abuzimit nga organizatat jofitimprurëse muslimane, shumë prej të cilëve kanë vendosur se fakti i thjeshtë që një organizatë është jofitimprurëse do të thotë se ata mund të pranojnë Zekatin për çfarëdo që duan. Kjo privilegjon ata që fondet e Zekatit t’i përdorin në dëm të nevojtarëve të vërtetë. Nocioni se fisabililah – në rrugën e Allahut (i cili është ndër kategoritë të cilëve u takon Zekati) mund të nënkuptojë praktikisht çdo gjë, është diçka që e trajtova në një postim të mëparshëm me shejh Usman Umerjee të cilin duhet ta lexoni nëse nuk e bërë tashmë (në një afat të shkurtër edhe ky artikull do të jetë i gatshëm edhe në shqip).
Mungesa e kritereve të duhura për përdorimin e Zekatit është e dëmshme për shoqërinë, veçanërisht për të varfrit, dhe përbën abuzim shpirtëror nga organizatat jofitimprurëse muslimane. Zekati është një akt adhurimi i detyrueshëm për muslimanët, kriteret e të cilit janë të vendosura në Kuran. Fondet e Zekatit duhet të trajtohen ndryshe nga fondet e tjera. Mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë është që organizatat islame të miratojnë politika të rrepta për Zekatin dhe të sigurohen që të mos i harrojnë ata të cilët janë më meritorët që t’u ipet Zekati.

– Çfarë është në të vërtetë ‘fi sebiliLah’?
Shumë organizata jofitimprurëse nuk mund të mbijetojnë pa vullnetarë. Vullnetarët janë mbështetësit më të fortë të çdo organizate jofitimprurëse. Ne si shoqëri i pëlqejmë vullnetarët dhe duam të inkurajojmë sa më shumë prej tyre. Në të njëjtën kohë, thirrja e njerëzve për të ofruar ekspertizën e tyre vullnetare mund të jetë shfrytëzuese. Mund të mos jetë gjithmonë e qartë se ku të vihet kufiri i vullnetarizmit. Megjithatë ka njëfarë qartësie. Askush nuk do të kundërshtonte nëse një inxhinier i zërit del vullnetar për të instaluar sistemin e zërimit të xhamisë. Sidoqoftë, një imam që mban mësim për fëmijët e komunitetit duhet të paguhet për shërbimin. Të pyesësh dikë që ofron ekspertizën e tij pikërisht në atë që po bën, ku aftësitë e tij nuk janë të tregtueshme jashtë kontekstit në të cilin ai ofron shërbimin është abuzive.
Një imam duhet të ketë mundësinë të dalë vullnetar si njerëzit e thjeshtë. Është e rëndësishme si komunitet të zhvillojmë kritere se kur është e përshtatshme të mbështetesh te vullnetarët dhe kur është e gabuar të kërkosh prej dikujt të jetë vullnetar. Një qëllim kryesor këtu, përtej përgjegjësisë sociale, është parandalimi i abuzimit shpirtëror. Politika duhet të drejtohet nga ndjenja e asaj që është e drejtë dhe jo nga ‘kërkesat e tregut’. Organizatat islame paguajnë honorare të mëdha për figurat karizmatike dhe të njohura kombëtare, por shpesh presin shërbime ‘fisebililah’ nga imamët vendas, madje edhe nga ata që mund të jenë në prag të varfërisë. Ata mund të të përgjigjen me kënaqësi, por a është e drejtë të përfitohet nga situata të ngjashme?

– Qartësia dhe gjykimet e vlerave
Nuk është plotësisht e qartë cila është vija midis inkurajimit të vullnetarizmit dhe shfrytëzimit ekonomik të njerëzve me zemër të mirë. Në fakt, shumica e asaj që është përgjegjësi sociale nuk është ende e qartë për organizatat muslimane. Çdo standard në lidhje me çka është përgjegjësi sociale apo jo përfshinë gjykime të vlerave që shkojnë përtej hallallit dhe haramit. Disa mund të jenë politike. A duhet që organizata të blej produkte vetëm nga prodhuesit vendor apo të importojë nga jashtë? A duhet të përdoren vetëm hotelet e besimtarëve dhe sallat e banketeve? A duhet që organizata jofitimprurëse të blejë vetëm letër të ricikluar? A duhet të aplikojnë organizatat për grante nga agjencitë e sigurisë dhe organizatat e qeverive të huaja për t’u marrë me “ekstremistët” në komunitetin musliman? A duhet komuniteti musliman që ta pasojë gjithmonë BDS-në (Boycott, Divestment, Sanctions; përpjekje globale për t’i dhënë fund mbështetjes për shtypjen e Izraelit ndaj palestinezëve dhe për t’i bërë presion Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar.) në përkrahje të çështjes palestineze? A është e udhës që një 10 vjeçar t’iu prijë 500 besimtarëve në namazin e teravive për 30 netë rresht gjatë muajit të Ramazanit e të mos kompenzohet?
Cilado qoftë përgjigja juaj ndaj këtyre pyetjeve, nuk ka ende standarde të qarta se si të edukohen donatorët dhe antarët e bordeve të organizatave muslimane rreth asaj se çka është e çka nuk është përgjegjësi sociale.

Solli në shqip:
Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org