Falënderimet dhe lavdatat i takojnë Allahut! Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë!
I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona!
Kë e udhëzon Allahu, s’ka kush e humb dhe kë e lë në humbje, s’ka kush që e udhëzon në udhën e drejtë. Dëshmoj se s’ka të adhuruar tjetër që e meriton adhurimin përveç Allahut, Një të Vetmit dhe të pashoqë! Dhe dëshmoj se Muhammedi ishte rob i Allahut dhe i dërguari i Tij.
يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنْتُمْ مُسْلِمُون
“O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut me një frikë të denjë dhe vdekja të mos ju gjej ndryshe, por veçse duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102).
Të nderuar besimtarë!
Allahu i Lartmadhëruar është betuar – edhe pse Ai është më i vërteti në fjalë dhe nuk ka nevojë të betohet – është betuar për të treguar rëndësinë e asaj për të cilën betohet, në një sure (kapitull) fisnik prej kapitujve të Librit të Tij – i cili është: “Suretul asr” ‘Kapitulli i kohës”– është betuar se nga humbja nuk shpëton askush prej njerëzve, kushdo qoftë ai, përveç nëse i plotëson disa kushte të caktuara, që do të mundohemi ti sqarojmë gjatë kësaj hutbeje.
Betimi ka ardhur në fjalën e Tij: “Pasha kohën”
Fjala kohë në këtë sure është e përgjithshme dhe është për qëllim e gjithë koha, orët dhe çastet, dita dhe nata, muajt dhe vitet. Sepse në këtë kohë ndodhin çështje të mëdha, dikush drejtohet për te Zoti i tij dhe pajiset me furnizim për në botën tjetër dhe fiton dunjan dhe ahiretin, e dikush tjetër i shton zullumet dhe padrejtësitë,mëkatet, mohimin dhe rebelimin ndaj Allahut dhe kështu humbë në dunja dhe në ahiret.
Kurse ajeti: “Me të vërtetë njeriu është në një humbje të sigurtë” Do të thotë: Çdo njeri kushdo qoftë ai, apo të gjithë njerëzit pa përjashtim, me profesionet e tyre të ndryshme, me gjuhët dhe ngjyrat e tyre të ndryshme, në çdo kohë dhe në çdo vend qofshin, të gjithë janë në humbje “Përveç atyre që besuan dhe, punuan vepra të mira dhe, e këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën dhe e këshilluan njëri-tjetrin për durim” (Asr: 1-3)
Nga kjo humbje nuk të shpëton asgjë, përveç besimit, veprat e mira, këshillimi për të vërtetën dhe këshillimi për sabër apo durim. Këto të shpëtojnë nga humbja dhe devijimi. Dhe le të meditojmë mirë te kjo sure, sepse Allahu i Madhëruar e ka përdorur fjalën dhe: Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, dhe këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën… e nuk tha me fjalën: Përveç atyre që besuan apo vepruan vepra të mira, apo këshilluan njëri-tjetrin… për të treguar se këto çështje duhet të mblidhen të katërta sëbashku që njeriu të sigurohet nga humbja dhe nuk mjafton besimi pa vepra e as veprat e mira pa besim. Kjo është rruga e shpëtimit tek Allahu: besimi i saktë, punët e drejta, këshillimi për të vërtetën, ftesa e njerëzve në këtë fe, me fjalë dhe me shembull të mirë dhe porositja e vetes dhe e njerëzve për durim në këtë rrugë, në këtë fe deri në vdekje.
Xhematli të nderuar!
Çdo njeri kushdo qoftë ai, Allahu i ka dhënë në këtë jetë një kapital (një pasuri), dhe kapitali i njeriut është koha apo jeta e tij.
Pasuri dhe kapitali i njeriut, janë çastet e jetës së tij, ditët dhe netët e jetës së tij, muajt dhe vitet e tij, këto janë pasuria e vërtetë e njeriut.
Nëse pronari i kësaj pasurie është njeri i zgjuar, i dijshëm dhe i mençur, ai bën tregti me Zotin e tij me këtë kapital. Kështu ai shikon çastet e jetës së tij, në çdo moment prej tyre atij i drejtohet një urdhër ose mundësi nga Krijuesi i qiejve dhe tokës për me vepru punë të mira, siç janë kohët e namazeve, kohët e agjërimit,kohët e dhikrit dhe adhurimet që janë në kohë të përcaktuara, dhe prandaj besimtari i mençur shpejton të fitojë kënaqësinë e Zotit të tij, dhe bën tregti me Krijuesin e tij duke shpejtuar në punë të mira dhe shikon çdo gjë që e ka ndaluar Krijuesi i tij dhe largohet prej saj që ta fitoj kënaqësinë dhe ndihmën e Allahut fuqiplotë.
Prandaj shpenzimin e jetës në gjëra që e kënaqin Krijuesin e tij, Allahu e ka quajtur në një ajet: ‘tregti’, në një ajet tjetër e ka quajtur: ‘shitblerje’, dhe në një ajet tjetër: ‘borxh’. Dhe të gjitha këto janë me kuptim të përafërt.
Thotë i Lartësuari:
مَّن ذَا الَّذِي يُقْرِضُ اللَّـهَ قَرْضًا حَسَنًا فَيُضَاعِفَهُ لَهُ أَضْعَافًا كَثِيرَةً
“Kush është ai që i jep Allahut një borxh të mirë e Ai t’ia shtojë atij shumëfish Atë?” (Bekarah: 245) kështu veprën e mirë e quajti borxh.
Dhe tha gjithashtu: “A tju tregoj për një tregti që ju shpëton nga një dënim i dhembshëm? (Ajo tregti është: ) Të besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij…” pastaj më poshtë tregoi shpërblimin për këtë tregtar duke thënë: “Ai ju fal gjynahet tuaja dhe ju fut në Xhennete nën të cilat rrjedhin lumenj” e deri në fund të ajeteve në suren Saff.
Dhe e ka quajtur gjithashtu: Shitblerje në fjalën e Tij në surën Teube:
إِنَّ اللَّـهَ اشْتَرَىٰ مِنَ الْمُؤْمِنِينَ أَنفُسَهُمْ وَأَمْوَالَهُم بِأَنَّ لَهُمُ الْجَنَّةَ
“Allahu bleu prej besimtarëve shpirtrat e tyre dhe pasuritë e tyre, me Xhennet (Teubeh: 111) dhe tha: “Gëzohuni me tregtinë që bëtë, kjo është fitorja madhështore” (Teubeh: 111).
Prandaj njeriu i zgjuar dhe i mençur nuk e humbë kohën e tij të çmuar, që janë orët e jetës së tij, dhe minutat e sekondat e tij, përkundrazi ai e përdorë si duhet këtë pasuri dhe bën tregti me më të mirin që mund të bëhet tregti, që është: Krijuesi i qiejve dhe tokës. Nëse ti vjen me një të mirë Ai të vjen me dhjetë shpërblime, deri në 700, deri në aq sa nuk e di askush veç Allahut. Nëse robi i Tij i vjen duke ecur Ai i vjen duke nxituar, nëse robi i afrohet një pëllëmbë Ai i afrohet një krah. I Patëmeta është Allahu! Sa Bujar i madh është Ai!
E nëse pronari i kësaj pasurie është i pavëmendshëm, gafil, që nuk bën dallim mes dritës dhe errësirës, mes të mirës dhe të keqës, do ta shohësh atë se si luan me këtë kapital të çmueshme që i ka dhënë Allahu, Ymrin e tij, dhe nuk ia di vlerën. I kalon ditët që janë pjesë të jetës së tij duke u marrë me thashetheme, punë të kota dhe me atë çka nuk i hyn në punë dhe nuk ka dobi, ndoshta edhe në gjëra që e zemërojnë Allahun, që janë rënia në harame, rebelim ndaj ligjeve të Tij, pason çdo shejtan që e thërret, qoftë ai prej xhinëve apo prej njerëzve, të cilët e thërrasin për në Zjarr dhe në zemërimin e Allahut fuqiplotë.
Derisa kështu i mbaron koha e caktuar prej ditëve të jetës së tij dhe i merret shpirti nga trupi, e ai vdes dhe i humbet kapitali i tij, dhe tërhiqet në varr duke qenë i falimentuar, i varfër nga veprat e mira.
“Nuk ka shtëpi njeriu pas vdekjes përveç asaj që e ndërtoi me veprat e tijë në këtë dunja.
Nëse e ndërton me punë dhe vepra të mira ajo do të jetë banesë e këndshme
E nëse e ndërton me të liga, ndërtuesi i saj ka falimentuar”
Në Botën Tjetër nuk ka banesë tjetër përveç pallateve të Xhennetit apo burgjeve të Zjarrit – Allahu na ruajtë!
“Falënderimi i takon Allahut i Cili na udhëzoi në këtë Fe dhe ne nuk do të ishim udhëzuar nëse nuk do të na udhëzonte Allahu”(A’raf 43)
Në këtë sure përmendet gjithashtu këshillimi për të vërtetën dhe për durim. Prandaj kanë thënë dijetarët, sado që njeriu të ngrihet dhe të përparojë dhe të ecë në rrugën e dijes, ai ka nevojë për shokë të cilët e këshillojnë dhe e përkujtojnë dhe e ndihmojnë në këtë rrugë, dhe e nxisin të bëjë durim gjatë saj.
Për shkak të këtyre kuptimeve madhështore dhe kaq të rëndësishme të sures ASR shokët e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – shpesh secili prej tyre e këndonte suren Asr para se të ndaheshin nga takimet, kështu sillnin nëpër mend kuptimet e kësaj sureje kaq të shkurtër dhe kaq madhështore.
Allahu na përmirësoftë gjendjen dhe na bëftë ta kuptojmë fenë dhe, e lusim Allahun ta udhëzojë atë që është i humbur prej nesh, ta shërojë atë që është i sëmurë, ta falë atë që ka gabuar, ta furnizojë atë që është i privuar dhe të na mbulojë të gjithëve me mëshirën e Tij të gjerë, dhe të na japë të mira në këtë botë dhe në Tjetrën dhe të na ruajë nga dënimi i Zjarrit dhe i varrit.
Përktheu:
Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org