Shumë prej vështirësive që dikur pengonin përhapjen e davetit në shumë vende dhe tek shtresa të ndryshme shoqërore, do të zbuten falë inteligjencës artificiale. Nuk është e fshehtë se këto vështirësi kanë qenë një ndër shkaqet e dobësisë së veprimtarisë thirrëse, sidomos në krahasim me misionin e krishterë, për shembull.

Në një shkrim të mëparshëm (1 kemi folur për mënyrën më të mirë të shfrytëzimit të teknologjisë në përgjithësi në fushën e davetit, dhe përmendëm ndër të tjera edhe aplikimet e inteligjencës artificiale si një ndër teknologjitë premtuese. Sot ajo nuk është më thjesht premtuese, por është realitet i pranishëm. Jemi në epokën e inteligjencës artificiale.

Megjithëse inteligjenca artificiale është e njohur, si koncept dhe teori,  prej dekadash, ajo sot është bërë teknologjia dominuese, tek e cila do të mbështeten në mënyrë shumë të gjerë vitet e ardhshme. Dy shkaqe e shpjegojnë këtë ringjallje pas një periudhe të gjatë stagnimi.

Shkaku i parë lidhet me zhvillimin e madh teknologjik në fusha të tjera. Të dhënat e mëdha, interneti i gjërave, siguria informatike e individëve dhe shteteve, monedhat digjitale dhe teknologji të tjera bashkëkohore e kanë bërë inteligjencën artificiale zgjidhje për shumë probleme që lidhen me këto fusha. Edhe nëse nuk është zgjidhja më e përkryer për çdo fushë, ajo përgjithësisht po shkon drejt kësaj.

Shkaku i dytë lidhet me hapjen e horizonteve të reja në fusha të shumta të jetës: në mjekësi, inxhinieri, arsim, administrim, industri, shërbime sociale, madje edhe në fushën ushtarake. Inteligjenca artificiale ndryshoi mënyrat e aplikimit në shumë prej këtyre fushave. Sot roboti kryen detyra që dikur kërkonin ndërhyrjen e stafit mjekësor në spital, ndërsa mjete të tjera inteligjente zëvendësojnë ekipet e zjarrfikësve apo stafin e shërbimit ndaj klientëve. Edhe në fushën e luftës, pajisjet inteligjente kanë zëvendësuar ushtarë të gjallë në shumë prej misioneve e konflikti i Gazës është shembulli më i freskët për këtë ndryshim.

Fusha e davetit islam, pa dyshim, është ndër fushat që mund të përfitojë shumë nga inteligjenca artificiale. Kjo vlen si për imitime të metodës, stilit dhe mendimit të dijetarëve dhe thirrësve, ashtu edhe për ndihmë praktike në punën e përditshme përmes këshillave, zgjidhjeve dhe madje marrjes së vendimeve. Kjo vlen për të gjitha aspektet e punës thirrëse, si në marrëdhëniet me myslimanët, ashtu edhe me jobesimtarët.

Dobitë e inteligjencës artificiale në fushën e davetit shfaqen në disa drejtime kryesore. Mund të përmenden më të rëndësishmet, në mënyrë të përmbledhur dhe pa hyrë në hollësi teknike.

Një dobi madhore është përkthimi i materialeve të trashëgimisë islame. Teknologjia e përpunimit të gjuhës natyrore (Natural Language Processing), e cila është degë e inteligjencës artificiale, ofron zgjidhje të fuqishme e të suksesshme në fushën e përkthimit dhe të gjithçkaje që lidhet me të. Këtu përfshihet aftësia e kompjuterëve për t’u marrë me të dhënat gjuhësore të njeriut, qofshin të shkruara, të dëgjuara apo të lexuara.

Prej kësaj teknologjie përfitohet lehtë në përhapjen dhe studimin e librave të trashëgimisë islame, në verifikimin dhe përpunimin e tyre, ashtu edhe në deshifrimin e dorëshkrimeve të vjetra që kanë nevojë të lexohen e të shpjegohen. E njëjta vlen për regjistrimet e vjetra audio, që mund të jenë bërë vite, dekada apo madje shekuj më parë. Këto realizohen me anë të algoritmeve të gatshme, të njohura si njohja e modeleve.

Nuk është e fshehtë se shumica e popujve në botë ende nuk janë myslimanë, dhe shkaqet për këtë janë të shumta. Inteligjenca artificiale jep mjete të vlefshme për komunikim me njerëz nga çdo vend përmes robotëve bisedues-dispeçer, që janë në gjendje t’u përgjigjen pyetjeve fetare dhe të ofrojnë këshillime, si për myslimanët ashtu edhe për jomyslimanët. Myslimanët kanë nevojë të vetëdijesohen për mësimet e fesë, ndërsa jomyslimanëve u shpjegohet Islami i vërtetë dhe personaliteti i Profetit ﷺ.

Mjafton të kujtohen debatet e Ahmed Didadit dhe Zakir Naikut me jomyslimanët. Sot është krejtësisht e mundur të krijohet një program i mbështetur në inteligjencë artificiale, në kuptimin më të saktë një sistem ekspert që të luajë rolin e Didadit ose të Naikut, sikur të ishin të pranishëm në kohën tonë, duke shfrytëzuar sasinë e madhe të të dhënave të shkruara, të regjistruara dhe të filmuar që kanë lënë pas. Madje mund të «rinovohen» të gjitha debatet e vjetra të Didadit, në mënyrë që të paraqiten sikur janë aktuale dhe jo të të njëhershme.

Ndoshta grupi që përfiton më së shumti nga inteligjenca artificiale janë personat me nevoja të veçanta. Nëse kemi një material fetar që dëshirojmë t’ua përcjellim të gjithëve, falë teknologjisë së përpunimit të gjuhës natyrore, mundësia e përfitimit bëhet e barabartë për të gjithë, edhe për të verbërin, të shurdhin dhe të memecin. Materiali mund të shndërrohet automatikisht në audio që t’u vijë në ndihmë të verbërve, dhe në të njëjtën kohë të shndërrohet në video me elemente vizuale, në mënyrë që të përfitojnë edhe ata që nuk dëgjojnë, ndërsa personi memec mund të shprehë mendimin e tij nëpërmjet shkrimit dhe komenteve.

Përmbledhja është se shumë prej pengesave që dikur e vështirësonin përhapjen e davetit në vende të shumta dhe te kategori të caktuara shoqërore do të zbuten falë inteligjencës artificiale. Nuk është e panjohur se pikërisht këto pengesa kanë qenë ndër shkaqet e dobësimit të davetit krahasuar me përpjekjet e tjera misionare.

Së dyti, njohja e interesave njerëzore dhe shfrytëzimi i tyre në fushën e davetit. Thirrësit, qofshin duke iu drejtuar myslimanëve apo jo myslimanëve, kanë nevojë të njohin interesat e atyre që thërrasin; sepse nuk pritet që një thirrës të ketë sukses në ftesën e një personi drejt Islamit, apo në ftesën për t’u përmirësuar në jetën fetare, ndërkohë që ai nuk njeh fare çfarë i intereson këtij personi. Inteligjenca artificiale e bën më të lehtë njohjen e interesave të individit përmes analizimit të të dhënave në internet dhe në rrjetet sociale si Twitter, Facebook, Instagram e të ngjashme, në mënyrë që të zbulohet se çfarë e tërheq atë, qoftë interes shoqëror, kulturor, ideor apo tregtar. Nëse kompanitë e tregtisë elektronike përdorin inteligjencën artificiale për të kuptuar prirjet e njerëzve në blerje, po kështu edhe institucionet e davetit mund t’i përdorin këto mjete për të njohur prirjet e njerëzve në fushën shoqërore, kulturore dhe intelektuale.

Kjo nuk lidhet vetëm me ftesën individuale, por ka ndikim edhe në ftesën kolektive ndaj kombeve, shoqërive dhe vendeve të tëra. Mjetet e analizimit të të dhënave mund të nxjerrin në pah tiparet që dallojnë një popull nga tjetri, tipare të cilat janë thelbësore për punën e thirrësit, në mënyrë që njerëzit të mos largohen nga mesazhi që në fillim, ose të mos ndeshen me të në mënyrë të gabuar. Ka popuj që nuk e preferojnë të flitet për vdekjen, të tjerë që kanë paragjykime ndaj një vendi të caktuar, ka popuj ku analfabetizmi është i përhapur dhe ku besimi në bestytni është i zakonshëm, ndërsa popuj të tjerë pranë tyre nuk pranojnë asgjë përveç logjikës së numrave, sepse shumica janë të arsimuar. E kështu me radhë.

Ky është një parim i njohur në traditën tonë fetare. Profeti ﷺ i tha Muadh ibn Xhebelit kur e dërgoi në Jemen se do të shkonte te një popull ithtar të Librit, dhe e udhëzoi të fillonte me atë që ishte më e rëndësishmja për ta. Ibn Haxheri vëren se kjo ishte një parapërgatitje që Muadhi të ishte i vetëdijshëm për natyrën e atyre që do të përballte, sepse njerëzit e Librit kanë një nivel diturie më të lartë se adhuruesit e idhujve dhe qasja ndaj tyre duhej të ishte ndryshe. Po kështu, Ibn Mesudi tregon se Profeti ﷺ na përkujtonte me masë, duke zgjedhur kohët e përshtatshme, që të mos na rëndonte dhe të mos na shkaktonte lodhje mendore.

E njëjta gjë vlen për grupet e veçanta të shoqërisë, si gratë apo fëmijët. Ajo që pëlqejnë fëmijët sot është krejt ndryshe nga ajo që pëlqenin dikur. Inteligjenca artificiale i përshpejton këto procese; ajo mund të zbulojë interesat e një grupi të caktuar, p.sh. fëmijët në Kinë, dhe më pas të prodhojë vetë një material të përshtatshëm, një tregim të shkruar ose të animuar.

Përmbledhtazi, grumbullimi i këtyre të dhënave rreth individëve dhe komuniteteve do të bëhet me shpejtësi dhe profesionalizëm përmes mjeteve të inteligjencës artificiale, pasi dikur kërkonte mund të madh dhe ishte i rrezikuar nga shumë gabime njerëzore.

Së treti, çështja e klasifikimit. Kjo është një prej mekanizmave mbi të cilët inteligjenca artificiale mbështetet shumë, sepse një numër i madh vështirësish dhe çështjesh praktike në fusha të ndryshme të jetës zgjidhen përmes klasifikimit. Në fushën mjekësore, për shembull, tumorët ndahen në dy kategori: të mirë dhe të këqij. Në fushën e sigurisë, posta elektronike ndahet në të rrezikshme dhe të parrezikshme. Në fusha të tjera mund të jetë ndarje në tre kategori ose më shumë.

Parimi i njëjtë  vlen edhe për fushën e davetit dhe dijes islame. Nëse sistemi ekspert ka kryer rolin e mjekut duke klasifikuar tumorët, ai mund të ndihmojë po aq mirë institucionet e davetit që vuajnë nga mungesa e specialistëve në shkencat e hadithit  e që me të vërtetë janë të paktë. Sistemi mund të ndihmojë në vlerësimin e hadithit, duke e klasifikuar atë si të saktë apo të dobët (ndarje dysh), ose si të saktë, të dobët apo të mirë (ndarje treshe). Ashtu si mund të krijohet një sistem ekspert për muhaddithin, mund të krijohet një sistem tjetër për mufessirin që shpjegon kuptimet e Kuranit, një tjetër për gjuhëtarin që u mëson njerëzve arabishten, dhe një tjetër për juristin e fikhut. Nevoja për specialistë në një sërë degësh të diturisë islame është më e madhe se kurrë, sidomos në disiplinat themelore si shkenca e hadithit, shkenca e objektivave të sheriatit dhe të ngjashme.

Inteligjenca artificiale jep një ndihmë të madhe në tejkalimin e këtij hendeku, gjë që i mundëson të përforcojë punën e akademive juridike që merren me çështjet aktuale. Shpesh, këto akademi apo institucionet e fetvave që punojnë me metodën e ixhtihadit kolektiv kërkojnë ekspertizën e profesionistëve në fushën përkatëse: mjekë për çështjet mjekësore, ekonomistë për çështjet ekonomike e kështu me radhë. Dhe meqë inteligjenca artificiale tashmë ka provuar sukses në këto fusha, ajo mund të përdoret si alternativë e fuqishme ndaj ekspertit njerëzor që harron dhe gabon, përballë një sistemi të trajnuar mbi sasi të mëdha dhe të sakta të dhënash, të cilat nuk mund t’i zotërojë dot asnjë individ i vetëm.

Së katërti, realizimi i detyrave administrative në fushën e davetit. Aplikacionet e inteligjencës artificiale mund të ndihmojnë në parashikimet e ardhshme për veprimtaritë e institucioneve të davetit bazuar në të dhënat aktuale dhe ato të mëparshme. Për shembull, mund të llogariten numrat e pritshëm të atyre që do të konvertohen në Islam, niveli i mbipopullimit të xhamive gjatë ditëve të xhuma apo muajit të Ramazanit, ose orientimi dhe udhëzimi për gjithçka që ka nevojë një haxhi apo një umre, si përcaktimi i vendit dhe kohës së duhur për hyrje dhe dalje, lëvizjet midis shenjave të haxhit dhe shërbime të ngjashme që janë të domosdoshme për ta. Mund të parashikohen gjithashtu numrat e pranueshëm në institucionet fetare, zhvillimi i aktiviteteve islame në një vend apo kontinent, rreziqet ekonomike nga financimi i një projekti të caktuar dhe nëse një dokument, qoftë ekonomik, politik apo kulturor  është në përputhje me dispozitat e sheriatit.

Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë gjithashtu në shpërndarjen e zekatit dhe sadakës me një profesionalizëm të lartë, duke identifikuar automatikisht individët, familjet dhe vendet që e meritojnë. Ajo mund të kryejë gjithashtu vëzhgimin e hënës me saktësi më të madhe sesa njerëzit. Të gjitha këto operacione realizohen automatikisht dhe në kohë reale, pa ndërhyrje njerëzore, përveç rishikimit periodik ose mirëmbajtjes së sistemit.

Kjo është ajo që e veçon inteligjencën artificiale nga teknologjitë e tjera jo-inteligjente: ajo është «trajnuar» mbi të dhëna të mëparshme për të gjitha rastet e kaluara, gjë që e bën vendimin administrativ më efikas dhe më të saktë.

Megjithëse ka mundësi dhe përfitime të mëdha në këtë fushë, ka disa sfida që mund të shfaqen. Nuk po flasim këtu për dëmet ekonomike të inteligjencës artificiale si humbja e vendeve të punës, apo për dëmet etike si fshehja apo falsifikimi i informacionit të saktë. Këtu bëhet fjalë për sfida që synojmë t’i zbusim, në mënyrë që daveti të përfitojë nga kjo teknologji. Një prej tyre është se adoptimi i inteligjencës artificiale në fushën e dijes fetare mund të ndeshet fillimisht me hezitim nga njerëzit për të pranuar çdo rezultat ose sugjerim të bazuar mbi këtë teknologji. Megjithëse ky hezitim është i kuptueshëm, pasi lidhet me çështjet fetare, ai gradualisht do të zvogëlohet me rritjen e besueshmërisë së rezultateve.

Është e rëndësishme të theksohet se sistemi mund të ketë disa mangësi, si gabime të shkaktuara nga prirjet-animet (bias), por këto janë të pakta në krahasim me përfitimet dhe horizontet që hap inteligjenca artificiale. Këto dobësi ekzistojnë edhe në fusha të tjera si mjekësia apo prodhimi, sepse natyra e inteligjencës artificiale dhe e degës së saj të njohur si «mësimi makinerik» bazohet në trajnim mbi të dhëna të dhëna në sasi dhe cilësi. Sa më shumë të dhëna të sakta dhe të plota të përdoren për trajnim, aq më e lartë është saktësia e modelit dhe aq më e ulët mundësia e gabimeve.

Prandaj nuk është për t’u çuditur që të gjendet një model i inteligjencës artificiale që, në komentimin e Kuranit, jep përgjigje të gabuara; sepse këto rezultate janë ndërtuar mbi atë që i është dhënë më parë nga të dhënat, si në sasinë ashtu edhe në saktësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre. E njëjta gjë vlen edhe nëse përgjigjet e modelit lidhen me çështjet e besimit apo ateizmit; ndaj s’ka arsye të gëzohen shumë jo–ateistët kur marrin një përgjigje që “vërteton ekzistencën e Krijuesit”, sepse një përgjigje e tillë mund të ndryshojë pas një periudhe, në varësi të algoritmit, sasisë së të dhënave dhe saktësisë së tyre. Dhe duke u kthyer te shembulli i klasifikimit të haditheve, të cilin e përmendëm më herët, mund të ndodhë që gjykimi i hadithit si i saktë apo i dobët të mos jetë gjithmonë njëqind për qind i saktë. Gabimi në interpretimin e një fjale kuranore apo në gjykimin e saktësisë së një hadithi është i mundur madje edhe kur ndërhyn faktori njerëzor, përfaqësuar nga komentuesi ose muhaddithi. Madje ndoshta gabimi te këta është më i madh, për shkak të lodhjes, rraskapitjes,anshmërisë, harresës apo hutimit – siç thonë dijetarët e hadithit.

Nga ana tjetër: nëse institucionet thirrëse dikur i trajnonin thirrësit dhe më pas i dërgonin në skajet e botës, atëherë “detyrimi i kohës” sot kërkon që nga çdo institucion të dalë një grup që të specializohet në fushën e inteligjencës artificiale. Me këta specialistë, institucionet islame do të çlirohen nga nevoja për shumë thirrës, trajnimi i të cilëve zakonisht kërkon shpenzime të mëdha; përveç faktit se faktori njerëzor i nënshtrohet dobësisë, lodhjes dhe mungesës së qëndrueshmërisë. Specialistët do të ndërtojnë sistemet e inteligjencës artificiale, të cilat do të marrin përsipër detyrën e thirrjes dhe do të punojnë pa pushim, pa u lodhur e pa u mërzitur. Ndërsa detyra e specialistëve – të cilët mund të jenë edhe prej vetë thirrësve – do të jetë monitorimi i platformave të reja, zhvillimi i tyre dhe furnizimi me të dhëna “të sakta”.

Krahas kësaj, të pasurit duhet të drejtojnë një pjesë të pasurisë së tyre drejt projekteve të tilla, si vakëfe dhe lëmosha të vazhdueshme; sepse këto projekte ndërtojnë njeriun musliman, ruajnë Islamin dhe trashëgiminë e tij, dhe e bëjnë më të lehtë arritjen e asaj te njeriu që ka nevojë, kushdo qoftë ai. Në fakt, gjithçka përmendëm lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale në fushat e thirrjes realizon më së pari qëllimin madhor të qëllimeve të sheriatit, që është “ruajtja e fesë”. Për më tepër, hyn në kuptimin e gjerë të kushtit të “besires” që përmendet në ajetin: “Thuaj: Kjo është rruga ime; thërras te Allahu mbi bazë të qartë, unë dhe ata që më pasojnë.” (Jusuf, 108). Basira këtu nënkupton “gjithçka që lidhet me thirrjen: studimin e historisë së saj dhe përfitimin prej saj, njohjen e vendeve ku ka pasur sukses, pengesave, metodave, njohjen e realitetit dhe shfrytëzimin e çdo mjeti që arrin qëllimet e saj”.

E nëse disa kanë përdorur inteligjencën artificiale në çështje të së keqes, duke e konsideruar si një nga mjetet e pushtetit të butë, atëherë muslimanët duhet ta përdorin atë për përhapjen e Islamit, forcimin e së mirës, korrigjimin e koncepteve dhe shuarjen e dyshimeve; sepse ajo nuk është veçse një armë me dy tehe. Sidomos në një brez që mbështetet para së gjithash te teknologjia moderne, si në çështjet e tij personale ashtu edhe në ato shoqërore.

 

Shevkij Abdullah Abbad

___________

[1] Shfrytëzimi më i mirë i teknologjisë në aktivitetet e institucioneve të thirrjes islame, revista “El-Bejan”, numri 391, Rebiu’l-Evvel 1441 h., nëntor 2019.

[2] Inteligjenca artificiale përkufizohet si aftësia e makinës për të imituar njeriun në të menduar dhe të mësuar, dhe rrjedhimisht në marrjen e vendimeve.

[3] Që njihen si teknologjitë e revolucionit të katërt industrial (The Fourth Industrial Revolution).

[4] E transmeton Buhariu: 1458, dhe Muslimi: 19.

[5] “Feth’ul-Bari” i Ibn Haxherit, vëllimi 3, fq. 358.

[6] E transmeton Buhariu: 68, dhe Muslimi: 2821.

[7] “Detecting Hadith Authenticity Using a Deep-learning Approach”, autor: Ishraq Al-Rifa’i, revista shkencore e Universitetit “Mbreti Faisal”, vëllimi 23, numri 1, qershor 2022.

[8] Ministria e Arsimit në Arabinë Saudite – për shembull – duke filluar nga viti akademik i ardhshëm 1446/1447 h. (që i korrespondon viteve 2025/2026), ka vendosur që lënda e inteligjencës artificiale të jetë kërkesë e detyrueshme universitare për të gjithë studentët.

[9] “Thirrja Islame në epokën e inteligjencës artificiale”, autor: Khalid Hanifi, revista “El-Va’i el-Islami”, viti 2024, numri 713.