RESPEKTI PËR MËSUESIN NË FENË TONË
Hyrje
Edukimi dhe arsimimi në kohën bashkëkohore po dalin të jenë sfida të llojit të vet. Kjo, jo për shkak të kushteve të disfavorshme për të mësuar e studiuar, por për shkak të zbehjes dhe vyshkjes së koncepteve për diturinë dhe etikës e respektit për të diturit. Ka një përmbysje konceptesh ashtu siç do të përshkruante një shkrimtar mysliman se shtëpia është bërë për të ngrënë ndërsa shkolla për të kaluar kohën dhe marrë një diplomë. Mjafton një shëtitje e vogël nëpër disa shkolla për të parë për vlerën e shkollës dhe respektin për mësuesit e profesorët. Mbishkrimet në mure, në banka, në dyer e dritare, flasin për atë se sa rëndësi ka shkolla për nxënësit, ndërsa veshja, fjalori, sjelljet flasin se sa pak respekt ka mësuesi për ta.
- Është familja ajo që nuk kujdeset për edukimin parësor të fëmijës sa është në shtëpi sikur që nuk interesohet as më pas kur e dërgojnë në shkollë për t’ia përzgjedhur një mësues/e që ka dije dhe moral.
- Është sistemi çoroditës i arsimit dhe edukimit, i cili ka përjashtuar dhunshëm vlerat shpirtërore, duke bërë kështu që, jo vetëm nxënësit, por edhe edukatorët e tyre, të dështojnë me arsimimin, edukatën dhe respektin e mirëfilltë.
Duke qenë se arsimimi ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për individin, por edhe për shoqërinë, këtë shkrim kam dashur t’ia kushtoj konceptit islam për respektin për mësuesin dhe reflektimin e tij.
Respekti për mësuesin si reflektim i respektit për dijen
Ka thënë njëri nga selefi: “Nuk arrihet dituria dhe as nuk përfitohet prej saj përderisa nuk respekton diturinë dhe ithtarët e saj si dhe nuk respekton dhe nderon mësuesin.”
Pra, nuk do të bëhesh i ditur nëse nuk ke respekt për dijen dhe mësuesin. Dituria është çelësi që ka hapur këtë fe. Fjala e parë që i është shpallë Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka qenë fjala ‘Lexo!’ (Kur’ani: El-Alek, 1), për të vazhduar më pas me urdhra për të zënë dije dhe për tu konsultuar me dijetarët (Kur’ani: En-Nahl, 43), me dobi dhe mirësi të dijes (Kur’ani: El-Muxhadele: 11) si dhe me efektin – reflektimin e dijes: devotshmërinë. Thotë Allahu i Madhëruar: “…Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët…“ (Fatir, 28)
Respekti për mësuesin është edhe si reflektim i respektit tonë për mësuesin e parë, Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], i cili qe dërguar mësues për njerëzimin. Kështu ka përshkruar Allahu i Madhëruar. “Ai është që arabëve të pashkolluar u dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre që t’ua lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme.“ (El-Xhumuah, 2)
Lidhja e etikës me dijen
Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] qe lutur për Ibni Abbasin radijAllahu anhuma] për t’i dhënë Allahu dituri pikërisht për shkak të edukatës dhe respektit të tij.
Nga të parët kishte që para se të shkoni për të mësuar, jepnin lëmoshë, ndërsa më pas luteshin duke thënë: “O Allahu im! Mi fsheh të metat e mësuesit ndërsa mos më privo nga mirësia e diturisë së tij!”
Janë prindër…
Të parët për edukatën me mësuesin
Imam Gazaliu [rahimehullah] përcjell fjalët e Aliut [radijAllahu anhu], i cili, duke folur për respektin për mësuesin thotë: “E drejtë e dijetarit është që ta veçosh me përshëndetje, të ulesh para tij, të mos ia drejtosh gishtin, të mos shikosh qëllimshëm të tjerët, të nxitosh të jesh në shërbim të tij -nëse ka nevojë- para të tjerëve dhe të mos ngopesh (e aq më pak të ndjesh montoni) nga qëndrimi i gjatë me të.”
Ka thënë Hasan Basriu: “Sikur të mos ishin dijetarët (mësuesit) njerëzit do të ishin bërë sikur kafshët.”
Imam Shafiu, i cili mësonte tek Imam Maliku [rahimehumaAllah], rrëfen për vete e thotë: “Shpalosja fletët para Malikut ndërsa e bëja ngadalë dhe me kujdes nga frikërespekti që ai ta dëgjon zhurmën e (shpalosjes së) fletëve.”
Bedruddin Ibni Xhemaah thotë: “Nxënësi nuk duhet ta thërret mësuesin me emër, as ta thërret nga larg. Ai duhet ta thërret me pozitë: O mësuesi im! Po kështu duhet të ketë në hatër të drejtën e tij dhe të mos harrojë vlerën dhe mirësinë e tij. duhet ta nderojë në prani dhe ta mbrojë në mungesë. Nuk duhet të hyjë tek mësuesi pa lejen e tij. në raport me çështjet e tij dhe mësuesin duhet të jetë sikur pacienti me mjekun: e konsulton për gjërat që synon t’i bëjë, angazhohet për kënaqësinë e mësuesit, e shikon me respekt, ulet para tij me edukatë, në të folur i drejtohet me edukatë, nuk i parashtron pyetje për gjërat që i di. Nuk ia paraprin me shpjegim e ndonjë meseleje (njësie), nuk ia ndërpret të folurit dhe as nuk tenton të shtyhet në të folur me të, natën ec para tij ndërsa ditën pas tij përveç në rrethanat kur nevoja e dikton që ai të jetë para mësuesit. Në vendet e panjohura dhe të rrezikshme hapëron para tij ndërsa nëse i rastis ta takojë atë në rrugë ia paraprin me përshëndetje.”
Sha’biu rrëfen: “Posa Zejd ibn Thabiti e fali një xhenaze, ia afruan mushkën që të hipte në të, kur ja Ibni Abbasi erdhi dhe e kapi kafshën për freri. Lëre, o kushëriri i të Dërguarit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] – iu drejtua ai ndërsa Ibni Ababsi iu përgjigj: Kështu jemi urdhëruar t’i respektojmë dijetarët dhe të mëdhenjtë!”
Ka thënë Rebiu: “Pasha Allahun, nga respekti nuk kam guxuar të pi ujë ndërsa Shafiu më ka shikuar. ”
[1] Shih: En-Nevevi, Jahja ibn Sheref. (p.v.b.) Tehdhibu-l-esmai ve-l-lugat. Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijjeh, f. 18.