Mos u bëni si Beni Israilët për të cilët Allahu a.xh. tha: “…A po e ndërroni atë që është më e ulët në vend të asaj që është më e mirë..?!” (el Bekare, 61)


Allahu ju ka urdhëruar të sqaroni të vërtetat e fesë dhe të besimit, të mbroni të mirën dhe të ndaloni të keqen, të mos e fshihni të vërtetën dhe t’ua tregoni atë njerëzve. Joshjet e dynjasë për ju nuk duhet t’ju përkulin dhe as t’ju devijojnë, përballja me atë që nuk beson, që është zullumqar dhe ua merr njerëzve fenë dhe pasurinë padrejtësisht nuk duhet t’ju frikësoj. Një fjalë e juaja e tremb zullumqarin, e frikëson kriminelin, e huton barbarin, e kthjellon të përhumburin dhe e trondit imoralin.


Ju jeni zëdhënësit e Allahut mbi tokë, ju flisni me fjalën e Tij, ecni me dritën e Tij dhe keni zemrat e njerëzve në dorë me mirësinë dhe bujarinë e Tij. Prandaj shërbejini të vërtetës pa u zbrapsur dhe pa u trembur, se Allahu është mbrojtësi juaj, udhërrëfyesi dhe udhëzuesi juaj.


Allahu qoftë në ndihmën tuaj!