Amsal Memiq

Të dashur vëllezër e motra;

Sot është dita e dytë e muajit Muharrem të vitit 1439 hixhrij. Mësimet dhe mesazhet e hixhretit janë të shumta. Ne të premten e kaluar disa prej tyre i kemi përzgjedhur dhe i  kemi përmendur. Të tjerat, ia kemi lënë që secili individualisht ta gjejë mirëkuptimin e tij dhe hixhretin e tij.

Sot, dua t’i përkujtojmë disa ndryshime të cilat shoqëria moderne, e sidomos shoqëria islamike duhet t’i zbatojë, t’i përmirësojë dhe t’i avancojë. Njëra nga domethëniet kyçe të hixhretit është edhe braktisja e asaj që është e keqe, për hir të kënaqësisë së Allahut, dhe kryerja e asaj me të cilën fitohet kënaqësia e Allahut.

Prandaj, të dashur vëllezër, duhet të jemi të vetëdijshëm se Zoti ynë në Ditën e Gjykimit nuk do të na pyes, me cilin automobil (të cilës markë, të cilit prodhues) jemi vozitur, por do të na pyes, a ia kemi mundësuar transportin dikujt që ka pasur nevojë për transport, e ne kemi qenë në gjendje për ta bërë. Nëse kjo tashmë nuk na ka ndodhur, me siguri do të na ndodhë edhe kjo sprovë, që të pyetemi dhe dikush të na kërkojë automobilin apo transportin deri në aeroport apo diku tjetër, pra, le të mendojmë për veprimin tonë në një sprovë të tillë.

Allahu i dashur nuk do na pyes për madhësinë e shtëpisë sonë, por do të na pyes për mikpritjen tonë, a është gjithkush i mirëseardhur në shtëpinë tonë apo vetëm ‘të zgjedhurit dhe individët’, si e kemi gostitur musafirin, a ia kemi bërë musafirit të këndshëm qëndrimin apo të pakëndshëm, a ka shkuar nga shtëpia jonë i gëzuar, i qeshur dhe i kënaqur apo në kundërshtim me këtë?! Vëllezër të dashur, këto pyetje na presin neve në Ditën e Gjykimit, andaj le të përgatitemi për përgjigje sa më cilësore, më pozitive dhe më të mira.

Allahu i Plotfuqishëm, gjithashtu, neve nuk do të na pyes për gardërobën në dollapin tonë, a e kemi rregulluar bukur, sa është e shtrenjtë, etj, por do të na pyes sa njerëz i kemi veshur, sa njerëzve ju kemi dhënë rroba, edhe për këtë do të pyetemi, dhe shpërblim do të kemi për ato rroba që dikujt ia kemi dhuruar dhe me to e kemi gëzuar, ndërsa kurrfarë shpërblimi nuk do të kemi në botën tjetër, për rrobat që ia kemi mundësuar vetvetes.

Vëllezër të respektuar;

Allahu nuk do të na pyes sa e kemi pasur pagën (rrogën), por do të na pyes ku dhe si e kemi harxhuar atë. A e kemi fituar në mënyrë hallall, a kemi blerë ushqime hallall, a e kemi shpenzuar për gjëra (të lejuara) hallall? Gjithashtu, tek Allahu janë më të vlefshëm 10 $ (dollarë) të një pensionisti që merr 400 $ – 500 $ (dollarë) në muaj, sesa 100 $ të një personi i cili fiton 10.000 $ e më shumë në muaj, sepse me përqindje në këtë rast pensionisti jep më shumë se personi tjetër i cili punon dhe fiton shumë më tepër.

Allahu nuk do të na pyes se çfarë profesioni kemi pasur, por do të na pyes sesi e kemi bërë punën tonë. A i kemi kryer me vetëdije, me ndërgjegje dhe me përgjegjësi obligimet dhe detyrat tona, apo kemi vepruar ndryshe? A kemi shkuar dhe jemi kthyer me kohë, etj?

Nuk do të na pyes Allahu se sa shokë kemi pasur, në telefon, në rrjetet sociale, etj, por do të na pyes sa janë ata për të cilët ne kemi qenë shokë të sinqertë. Kujt i kemi ndihmuar atëherë kur ka pasur më së shumti nevojë, sa prej tyre janë që gjithmonë kanë mundur të mbështeteshin tek ne se do të kenë mbështetje në çdo mënyrë, sa prej atyre janë që te ne kanë pasur besim të plotë, sa prej tyre janë që kanë mundur të na besojnë diçka pa menduar se ne atë mund ta përcjellim tek të tjerët, etj?

I dashuri Allah, nuk do të na pyes se në cilën lagje kemi jetuar, por me siguri do të na pyes se çfarë fqinjësh kemi qenë për fqinjët tanë. A ju kemi ofruar ndihmë dhe a jemi përgjigjur për nevojat e tyre, a kemi ndërtuar me ta marrëdhënie të mira reciproke, a i kemi vizituar kur janë sëmurë, a ju kemi ndihmuar kur e kemi ditur se ata kanë nevojë, dhe ne kishim mundësi për tu ndihmuar? Këto dhe shumë pyetje të tjera, për atë se çfarë fqinjë kemi qenë – vëllezër të dashur – neve do të na shtrohen në Ditën e Gjykimit, andaj dhe duhet të përgatitemi që tu përgjigjemi ashtu siç është i kënaqur Zoti ynë.

Allahu i dashur nuk do të na pyes se çfarë ngjyre të lëkurës kemi pasur, por do të na pyes se çfarë mendimi kemi pasur për të tjerët? A e kemi respektuar secilin njeri si krijesë të Allahut dhe vepër e duarve të Tij? A e kemi lënduar? A e kemi dëmtuar në ndonjë mënyrë? A i kemi bërë shpifje? A e kemi gënjyer? A e kemi hidhëruar dhe e kemi bërë të qajë? A i kemi shkaktuar fatkeqësi? A e kemi nënçmuar? Në këto dhe pyetje të tjera në lidhje me marrëdhëniet tona me njerëzit e tjerë ne do të pyetemi. Andaj, vëllezër, le t’i shikojmë dhe shqyrtojmë me kohë, derisa ende mund të bëjmë diçka më shumë dhe më mirë, në mënyrë që pa vështirësi të mëdha të përgjigjemi në këto dhe pyetje të ngjashme para Zotit të botëve.

Nuk do të na pyes Allahu se sa kohë na është dashur që ta gjejmë paqen tonë dhe rrugën e drejtë dhe të fillojmë të besojmë dhe t’i robërohemi Zotit, por nëse ne vijmë, e njohim, ecim asaj rruge dhe vdesim në atë rrugë, i dashuri Allah, do të na fut në pallatet e xhenetit, e jo në zjarr të xhehenemit, me vullnetin e Tij!

O Zoti ynë, na bëj që të të robërohemi Ty në mënyrën më të bukur! Dhe na vendos në xhenetin Firdevs në shoqërinë e njerëzve Tu të ndershëm, të mirë dhe të zgjedhur! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

Burimi