Kur dikush dëshiron të hyjë në ndonjë tregti, zakonisht pyet njerëzit me përvojë që i kanë paraprirë në këtë rrugë se cilat janë të metat dhe pengesat në këtë lloj tregtie? Me cilat kompani duhet të bëjmë kontratë? Cili është lloji i artikullit? Nga cili shtet e sjellim këtë mall?
Kjo është sa i përket çështjeve të kësaj dunjaje.
Këtë metodologji duhet ta ndjek edhe kërkuesi i diturisë. Ai duhet të interesohet për mënyrën e kërkimit të diturisë, metodën e mirëfilltë për nxënien e shpejtë të saj dhe pengesat që i shfaqen gjatë kërkimit të saj.
Duhet t’i njeh këto pengesa dhe të jetë në dijeni rreth tyre në mënyrë që t’iu shmanget atyre derisa t’i arrijë qëllimet.
Këto pengesa janë të shumta por do t’i përmendi më të rëndësishmet.
1-Nijeti i keq:
Këtu duhet ta sqarojmë një çështje me rëndësi e cila mund të ngatërrohet te shumë njerëz.
Dituria e dobishme ndahet në dy kategori:
a-Dituri fetare që mund ta përkufizojmë si: “Çdo dituri e cila e afron njeriun tek Allahuﷻ ¹ ”, sikurse akideja (besimi), tefsiri, hadithi, fikhu, etj. Kjo dituri është më e çmuara dhe më me vlerë tek Allahu ﷻ. Në këtë lloj bën pjesë edhe çdo dituri e cila ndihmon në kuptimin e drejtë të Kuranit dhe Sunetit, sikurse: Bazat e fikhut (Usul Fikhu), terminologjia e hadithit, rregullat e Fikhut (El Kavaid El Fikhije), shkencat e Kuranit (Ulumul Kuran) etj.
Për këtë kategori dijesh nijeti i pastër është i domosdoshëm. Nxënësi i cili dëshiron ta nxë këtë lloj dije nuk merr kurrfarë shpërblimi nga Allahu ﷻ nëse nuk posedon sinqeritet. Bile, do të ndëshkohet për dyefaqësinë dhe pasjen e dunjasë si qëllim të vetëm ².
Nijeti i prishur në këtë rast manifestohet kur synimi i vetëm për kërkimin e diturisë të jetë për të arritur tek ndonjë punë, post apo udhëheqësi, synimi që të lëvdohet nga njerëzit, afrimi tek ndonjë udhëheqës nëpërmjet saj, mposhtja e kundërshtarëve etj.
Arsyeja pse sinqeriteti është i domosdoshëm për këtë lloj kategorie është se dija fetare kosiderohet adhurim. E njëra prej dy kushteve të pranimit të adhurimeve është nijeti i pastër (sinqeriteti).
Shumë prej dijetarëve islam kur flasin për vlerën e diturisë dhe edukatën e kërkuesit të diturisë theksojnë se prej pengesave në rrugën e kërkimit të diturisë është nijeti i prishur dhe syefaqësia ³. Natyrisht se me fjalën dituri kanë për qëllim dijen fetare.
Prej argumenteve që dëshmojnë për domosdoshmërinë e nijetit të pastër, flakjen e dyefaqësisë dhe ndëshkimin për atë që synon me të diçka tjetër pos kënaqësisë së Allahut ﷻ mund të përmendim:
Transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: Kush mëson ndonjë dituri me të cilën kërkohet Fytyra e Allahut ﷻ (dhe kënaqësia e Tij) e këtë nuk e mëson veçse për të arritur diçka prej dunjasë nuk do ta gjej (nuhat) erën e Xhenetit ditën e Kijametit ⁴.
Poashtu ka thënë: “Kush e kërkon diturinë për t’u krenuar me të para dijetarëve, për të polemizuar me mendjelehtët apo për t’i drejtuar fytyrat e njerëzve kah ai, do të jetë në zjarr ⁵.
b. Kategoria e dytë e dijeve: Shkencat e lejuara të kësaj bote, por që në esencë nuk kanë karakter fetar. Këtu bëjnë pjesë shkencat e ndryshme sikurse matematika, kimia, fizika, shkencat e ndryshme që i përkasin degës së mjekësisë, inxhinierisë, ndërtimtarisë, kompjuterizmit etj.
Parimisht, mësimi i tyre konsiderohet prej gjërave të lejuara, por në raste të caktuara mund të bëhet obligim kolektiv (farz kifaje) sidomos në kohën bashkëkohore kur umeti është në një garë diturish me popujt e kombet e tjera, garë kjo që nuk njeh lodhje e as pushim. Popujt e ndryshëm përpiqen natë e ditë për studimin dhe nxënien e shkencave të ndryshme që më pas t’i shfrytëzojnë dhe të përfitojnë prej tyre për të arritur krenarinë para popujve të tjerë dhe për të udhëhequr botën⁶.
Sinqeriteti nuk konsiderohet prej kushteve të nxënies së këtyre shkencave. Prandaj atij që nuk i ka shkuar ndërmend ta bëjë nijetin e mirë kur ka filluar studimin e tyre nuk merr gjynah. Por nëse synon arritjen e kënaqësisë së Allahut ﷻ me mësimin dhe studimin e tyre duke pasur për qëllim ngritjen e umetit, përmirësimin e mirëqenies së muslimanëve, etj, konsiderohet vepër e mirë dhe adhurim⁷.
1-Shih Ligjëratën e mbajtur nga Prof. Dr. Halid Muslih me titull: “Limadha netealem?” (Pse mësojmë?). (E transkriptuar pastaj në tekst).
2-Sherhul erbeinen-Nevevije li Ibn Uthejmin fq 363.
3-Mealim fi tariki talebil ilm fq: 19.
4-Transmeton Ebu Davudi në “Sunen” nr (3666) dhe Ibn Maxhe në “Sunen” nr (252). Albani e ka konsideruar hadith të saktë në recenzimin e librin “Iktidaul ilmil Amel” nr 102.
5-Transmeton Tirmidhiu në “El Xhami’” nr (2654) dhe Ibn Maxhe në “Sunen” nr (253). Albani e ka konsideruar hadith hasen (i mirë) në librin “Sahihul xhami’is-sagir” nr (6382).
6- Advaul bejan 2/265, dhe 6/167.
- Xhamiu turathil Al-lametil Albaniji fil fikh 14/72-73.
Shkroi: dr.Muhamed Broja
05.09.2023