Hutbeja e parë

Dr. Seid ibn Alij ibn Vehf El-Kahtanij

Pendimi, dispozita, vlerat dhe kushtet e tij

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu ska kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, ska kush e udhëzon. Dëshmoj se ska hyjni tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndjekin atë me mirësi deri në Ditën e Kijametit, më pas:

O ju njerëz: kini frikë Allahun siç ju ka mësuar Ai ku thotë:“ O ju të cilët keni besuar kini frikë Allahun realisht dhe vdisni vetëm si musliman” 1.

Dijeni se: Fjala më e vërtet është libri i Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, salAllahu alejhi ve selem, gjërat më të këqija janë të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat të çon në devijim dhe çdo devijim të çon në zjarr.

Robër të Allahut: Pendimi është obligim të cilin Allahu e obligoi  për çdo besimtar, për çdo mëkat, i Lartësuari thotë: “ … dhe pendohuni të gjithë tek Allahu o ju besimtarë që të shpëtoni”2.

Andaj, s’ka rrugë të shpëtimit veçse me pendim dhe kthim nga ajo rrugë që e urren Allahu, qoftë ajo haptas apo fshehtas, deri tek ajo që e don Allahu haptazi apo fshehurazi.

Ky ajet aludon se çdo besimtar ka nevojë të pendohet, ngase Allahu këtu iu drejtohet gjithë besimtarëve në përgjithësi. Allahu thotë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”3.

Qëllimi i këtij ajeti është: Për pendimin në përgjithsi, që përfshin krejt mëkatet, të cilat i ka kryer robi ndaj Allahut, si dhe me pendimin e tij dëshiron vetëm fytyrën e Allahut dhe afrimin tek Ai, kështu që vazhdon në pendim në çdo gjendje të tij. Kurse mëshira e Allahut është shumë e gjërë, i kaplon robërit e tij që e kanë ngarkuar veten me mëkate dhe janë zhytur në tejkalim e kufijve të Tij. Allahu i nxit njerzit në pendim ku thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush. Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë, që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!” Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm. Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë”! (Allahu do t’u thotë): “Me të vërtetë, juve ju erdhi shpallja Ime (Kurani), por nuk besuat dhe u bëtë mendjemëdhenj e jobesimtarë”4.

Allahu qorton ata besimtarë që nuk shpejtojnë pë te Allahu dhe kthimi tek Ai, po ashtu bën nxitje për përulësi dhe dorëzim të zemrave Allahut të Lartësuar, ndërsa tërheq vërejtjen nga cilësitë e ithtarëve të librit, atyre që iu ngurtësuan zemrat, të pavëmendshmëve, ku thotë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur”5.

Po ashtu i Dërguari i tij, salAllahu alejhi ve selem, ka urdhëruar të pendohemi, ku thotë: “O ju njerëz pendohuni tek Allahu, sepse unë kërkoj falje nga Allahu 100 herë në ditë” , në një transmetim tjetër: “nganjëherë më vjen në zemër dhe unë kërkoj falje nga Allahu 100 herë në ditë”6.

Kjo nënkupton ato raste kur zemrën e njeriut e kaplon pakujdesia, harresa nga të përmendurit të Allahut, andaj këtë e llogariste si gabim dhe kërkonte falje7. Në një version të Ahmedit qëndron: “O ju jerëz pendohuni tek Allahu dhe kërkoni falje nga Ai, ngase unë pendohem tek Allahu dhe kërkoj falje tek Ai 100 herë në ditë”8.

Po ashtu ai, salAllahu alejhi ve selem thotë: “Për Allahun unë kërkoj falje nga Allahu dhe pendohem tek Ai, më shumë se 70 herë në ditë”. 9

Nga hadithi kuptohet se nga Allahu kërkohet falje mëkatesh dhe vendosmëri në pendim. 10

Ibn Umeri, radiAllahu anhu rrëfen: “Ne ia numëronim të Dërguarit të Allahut, salAllahu alejhi ve selem, kur thoshte më shumë se 100 herë në një mexhlis të vetëm fjalët: “O Zot më fal mua, ma prano pendimin mua, sepse Ti je Falës i Mëshirshëm”, në një version tjetër: “O Zot më fal mua, ma prano pendimin mua, sepse Ti je Falësi që i fal mëkatet”. 11

Prej mëshirës së Allahut për robin është se Ai kënaqet me pendimin e njeriut kur ai pendohet tek Allahu, kënaqësi ashtu si takon Madhërisë së Tij. Enesi përcjell nga Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, se ka thënë: “Allahu më shumë gëzohet me pendimin e robit të Tij,  se sa gëzohet dikush prej jush, i cili me mjetin e tij është në një udhëtim tokë të gjërë , kur papritmas humb mjetin e tij bartës ku aty ka pasur ushqimin dhe pijen e tij, saqë dikur humbi shpresat se do ta gjen, kur afrohet nën hijen e një druri të pushon dhe ka humbur shpresat se do ta gjen mjetin bartës të tij, kur për një moment i shfaqet para syve dhe ky menjeherë e kap për frerin e saj pastaj nga gëzimi thotë: O Allah ti je robi im e unë jam zoti yt, gaboi nga gëzimi i madh”. 12

Gjithashtu nga Bujaria e tij për robërit e Tij është se Ai e shtrin dorën e tij natën të pendohet mëkatari i ditës dhe shtrin dorën e tij ditën të pendohet mëkatari i natës, derisa të lind dielli nga perendimi. 13

Njashtu nga Mëshira e tij është se, kur Ai i krijoi krijesat shënoi mbi arshin e tij: “Mëshira ime kaplon hidhërimin tim”14. Allahu ka krijuar njëqind mëshira , 99 i ka ruajtur për ditën e Kiametit, një e ka lëshuar mbi tokë nga e cila mëshirohen krijesat me njëra tjetrën, saqë edhe kafsha largon kthetrat e saja nga fëmiju i vet si mëshirë për të, të mos e dëmton”. 15

Umer ibn Hatabi, radiAllahu anhu, përcjell dhe thotë: Një grua në prani të Dërguarit të Allahut, salAllahu alejhi ve selem, e kërkonte fëmijën e saj, foshnjën e vet në plaçkën e luftës. Kur e gjeti atëherë e përqafoi atë në gjirin e saj,  i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve selem, na tha: “A mendoni se kjo e hedh fëmijun e saj në zjarr?”, të pranishmit thanë: Jo për Allahun, ajo vetëm e vetëm se tentoi ta shpëton ate. Atherë i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve selem, tha: “Allahu është më i mëshirshëm me robërit e tij se sa kjo me fëmiun e saj”. 16

Mirëpo prapseprap sikur ta di besimtari se çfarë dënimi posedon Allahu nuk do të kishte ëndje dikush për xhenetin e Tij, si dhe sikur ta dinte jobesimtari se çfarë mëshire posedon Allahu nuk do ta humbte shpresën kurrë nga xheneti i Tij. 17

Allahu i fal mëkatet pa marrë parasysh se sa të mëdha janë, nëse njeriu pendohet sinqerisht, i cili ngërthen në vete: pendimin nga mëkati, nijetin të mos i kthehet asaj, largimin nga mëkati, si dhe kthimin e hakut atyre që ju ka borxh. Allahu i Lartësuar thotë: “dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë, dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë”. 18

Ibn Abasi, radiAllahu anhu, përcjell se: Disa njerëz nga politeistët vranë dhe e tepruan, bën kurvëri dhe e tepruan, erdhën tek Muhamedi, salAllahu alejhi ve selem, dhe i thanë: Ajo në të cilën thërret ti është e mirë, po sikur të na tregosh se a ka shpagim për atë që kemi vepruar, atëherë zbriti ajeti: “dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë, dhe që nuk bëjnë kurvëri.”, pastaj zbriti:” O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut!” 19

Poashtu i Lartmadhëruari thotë: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë”20.

Njashtu Allahu thotë: “Ai e pranon pendimin e robërvet të Vet, i fal gjynahet dhe i di të gjitha çfarë punoni ju.” 21

Njashtu i Madhëruari thotë: “A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që pranon pendimin dhe bamirësinë nga robërit e Vet dhe se Ai është Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti?” 22

I Lartmadhëruari thotë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” 23

Allahu thotë: “Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!”24

Po ashtu Allahu na thotë:”Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë, pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)!” 25

Njëherë një grua shtatzënë që kishte bërë kurvëri, erdhi tek Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, dhe i tha: O i Dërguri i Allahut kam shkelur ligjin islam andaj më ekzekuto! Atherë Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, thirri kujdestarin e saj dhe tha: sillu me të mirë derisa të lind dhe kur të lind sjelle këtu, ai veproi ashtu . Pastaj urdhëroi, salAllahu alejhi ve selem, që të gurëzohet, e pastaj ia fali namazin. Omeri, radiAllahu anhu, tha: O i Dërguari i Allahut a ia fale xhenazen kur ajo ka bërë zina (kurvëri)? Tha: “Është penduar me një pendim sikur t’ju ndaheshte 70 vetëve në medine do të mjaftonte, a ka pendim më të fortë kur ajo sakrifikoi veten e saj për tu penduar nga mëkati”. 26.

Një njeri vrau 100 njerëz pastaj u pendua dhe Allahu ia pranoi pendimin. 27

Mirëpo, duhet ta dimë se në frymën e fundit të shpirtit në gargarë dhe kur të lind dielli nga perendimi nuk pranohet pendimi; Allahu thotë: “Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm.” 28
Poashtu përcillet nga Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem, se ka thënë: “Allahu e pranon pendimin e robit të Tij deri në gargare”. 29

Prandaj Allahu thotë: “A mos vallë presin ata t’u vijnë engjëjt ose të vijë Zotit yt, ose të vijnë disa shenja të Zotit tënd? Ditën kur të vijnë disa shenja të Zotit tënd, atëherë nuk do t’i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë ndonjë të mirë me besimin e tij! Thuaju: “Pritni, se edhe ne po presim!” 30

Ebu Hurejra, radiAllahu anhu, përcjell se i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kush pendohet para se të lind dielli nga perëndimi Allahu ia pranon pendimin”. 31

Tregohet se një njeri iu bind Allahut njëzet vjet pastaj i bëri mëkat njëzet tjera, pas një kohe shikoi veten në pasqyrë , i’u ishin thinjur flokët, nga pleqëria ishte krusur, u mërzit nga neglizhenca e tij, atëherë dëgjoi një zë: O ti na u binde neve dhe ne të afruam, pastaj mëkatove ndaj nesh ne të afatizuam, nëse kthehesh kah ne përsëri të pranojmë. 32

Nuk ka dyshim se shlyesit e mëkateve janë shumë si: Pendimi i sinqertë, kërkimi i faljes, sprovat, veprat e mira, dënimi i varrit – Allahu na rruajt nga dënimi i varrit, kërkimi i faljes i besimtarëve për besimtarët, gjatë jetës dhe pas vdekjes, si dhe lëmoshat pas vdekjes, sprovat e ditës së Kiametit, pastrimi i besimtarëve gjatë matjes së veprave në peshore pas kalimit të urës së siratit, ndërmjetsimi i ndërmjetsuesve, falja e më të Mëshirshmit pa kurrëfarë ndërmjetsimi.

Robër të Allahut pendohuni tek Allahu kërkoni falje tek Ai para se tju vjen vdekja, para se të thotë krimineli: “O Zot më kthe në dunja të bëj vepra të mira të cilat i kam lënë mangët”. 33

Si dhe para se të mos të bën dobi pishmanllëku, para se të thotë njeriu: I mjerri unë që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut dhe se jam tallur me fenë, ose të thotë ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm”. Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë”! .

Robër të Allahut, Allahu më bekoftë mua dhe juve në Kuranin Famëlartë, më bëft dobi mua dhe juve me ajetet dhe urtësitë e tij, i them këto fjalë pasi kërkoi falje nga Allahu për mua dhe për ju dhe për gjithë besimtarët kërkoni falje nga Ai dhe pendohuni tek Ai; Sepse me të vërtet Ai është Falës, e pranon pendimin i Mëshirshëm.

Hutbeja e dytë

Falenderimi i takon Allahut Zotit të botrave, Zotit të vërtet, përfundimi ju takon të devotshmëve, armiqësia ju takon vetëm zullumqarve, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos Allahut Falësit, pranuesit të pendimeve, të Mëshirshmit, “Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesit të të mirave. Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë”.34

Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, bekimet e Allahut qofshin mbi të mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që ndjekin rrugën e tij me mirësi deri në ditën e fundit, o Allah lësho mirësi të shumta mbi ta, më pas:

Robër të Allahut: Kini frikë Allahun , dhe pendohuni tek Ai, Allahu i Madhëruar thotë: “Lajmëroji robërit e Mi (o Muhamed) se, vërtet, Unë jam Falësi i madh, Mëshirëploti dhe se dënimi Im është vërtet dënimi i dhembshëm!”35

Pejgamberi, salAllahu alejhi ve selem thotë: “Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “O biri i Ademit, përderisa ti më lutesh Mua dhe shpreson tek Unë, ti fali ty mëkatet që i ke bërë më parë dhe as që më bren kjo aspak. O biri i Ademit nëse mëkatet tua arrijnë në kupën e qiellit dhe pastaj kërkon falje nga Unë, ti fali mëkatet dhe as që kam gajle. O biri i Ademit në qoftëse ti vjen tek Unë me mëkate sa toka pastaj më takon mua duke mos më bërë shok në adhurim të vij ty me aq falje mëkatesh”36.

Në hadith qëndron: “I penduari nga mëkati është sikur ai që s’ka mëkat”37.

Kjo ishte e tëra, pastaj çoni salavate mbi krijesën më të mirë, Profetin tonë Muhamed të birin e Abdullahut, salAllahu alejhi ve selem, Allahu qoftë i kënaqur me shokët e tij : Ebu Bekrin, Omerin, Uthmanin, Alijun si dhe me gjithë shokët e Profetit tonë në përgjithësi.

O Allah ndihmoje islamin dhe myslimanët, poshtërsoi shirkun dhe mushrikët, ndihmoju robërve të Tu që të njësojnë Ty. O Allah fali myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të vdekur qofshun ata apo të gjallë, fali të vdekurit tanë dhe të vdekurit e gjithë besimtarëve me mëshirën tënde o Më i Mëshirshmi i të mëshirshmëve. Zot i ynë na jep të mira në dynja dhe në ahiret, dhe na mbroj nga dënimi i zjarrit të xhehenemit.

Robër të Allahut: Përmendeni Allahun e Madh, që Ai t’ju përmend juve, falënderoni Atë që t’ua shton të mirat, “pasi që të përmendurit e Allahut është diçka e madhe Allahu e din çfarë punoni!”.

Përshtati: Nexhat Ceka

Burimi: albislam.com

Naters, Zvicër.

1 Sure Ale-imran, ajeti:102.
2 Sure Nur, ajeti: 31.
3 Sure Tahrim, ajeti: 8.
4 Sure Zumer, ajeti: 53-59.
5 Sure Hadid, ajeti: 16.
6 Muslimi, nr: 2702.
7 Sherhu Nevevij ala sahihil Muslim 17/22, fet-hul barij 11/101.
8 Ahmedi, 4/260, Albani e saktëson hadithin në Sahiha: 3/435.
9 Buhariu, nr: 6307.
10 Fet-hul barij, ibn Haxher :11/101.
11 Ebu Davudi, nr: 1516, Tirmidhiu nr: 2434, Albani e saktëson hadithin në Sahiha: 556.
12 Buhariu nr:6309, Muslimi nr: 2754.
13 Muslimi nr:2759.
14 Muslimi nr:2751.
15 Muslimi nr:2752.
16 Buhariu nr:5999, Muslimi nr: 2754.
17 Muslimi nr: 2755.
18 Sure Furkan, ajeti: 67-70.
19 Buhariu nr: 4810 dhe të tjerët pos tij.
20 Sure Taha, ajeti: 82.
21 Sure Shura, ajeti: 25.
22 Sure Teube, ajeti:104.
23 Sure Nisa, ajeti:106.
24 Sue Maide, ajeti: 74.
25 Sure Ali imran, ajeti:135,136.
26 Muslimi nr: 1696.
27 Muslimi nr:2766.
28 Sure Nisa, ajeti:17-18.
29 Tirmidhiu nr: 3531, ibn Maxheh nr: 4253, Albani hadithin e bën hasen(të mirë) në Sahihu Tirmidhij 4/454.
30 Sure Enam, ajeti: 158.
31 Muslimi, nr: 2703.
32 Këtë rast e kam dëgjuar nga Abdullah ibn Humejdi Allahu e mëshiroftë, i cili këtë ndodhi e mbështet në fet-hul bari të ibn Haxherit.
33 Sure Muminun , ajeti: 99-100.
34 Sure Gafir, ajeti:3.
35 Sure Hixhr, ajeti: 49-50.
36 Tirmidhiu nr: 3540, Albani e saktëson hadithin në Sahihu Tirmidhij 2/418.
37 Ibn Maxheh nr:2450, Albani këtë hadith e bën hasen(të mirë) në Sahihu sunenu ibnu Maxheh 2/418.